Eren: Ftoj të rinjtë të aplikojnë në programin e Bursave të Turqisë

Eren: Ftoj të rinjtë të aplikojnë në programin e Bursave të Turqisë

Kryetari i Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), Abdullah Eren, i ftoi të rinjtë që dëshirojnë t’i kryejnë studimet në Turqi të aplikojnë në programin e Bursave të Turqisë.

Kryetari i YTB-së Eren zhvulloi një intervistë për Anadolu Agency (AA) në lidhje me fillimin e aplikimeve për programin “Bursat e Turqisë 2019”, i cili ofron mundësinë e arsimimit në Turqi për studentët e huaj.

Eren rikujtoi se Bursat e Turqisë, aplikimet e të cilave kanë nisur më 15 janar, ofrohen që nga viti 2011 dhe se aplikimet për bursë që kryhen nga të gjithë anët e botës shtohen çdo vit e më shumë.

“Programi i Bursave të Turqisë ndiqet nga shumë studentë ndërkombëtarë që ndjekin nga afër Turqinë”, tha Eren, duke bërë të ditur se afatin e aplikimeve për bursa e kanë përcaktuar në periudhën 15 janar-20 shkurt.

Duke nënvizuar se Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë këtë njoftim e ka dërguar në të gjitha vendet ku ka ambasada dhe konsullata, Eren theksoi se përfaqësitë dhe institucionet publike që veprojnë jashtë vendit kanë bërë njoftimet e bursave tek universitetet dhe shkollat e mesme në vendet ku gjenden.

– “Ftoj të rinjtë të aplikojnë në programin e Bursave të Turqisë”

“Për të përmirësuar cilësinë e vlerësimit dhe për të rritur cilësinë, aplikimet i kemi reduktuar vetëm në një periudhë të vetme. I ftoj të rinjtë që kanë dëshirë të arsimohen në nivelin e arsimit universitar dhe atë master të aplikojnë në programin e Bursave të Turqisë, pavarsisht se në cilin vend të botës ndodhen. Të aplikojnë, sistemi është i hapur”, u shpreh Eren, duke shtuar se në të kaluarën aplikimet për bursë kryeheshin në disa periudha, porse këtë vit kanë vendosur të zhvillohet në një periudhë të vetme.

YTB çdo vit sjell në Turqi rreth katër mijë studentë nëpërmjet bursave, njoftoi Eren, duke bërë të ditur se në këtë vend ndodhen gjithsej 140 mijë studentë ndërkombëtarë, 17 mijë prej të cilëve janë të përfshirë në programin e Bursave të Turqisë të YTB-së.

– “Bursat e Turqisë janë një mundësi shumë serioze”

Eren tha se programi i Bursave të Turqisë ka avantazhe shumë serioze i cili përshin çdo mundësi.

“Për studentët në nivel universitar, master dhe doktoratë paguajmë 700, 900 dhe 1400 lira. I paguajmë tarifat universitare, tarifat e qëndrimit në konvikte, ofrojmë sigurimin e tyre shëndetësor, si dhe biletën e ardhjes dhe të kthimit. Është një mundësi shumë serioze. Turqia ka përparuar shumë në aspektin e arsimit të nivelit universitar. Ne dëshirojmë që ta mbështesim këtë duke sjellë studentë cilësorë”, tha Eren.

Në Turqi ka universitete që ofrojnë arsim shumë të mirë në gjuhën angleze dhe turke, që ndiqen edhe nga studentët e huaj, shtoi ai.

“Të diplomuarit në Turqi kanë mundësi shumë të lartë për t’u punësuar. Ne këtë mund ta vërejmë edhe tek ata të cilët që prej vitit 1992 kanë ardhur në Turqi dhe janë diplomuar me mundësitë e bursave të shtetit tonë dhe, pasi janë kthyer në vendet e tyre, ndodhen në pozita të mira në sektorë të ndryshëm”, nënvizoi Eren.

Përveç këtyre, edhe bukuritë natyrore, pozicioni gjeografik, historia, kultura dhe fakti që Turqia është një vend që ka shërbyer si një djep i shumë qytetërimeve, janë tjetër veçori atraktive për studentët ndërkombëtarë.

– “Standardet e jetesës në Turqi janë më të arsyeshme”

“Standardet e jetës dhe jetesës në Turqi janë më të arsyeshme në krahasim me vendet e tjera dhe kjo gjë i tërheq studentët. Kur i bashkojmë këta faktorë, vërejmë se arsimi ndërkombëtar i Turqisë është i arsyeshëm”, deklaroi Eren.

Ai po ashtu bëri të ditur se YTB në vitet e ardhshme do të ofrojë mundësi bursash për studentë më cilësorë.

“Vitet e ardhshme ne duam të pranojmë studentë cilësorë. Këtë vit do ta zbatojmë këtë në disa vende pilot. Do të kërkojmë dokumentin e hyrjes në provimet për universitet në vendet e tyre. Do të provojmë rrugë të ndryshme për të angazhuar në këto bursa studentët që kanë arritur sukses në vendet e tyre. Disa studentë do t’i marrim drejtpërdrejt në intervistë, ndërsa disa të tjerë në masë të madhe do t’i përfshijmë në programin e dhënies së bursës”, njoftoi kreu i YTB-së.

Fodacioni i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), Fondacioni Maarif dhe Ministria e Arsimit kanë shumë shkolla të mesme jashtë vendit dhe gjithashtu edhe nxënësit e suksesshëm të këtyre shkollave pranohen në programin e bursave, tha Eren.

Vitet e kaluara janë pranuar më shumë se 100 mijë aplikime për bursa, bëri të ditur Eren, duke shtuar se “Ne dëshirojmë që të rritet edhe më shumë numri i aplikimeve dhe bashkë me këtë të rritet numri i studentëve cilësorë brenda tyre”.

Sipas Eren, nga 15 janar deri më 20 shkurt do të kryhen aplikime dhe në periudhën tremujore më pas do të vazhdojë procesi i seleksionimit dhe vlerësimit.

“Ka një punë shumë të serioze prapa bursave të dhëna. Ne si YTB jemi të vetëdijshëm maksimalisht për përgjegjësinë e bursave që jepen nga taksat e popullit tonë. Do të përpiqemi që këto bursa t‘ua japim studentëve që e meritojnë. I ftoj të gjithë të rinjtë anembanë botës të aplikojnë për programin e Bursave të Turqisë”, tha për AA kryetari i YTB-së, Abdullah Eren.