Erdoğan: Nuk do të ndalemi derisa të ndërtojmë një Türkiye të madhe dhe të fuqishme

Erdoğan: Nuk do të ndalemi derisa të ndërtojmë një Türkiye të madhe dhe të fuqishme

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se nuk do të ndalen derisa të ndërtojnë një Türkiye të madhe dhe të fuqishme dhe se do ta vazhdojnë me vendosmëri luftën e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Nuk do të lejojmë as terrorizmin as bandat imperialiste që mbajnë në duar frenat e organizatës terroriste të na pengojnë nga rruga jonë”, deklaroi presidenti Erdoğan përmes një video- mesazhi të dërguar në “Takimin e Sipërmarrësve të Türkiye-s dhe Ceremoninë e 9-të të Çmimeve të Sipërmarrësve”, që u zhvillua nga Fondacioni i Biznesmenëve Sipërmarrës dhe Fondacioni Rinor i Türkiye-s.

Në mesazhin e tij, Erdoğan falënderoi të gjithë sipërmarrësit që prodhojnë për Türkiye-n, investojnë, krijojnë biznese të reja, zhvillojnë biznesin dhe të cilët janë burim krenarie me sukseset e tyre brenda dhe jashtë vendit.

Më tej, Erdoğan tha se po kalojnë nga një periudhë e vështirë, e cila filloi me pandeminë COVID-19 dhe e cila u thellua edhe më tej me tensionin Rusi-Ukrainë.

Presidenti turk ka rikujtuar se shumë ekonomi, përfshirë edhe vendet e zhvilluara, janë përballur me probleme serioze të pavërejtura më parë që nga inflacioni në recesion, nga humbja e vendeve të punës e deri në krizën ushqimore dhe të energjisë.

“Türkiye, e cila menaxhoi me sukses procesin e pandemisë, fatmirësisht po i kapërcen këto sprova të shfaqura pas pandemisë. Jemi dëshmitarë të efekteve pozitive në çdo fushë të modelit tonë ekonomik, i cili bazohet në rritjen përmes investimit, punësimit, prodhimit, eksportit dhe suficitit aktual. Në një mjedis ku pandemia COVID-19 tronditi thellë ekonomitë e botës, ne u përfshimë në krye të vendeve G20 që shënuan rritje më të shpejtë. Vitin e kaluar norma e rritjes tonë ishte 11 për qind, ndërsa në gjysmën e parë të këtij viti në nivelin 7,5 për qind. Pavarësisht se norma jonë e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është rritur, ne kemi tejkaluar kufirin 31 milionë në punësim”, tha Erdoğan.

“I kushtojmë rëndësi që të vazhdojmë pa ndërprerë veprimet tona të investimit”

Në fjalën e tij, presidenti Erdoğan tërhoqi vëmendjen se po përparojnë me hapa të sigurt drejt objektivave duke thyer rekorde çdo muaj në eksporte.

“Gjithashtu i kushtojmë rëndësi të madhe që të vazhdojmë pa ndërprerë veprimet tona të investimit. Duke hapur më 29 tetor fabrikën ‘TOGG’ të automjetit tonë elektrik, ne shndërruam në realitet një tjetër ëndërr të popullit tonë. Ditën e martë përjetuam si popull emocionin e hapjes së centralit hidroelektrik dhe digës ‘Yusufeli’ e cila është më e madhja e vendit tonë. Pothuajse çdo javë në një qytet të ndryshëm kryejmë hapjen e një fabrike, kompleks prodhimi dhe të veprave që sektori publik dhe privat sjell në vendin tonë”, tha ai.

“Vazhdojmë rrugën tonë duke realizuar një e nga një projekte konkrete të vizionit tonë të Shekullit të Türkiye-s. Nuk do të ndalemi derisa të ndërtojmë një Türkiye të madhe dhe të fuqishme dhe do ta vazhdojnë me vendosmëri luftën tonë. Nuk do të lejojmë as terrorizmin as bandat imperialiste që mbajnë në duar frenat e organizatës terroriste të na pengojnë nga rruga jonë. Besoj nga zemra se me mbështetjen dhe kontributin tuaj dhe të sipërmarrësve tanë të rinj do ta bëjmë shekullin e 21-të, Shekullin e Türkiye-s”.

Erdoğan po ashtu uroi ata që kontribuuan në realizimin e programit, kryesisht Fondacionin e Biznesmenëve sipërmarrës dhe Fondacionin Rinor të Türkiye-s, si dhe përgëzoi institucionet dhe sipërmarrësit që kanë fituar të drejtën e Çmimit të Sipërmarrësve.