Erdoğan: Bisedimet e Turqisë me Suedinë dhe Finlandën nuk ndodhën ‘në nivelin e dëshiruar’

Erdoğan: Bisedimet e Turqisë me Suedinë dhe Finlandën nuk ndodhën ‘në nivelin e dëshiruar’

Bisedimet e javës së kaluar mbi synimin e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO të organizuara nga Turqia në kompleksin presidencial në kryeqytetin Ankara “nuk ndodhën në nivelin e dëshiruar”, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan të shtunën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur me gazetarët në avion pas një udhëtimi në Azerbajxhan, Erdoğan, komentet e të cilit u publikuan sot, ka thënë: “Fatkeqësisht, bisedimet e zhvilluara nga delegacioni ynë me Finlandën dhe Suedinë nuk ishin në nivelin e dëshiruar”.

Duke thënë se Suedia dhe Finlanda kanë pritshmëri nga këto bisedime, Erdoğan tha megjithatë se ata nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për kërkesat e Turqisë dhe theksoi se terroristët edhe tani janë ende duke ecur në rrugët e Stokholmit ndërsa Suedia i mbron ata “me policinë e vet”.

“Ne nuk mund të përsërisim gabimet e bëra në të kaluarën për (pranimin) e vendeve që përqafojnë dhe ushqejnë terroristë të tillë në NATO, e cila është një organizatë sigurie”, tha ai.

Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’iu bashkuar NATO-s më 18 maj, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.

Por Turqia, anëtare e vjetër e aleancës, ka shprehur kundërshtime ndaj aplikimeve të tyre për anëtarësim, duke kritikuar shtetet nordike për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste.

Turqia javën e kaluar organizoi konsultime me delegacionet suedeze dhe finlandeze mbi aplikimet e tyre në NATO.

Duke shtuar se së shpejti do të ketë telefonata të veçanta me homologët e tij rusë dhe ukrainas, Erdoğan tha se Turqia do të vazhdojë të inkurajojë palët që të ruajnë kanalet e dialogut dhe diplomacisë për të sjellë paqen në Ukrainë.

Lidhur me një operacion të ri të mundshëm turk të sigurisë në veri të Sirisë, pranë kufirit turk, presidenti theksoi se të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre në luftën kundër terrorizmit.

“Nëse Amerika nuk e përmbush detyrën e saj në luftën kundër terrorizmit, çfarë do të bëjmë ne? Do të përballemi me veten. Kundërterrorizmi nuk mund të bëhet duke kërkuar leje nga të tjerët”, shtoi ai.

Që nga viti 2016, Turqia ka nisur tre operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në Sirinë veriore për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes (2019).

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e radhitur si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.