` . Erdhi momenti, McGregor-Poirier në UFC 257, spektakli i garantuar - TV SHENJA

Erdhi momenti, McGregor-Poirier në UFC 257, spektakli i garantuar

Erdhi momenti i shumëpritur: Conor McGregor përballë Dustin Poirier për peshën deri 70 kilogramë, në duelin që do të zhvillohet këtë të diel, në “Fight Island” në Emiratet e Bashkuara Arabe”, pas orës 4 të mëngjesit. Një përballje e ndezur, që këtë herë nuk konsiderohet aq i ashpër dhe armiqësor sa në sfidën e parë ndërmjet tyre, që u zhvillua 6 vjet më parë në Las Vegas, në mbrëmjen 178 të UFC, ku “The Notorious” falë grushteve të tij i mbylli llogaritë shpejt e shpejt që në raundin e parë dhe qëndresa e luftëtarit nga Luiziana nuk zgjati më shumë se 1’46”.

32-vjecari nga Dublini iu rikthye “plagës së vjetër” me “shqiponjën nga Dagestani” Khabib Nurmagomedov, duke theksuar se lufta mes tyre nuk ka marrë fund ende. Sic dihet titullin në peshën e lehtë në UFC në artet marciale të përziera e mban që nga 7 prilli i vitit 2018 pikërisht 32-vjecari rus, që asokohe mundi amerikanin Al Iaquinta me vendim unanim pas pesë raundeve, megjithatë McGregor iu ka bërë thirrje drejtuesve të UFC për t’ia hequr Khabib-it këtë titull.

Nurmagomedov e mposhti rivalin e tij irlandez në Nevada në tetorin e vitit 2018, në takimin pasardhës për mbrojtjen e titullit. Kaluan vetëm dy vjet dhe pas triumfit ndaj 32-vjeçarit tjetër nga Shtetet e Bashkuara Justin Gaethje Khabib Nurmagomedov vendosi të tërhiqet përfundimisht, duke zemëruar pa masë luftëtarin irlandez.

Conor po bën cmos për ta rikthyer sportistin legjendar rus në oktagon, por duket shumë e vështirë që dëshira e McGregor-it të realizohet, sidomos pasi Nurmagomedov humbi babanë dhe iu betua nënës së tij se sfida me Gaethje do të ishte e fundit për të në karrierë.

Humbja e rëndë që pësoi në sfidën ndërmjet tyre si dhe bilanci perfekt 29-0 i rivalit të tij duket se i kanë errësuar shikimin dhe kanë inatosur akoma më shumë 32-vjeçarin nga Dublini.

Javën e kaluar Presidenti i UFC, Dana Ëhite, ndezi një lloj shprese të vogël, duke thënë se luftëtari rus mund të joshet për t’u rikthyer, nëse shikon ndonjë gjë spektakolare në sfidën që McGregor do të ketë me amerikanin Dustin Poirier.

Duelin e fundit McGregor e ka patur një vit më parë, kur mundi në Las Vegas pas vetëm 40” “coëboy”-n Donald Cerrone, megjithatë Conor ka premtuar se të dielën në mëngjes herët ai do të prodhojë një kryevepër në kafaz, ndaj kundërshtarit të radhës Dustin Poirier, në main event-in e mbrëmjes numër 257 në UFC.

Organizatorët presin që ky duel të ndiqet në “Etihad Arena” nga rreth 2.000 të pranishëm, ku natyrisht do të respektohen rregullat e posaçme të distancimi social, në një arenë të re dhe moderne të ndërtuar në Abu Dhabi me kapacitet maksimal prej plot 18.000 vendesh. Poirier i cili ka debutuar në UFC që në vitin 2011 ka zhvilluar vetëm një ndeshje në 15 muajt e fundit, më datë 27 qershor, në Las Vegas me zelandezin Dan Hooker, të cilin e mundi me vendim unanim pas pesë raundeve.

32-vjecari nga Louisiana ka shpjeguar vazhdimisht se nuk e ka harruar duelin e parë me McGregor, megjithatë Poirier preferon të mendojë për këtë periudhë kohe dhe për mënyrën se si ka ditur të ndryshojë apo të përshtatet me kalimin e viteve.

Vlen të theksohet fakti që Dustin Poirier ka mundur me radhë emra si Anthony Pettis, Justin Gaethje, Eddie Alvarez apo dhe Max Holloëay. Poirier ka thënë se nuk i interesojnë shumë ato që thonë të tjerët për të, pasi është i ndërgjegjshëm për sakrificat dhe vështirësitë që ka kaluar për të qëndruar në nivele të tilla, kaq të larta.