Enis Gavazaj: I kënaqur te Struga, ti gëzojmë tifozët me shumë fitore

Enis Gavazaj: I kënaqur te Struga, ti gëzojmë tifozët me shumë fitore

Enis Gavazaj, pa dyshim se ishte një ndër afrimet më të bujshme të kësaj merkatoje në elitën e futbollit vendor.

Futbollisti me origjinë nga Kosova gjatë kësaj merkatoje iu bashkua skuadrës së Struga Trim Lum, që bëri disa lëvizje shumë të bujshme, ndërsa i njëjti në një intervistë për faqen e klubit strugan ka folur për shumë gjëra, përfshirë këtu mikpritjen, zgjidhjen e bërë, kampionatin tonë dhe kuptohet ndeshjen e parë të sezonit të ri, atë kundër Pobedës që Struga Trim Lum do ta zhvillojë gjatë ditës së nesërme.

  1. Sa je i kënaqur nga mikpritja që të bënë te Struga Trim Lum?

Jam shumë i kënaqur me mikëpritjen në Strugë, si nga ekipi ashtu edhe nga drejtuesit e klubit.

  1. Pse pikërisht Struga Trim Lum, pse zgjodhët këtë skuadër dhe si ju duket qyteti?

Më pelqeu se ishte ekip me ambicie të larta për këtë vit dhe mendova se do ishte një lëvizje e mirë për karrierën time dhe gjithashtu ta ndihmoja ekipin në arritjen e objektivave.

  1. Hera e parë që do luani në Maqedoni, çfarë ju premtoni tifozëve te Struga Trim Lum, por edhe gjithë futbolldashësve të Ligës së Parë?

Po, është hera e parë që luaj në ligën e Maqedonisë dhe jam i lumtur për këtë, tifozëve u premtoj që do kem angazhim maksimal dhe se do mundohemi që sa më shumë ti gëzojmë ata me fitore në fushën e blertë.

  1. Besoni se keni bërë zgjidhjen e duhur dhe se në sezonin e ri do shohim Enisin e vërtetë, atë të garave europiane me Skënderbeun?

Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur duke shikuar se sa të afërm janë lojtarët, drejtuesit me ekipin dhe kjo më bënë të lumtur.  Do mundohem të jap më të mirën time padyshim, shpresoj të rikthehem ai i vjetri dhe në fund të ju gëzohemi shumë fitoreve në kampionat me Struga Trim Lum.

  1. Të shtunën starton kampionati i ri. Struga Trim Lum luan ndaj Pobedës, ndaj së cilës skuadër luajtët edhe një miqësore në kuadër të përgatitjeve. Mendoni se mund të përsëritini rezultatin e atij takimi dhe ta nisni me këmbë të mbarë sezonin e ri?

Mezi pres të luaj në një ndeshje zyrtare me Struga Trim Lum. Fati deshi që sezonin ta nisim ndaj një skuadre me të cilën kemi luajtur disa javë më parë në kuadër të përgatitjeve, ashtu që pak a shumë e dimë potencialin dhe forcën e Pobedës. Mendoj se nëse ju përmbahemi këshillave të trajnerit, çdo gjë do të jetë në rregull dhe se do të arrijmë deri tek 3 pikëshi i plotë.