` . Emri i Alija Izetbegoviqit është i respektuar edhe nga intelektualët shqiptarë - TV SHENJA

Emri i Alija Izetbegoviqit është i respektuar edhe nga intelektualët shqiptarë

Emri i Alija Izetbegoviqit është i respektuar nga të gjithë intelektualët shqiptarë, madje edhe nga ata që nuk pajtohen me mendimin e tij. Mendoj se Alija ka qenë mendimi alternativ edhe për botën shqiptare, që – për shkak të fragmentimit gjysmëshekullor komunist – nuk arriti të rilidhet aty ku e vendosi nyjën Alija dhe intelektualët e tjerë boshnjakë.”

Intervistoi: ELVIR MUSIĆ

Emri i drejtorit të Shtëpisë Botuese “Logos-A” në Shkup, prof. dr. Adnan Ismaili, në gjeografinë shqiptare është sinonim i dashurisë ndaj librit dhe përpjekjes iluministe në shërbim të zhvillimit shkencor dhe kulturor. I qetë dhe vetëmohues, prof. dr. Adnan Ismaili është edhe shef i Katedrës së Filologjisë Orientale në Universitetin e Tetovës. Ai është autor i disa veprave dhe artikujve shkencorë, ndërsa në bisedë e sipër ai shpreh kënaqësinë e tij që, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, kanë arritur të krijojnë një shtëpi botuese që sot është ndër më të suksesshmet në përkushtimin ndaj misionit të promovimit të kulturës së leximit në hapësirën shqiptare. Logoja e SHB “Logos- A” mund të gjendet në mbi një mijë tituj, përfshirë edhe titujt e autorëve boshnjakë. Megjithatë, ai veçanërisht me mburrje flet për lidhjen e tij dhe lidhjen intelektuale të miqve të tij me mendimin e të ndjerit Alija Izetbegoviq, veprën e plotë të të cilit e ka botuar në gjuhën shqipe shtatë vjet më parë. Ai nuk e fsheh edhe keqardhjen e tij që ka një lloj ngecjeje në marrëdhëniet intelektuale shqiptaro-boshnjake.

STAV: Botimi i librit në hapësirën shqipfolëse, gjatë pesëdhjetë viteve të fundit, jo rrallë ka kaluar nëpër disa faza kritike, për të cilat në Bosnjë e Hercegovinë dihet fare pak. Duke marrë para sysh se kemi nevojë të njihemi më mirë, që edhe të mund të bashkëpunojmë më mirë. Ju lutem na njoftoni shkurtimisht me karakteristikat themelore të atyre fazave në zhvillimin e botimit në nënqiellin ku është ndjerë era e librit të Shtëpisë Botuese “Logos-A”, të cilën e drejtoni ju!

Ismaili: Shihni, botimi i librit në mjedisin shqiptar ka qenë i lidhur detyrimisht me zhvillimet shoqërore tek ne. Siç e dini, shqiptarët kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në disa shtete në Ballkan, ndërsa në kohën e ish Jugosllavisë, shqiptarët ishin të ndarë në “shqiptarë të Shqipërisë” dhe “shqiptarë të Jugosllavisë”. Dhe, për fat të keq, diktatura komuniste në Shqipëri, që ishte ndër diktaturat më të egra moniste, e kishte kufizuar krejtësisht fjalën e lirë ashtu që botimi i librit ishte thjesht propagandë komuniste dhe ideologji. Në anën tjetër, sado që në Jugosllavi kishim një komunizëm më liberal, përsëri botimi i librave ishte në dorë të shtetit dhe përgjatë atyre viteve në gjuhën shqipe gati se nuk ka libër të botuar që mund të kenë qenë në favor të identitetit autokton shqiptar ose musliman (janë dy-tre tituj me informacione themelore për Islamin dhe, rëndom, ilmihalë ose histori të pejgamberëve). Prandaj, për neve (me këtë përemër nënkuptoj një grup të rinjsh muslimanë të Shkupit, të mbledhur rreth Ismail Bardhit – ish student në Sarajevë dhe bashkëpunëtor i rahmetli Alija Izetbegoviqit dhe shokëve të tjerë të tij) botimi i librit ishte një etje më shumë se për ujin në shkretëtirë. Për këtë arsye edhe librat që na vinin prej jashtë (përmes kanaleve të ndryshme) mundoheshim t’i fotokopjojmë dhe t’i shpërndajmë pjesë-pjesë ose si të plotë, aq sa makina e fotokopjimit për ne ishte një ëndërr ideale. Andaj kur Jugosllavia po perëndonte, para se t’i nxjerrë grahmat e fundit, ne ishim gati që t’i hyjmë veprimtarisë botuese. Të shtyrë nga mendimi intelektual mysliman i Bosnjës, që rrodhi tek ne përmes prof. dr. Ismail Bardhit, ndërsa në të shumtën e rasteve u konkretizua si libër nga përkthimet e teologut të njohur prizrenas, Nexhat Ibrahimi, ne qysh më 1989 ishim gati me përkthimet e para. Mbaj mend se Nexhat Ibrahimi qysh atë vit e kishte gati librin “Deklarata islame” të Alija Izetbegoviqit, të cilin ne e botuam në një botim privat dhe e shpërndamë në ilegalitet. Ndërkaq, kur filloi pluralizmi ne ishim të përgatitur dhe kështu menjëherë e themeluam shtëpinë botuese, të cilën e quajtëm Logos-A, dhe botimi për ne u shndërrua në një detyrim jetësor. Libri i parë që e kemi botuar në Logos-A” ka qenë “Si të bëhesh mysliman”, që u përkthye nga Hfz. Ataullah Aliu, një mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i yni, i cili para tre muajve u bë për rahmet.

Dhe, ato vite ishin të mbushura me libra themelorë mbi njohjen Islamit, të besimit islam, të fikhut, të historisë islame, historisë osmane dhe historisë së përgjithshme, por edhe libra që kishin të bëjnë me mendimin e përgjithshëm intelektual botëror, duke e sfiduar kështu mendimin e shekullarizuar shqiptar, të brumosur me socializëm a komunizëm.

Ajo që ka qenë kënaqësi e jona e veçantë si botues janë librat shkollorë dhe lektyrat shkollore. Duke e ngritur cilësinë e botimit, sot libri ynë është pjesë e sistemit arsimor të Maqedonisë së Veriut, ndërsa lektyrat shkollore janë akoma burimi i parë letrar në shkollën fillore në gjuhën shqipe.

Sidoqoftë, mendoj se me kalimin e viteve kemi ardhur duke u profilizuar, ashtu që – pas krijimit edhe të shtëpive të tjera botuese, që botonin vepra themelore të njohjes së Islamit – ne u orientuam më shumë në vepra që e avancojnë mendimin intelektual, në mënyrë që shqiptari ynë të ketë material shkencor për ta arsyetuar përkatësinë e tij identitare dhe kulturore a religjioze.

STAV: SHB “Logos-A” është ndër liderët e tregut të librit në gjuhën shqipe. Ju botoni vepra autoriale dhe përkthime nga shumë mendimtarë. Kush janë autorët që e tipizojnë shtëpinë Tuaj botuese dhe nga cilat gjuhë keni më shumë përkthime?

Ismaili: Të kërkosh nga botuesi që t’i ndaj autorët më të famshëm dhe më pak të famshëm, kjo është një sfidë gati si t’i kërkoni prindit që t’i dallojë fëmijët. Për mua të gjithë autorët e botuar tek ne janë të rëndësishëm dhe secili e ka vendin e tij të veçantë në katalogun tonë. E nëse jam i detyruar të veçoj disa emra, që janë të njohur në përmasa botërore, pa i nënvlerësuar të tjerët, do të thosha se në katalogun tonë tashmë janë të radhitur veprat e autorëve klasikë, si: Mevlana, Imam Gazaliu, Junus Emre ose autorët bashkëkohorë, si Sejid Husein Nasër, Ahmet Davutogllu, Edward Saidi, Semuel Hangtinton, Ibrahim Kallën, Alija Izetbegoviq, Muhamed Mahattir, Sejid Nekib El-Atas, Titus Burckard, Martin Lings, Henry Korbin, ndërsa jo më pak të rëndësishëm janë edhe autorët e gjeografisë sonë si Fikret Karçiq, Enes Kariq ose nga shqiptarët: Ismail Bardhi, Nexhat Ibrahimi, Milazim Krasniqi, Ali Pajaziti, Metin Izeti, Hysamedin Feraj, Ismail Ahmedi etj.

Kur ke botuar mbi 1000 tituj, të përmendësh vetëm kaq, duke i lënë shumicën e tyre, thjesht edhe për arsye teknike, se nuk mund të përmenden krejt, bëhet një detyrim që e bren botuesin. Andaj, do të thosha se këta emra që i përmenda janë sinonim i autorëve të tjerë po kaq të rëndësishëm që janë pjesë e botës librore Logos-A.

STAV: Cila është tema më lëvruar në hapësirën botuese shqiptare?

Ismaili: Shihni, botimi i librit në kushte të tregut të lirë i mundëson gjithkujt të prodhojë çfarë të dojë dhe këtu më nuk mund të flasim për kritere. Nëse ju bie të vizitoni një panair të librit shqip, do të shihni se – ashtu si në gjithë popujt e Ballkanit – kemi plot libra që kanë vetëm qëllime komerciale, si dhe libra që promovojnë kiçin, herë-herë edhe antivlerat, por megjithatë gjithnjë gjeni botues seriozë që botojnë vepra klasike e bashkëkohore letrare e filozofike, si dhe libra që janë të patjetërsueshëm për kulturën e një kombi dhe një gjuhe.

Meqë nuk mund ta marr barrën e interpretimit të gjithë korpusit botues në gjuhën shqipe, do të fokusohem vetëm në atë që e mbulon Logos-A. Në kuadër të shtëpisë sonë botuese funksionojnë dhjetë biblioteka, që përfaqësojnë dhjetë fusha përkatëse. Në bibliotekën më të pasur – LEXO – botohen libra të shkencave sociale e të filozofisë, në bibliotekën Mendimi islam botohen libra të teologjisë islame, pra të mendimit islam klasik dhe bashkëkohor, në bibliotekën Divan botohen studime mbi letërsisë dhe vepra të ndryshme, letrare në bibliotekën Fjala botohen libra të gjuhësisë dhe fjalorë e leksikonë të ndryshëm, në bibliotekën Tekste shkollore botohet libra që përdoren në arsimin fillor dhe të mesëm të Maqedonisë së Veriut, në Tekste universitare botohen studime që përdoret si libra për studentët dhe profesorët në universitete, në bibliotekën Elif botohen libra të tesavuffit islam, në bibliotekën Filizat janë vendosur botimet për fëmijë, në Bibliotekën e xhepit janë përfshirë veprat e shkurtra të formatit të xhepit dhe në bibliotekën Botime të veçanta janë botimet ekskluzive, kompletet e veprave, atlaset, botimet luksoze etj.

Mendoj se me këtë sistematizim të botimeve ia kemi dalë ta përmbledhim gati se gjithë kulturën e shkruar që duhet ta prodhojë një komb. Këtu më duhet të shtoj se ndonëse 90% e botimeve tona janë në gjuhën shqipe, ne kemi botime edhe në gjuhë të tjera, si në maqedonisht, boshnjakisht, turqisht, anglisht, arabisht, në gjuhën rome, si dhe në bullgarisht.

STAV: Ish ministri i Kulturës të RMV dhe deputeti aktual i Kuvendit, doc. Dr. Hysni Ismaili, në një intervistë për revistën tonë u shpreh se Logos-A është ndër ambasadorët më të mirë të hapësirës shqiptare, veçanërisht në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Cilët janë autorët boshnjakë, veprat e të cilëve i keni përkthyer dhe i keni prezantuar për lexuesin shqiptar dhe maqedonas? 

Ismaili: Më lejoni së pari ta falënderoj deputetin Dr. Hysni Ismaili për kontributin e tij për ngritjen e Logosit. Ai ka qenë, që nga themelimi, një shtyllë e rëndësishme e punës sonë. Po ashtu dua ta falënderoj për vlerësimin që ka ai për punën tonë. Nëse do të shprehesha me termat e tij, do të thosha se ai është ambasadori më i mirë i Logosit në skenën politike të Maqedonisë së Veriut.

Sa i takon pyetjes suaj, Logos-A, që në mjedisin shqiptar ka ardhur si interferim intelektual boshnjako-shqiptar, siç shpjegova në fillim të kësaj bisede, është dëshmuar edhe me botimin e një sërë autorësh boshnjakë në gjuhën shqipe. Unë po i përmend disa, i sigurt se nuk do të më kujtohen të gjithë. Sali Behmen, Munir Gavrankapetanoviq, Ahmet Alibashiq, Ahmet Smailoviq, Reshid Hafizoviq, Osman Nurihaxhiq, Mithat Shamiq, Xemaludin Latiq, akademiku boshnjak i Shkupit Ferid Muhiq, si dhe autorët që i përmenda më sipër, Enes Kariq, Fikret Karçiq e veçmas i madhi Alija Izetbegoviq, janë emra që për mjedisin intelektual boshnjak mund të jenë habi që ata janë të njohur për lexuesin shqiptar, ndërsa për shqiptarët ata janë autorë me të cilët ne kemi komunikuar ndër vite dhe ato janë pjesë e shumë bibliotekave familjare shqiptare. Kemi këtu vepra filozofike, teologjike, letrare, vepra mbi historinë etj., ashtu që, në një mënyrë, mund t’ju them se Logos-A ka qenë kanali i komunikimit intelektual boshnjak me shqiptarët, që për fat të keq nuk ka qenë edhe anasjelltas.

STAV: Sa e di unë, veprat e të ndjerit Alija Izetbegoviq janë ndër veprat e para që SHB “Logos-A” ia ka ofruar lexuesit shqiptar. A mund të kujtoheni në ato ditë dhe në detajet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin me mendimtarin e madh, që sot në Turqi e quajnë “Mbreti i urtësisë” (Bilge Kralı), ndërsa shqiptarët e respektojnë veçmas?

Ismaili: Ashtu siç përmenda më sipër, kontaktet me rahmetli Alija Izetbegoviqin ka qenë të prof. Ismail Bardhit. Në të vërtetë, ka qenë shtytja intelektuale e Alisë ajo që është shndërruar në frymëzim te prof. Bardhi, që pastaj është trajtësuar në projekt botues. Madje, ai ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i tij, të cilit rahmetli Alija i ka besuar edhe detyra përfaqësimi të Bosnjës në vitet e luftës.

Në anën tjetër, Nexhat Ibrahimi – përmes kontakteve të tij – ka vepruar në Kosovë dhe përveç aktivizmit shoqëror, i ka hyrë edhe punës përkthimore, duke e sjellë veprën e njohur “Deklarata islame” në gjuhën shqipe qysh më 1989, në kushte ilegaliteti. Më vonë, më 1993 e botuam edhe veprën “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, e cila është ribotuar shumë herë.

Kontaktet me Alinë dhe shokët e tjerë kanë vijuar deri në ditët e tij të fundit dhe ato edhe sot funksionojnë me shokët që janë gjallë, sado që pengesat e kufijve kanë ndikuar në reduktimin e tyre.

Pavarësisht kësaj, emri i Alija Izetbegoviqit është i respektuar nga të gjithë intelektualët shqiptarë, madje edhe nga ata që nuk pajtohen me mendimin e tij. Mendoj se Alija ka qenë mendimi alternativ edhe për botën shqiptare, që – për shkak të fragmentimit gjysmëshekullor komunist – nuk arriti të rilidhet aty ku e vendosi nyjën Alija dhe intelektualët e tjerë boshnjakë.

Thënë ndryshe, Logos-A është një institucion i ushqyer nga kroi i urtësisë së të ndjerit Alija Izetbegoviq.

STAV: Botimet e para të rahmetli Izetbegoviqit kanë dalë më 1991, ndërsa pas kësaj kanë vijuar edhe shumë botime të tjera. Ajo që është e rëndësishme është vepra e plotë e tij. Gjatë vizitës që kisha në shtëpinë tuaj botuese, vërejta se kompleti i veprave të tij e zbukuron thuaja çdo hapësirë. Sa lexohen ato vepra sot?

Ismaili: Fakti që ne e kemi ribotuar disa herë veprën e tij “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, ndërsa ajo akoma është vepër e kërkuar në secilin panair të librit shqip, flet se ajo vazhdon ta sfidojë akoma mendimin intelektual te ne. Kjo dhe respekti që kemi pasur rahmetli Alinë ishin shtytje që, në 10-vjetorin e vdekjes, më 2013 e botuam kompletin e veprave të tij, ashtu siç ishin botuar në vitin 2005 në gjuhën boshnjake. Kështu tash opusi i tij mendimor është edhe në gjuhën shqipe njësoj si në boshnjakisht. Kjo ka qenë e rëndësishme veçmas për lexuesin shqiptar të Shqipërisë, i cili nuk komunikon në gjuhën boshnjake dhe nuk e ka njohur profilin intelektual të Alisë. Kështu Alija mbetet një burim që vazhdon të rrjedhë dhe të sfidojë.

Në këtë mënyrë besoj t’ia kemi bërë falënderimin më të mirë atij për gjithçka që ka bërë për muslimanët e Ballkanit, në veçanti, por edhe mendimin islam, në përgjithësi.

STAV: Bashkëpunimi shkencor dhe kulturor ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriu, më saktë ndërmjet intelektualëve boshnjakë dhe atyre shqiptarë nuk është në nivelin e dëshiruar, kjo konform potencialit ekzistues. Sipas jush, çka duhet bërë që ai bashkëpunim të përmirësohet në të mirë të të gjithëve?

Ismaili: Shihni, mendoj se në vitet e Jugosllavisë shqiptarët dhe boshnjakët kishin një komunikim të mirë, kjo falë faktit se ishim në një shtet të përbashkët dhe falë nxënësve e studentëve shqiptarë që mësonin në shkollat e Bosnjës. Në këtë mënyrë ne ndjeheshim pjesë e një gjeografie dhe literatura boshnjake ishte e pranishme shumë në mjediset tona. Aq më shumë që në gjuhën shqipe kishte fare pak botime. Kjo periudhë zgjati deri në kohën e luftës, kur gjithçka u ndërpre, ndërsa pas rimodelimit të shteteve që dolën nga Jugosllavia, komunikimi mes boshnjakëve dhe shqiptarëve u reduktua ndjeshëm. Në këtë mënyrë edhe literatura boshnjake më vështirë arrin te lexuesi shqiptar.

Sidoqoftë, pavarësisht pengesave të këtilla, ne nuk jemi ndalur duke botuar autorë boshnjakë, siç edhe i përmenda më sipër, kjo jo vetëm për shkak të detyrimit intelektual e historik, por edhe për arsye të vlerësimit dhe respektimit të mendimit boshnjak, që mendojmë se duhet të jetë i pranishëm në gjuhën shqipe. Veçanërisht për lexuesin e Shqipërisë që nuk e njeh boshnjakishten, por edhe që ka formim intelektual më të fuqishëm dhe i cili di ta vlerësojë atë.

Megjithatë, për fat të keq, ekziston – ta quajmë – një prepotencë ose, së paku, pakujdesi nga ana boshnjake. Do të ishte vërtet lajm i madh nëse ndodhë që një autor shqiptar është botuar boshnjakisht në Bosnjë. Dhe, ju e dini sigurisht se ka plot, qoftë shkrimtarë me renome ndërkombëtare, por edhe mendimtarë shqiptarë të rëndësishëm përtej kufijve tanë, si edhe teologë të formuar të tipit të profesorëve Ismail Bardhi, Nexhat Ibrahimi, Metin Izeti, Muhamed Aruçi, Galip Veliu etj., që janë krejt anonimë për botën boshnjakë ose si sociologu shqiptar Ali Pajaziti, autori i Fjalorit të parë të Sociologjisë në gjuhën shqipe. Kam shpresë që e ardhmja do të demantojë në këtë konstatim.

STAV: SHB “Logos-A” ka vendosur standarde të botimit në hapësirën shqiptare dhe më gjerë. Me mëshomë se një mijë tituj dhe gati tetë milionë kopje të shtypura, ajo sigurisht bie ndër botuesit lider në regjion. Cilat janë planet tuaja për të ardhmen dhe a mendoni se për një kohë të shkurtër e-libri do t’ia zë vendin librit tradicional?

Ismaili: Logos-A është një botues që vazhdon të mbetet konservator, duke e vlerësuar librin e shtypur në letër si mënyrën më të qëlluar të konservimit të dijes. Prandaj në Logos akoma libër konsiderohet vetëm ai që del në letër nga shtypshkronja. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se ne nuk i ndjekim trendet e reja dhe mundësitë bashkëkohore teknologjike për përhapjen e librit. Vetëm gjatë karantinës së shkaktuar nga pandemia ne kemi lëshuar në qarkullim mbi 100 libra që mund të lexohen online, ndërsa tash jemi përfshirë edhe në një projekt për audio-books. Dua t’ju them se pasi ta bëjmë librin, përveç shpërndarjes së tij nëpër biblioteka, gjithnjë do t’i hulumtojmë edhe mundësitë alternative të përhapjes së tij.

Fundja, për neve libri nuk është material komercial dhe ne nuk mendojmë se duke e shpërndarë librin do të varfërohemi. Sepse, e dimë nga urtësitë hyjnore, duke e shpërndarë librin, të gjithë bëhemi të pasur.

(Kjo intervistë është dhënë për numrin 303 të revistës boshnjake “STAV” – 24.12.2020. Më 29.12.2020 është botuar edhe portalin stav.ba: https://stav.ba/vijest/prof-dr-adnan-ismaili-ime-alije-izetbegovica-postovano-je-od-strane-svih-albanskih-intelektualaca/224?fbclid=IwAR0LQPk94gA23J3m3PzpGtU0R6kGftPADSp47ddnoZCSubwht_91eDF-Iqg)