Elon Musk me kundërpadi ndaj Twitter mbi marrëveshjen prej 43 miliard eurove

Elon Musk me kundërpadi ndaj Twitter mbi marrëveshjen prej 43 miliard eurove

Drejtori Ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, iu kundërpërgjigj Twitter-it, duke paraqitur një kundërpadi të premten kundër kompanisë së medias sociale në lidhje me vendimin e miliarderit amerikan për të hequr dorë nga blerja prej 44 miliardë dollarësh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dokumenti prej 164 faqesh u vulos pas afatit të caktuar nga gjyqtari, që do të thotë se përmbajtja e kundërpadisë nuk është e qasshme përmes të dhënave publike.

“Kam shqyrtuar kundërakuzat dhe deklaroj se çështja e përfshirë në to për sa i përket veprimeve dhe veprave të mia është e vërtetë, dhe për aq sa ka të bëjë me veprimet dhe veprat e çdo personi tjetër, unë besoj se është e vërtetë”, thuhet në një dosje shoqëruese të nënshkruar nga Musk.

Musk ra dakord të blinte Twitter-in në prill për 54,20 dollarë për aksion në një marrëveshje të pakërkuar.

Por miliarderi njoftoi në korrik se po tërhiqej nga marrëveshja, duke pretenduar se Twitter keqinterpretoi të dhënat e përdoruesve dhe numri i boteve spam në platformë është shumë më i lartë se sa kompania kishte zbuluar fillimisht.

Twitter hodhi poshtë këto pretendime, duke deklaruar se numri i boteve ishte nën 5 për qind të totalit të përdoruesve aktivë ditorë.

Gjyqtarja e Gjykatës Civile në Delaware, Katharine McCormick, pranoi kërkesën e Twitter-it për një gjyq të përshpejtuar gjatë një seance paraprake javën e kaluar, kurse beteja pesëditore e gjykatës do të fillojë më 17 tetor.

Avokatët e Musk fillimisht kërkuan që gjyqi të fillonte jo më herët se shkurti, duke argumentuar se ekipit të tij ligjor i duhej më shumë kohë për të hetuar llogaritë e rreme në Twitter.

Sipas rregullave të gjykatës, një version i redaktuar i kundërpadisë së Musk mund të bëhet së shpejti publik.

Aksionet e Twitter-it ranë me 0,7 për qind të premten në 41,32 dollarë në mbylljen në Wall Street.