Eksportohen 3,25 milionë tonë drithëra nga portet e Ukrainës

Eksportohen 3,25 milionë tonë drithëra nga portet e Ukrainës

Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se sasia e drithërave të eksportuara nga portet e Ukrainës deri më sot ka tejkaluar 3,25 milionë tonë dhe se 11 anije të tjera me drithëra janë nisur nga portet ukrainase, transmeton AA.

Në deklaratën e ministrisë rikujtohet se Qendra e Përbashkët Koordinuese në Istanbul që u hap nga ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, menjëherë pas nënshkrimit në muajin korrik të “Dokumentit të Iniciativës për Dërgesë të Sigurt të Drithërave dhe Mallrave Ushqimore nga Portet e Ukrainës” nga Türkiye, Rusia, Ukraina dhe OKB-ja si rezultat i përpjekjeve diplomatike intensive të presidentit Erdoğan, mundësoi që anija e parë të niset më 1 gusht 2022 nga porti Odesës në Ukrainë.

Më tej, theksohet se dërgesat e drithit për 46 ditë kanë vazhduar sipas planifikimit të bërë. “Sasia e drithit të eksportuar nga portet e Ukrainës që nga sot ka tejkaluar 3,25 milionë tonë. Nga portet ukrainase kanë dalë 144 anije që bëjnë eksportin e drithit ndërsa 161 anije pa ngarkesë kanë shkuar në portet e Ukrainës për të marrë drithë. Përveç këtyre anijeve, sot edhe 11 anije të tjera me drithëra janë nisur nga portet e Ukrainës”, thuhet në deklaratë.