Ekonomia kombëtare, zgjidhja e vetme në krizën globale!

Ekonomia kombëtare, zgjidhja e vetme në krizën globale!

Pandemia, lufta në Ukrainë dhe kriza aktuale globale në të cilën u përfshi rajoni i Europës Juglindore, sot ka bërë që shqiptarët t’i kthehen projektit të kamotshëm të “Ekonomisë kombëtare” pasi u rrëzuan dhe shumë mite të korporatave të mëdha!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

 

“Trepça po punon, Serbia po ndërtohet” dhe “Kosova e ka qymyrin më të mirë në botë” janë dy mite që sot i bëjnë shqiptarët të turpërohen kur e shohin varfërinë në Mitrovicë ose nuk e ndezin dot as dritën në shtëpitë e tyre për shkak të reduktimeve! Sot kur, në Kosovën e pasluftës, varfërisë dhe mungesës së energjisë elektrike i kërkohet sebepi edhe në ekonominë e rrënuar nga pandemia, të goditur nga lufta në Ukrainë dhe ndikimi nga kriza globale! Por, shifrat janë më kokëforta. Përveç miteve që i vetëprodhuam, e rrëzojnë edhe mitin e krizës globale dhe mitin e ndikimit të luftës në Ukrainë, duke gjetur zgjidhjen thjeshtë në projektin e “Ekonomisë kombëtare”, aty ku 80 vjet më parë ekonomisti i njohur shqiptar, Dhimitër Pasko, (si shkrimtar, i njohur si Mitrush Kuteli) e gjeti zgjidhjen për hapësirën shqiptare.

 

Shqiptarët në krizën globale

 “Trepça po punon, Serbia po ndërtohet” ishte ky një realitet që nuk e kishte menduar njeri se do të kthehet në mit, aq më pak në periudhën e çlirimit të Kosovës. Sot kur “kerri është thyer”, shumë rrugë mund të gjenden për të thënë pse procesi i rivitalizimit të “Trepçës” ka dështuar. Por, nëse analizohet në tërësi investimi në prodhim, që është bërë në Kosovë, gjenden shumë arsye, si në pozitën mizerabël që është sot miniera me të cilën mburreshin shqiptarët dhe ishte simboli i ekonomisë së fortë, ashtu edhe qymyri “më i mirë në botë, me mihje sipërfaqësore” që nuk pushonte duke i dalë nga goja presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova!

Sot, kur është e qartë se shfrytëzimi i pasurisë nëntokësore nuk është vetëm minierë dhe mihje, kur Kosova nuk arriti të prodhojë menaxherë të këtyre pasurive nëntokësore, shqiptarët në Kosovë dhe jo vetëm, po e kuptojnë thellimin e krizës globale pse nuk po mund ta ndërtojnë shtetin e tyre dhe pse në shtëpitë e tyre nuk kanë as drita!

Me shpërthimin e luftës në Ukrainë, kur çmimi i gazit pësoi një rritje enorme, paniku që i përfshiu shtetet perëndimore që përdorin kryesisht gaz, u shfaq pa pikën e lidhjes në hapësirën shqiptare, edhe pse nuk kanë as rrjet familjar ose rrjet biznesi për shfrytëzimin e gazit. Ky panik vazhdoi edhe për produktet bazë, ku rritja e çmimit u ndikua tek ato shtete që furnizoheshin me lëndë të parë nga Ukraina, ndërsa paniku i çmimit u shfaq edhe në hapësirën shqiptare ku lënda e parë nuk kishte të bënte fare me Ukrainën. Për momentin, shqiptarët e kuptuan se jo vetëm grurë, por nuk kanë as luledielli për të prodhuar vaj, nga i cili kishin hequr dorë me kohë, kur tregtarët e kuptuan se çmimi që ishte në Rumani dhe Bullgari e mbyste edhe logjikën që kishin prodhuesit shqiptar për një mall cilësor! Prandaj u rrit çmimi i vajit të lulediellit, miellit, sheqerit, ndërsa kripa u përfshi në shportë pa dashje dhe kështu u rikthye paniku i kohës së pandemisë për zbrazjen e rafteve, pa e kuptuar se çfarë po ndodhë në nivel global, ndërsa po injektohet tregu me lajme nga bursat që nuk po qetësoheshin dot.

Çmimi i naftës dhe benzinës u bënë përcaktuesit kryesorë në ekonominë familjare dhe jo vetëm. Ndërkohë i erdhi radha energjisë elektrike për të dëshmuar se zhvillimi teknologjik nuk ishte më vetëm çështje prodhimi, por edhe jetese! Shqiptarët nuk interesoheshin më nëse Kosova e kishte apo jo qymyrin më të mirë në botë dhe pse kishte ai mihje sipërfaqësore, që e kishin hidrocentralin e Fierzës dhe linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, por ishin impenjuar se si po zhvillohej çmimi i energjisë elektrike në bursën ndërkombëtare, sepse llamba në shtëpinë e tyre po rrezikohej të fikej, ndërsa politika po e shfrytëzonte me kujdes trendin botëror!

Si në Kosovë, ashtu dhe Shqipëri, shqiptarët u informuan kur çmimi i energjisë në bursë shkoi deri në 700 euro për MWh, por kurrë nuk e kuptuan se sa MWh u shitën me këtë çmim, por vetëm sa ishin blerë! Nga ana tjetër, tregu me produkte bazë u mbingop dhe çmimet limit që i vendosnin mekanizmat për kontrollin e çmimeve nga qeveritë përkatëse ishte më i lartë sesa çmimet që i kishte stabilizuar vetë tregu nga paniku.

 

Dritën dhe panikun e solli partia

 Dritën e solli partia. Kjo ndodhi në Shqipërinë komuniste, ku çdo llambë, kilovat/orë dhe hidrocentral shndërrohej në produkt të prodhuar nga partia. Çdo vidë, tub ose turbinë sillej, montohej dhe inaugurohej në përvjetorë partiakë dhe asgjë nuk ishte investim si nevojë e kohës.

“Drita kishte për të gjithë.”, flasin sot nostalgjikët e kohës, që dollapin e stolisnin me kanaqe Soca-cola, radion e dëgjonin nga muri i fqinjit që ishte në Byronë Politike, ndërsa televizioni ishte një luks që edhe mund ta kishte ndonjëri në pallat. Kjo ishte Shqipëria e viteve të ’60-ta, që kishte drita e me punë vullnetare kishte filluar aksionin për elektrifikim që në vite ngërthente kabllo dhe shtylla elektrike, qoftë edhe për një shtëpi të vetme në maje të malit, pavarësisht kostos.

“Të rinj e të reja radhituni në ballë të punëve më të vështira, atje ku e kërkon interesi i përgjithshëm, interesi i atdheut. Kaliteni veten si revolucionarë të vërtetë me shembullin e brezit që bëri revolucionin dhe luftën e ashpër të klasave për ndërtimin e socializmit. Përgatituni gjerësisht për të marrë në dorë, për të mbajtur dhe për të çuar përpara veprën e baballarëve tuaj – socializmin ngadhënjimtar.” Ky ishte mesazhi i kronikave të kohës, i cili për inxhinierët e ardhshëm theksonte se duhet të jenë ata që duhet të ndërtojnë hidrocentrale, sepse nuk mund ta njohin betonin nëse nuk e njohin zhavorrin dhe përbërësit e tij.

Është viti 1969 dhe radha i vjen hidrocentralit në Vaun e Dejës, i njohur si hidrocentrali “Mao Ce Dun”. “Ndërtonjësit e hidrocentralit Mao Ce Dun këto ditë janë plot shqetësime. Ata punojnë me një hov të vërtetë revolucionar për ta përfunduar tunelin, duke shkruar kështu një faqe tjetër heroizmi në historinë e këtij gjiganti të industrisë sonë, që ngrihet me ndihmën internacionaliste të Republikës Popullore të Kinës.” ishte mesazhi i partisë dhe rezultati i madh i punës revolucionare ishte se mbi lumin Drin edhe mund të ecej në këmbë. Këtë çudi të madhe të proletariatit u ftua ta shohë edhe Byroja Politike me të dërguarit Spiro Koleka e Ramiz Alia. Festë e madhe që u ndalua një lum dhe u dëshmua teknologjia e kohës.

Kjo Shqipëri komuniste kishte nevojë edhe për më shumë drita. Në fillim të viteve të ’70-ta fillon ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës, i cili gjatë ndërtimit përcillet me shumë data historike, si 35-vjetori i themelimit të partisë më 1976, ku ndërtuesit për asnjë çast nuk reshtën së punuari për të arritur objektivat e caktuara në digë dhe vend të veçantë zë ndërtimi në tunele. “Në tunelet e mëdha të devijimit të shkarkimit apo në ato nga ku do të kalojnë ujërat për t’u kthyer në energji elektrike, derdhin djersën e tyre minatorë me përvojë në aq e aq hidrocentrale: Dajt, Shkopet, Bistricë, Vau i Dejës”, thekson kronika e kohës, e cila i paraqet vështirësitë në punë, të cilat evitohen jo nga punëtorët, por nga komunistët! Kështu turbina e parë do të fillojë në 70-vjetorin e lindjes së liderit të asaj kohe, Enver Hoxha.

Por, çfarë banaliteti “solli partia”, kjo u pa 40 vjet më pas, kur shifrat dëshmojnë se konsumi i një viti të kësaj kohe “të lumtur” ishin vetëm tre ditë konsumi të energjisë elektrike të vitit 2008. Në atë kohë nuk kishte as luftë në Ukrainë dhe as krizë globale. U kuptua se mbajtja e kokës nga qielli për të parë se kur do të bie shi ishte strategjia më e gabuar që ishte ndjekur deri në atë kohë dhe, përveç Fierzës, ishin ndërtuar edhe 83 hidrocentrale të vegjël, që arritën të prodhonin 4.156 GWh, duke përmbushur 62.9 % të nevojave të konsumit shqiptar, ndërkohë që ekspertët mendonin se duhet edhe 1.132 hidrocentrale të vegjël.

Dhe, përveçse “dritën e solli partia”, HEC-i i Fierzës nuk ishte përfshirë në ndonjë proces të madh rehabilitimi! Ndërkohë Enti Rregullator i Energjisë e përcaktoi edhe strategjinë për rritjen e prodhimit energjetik deri në vitin 2020!

Për fat të keq, situatë e ngjashme ishte edhe në Kosovë! Për TEC-in e Kosovës ishin bërë publike evidencat e ndotjes së ambientit, por jo edhe vlera financiare e ndërhyrjeve në blloqet e Termocentralit, për të cilat qytetarët ishin të informuar vetëm kur ndërpritej energjia elektrike në shtëpitë e tyre. Si nën administrimin ndërkombëtar, ashtu dhe me pavarësimin e saj, problemi më i madh i Kosovës ngeli ai që e kishte Shqipëria: menaxhimi energjetik! U shpik defekti në linjën e interkonjeksionit, pra ai Shqipëri-Kosovë, që po i mungonte këtij handikapi energjetik, por as ndërtimi i tij nuk zgjidhi gjë!

Për dallim nga pjesa tjetër e Europës Juglindore, që pësoi nga lufta në Ukrainë, Shqipëria dhe Kosova, me aftësitë e tyre prodhuese, gjetën një zgjidhje, duke e ndihmuar njëra-tjetrën pa e kuptuar se kjo është edhe zgjidhja e problemit energjetik, si të Kosovës, ashtu dhe Shqipërisë! Gjatë muajit gusht, Shqipëria e shpëtoi Kosovën nga reduktimet, duke ia kthyer borxhin që i kishte dhënë Kosova kohë më parë kur Shqipërisë i mungonin reshjet e shiut dhe jo që ishte menduar për “ditë të zeza”!

Pra, e ardhmja energjetike, bazuar edhe në shifrat zyrtare, kurrsesi nuk mund të jetë e zymtë. Shqipëria, me 2.8 milionë banorë, në vitin 2021 ka prodhuar 8.963 GWh energji elektrike, ndërsa ka konsumuar 8.415 GWH. Në anën tjetër, Kosova me 1.8 milionë banorë, në vitin 2021 ka prodhuar mbi 6.200 GWh energji elektrike dhe ka konsumuar gati 6.900 GWh!

Në rast të menaxhimit të energjisë elektrike në nivel kombëtar, të prodhuar nga HEC-et në Shqipëri, kur reshjet e shiut janë të mëdha, me prodhimin nga TEC-i në Kosovë gjatë periudhës së verës, fjala “krizë energjetike” nuk do të ekzistonte pavarësisht zhvillimeve globale, veçanërisht sot, kur edhe linja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë ekziston dhe nuk ka nevojë të shpiken pengesa që energjia elektrike e prodhuar nga Fierza të transmetohet nëpërmjet linjave të tensionit të lartë Fierzë-Burrel-Elbasan, Fierzë-Koman-Tiranë-Elbasan, Fierzë-Gjakovë etj. së bashku me nënstacionet elektrike përkatëse në Fierzë, Koman, Tiranë e Elbasan.

 

Ekonomia kombëtare

 Në tokën e bekuar nga Zoti, siç thotë Dhimitër Pasko, edhe në bujqësi e blegtori, si në rastin e energjisë elektrike, mungon vetëm menaxhimi! Derisa nuk është vonë, blegtoria mund t’i shpëtojë vrasjes që po i bëhet nga “Ballkani i Hapur”, por bujqësia është në kohë, pavarësisht se i mungojnë strategji kombëtare, ngase është e përqendruar tek ato të Bashkimit Europian, që kryefjalë kanë subvencionin dhe jo nevojën kombëtare!

“Ekonomia kombëtare” është një projekt i cili për produkt përcakton se ku duhet të mbillet dhe nuk ka nevojë tjetër në hapësirën shqiptare të bëhet një gjë e tillë, përderisa ajo krahinë i përmbushë nevojat kombëtare!

Hap pas hapi, por me kujdes, duhet kuptuar jo vetëm nga projekti i Paskos se pse patatja, shembull, duhet të prodhohet në tokat përreth Vushtrisë ose fasulja në Korçë dhe kështu mund të përmbushen nevojat kombëtare! Pastaj… karota në Rrogozhinë, domatet në Lushnje, Fier, Berat e Korçë, specat në Krushë, luledielli në Ferizaj, misri dhe gruri në Rrafshin e Dukagjinit, rrushi në Therandë dhe shumë e shumë produkte që favorizohen edhe për faktin se nuk e përdorin gazin në përpunimin e tyre!

A do të mund t’i shmangen shqiptarët ndikimit të krizës globale?! Natyrisht se jo, sepse përveç tokës së bekuar, Zoti në tokën shqiptare ka falë dhe tregtarë, që edhe në këto ditë të vështira do të jenë të pamëshirshëm në gjykimin nëse shqiptarët duhet të ngelin në terr, do ta gëzojnë këtë tokë me diell dhe ujë të bollshëm apo do ta furnizojnë me fruta e perime Rusinë armike, e cila është e gatshme të paguajë me çmime shumë më të larta ato të mira që i prodhon toka shqiptare!

Pse nuk mjafton që këtë tokë e ngroh dielli 305 dit