Efektet e shumanshme të një krimi dhe një lapsus i BE-së

Efektet e shumanshme të një krimi dhe një lapsus i BE-së

Për nga natyra që kanë, veprat penale janë të destinuara të sanksionohen. Së këndejmi, krimet janë të panegociueshme. Pra, krimi nuk mund të jenë objekt dialogu a pazarllëku politik. Në të kundërtën do të humbiste kuptimi që të kualifikohej si vepër penale. Nisur nga këtu, duke qenë se kontrabanda me mallra është vepër penale, ajo nuk mund të paraqitet si “shujtë negociuese” në tryezën e bisedimeve të Brukselit mes Kosovës e Serbisë.

 

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Nga të ashtuquajturat “sekrete publike” më të përhapura që nga paslufta në Kosovë është edhe kontrabanda e mallrave që bëhet në Veri të vendit. E përfolur shumë por e padëshmuar mjaftueshëm me dorën e shtetit, kjo dukuri implikon probleme të natyrës ekonomike, politike e juridike.

Kah mesi i tetorit 2021, Policia e Kosovës ndërmori një aksion në disa pjesë të vendit dhe kryesisht në Veri për të luftuar kontrabandën. Natyrisht, për shkak të telasheve me shtrirjen e plotë të sovranitetit shtetëror në atë zonë, secili veprim institucional përballet me sfida e rezistencë. Rëndom, përplasja me forcat e rendit nuk vjen nga banorët e komunitetit serb per se, por nga trysnia e strukturave të sigurisë të Serbisë që gëlojnë në atë pjesë. Ndonëse vite më parë zyrtarët qeveritarë të Kosovës pohonin se ishin shuar strukturat paralele, kjo gjë nuk ka ndodhur fare ose ka ndodhur pjesërisht, në sektorë të caktuar.

 

Kontrabanda si vepër penale

 

Kontrabanda është futja ose nxjerrja e kundërligjshme dhe pa kontroll doganor nëpërmjet kufirit shtetëror e mallrave a e sendeve me vlerë. Pra, ajo paraqet një tregti të fshehtë, të palejueshme. Përpos mallrave ekziston edhe dukuria e kontrabandës me emigrantë.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 311 ka rregulluar çështjen e kontrabandës me mallra.

Kësisoj, kushdo që shmang kontrollin doganor ose që duke shmangur kontrollin doganor, kryen bartjen e mallrave dhe kalon vijën kufitare, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet. Po kështu, kushdo që pa leje përkatëse, shmang kontrollin doganor dhe kalon vijën kufitare duke bartur mallrat, eksportimi apo importimi i të cilave është i ndaluar, i kufizuar ose kërkon leje të posaçme nga organi kompetent, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Nga dënimi për kontrabandë nuk lirohen as personat zyrtarë që ndihmojnë, lehtësojnë, fshehin ose nuk pengojnë kontrabandën. Të tillët dënohen me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Ndërkaq, nëse dikush e kalon kufirin me sende, mallra apo substanca të cilat vënë në rrezik jetën apo shëndetin e njerëzve dhe sigurinë e përgjithshme a e përdor forcën ose kanosjen serioze ose armën a mjetin e rrezikshëm gjatë kryerjes së veprës dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Mallrat e kontrabanduar konfiskohen. Mjetet e transportit të mallrave të kontrabanduar mund të konfiskohen gjithashtu.

 

Sovraniteti dhe ligjshmëria

 

Në rastin e Kosovës, kontrabanda e mallrave që vijnë nga Serbia nuk përbën vetëm një vepër të kualifikuar si penale në legjislacion.

Shteti duhet të ketë aftësinë e vendosjes për çështje të brendshme dhe – në mënyrën më përmbledhëse – kjo është ajo çfarë cilësohet në teori “sovranitet i brendshëm”. Domethënë, sovraniteti i brendshëm shpreh autoritetin final e të pavarur politik përkitazi me vendimet që afektojnë detyrime ndaj qytetarëve, grupeve dhe institucioneve.

Sovranitetin e shtetit e garanton Kushtetuta dhe legjislacioni. Çfarëdo veprimi që ndikon në pengimin e ushtrimit të sovranitetit i bie të jetë antikushtetues e kundërligjor. Krimi i organizuar dhe rezultati i tij – kontrabanda e mallrave – per se janë vepra kundërligjore. Megjithëkëtë, për shkak se kontrabanda ndërlidhet në një formë a tjetrën me një shtet si Serbia, e cila nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës dhe e lufton me të gjitha mjetet diplomatike, provokuese dhe përmes strukturave paralele brenda territorit të Kosovës, atëherë situatën duhet shikuar me dioptri të saktë. Për rrjedhojë, nuk kemi të bëjmë vetëm me transportimin ilegal të mallrave por edhe me tentativa për ta destabilizuar Republikën e Kosovës në aspektin e sigurisë në radhë të parë e pastaj edhe ekonomikisht.

Këtu duhet vënë theksin në një shqetësim serioz. Pas aksionit policor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka deklaruar para mediave se nga nëntë lokacione në të cilat planifikohej operacioni, në tetë prej tyre ka qenë e pamundur të realizohet operacioni meqenëse persona të mbledhur e të armatosur kanë penguar zhvillimin e operacionit dhe si rezultat dhjetë policë kanë pësuar lëndime trupore. Shkak i gjithë kësaj, sipas drejtorit, dyshohet të ketë qenë rrjedhja e informacionit për aksionin. Rrjedhja e informacionit në një çështje kaq të ndjeshme flet shumë për brishtësinë e sistemit të sigurisë në vend. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me parandalimin e një krimi, çfarë është kontrabanda, por edhe me ruajtjen e sovranitetit shtetëror karshi strukturave që cenojnë rendin kushtetues. Andaj, e pamohueshme dhe imediate mbetet nevoja për hetime e reforma të thella në sektorin e sigurisë.

 

BE: lapsus linguae, lapsus calami, lapsus memoriae?

 

Gjersa po zhvillohej aksioni i Policisë dhe rendi publik po sfidohej nga sulmuesit në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan, opinioni kosovar u shtang me një deklaratë të shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. “Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, kishte shkruar Borrell, në rrjetin social Twitter.

Nga ky postim i shkurtër Kosova po merrte kritika të shumta. Veprimet e forcave të rendit për të luftuar një krim si kontrabanda, u dashkan të jenë të shumanshme e të koordinuara! Me kë duhet koordinuar institucionet e Kosovës? Me kompanitë që dërgojnë mall për kontrabandë? Me organizatorët e kontrabandës? Me transportuesit? Me mafien? Apo me Beogradin zyrtar që, me shumë gjasë, kishte informata për gjithë këtë aktivitet të kundërligjshëm i cili rrjedh nëpër territorin serb e hyn në Kosovë?

Është i habitshëm fakti se ende në Perëndim ka zyrtarë të lartë që e vënë në dyshim përkatësinë kosovare territoriale të komunave veriore të Kosovës. Bashkimi Evropian si entitet nuk e ka njohur Kosovën, mirëpo përveç pesë prej tyre, të gjitha shtetet anëtare të BE-së e kanë njohur veç e veç. Andaj, kërkimi i “koordinimit” dhe cilësimi “aksion i njëanshëm” i këtij veprimi të Prishtinës, çon në përfundimin se disa nga zyrtarët e lartë të BE-se vijojnë ta konsiderojnë çështje të pambyllur shtetësinë e Kosovës.

Ashtu sikundërqë Kosova ka nevojë tëavancojë në aspekt cilësor kapacitetet institucionale dhe ashtu sikundër Serbia ka nevojë të braktisë qasjen arkaike hegjemoniste karshi Kosovës, po kështu BE duhet të çlirohet nga mendësia e amullt qëi shërben një status quo-je për problemin Kosovë-Serbi. Ndryshe, problemet e shtresuara veçse mbulohen me një tis të përkohshëm dhe dalin rishtas herëdokur.

Prandaj, me të drejtë lind pyetja si në nëntitullin më sipër: ky qëndrim i z. Borell, rrjedhimisht i BE-së, është lajthitje në gjuhë, në të shkruar a në kujtesë?

 

A negociohet krimi?

 

Për nga natyra që kanë, veprat penale janë të destinuara të sanksionohen. Së këndejmi, krimet janë të panegociueshme. Pra, krimi nuk mund të jenë objekt dialogu a pazarllëku politik. Në të kundërtën do të humbiste kuptimi që të kualifikohej si vepër penale. Nisur nga këtu, duke qenë se kontrabanda me mallra është vepër penale, ajo nuk mund të paraqitet si “shujtë negociuese” në tryezën e bisedimeve të Brukselit mes Kosovës e Serbisë. Madje, edhe po të vinte si e tillë, do të duhej të merrej si rrethanë rënduese e pozicionit të Serbisë në dialog meqë burimi i mallrave të kontrabanduar është territori i saj.

Stabiliteti i brendshëm është çështje ekskluzive e shtetit. Shteti serioz nuk mund ta shndërrojë krimin e organizuar në element negociatash. Nëse veçse do të bisedohet për krimin, në fokus duhet të jetë mënyra se si luftohet bashkërisht me mjete ligjore e logjistike dhe jo si të justifikohet.

Shtetet sovrane kanë rendin juridik dhe ndërmarrin masa sipas tij. E këtillë është edhe Republika e Kosovës, paçka Serbia nuk e pranon ende siç është, kurse z. Borell heziton ta konsiderojë si të tillë.