Edita Tahiri: Sot u mbyll Ballkani i Hapur

Edita Tahiri: Sot u mbyll Ballkani i Hapur

Ish-negociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, tha se me nënshkrimin e 3 marrëveshjeve të para në kuadër të Procesit të Berlinit, merr fund projekti i Ballkanit të Hapur, një nismë e ndërmarrë nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

“Vuçiç sot nuk pati fytyrë të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit për dy arsye: e para, një kërcënues i hapur i sigurisë dhe stabilitetit me mjete ushtarake nuk ka vend në një samit që synon paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkan dhe arsyeja e dytë është që sot mori fund projekti hegjemon serb “Ballkani i Hapur”. Ndërkaq, përfundimisht mbizotëron Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor të gjashtë vendeve. Për ngarendësit e “Ballkanit të Hapur” që prodhoi një tandem të çuditshëm “Rama-Vuçiç”, tashmë mbaroi ky projekt i dëmshëm serbo-rus”, shkroi Tahiri në llogarinë e saj në Facebook.
Më herët, Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar në kuadër të Samitit “Procesi i Berlinit” 3 marrëveshje, të dakordësuara më 21 tetor nga ministeriali përgatitor ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve.

1. Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor;

2. Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor;

3. Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore