Edhe Kamenos si Mickoski, largon nga partia mbështetësit e Marrëveshjes së Prespës (Video)

Pas njoftimit të ministres të Turizmit të Greqisë, Elena Kountoura se ajo e mbështetë qeverinë greke për çështjen e emrit, kreu i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos, nëpërmjet llogarisë së tij zyrtare në Twitter ka njoftuar se Kundura do të largohet nga grupi parlamentar i Grekëve të Pavarur.

“Zonja Kontura, nëpërmjet një deklarate zyrtare, vendosi të zëvendësojë zërin e saj për emrin me karrigen ministrore. Që tani e tutje ajo le ta ndjekë rrugën e vet”, ka shkruar Kamenos.

Ndërkohë, edhe një pjesëtar tjetër i partisë së Kamenosit  mbështet Marrëveshjen e Prespës. Deputeti i kësaj partie, Tanasis Papahristopulos, i cili edhe më herët ka thënë se e mbështet këtë marrëveshje, ka përsëritur qëndrimin e tij për televizioni grek ERT, duke thënë se pasi të voton për ratifikim do ta lëshon postin e deputetit.

Tanasis Papahristopulos

“Vendin e deputetit nuk do ta lëshoj tani, sepse linjat partiake nuk janë mbi ato nacionale, ky është vlerësimi im. Por, nga momenti kur fillimisht do të votohet besimi i qeverisë, diçka që më jep komoditet, menjëherë pas Marrëveshjes së Prespës do ta lëshoj postin e deputetit”.

Kryetari i partisë së djathtë “Grekët e pavarur”, Panos Kamenos e lëshoi dje Qeverinë greke, për shkak të dallimeve që kishin me kryeministrin grek Aleksis Cipras, rreth çështjes së Marrëveshjes së Prespës. Cipras pranoi dorëheqjen dhe pas kësaj kërkoi një votëbesim.

Kryetari i parlamentit grek Nikos Vucis, në një konferencë me gazetarët, njoftoi se Cipras dërgoi një letër duke e informuar atë se ai synon të kërkojë ripërtëritjen e besimit të Parlamentit. Debati për votëbesimin duhet të fillojë dy ditë pas dorëzimit të kërkesës dhe nuk duhet të zgjasë më shumë se tre ditë, dhe sipas kësaj, Vucis do të propozojë seancën që të fillojë të martën ose më së voni të mërkurën. Teuta Buçi /SHENJA/