Edhe Joveski e konfirmon: Gruevski në mënyrë ilegale ka hyrë në Shqipëri

Nikolla Gruevski nuk është arratisur nga Maqedonia nëpërmjet vendkalimeve zyrtare kufitare. Ky është një segment nga hetimet e Prokurorisë Themelore. Në një intervistë për Agjencinë Mia, kryeprokurori Lubomir Joveski ka thënë se prokuroria ka kontrolluar inçizimet e kamerave të sigurisë dhe ka marrë në pyetje policinë kufitare, dhe është konstatuar se në asnjë prej vendkalimeve kufitare të Maqedonisë, nuk ka shkelur këmba e Nikolla Gruevskit. Lubomir Joveski, kryeprokuror “Prokuroria ka ndërmarrë më shumë aktivitete për të siguruar prova, siç edhe ju kemi njoftuar më parë. Kemi kërkuar prova nëpërmjet ndihmës ndërkombëtare juridike nga organet kompetente të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Janë siguruar inçizimet nga kamerat e sigurisë nëpër rrugë, pika pagesore, vendkalime kufitare si dhe rreth shtëpisë së ish kryeministrit” Gruevski nuk ka kaluar as nga Qafë Thana, as nga Shën Naumi, që janë pika kufitare me Shqipërinë, të vendosura në afërsi të Ohrit dhe Strugës. Nuk është regjistruar të ketë kaluar as nga Stenja, që është pika kufitare me Shqipërin në Manastir, por as në pikën kufitare Bllatë në Dibër. Supozohet se Gruevski ka arritur në territorin e Shqipërisë nëpërmjet vendkalimeve ilegale kufitare, që shpesh, edhe banorët vendorë, i shfrytëzojnë për të dalë në qytetet fqinje, nga të cilat i ndanë vetëm kufiri. Kështu që Prokuroria ka ardhur në përfundim se nuk ka asnjë lëshim tek zyrtarët polivorë të këtyre pikave kufitare.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/