EBA thërret shefin e misionit të BE-së për komentet “raciste” të Borrellit

EBA thërret shefin e misionit të BE-së për komentet “raciste” të Borrellit

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) të hënën thirrën Emil Paulsen, ushtruesin e detyrës së shefit të misionit të delegacionit të Bashkimit Evropian në EBA, për shkak të deklaratës së fundit të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Nga Zyra e përfaqësuesit të lartë është kërkuar shpjegim me shkrim për komentet ofenduese dhe diskriminuese të përfaqësuesit të lartë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të EBA-së.

EBA ka hedhur poshtë deklaratën “raciste” të Borrellit në përurimin e Akademisë së re Diplomatike të Evropës, e cila u mbajt më 14 tetor në Brizh të Belgjikës, thekson ministria.

Duke përshkruar komentet e Borrellit si “të papërshtatshme dhe diskriminuese”, ministria thotë se ato i kontribuojnë përkeqësimit të klimës së mostolerancës dhe diskriminimit në mbarë botën.

“Vërejtjet e Borrellit janë një zhvillim zhgënjyes i cili vjen në një moment kur të gjitha palët janë të vetëdijshme për rëndësinë e respektimit të religjioneve tjera, kulturave dhe grupeve etnike si dhe vlerave si pluralizmi, bashkëjetesa dhe toleranca”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Borrell u gjet në shënjestër të kritikave pas përshkrimit që bëri për pjesën jashtë Evropës si potencialisht një “xhungël” e dhunshme.

“Evropa është një kopsht”, tha Borrell në fjalimin e tij në Belgjikë, duke shtuar se “pjesa tjetër dërmuese e botës është një xhungël dhe se xhungla mund të sulmojë kopshtin”.