` . E folmja e Mandricës në fjalorin e studiueses Marija Hristova Georgieva - TV SHENJA

E folmja e Mandricës në fjalorin e studiueses Marija Hristova Georgieva

Ndër kontributet e çmuara për këtë të folme është edhe “Fjalori bisedimor bullgarisht-shqip me fjalorth” i studiueses mandricase Marija Hristova Georgieva. Në këtë trajtesë është marrë në shqyrtim një pjesë e materialit gjuhësor të një diaspore gjuhësore mjaft të hershme dhe me ndikime të fuqishme nga gjuhët në kontakt dhe përreth saj. Botimi i këtij fjalori në vitin 2015 është kontribut i rëndësishëm dhe material i mirë që të jep mundësi të bësh studime, por edhe krahasime me rezultatet e autorëve të tjerë.

 Shkruan: Naim BERISHA, Prishtinë

Studimet gjuhësore për të folmet e diasporës arbëreshe për një kohë të gjatë kanë qenë fokus i studiuesve të ndryshëm, veçanërisht të folmet arbëreshe të Italisë dhe Greqisë. Krahas tyre, vëmendje i është kushtuar edhe të folmes shqipe të katundit Mandrica në Bullgari. Për këtë të folme kanë shkruar Dh. S. Shuteriqi, M. Domi, B. Sokolova, Gj. Shkurtaj etj. Sipas tyre, në Bullgari ka pasur disa ngulime shqiptare ose, më saktësisht, disa fshatra, por sot e folmja shqipe e Mandricës është i vetmi ngulim shqiptar në të cilin është ruajtur gjuha dhe traditat. Shqipja e Mandricës, sipas Sokolovës, ruan një numër të madh veçorish të moçme dhe ka një fytyrë mjaft arkaike (konservative), por edhe ndikimi nga mjedisi i huaj i ka dhënë asaj disa karakteristika, që nuk i përkasin gjuhës shqipe të trevave prej nga janë shpërngulur mandricasit. Këto janë zhvillime normale, sepse e folmja shqipe e Mandricës ka qenë në takim a simbiozë me bullgarishten, mund të themi në njëfarë bashkëjetese të pandërprerë. Shqipja ka qenë dhe është gjuhë e zemrës për mandricasit, por me përdorim kryesisht në familje. Veç kësaj, për një kohë, e folmja e Mandricës ka pësuar ndikime edhe nga gjuha turke (osmane) si gjuhë e popullit sundues, por edhe nga gjuha greke, kjo si pasojë e kontakteve fqinjësore, martesave etj., si edhe për arsye se shkolla e fshatit deri më 1912 ishte në gjuhën greke. Sipas këtyre të dhënave, të cilat më hollësisht i kanë trajtuar studiuesit e lartpërmendur, del se deri më 1912 pjesa mashkullore e popullsisë shqiptare të Mandricës ishte katërfish poliglote. Për këtë realitet gjuhësor nuk mund të flitet në ditët e sotme. Sipas Gj. Shkurtajt, sot askush nuk flet më në këto gjuhë në Mandricë, me përjashtim të ndonjë plaku, që i flet me vështirësi. Kjo dëshmon se, së paku qysh më 1912 e këtej, në vend të katërgjuhësisë, edhe popullsia mashkullore e Mandricës ka kaluar në dygjuhësi: bullgarisht-shqip. Kur i kemi parasysh rrethanat në të cilat u ruajt shqipja në Mandricë, nën ndikimin e fuqishëm të bullgarishtes dhe pastaj të turqishtes e greqishtes, studiuesit shprehen se ruajtja e shqipes është meritë sidomos e gjinisë femërore.

Ndër kontributet e çmuara për këtë të folme është edhe “Fjalori bisedimor bullgarisht-shqip me fjalorth” i studiueses mandricase Marija Hristova Georgieva. Në këtë trajtesë është marrë në shqyrtim një pjesë e materialit gjuhësor të një diaspore gjuhësore mjaft të hershme dhe me ndikime të fuqishme nga gjuhët në kontakt dhe përreth saj. Botimi i këtij fjalori në vitin 2015 është kontribut i rëndësishëm dhe material i mirë që të jep mundësi të bësh studime, por edhe krahasime me rezultatet e autorëve të tjerë, rezultatet e të cilëve ka kohë që janë publikuar, por është edhe një paraqitje reale e shqipes së folur në Mandricë në ditët e sotme.

Në pjesën hyrëse të këtij fjalori është pasqyruar një historik i shkurtër për Mandricën. Ajo që bie në sy është viti i supozuar i themelimit të këtij ngulimi shqiptar. Në fjalor shkruhet se “fshati ka ruajtur bukurinë, pamjen autentike dhe gjuhën e vet që nga viti 1636”. Ndërkaq Dh, Shuteriqi shprehet se, sipas gojëdhënës, mandricasit janë nga Vithkuqi i Korçës dhe se fshati u themelua para se turqit ta marrin Stambollin (1453). Sipas tij, te kjo kohë aludon edhe kënga e mbledhur nga Kolë Jakova në Mandricë, pastaj këto të dhëna i mbështet edhe në të gjeturat e Nolit, i cili konstaton se këto fshatra u themeluan nga mercenarë shqiptarë të kohës së Bizantit. Po sipas Shuteriqit, në një gojëdhënë tjetër thuhet se fshati u themelua në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Këto të dhëna për vitin e mundshëm të themelimit të këtij lokaliteti i kanë trajtuar dhe prezantuar edhe studiuesit të tjerë të përmendur në këtë punim.

Fjalori është i ndarë në dy pjesë: Gramatikë e shkurtër dhe Fjalor bisedimor. Materiali i vjelë është pasqyruar në 4 kolona: dy bullgarisht dhe dy shqip. Njëra kolonë në shqip e paraqet fjalën ashtu si përdoret në të folmen e këtij katundi, ndërsa kolona e dytë e jep kuptimin dhe variantin në shqipen standarde.

Në pjesën e parë, Gramatikë e shkurtër, autorja i ka listuar një numër të konsideruar fjalësh, të ndara sipas disa pjesëve të ligjëratës, si: mbiemra, numërorë, folje dhe ndajfolje.

Aty janë paraqitur mbiemra si: evash – i ngadaltë, sumurë – i, e sëmurë, sellë – i thellë, sartë – i e thartë, duhor – i, e duhur, shkurtor – i, e shkurtër, ulltë – i,e ulët, tëmllë – i,e ëmbël etj. Shihet se ndikimi i bullgarishtes mbi shqipen e Mandricës ka lënë gjurmë – në mjaft raste përputhen të gjeturat e studiuesve të tjerë për fonetikën, morfologjinë e sintaksën e kësaj të folmeje me materialet e paraqitura në fjalor. Pra, sipas këtyre të dhënave, në disa raste një ë paratheksore ka kaluar në –u. Kjo dëshmohet edhe nga shembujt që i përmendëm, si: sumurë – i,e sëmurë; por edhe në emra e ndajfolje, si: kupucë, kushtu, kutu etj. Dukuri tjetër fonetike që ka ndodhur nën ndikimin e bullgarishtes është kalimi ose zhdukja e th-së në z/s, si: sellë – i thellë, sartë – i e thartë. Sipas Gj. Shkurtajt, kjo dukuri fonetike del edhe te pjesët e tjera të ligjëratës, zjetë – dhjetë, trizjetë etj. Karakteristikë tjetër e kësaj të folmeje, e cila na paraqitet edhe te mbiemrat, është kalimi i o-së paratheksore në –u dhe anasjelltas, si për shembull: duhor – i, e duhur, bukor – i, e bukur; pastaj kalimi i ë-së në -o: shkurtor – i, e shkurtër; djegor- i, e djegës etj.

Sipas listë së mbiemrave që janë pasqyruar në fjalor, në të folmen e Mandricës dalin edhe disa mbiemra që janë të njëjtë ose shumë të afërt me trajtat e tyre të shqipes standarde, si: lartë – i,e lartë, trashë – i, e trashë, mirë –i, e mirë, zënë – i, e zënë, haptë – i, e hapur, plak – i, e vjetër, plak – i,e moshuar, ngroftë – i,e ngroftë, gerë – i,e gjerë etj. Për këtë Gj. Shkurtaj shton se karakteristikë tjetër e përdorimit të mbiemrave në të folmen e Mandricës është se, nën ndikimin e bullgarishtes, mbiemrat vihen përpara emrit që cilësojnë, p.sh.: bardë bukë (sipas bullgarishtes bjal hljeb) – për bukë e bardhë, bukorë djalë (hubavo momce) – djalë i bukur etj.

Në grupin e dytë të fjalëve janë renditur numërorët. Edhe këtu bie në sy ndikimi i bullgarishtes. Numrat nga 1-10 janë: nulla, ni, dju, tri, katrë, pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, zjetë. Përveç zeros, që është ndërruar komplet në nulla, ndikimi i bullgarishtes vërehet edhe te numri dy dhe numrat tjerë më të mëdhenj që formohen me të. Këtu kemi kalim të zanores y të shqipes në ju, si: dju (2), djumbëzjetë (12), djuzjetë (40), djukint (200) etj. Bie në sy edhe mospërdorimi i bashkëtingëlloreve dhëmbore. Sipas Dh. Shuteriqit dhe M. Domit, nën ndikimin e bullgarishtes, ka ndodhur zhdukja e plotë e bashkëtingëlloreve ndërdhëmbore (th ka dhënë kryesisht s), gjë që pasqyrohet edhe te mbiemrat që i paraqitëm më lart: sellë – i,e thellë, sartë – thartë, djasë – djathë etj., dhe dh ka kaluar në d e në z. Ky kalim del te numërorët që i përmendëm, zjetë, djumbëzjetë, trembëzjetë etj., por edhe bardë – bardhë, verdë – vedhë etj. Sipas Fjalorit, ngjashëm dalin edhe numërorët rreshtorë: njija- i parë, druja – i dytë, trija, katra, pesa, gjashta, shtata, teta, nënta, zjeta etj. Veç këtyre, bie në sy se disa numërorë janë ruajtur mirë dhe përdoren pothuajse njëjtë me shqipen e sotme, si: tri, katrë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë etj.

Foljet janë pasqyruar pak më ndryshe. Këtu janë dhënë shembuj të zgjedhimit të foljeve jam, kam dhe marr në kohën e tashme, njëjës dhe shumës:

unë jam,          neve jemi         unë kam           neve kemi        unë mar           neve marmë

tinë jesh,          ive jeni             tinë kesh          ive keni            tinë marësh      ive merni

(ai) aju ishtë    ata janë           aju ka              ata kanë           aju mer            ata marnë

(ajo) aju ishtë

 

Veç tjerave, bie në sy edhe kalimi i i-së së theksuar në ju në vetën e tretë njëjës, aju ishtë – për ai është. Me sa kemi vërejtur, këtë kalim nuk e kanë përmendur studiuesit e konsultuar për këtë shkrim. Foljet e njëjta janë pasqyruar edhe në të kryerën e thjeshtë: klleshë – qeshë, unë kllesha (qeshë), ti klleshe, aju kle; neve kllemë, ive klletë, ata kllenë, etj.

Për kohën e ardhme janë pasqyruar këto folje: unë ot jam – unë do të jem, tinë ot jesh, aju ot ishtë; neve ot jemi, ive ot jeni, ata ot jenë. Format e së ardhmes me do të, që i ka shqipja, kanë evoluar në ot. Sipas këtij fjalori, mohorja e foljeve del kryesisht e formuar me pjesëzën nuk, pra si në shqipen e sotme. Megjithëse, M. Domi dhe Dh. Shuteriqi shprehen se: “Pjesëza mohuese nuk del në format nuku, e nukë dhe se ka përdorim të shpeshtë trajta sun për s’mund.

Pas kësaj pjese janë listuar një numër i konsiderueshëm foljesh, të cilat autorja i ka ndarë me titullin Folje me përdorim të shpeshtë. Në këtë pjesë të Fjalorit bien në sy folje të ndryshme, të cilat i vërtetojnë dukuritë fonetike e morfologjike të kësaj të folmeje, për të cilat tashmë kemi informacione nga studimet e mëhershme, si: shkron – shkruaj, ot shkron –do të shkruaj, som – them, dva – dua, mbjell – mbyll, mblez – mbledh, lozem – lodhem etj. Pastaj folje të konsideruara si arkaike: këndon – lexoj, këndon – këndoj, ligem – dëgjoj, zallahin – flas etj.

Edhe te ndajfoljet e pasqyruara, përmes alternimeve të ndryshme të tingujve, vërehet ndikimi i bullgarisht, si: djesna – dje, lotur – rrotull, agikun – asgjëkund etj., por edhe ndonjë huazim oriental si saballe – herët etj.

Pjesa e dytë e titulluar Fjalor bisedimor është një material i pasur gjuhësor me vlera të shumanshme. Aty janë listuar fjalë e shprehje të klasifikuara sipas situatave ligjërimore të përdorimit, si: pranim – miratim, refuzim, falënderime, përshëndetje, urime, festa, njohja, vizita, mbishkrime, mosha, familja, profesione, koha etj. Që në fillim të kësaj pjese vërehet ndikimi i bullgarishtes, jo vetëm në procese të ndryshme fonetike e morfologjike, por edhe në leksik, me huazime të shumta. Te kategoria e klasifikuar si pranim, miratim, janë pasqyruar fjalë e shprehje si: da – po, drektë keni – ju keni të drajtë etj., por edhe fjalë tjera të cilat përdoren njëjtë edhe në shqipen standarde, si: ashtu, ashtu më duket, mirë etj. Te grupi i njësive mospranim, refuzim kemi fjalë e shprehje si: nuku – jo, nuk jeni ndrektë – nuk keni të drejtë, praptën – përkundrazi, në të kundërt etj. Te kjo pjesë bie në sy se mohorja nuk del e formuar vetëm me pjesëzën nuk, pra si në shqipen e sotme, siç e ka prezantuar autorja te pjesa e dedikuar për foljet. Mbase është një lëshim i vogël, sepse ky shembull dhe të tjerë më tutje i vërtetojnë të gjeturat e M. Domit dhe Dh. Shuteriqit se “Pjesëza mohuese nuk del në format nuku, e nukë, dhe se ka përdorim të shpeshtë trajta sun për s’mund”.

Në fund mund të themi se botimi i këtij fjalori është pa dyshim një punë shumë e rëndësishme, e cila e paraqet përmbledhtas pasurinë gjuhësore të së folmes së Mandricës, që gjallon edhe në ditët e sotme. Për­veç punës së çmueshme që ka bërë autorja, rëndësia e këtij Fjalori është e madhe, sepse e arkivon pasurinë gjuhësore të këtij ishulli gjuhësor të shqipes në kohën kur trysnia e bullgarishtes, por edhe e gjuhëve tjera në kontakt, e rrezikojnë shumë këtë të folme.