E drejta për arsimim falas dhe parimi i shtetit social

E drejta për arsimim falas dhe parimi i shtetit social

Lirimi nga kostoja e studimeve për studentët që vijojnë studimet në universitetet publike, në opinionin publik nuk mirëpritet nga çdokush. Kësisoj shfaqen zëra se më këtë praktikë barazohen studentët e zellshëm me ata që janë më pak punëtorë. Gjithashtu, një kritikë është se kolegjet private dëmtohen për shkak se u kërkojnë para (shpeshherë të majme për standardin kosovar) studentëve, kolegët e të cilëve nuk do të paguajnë asnjë qindarkë në universitetet publike.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren             

E drejta për arsimim është një ndër kategoritë kushtetuese me rëndësi të veçantë. Me jetësimin e kësaj të drejte formohet individi si pjesë e shoqërisë dhe kështu vërehet ndikimi i drejtpërdrejtë i kësaj të drejte në zhvillimin kulturor e qytetërues të shtetasit. Në një mjedis ku arsimi është i arritshëm për të gjithë pa diskriminim dhe ku ka cilësi të tij, individët edukohen për t’i gëzuar edhe të drejtat e tjera në sferat: civile, sociale, ekonomike, kulturore e politike. Patjetër që një përfundim i tillë çon në avancimin e nivelit të gjithmbarshëm shoqëror.

Megjithatë, për t’u jetësuar plotësisht e drejta e arsimimit lypset aktivizimi i shtetit. Kjo parakupton detyrimin pozitiv të shtetit për sigurimin e mundësive që çdokush të ketë qasje në arsim. Po kështu, nënkupton që arsimi fillor të bëhet i detyrueshëm por njëherësh edhe falas. Praktikisht, kjo domethënë se shteti ngarkohet me financimin e shpenzimeve për arsimin.

Kjo temë u aktualizua kur Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim që, duke filluar nga viti akademik 2021-2022, studimet universitare (nivelet bachelor dhe master) në institucionet publike të jenë pa pagesë për studentët me rastin e regjistrimit të semestrit për herë të parë.

Para se të ndalemi tek e drejta për arsimim falas, le t’i hedhim një sy bazës juridike të përgjithshme për arsimin.

 

E drejta për arsimim: korniza normative e përgjithshme

 

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut proklamon: “Gjithkush ka të drejtën e shkollimit. Arsimi duhet të jetë falas, të paktën në shkollat fillore dhe të ulëta” (neni 26/1).

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Protokollin Shtesë të datës 20 prill 1952, përcakton: “Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për arsimim. Shteti, në ushtrimin e funksioneve që merr përsipër në fushën e edukimit dhe të arsimit, respekton të drejtën e prindërve për të siguruar këtë edukim dhe arsim në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike” (neni 2).

Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, i cili ka hyrë në fuqi më 3 janar 1976, obligon shtetet anëtare që arsimi fillor të jetë i detyrueshëm dhe falas për të gjithë, kurse arsimi i lartë duhet të bëhet i hapur për të gjithë në mënyrë të barabartë sipas aftësive të secilit, me të gjitha mjetet e përshtatshme e sidomos me vendosjen progresive të ndjekjes së mësimit falas (neni 13/2).

Kushtetuta e Republikës së Kosovës afirmon që secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë. Shkollimi i detyrueshëm rregullohen me ligj dhe financohet nga fondet publike. Institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj (neni 47).

 

Shteti social dhe arsimimi falas

 

Parimi i shtetit social – në kuptimin më përmbledhës -proklamon se shteti është i detyruar të eliminojë pabarazitë sociale dhe të sigurojë drejtësinë sociale.

Fatkeqësisht, Kushtetuta e Kosovës është vetëmjaftuar së përmenduri “drejtësinë sociale” vetëm si njërën nga vlerat e rendit kushtetues (neni 7). Megjithëkëtë, “shteti social” nuk është formalisht tipar kushtetues i Republikës dhe kjo, sipas gjykimit tonë, paraqet një mangësi.

Në të vërtetë, ofrimi i mundësisë së barabartë në të drejtën për arsimim sipas standardeve bashkëkohore është një premisë e parimit të shtetit social. Kësisoj, nëse legjislacioni garanton se kjo e drejtë do të sigurohet falas, ajo duhet të realizohet në po atë mënyrë.

Në këtë kontekst, vetë ideja për arsimim të detyruar (obligativ) e prodhon nevojën për arsimim falas. Kjo për shkak se qytetarët nuk mund të ngarkohen me një detyrim që nuk mund ta përmbushin. Thënë shkurtimisht: niveli i arsimimit të detyruar duhet të sigurohet falas nga ana e shtetit. Dhe, pikërisht kjo pikë e përplotëson parimin e shtetit social.

Në disa shtete, niveli i arsimit që sigurohet falas nga shteti përcaktohet në Kushtetutë, ndërkaq në disa të tjera kjo çështje rregullohet me ligj.

Për mundësinë e parë shembull është Shqipëria, në Kushtetutën e së cilës shprehimisht thuhet që “Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është falas” (neni 57/5). Ngjashëm përcakton edhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut: “Secili ka të drejtë në arsimim. Arsimimi është i arritshëm për secilin në kushte të barabarta. Arsimimi fillor është i detyrueshëm dhe pa pagesë.” (neni 44).

Ndërkaq, mundësia e dytë haset në Kosovë. Kushtetuta kosovare qëndron e heshtur përkitazi me obligueshmërinë dhe të qenët falas a me pagesë të niveleve të arsimit, por këtë çështje e lë në duar të ligjit.

Në këtë kontekst, Ligji për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës (Nr. 04/L-032) specifikon se shkollimi i detyruar ofrohet falas. (neni 9/4). Po ashtu, ky ligj e ngarkon Ministrinë e Arsimit, interalia, që të nxjerrë akt nënligjor për shpërndarjen e teksteve shkollore falas dhe ruajtjen e tyre (neni 5/13).

Ndërkaq, sa i takon arsimit të lartë, Kushtetuta nuk lëshohet në rregullimin e parimeve normative për të. Kjo domethënë se domeni i arsimit të lartë rregullohet fillimisht me ligj dhe me akte nënligjore.

Së këndejmi, Ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës (Nr. 04/L-037) specifikon që në arsimin e lartë që ofrohet nga bartësit e licencuar të arsimit të lartë do të kenë qasje të gjithë personat brenda apo jashtë territorit të Kosovës, pa asnjë lloj diskriminimi (neni 5/1).

Ligji për Arsimin e Lartë e autorizon Ministrinë që përmes një udhëzimi administrativ, i cili rishqyrtohet çdo vit, të përcaktojë pagesën maksimale të shkollimit që duhet paguar nga studentët e pranuar në bartësit publikë të arsimit të lartë, të financuar nga Ministria (neni 30/1).

 

Arsimi i lartë falas në praktikë

 

Lirimi nga kostoja e studimeve për studentët që vijojnë studimet në universitetet publike, në opinionin publik nuk mirëpritet nga çdokush. Kësisoj shfaqen zëra se më këtë praktikë barazohen studentët e zellshëm me ata që janë më pak punëtorë. Gjithashtu, një kritikë është se kolegjet private dëmtohen për shkak se u kërkojnë para (shpeshherë të majme për standardin kosovar) studentëve, kolegët e të cilëve nuk do të paguajnë asnjë qindarkë në universitetet publike.

Ndonëse këto lloj shqetësimesh burojnë nga një dëshirë për sa më shumë drejtësi, megjithatë duhet pranuar se janë të paqëndrueshme per se.

Pikësëpari, nuk qëndron pohimi se barazohen të gjithë studentët ngase për studentët e suksesshëm veçse parashihen bursa. Prandaj, lirimi nga pagesa semestrale nuk nënkupton se studentët e dalluar do të mbeten të kufizuar me këtë favor të bërë.

Po t’i rrekemi thelbit të cilësisë në arsim, do të kundrojmë se ai nuk varet nga kostoja financiare e studimeve. Problemi me cilësinë është peng i disa faktorëve të tjerë. Për shkak të strukturës së thukët të kësaj analize, po përmendim vetëm tri prej tyre, porse themelore.

Fillimisht, duhet rikonstruktuar sistemin e provimeve pranuese në programet e caktuara dhe kësisoj kandidatët për studime do ta kishin më të qartë se a janë të interesuar në të vërtetë për atë drejtim apo janë viktimë e një fryme të përgjithshme që i bën të anojnë andej.

Së dyti, doemos duhet të merren parasysh nevojat e tregut të punës dhe sipas kësaj të hapen kontingjentet për programet studimore. Kështu do të parandalohej suficiti i të diplomuarve në disa fusha në njërën anë, si dhe deficiti i frikshëm në disa fusha të tjera. Pasoja e tërë kësaj reflekton në çekuilibrimin e kërkesës së tregut në sektorin publik dhe privat.

Së treti, duhet përpjekur që arsimi të mos orientohet në marrjen e diplomave, por në aftësimin e kuadrove. Me fuqizimin e kritereve vlerësuese dhe luftimin e dukurisë së nepotizmit brenda universiteteve, vetë sistemi i filtron studentët që japin mund nga të tjerët më pak të dhënë pas studimeve.

Ngjashëm nuk është bindës as pretendimi i dëmtimit të kolegjeve private. Kjo për arsye se universitetet publike zaten kanë paraparë deri më tani shifra dukshëm më të ulëta për studentët sesa kolegjet private. Për rrjedhojë, duket pak e besueshme se heqja e plotë etarifave pothuaj simbolike të studimit në universitetet publike do të nxisë që të rinjtë të drejtohen tek ato vetëm për këtë shkak. Aq më tepër që në Kosovë, nga tarifat e studimeve në arsimin e lartë kanë qenë të liruar disa kategori të caktuara qytetarësh (P.sh. në Kosovë: studentët, familjet e të cilëve janë në asistencë sociale; studentët të cilët janë invalidë të luftës ushtarakë/civilë; studentët që kanë mbetur pa njërin prind si pasojë e luftës; studentët me aftësi të kufizuara fizike).

Nëse vështrohet praktika ndërkombëtare, vihet re se sisa shtete, si: Finlanda, Norvegjia, Franca, Gjermania, Brazili, etj. ofrojnë studime universitare falas ose me tarifa simbolike. Realisht, në esencë, këtu fle dallimi midis arsimit publik dhe atij privat: shteti nuk duhet ta konsiderojë veten si një ndërmarrje private, që i ofron qytetarëve të drejtën e arsimit me pagesë. Pra, megjithëse mund të vendosen tarifa të caktuara për vijimin e studimeve, ato nuk duhet të jenë ngarkesë e rëndë për familjet e studentëve. Fundja, vetë sistemi arsimor publik mbahet me buxhetin e shtetit, i cili inkasohet në masë të konsiderueshme nga tatimet e ndryshme.

Këtejmi, megjithëse arsimi i lartë nuk është i detyrueshëm, Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i heqë tërësisht tarifat e studimeve. Natyrisht, kjo çështje ndërlidhet pashmangshëm me mundësitë financiare të shtetit. Varësisht nga rrethanat dhe implikimet ekonomike, këto lloj vendimesh mund të rishikohen në të ardhmen ngaqë, në instancë të fundit, asnjë qeveri nuk obligohet juridikisht për një gjë të tillë. E mira do të ishte që shteti kosovar të fuqizohet sa më tepër dhe lehtësirat e tilla për studentët dhe shtresat e tjera të ndjeshme sociale të zgjerohen në sa më shumë sfera.

Përtej të gjithave, do të ishte e udhës që kjo risi të kthehet në një nismë për të çuar tutje praktikat e shtetit social me akte konkrete që prekin pozitivisht jetën e qytetarëve. Gjithsesi, kur të ketë vullnet politik në Kuvend, edhe të amendamentohet Kushtetuta për ta përfshirë parimin e “harruar” të shtetit social.