E ardhmja e “Ballkanit të Hapur” dhe zgjerimi i BE-së

E ardhmja e “Ballkanit të Hapur” dhe zgjerimi i BE-së

Kosova ka arsye të fuqishme për të mos marrë pjesë në nismat bashkë me Serbinë, por duhet analizuar se kush fiton e kush humb më shumë nga kjo. Mungesa e Kosovës në samitet e “Ballkanit të Hapur” i lë hapësirë Serbisë dhe Vuçiqit ta ndërtojë imazhin e një faktori konstruktiv për sigurinë dhe paqen në rajon.    

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Kosova vazhdon ta kundërshtojë iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, e cila në vitin 2019 u nis nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe ish kryeministri maqedonas, Zoran Zaev. Zyrtarët në Prishtinë e arsyetojnë këtë refuzim të fortë me atë se kjo nismë nuk i respekton dy parime bazë: i pari ka të bëjë me barabarësinë, kurse i dyti me gjithëpërfshirjen. Por, në Tiranë dhe Shkup thonë se ftesa për çdo samit i janë dërguar edhe Kosovës, duke ia rezervuar ulësen si shtet i barabartë me të tjerët.

Kosova e bojkotoi edhe Samitin e Ohrit, të mbajtur në fillim të këtij muaji, duke refuzuar të marrë pjesë edhe në cilësinë e vëzhguesit, siç vepron Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Shteti më i ri i Europës vazhdon të këmbëngulë që bashkëpunimi rajonal dhe jetësimi i katër lirive të lëvizjes (njerëz, mallra, shërbime dhe kapital), si vlerë themeltare e Bashkimit Europian (BE) të bëhet në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili e ka projektin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Me këtë Prishtina refuzon t’u bashkëngjitet vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët haptazi shprehen kundër politikave të BE-së për ngrirje të zgjerimit. Serbia dhe Mali i Zi, që nga 2012, i kanë nisur negociatat, por shumë pak kanë përparuar në këto dhjetë vjet. Maqedonia e Veriut e ka fituar statusin kandidat që nga viti 2005, kurse nga viti 2009 ka marrë rekomandimin e parë nga Komisioni Europian (KE) për fillim të negociatave, të cilat nuk arritën të nisin për shkak të vetove greke, franceze dhe, së fundmi, bullgare. Shqipëria nga viti 2014 e ka marrë statusin kandidat, kurse nga viti 2018 Komisioni i rekomandoi çelje të bisedimeve me Brukselin, por kjo rezultoi pa sukses, për shkak të kundërshtimeve të disa vendeve europiane, që në fund të jetë viktimë e kontestit Shkup-Sofje, me të cilin nuk ka asnjë lidhje. Kosova nuk ka as status kandidat e as liberalizim vizash me BE-në.

 

Zëvendësim për BE-në?

Në fillim “Ballkani i Hapur” dukej si një nismë e cila do të dështojë që në hapat e saj të parë. Kjo dozë pesimizmi buronte nga fakti se kjo iniciativë ishte një lloj reagimi ndaj mungesës së vullnetit për zgjerim të BE-së. Ajo që e mbajti gjallë, e forcoi dhe i dha legjitimitet janë pengesat që anëtarë të BE-së ia kanë vënë zgjerimit të saj në drejtim të Ballkanit Perëndimor, një rajon që numëron 18 milionë banorë, e që është sa gjysma e Rumanisë. Mungesa e perspektivës së qartë europiane për rajonin bën që Brukseli ta humbasë besueshmërinë dhe autoritetin për ta zbatuar agjendën e tij.

A ka ardhur, realisht, momenti kur Ballkani fillon të europianizohet pa prezencën e një perspektive të qartë europiane? A mund të shohin vendet e rajonit te fqinji një aleat të mundshëm në vend të armikut? Apo, a munden vendet ballkanike të braktisin qasjen realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare, e cila ka nxitur ëndrrat e shteteve të mëdha, dhe ta pranojnë qasjen liberale, e cila preferon bashkëpunimin dhe nismat mbikombëtare? A e kanë ata forcën për të kërkuar falje për krimet e kryera në të kaluarën? A e kanë ata forcën të falin që të ecin përpara?

Ish politikani irlandez, John Bruton, e ka dhënë definicionin më të mirë për Bashkimin Europian: “BE-ja është shpikja më e suksesshme në botë për avancimin e paqes”. Themelet e Bashkimit Europian u hodhën vetëm 7 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Deri në këtë pikë Europa ishte mbytur në gjakun e derdhur në luftërat e vazhdueshme, të nxitura nga armiqësitë dhe garat për dominim në kontinentin e vjetër. Rreth 60 milionë njerëz vdiqën vetëm në Luftën e Dytë Botërore, shumica e tyre europianë. BE-ja kishte një synim si nismë – pajtimin e gjashtë anëtarëve të parë – Gjermanisë, Francës, Italisë, Holandës, Belgjikës, Luksemburgut dhe, më pas, Polonisë, Sllovakisë, Spanjës, Portugalisë dhe anëtarëve të tjerë, që më pas do t’i bashkohen këtij projekti. BE-ja i ka shndërruar vendet nga konkurrentë në aleatë, nga armiq në partnerë, nga tregje të vogla ka bërë një treg të madh dhe të fuqishëm ekonomik me mbi 500 milionë banorë. Ishte një kohë kur evropianët i thanë “mjaft” urrejtjes dhe luftës.

Mes viteve 1945 dhe 1950, një grusht personalitetesh guximtarë, siç ishin Robert Schuman, Konrad Adenauer, Alcide de Gasperi dhe Winston Churchill, bënë përpjekjen vendimtare për të hyrë në një epokë të re. Gradualisht, projekti i Bashkimit Europian po merrte formë pikërisht mbi këtë koncept fillimtar, që nënkuptonte kultivimin dhe afirmimin e vlerave të përbashkëta, ndërkohë që me kalimin e kohës entiteti BE tashmë po strukturohej në gjithë dimensionin institucional, ashtu siç e njohim sot. Sigurisht, koncepti i BE-së nënkuptonte tërësinë e vendeve që e përbëjnë kontinentin. Prandaj u shtrua si imperativ edhe përfshirja e vendeve të tjera në këtë përbashkësi, që ndryshe njihet edhe si procesi i zgjerimit.

Për dallim nga BE-ja, projekti “Ballkani i Hapur” është kryesisht i natyrës ekonomike. Edhe pse nuk i jep të njëjtat rezultate si projekti europian, megjithatë vërehet një moment që gjermanët e quajnë “zeitgeist” (shpirti i kohës). Edhe pse anëtarësimi në BE nuk ka alternativë, që do të thotë se “Ballkani i Hapur” nuk është dhe nuk mund të jetë zëvendësues i integrimit europian, sërish kjo nismë e europianizon rajonin pa qenë pjesë e BE-së.

 

A gabon Kosova?

Kosova e kushtëzon bashkëpunimin ekonomik në kuadër të “Ballkanit të Hapur” me njohje nga Serbia, problem i cili është i natyrës politike. A mund të jetë problem edhe për ekonominë refuzimi i njohjes  nga Serbia? Rasti i marrëdhënieve midis Kinës dhe Tajvanit e thotë të kundërtën. Kina nuk e njeh pavarësinë e Tajvanit, një ishull i vogël në juglindje të saj, madje edhe pamundëson që shtete tjera në botë ta njohin si shtet, por kjo nuk ka qenë problem për të pasur një bashkëpunim të ngjeshur ekonomik. Shifrat zyrtare thonë se Tajvani është një nga investitorët më të mëdhenj në Kinë. Ndërmjet vitit 1991 dhe fundit të majit 2021, investimet e këtij shteti në Kinë kanë arritur në 193 miliardë dollarë. Në vitin 2020, vlera e tregtisë ndërmjet tyre ishte 166 miliardë dollarë amerikanë, me ç’rast afër 50 për qind e prodhimeve tajvaneze shiten në tregun kinez. Të dyja shtetet armiqësore duket se janë të lidhura fort në ndërvarësinë e tyre.

Përveç dilemave rreth respektimit të parimit të barabarësisë dhe gjithëpërfshirjes, Prishtina ka rezerva edhe kur bëhet fjalë për rrezikun e dominimit të tregut rajonal nga ana e Serbisë, i cili do të vërshohej nga prodhimet serbe. Është fakt se Serbia është shteti që do të përfitojë shumë nga “Ballkani i Hapur”, por në iniciativa të këtij lloji secili shtet futet me hesapet e veta, jo të tjetrit. Edhe në BE më shumë përfiton Gjermania dhe Franca, por interesat e tyre në këtë union i sheh edhe Malta ose Sllovenia. Statistikat zyrtare tregojnë se Serbia ka 9 milionë banorë, shkalla e papunësisë është afër 9 për qind, kurse investimet e huaja të drejtpërdrejta arrijnë deri në 5 miliardë euro në vit. Sa për krahasim, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova dhe BeH, veç e veç, regjistrojnë mesatarisht nga 300 milionë euro investime të drejtpërdrejta në vit. E vetmja Shqipëria qëndron më mirë, me mbi 500 milionë euro investime të huaja në vit.

Kosova ka arsye të fuqishme për të mos marrë pjesë në nismat bashkë me Serbinë, por duhet analizuar se kush fiton e kush humb më shumë nga kjo. Mungesa e Kosovës në samitet e “Ballkanit të Hapur” i lë hapësirë Serbisë dhe Vuçiqit ta ndërtojë imazhin e një faktori konstruktiv për sigurinë dhe paqen në rajon.