Dy vite nga shpërthimi në portin e Bejrutit, drejtësia ende e paarritshme

Dy vite nga shpërthimi në portin e Bejrutit, drejtësia ende e paarritshme

Libani shënon përvjetorin e dytë të shpërthimit të fuqishëm që ndodhi në portin e Bejrutit, ndërsa në të cilin humbën jetën më shumë se 200 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Shpërthimi i fuqishëm ndodhi në Bejrut më 4 gusht të vitit 2020. Si pasojë e shpërthimit humbën jetën mbi 200 persona ndërsa më shumë se 6.000 të tjerë u plagosën. Në vend të sigurt janë zhvendosur rreth 300 mijë persona.

Një ditë pas shpërthimit shkatërrues, qeveria e Libanit hapi hetim.

Shtatë ditë pas shpërthimit, avokati libanez Fadi Sawan u emërua si gjyqtar i ngarkuar me hetimin, përpara se të shkarkohej nga gjykata në shkurt 2021, pas akuzave të ngritura kundër tij.

Në vend të tij erdh Tariq Bitar, por emërimi i tij u prit me reagimin e partive në pushtet, kryesisht Hezbollahut dhe lëvizjes Amal.

Në tetor të vitit 2021, Bitar përsëri tërhoqi vëmendjen pasi gjykata hodhi poshtë padinë kundër tij dhe e lejoi atë të vazhdonte hetimin e shpërthimit.

Gjatë protestave ku qytetarët bënë thirrje për shkarkimin e tij, ka pasur edhe dhunë, gjatë së cilës kanë mbetur të vrarë 7 persona.

Dy vite më pas, familjarët e viktimave të shpërthimit në port vazhdojnë të protestojnë duke kërkuar ndëshkimin e autorëve.

Megjithatë, hetimi ende nuk ka dhënë asnjë rezultat për shkak të kundërshtimeve të deputetëve dhe ish-ministrave libanezë kundër Bitar-it, gjë që hetimi është lënë në pritje me muaj.

Analisti libanez Moufeed Mustafa tha se mungesa e vullnetit politik dhe ndërhyrja e vazhdueshme e elitës politike në gjyqësorin libanez po pengon hetimin e fatkeqësisë.

“Sistemi gjyqësor në vend është jo vetëm i dobët, por i nënshtruar ndaj një elite politike që nuk respekton gjyqësorin dhe i shpërfill kërkesat e tij”, tha Mustafa për AA.

Sipas tij, ish-ministra dhe përfaqësues të afërt me Hezbollahun dhe lëvizjen Amal po pengojnë çdo bashkëpunim me organet e drejtësisë në hetimin e shpërthimit.

“Kemi shembuj të Ali Hassan Khalil, ish-ministër i Financave dhe Ghazi Zuaitir, ish-deputet, të cilët refuzuan të merren në pyetje duke u thirrur në imunitetin e tyre”, tha Mustafa.

Për analistin libanez Fadi Samaan, Hezbollahu dhe lëvizja Amal filluan një fushatë për të penguar hetimin që në fillim.

Ai vlerësoi se duke penguar hetimin për shpërthimin në portin e Bejrutit, autoritetet politike, të udhëhequra nga Hezbollahu dhe lëvizja Amal, “i dërguan një mesazh të qartë libanezëve se gjyqësori dhe shërbimet e sigurisë nuk kanë më autoritet mbi shtetin. ”

Protestat masive të thirrura nga aktivistët libanezë priten sot në kryeqytetin Bejrut për të shënuar dyvjetorin e shpërthimit të portit dhe për të kërkuar drejtësi për viktimat.