` . Dy strofa dhe një thelb - TV SHENJA

Dy strofa dhe një thelb

Asgjë nuk ndodh sipas meritës

e as prej ndonjë gabimi.

Flokëbora dhe katrani

janë njëlloj të bardhë

gjithë po aq të pafajshëm.

Ferid Muhiq

Përkth.: Fatmir S. Baçi

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

Poeti shkruan me besim ose, më mirë, udhëhiqet nga besimi, natyrisht jo në të gjitha rastet. Besim – pra, edhe dashuri. Ai e beson plotësisht atë që shkruan, sepse vjen si një dritë, e cila rri me të, ndërsa neve na vijnë thërrmijat e saj në trajtë fjalësh.

Me “asgjë” nënkupton çdo gjë, pra, çdo gjë që ndodh nuk ndodh si pasojë e ndonjë faji ose merite, por si pasojë e një fuqie e cila qëndron madhërisht përtej këtyre përcaktimeve tipike të gjuhës, moralit dhe ligjit.

Të jesh kaq “kategorik”, pikërisht duke bërë një përcaktim të tillë, është çështje besimi, pastaj mund të themi edhe çështje botëkuptimi.

Merita dhe gabimi janë shoqëruesit tanë të përhershëm kur vjen puna te fjalët dhe veprat tona. Kemi gjithnjë prirjen që një veprim të caktuar ta kategorizojmë ose si të pranueshëm ose si të papranueshëm, si faj apo si virtyt. Kuptohet, mes këtyre dy kategorive kemi edhe një tjetër realitet “asnjanës”, nëse mund ta quajmë kështu, ku nuk ndiejmë ndonjë prirje ose ngacmim për ta klasifikuar te e mira ose tek e keqja. Por, tani për tani kjo nuk na duhet (o më të mirën, o s’ka), meqë kemi nisur një përsiatje që lidhet me dallimet, madje me dallime themelore, që herët a vonë kërkojnë një qëndrim nga ne. Gjithsesi, duhet thënë se ky terren asnjanës është i vyer, qoftë edhe me barrën e harresës.

Kur poeti shkruan se “asgjë nuk ndodh sipas meritës / e as prej ndonjë gabimi”, këtu përfshihen si fjalët ashtu dhe veprat tona, si ato që bëjmë me dashje, si ato që bëjmë pa dashje.

Cili gabim apo cila meritë na bëri këta që jemi? Cili gabim apo cila meritë bëri të mundur planet tona apo që i pamundësoi ato? Sa syresh u realizuan falë meritave tona? Meqë ra fjala, Zoti vazhdon të qeshë. Çfarë pushteti kemi përballë një ndezullie apo një hovi të brendshëm? Çfarë pushteti kemi ne përballë një plogështie që sfidon krenarinë tonë? Sa e njohim ne lojën misterioze të fatit? Sa fat kemi patur me fatin? Nga vijnë dhe për ku ikin ëndrrat tona? Cili është emri i dhimbjes? Nga i buron forca fijes së brishtë të barit që e çan asfaltin me aq butësi?

Ndaj “flokëbora dhe katrani / janë njëlloj të bardhë”. Katrani këtu nuk vepron si katranosës, por si kthjellje, njësoj si bora, që fillimisht na lëbyr sytë, e më pas na tërheq paqtë drejt një bote të epërme bërë me kujtime dhe synime të zjarrta.

Është e njëjta gjë si të themi se ujku dhe qengji janë njëlloj, sepse mbi të dy vepron dora e padukshme e fatit, duke u përcaktuar natyrën e tyre, megjithëse të ndryshme. Edhe dranofilja dhe gjembi janë njëlloj në këtë persepktivë jo vetëm mistike (edhe disi mitike?), por sidomos thelbsynuese.

Pra, flokëbora e merr në gji katranin, jo për të na konfirmuar epërsinë e saj natyrore ose poetike, por për t’u njësuar drejt atij thelbi që mbetet i mbuluar nëse ato nuk sakrifikohen në këtë njësim. Çdo gjë mund të mbulohet nga bardhësia e borës, edhe katrani, sidomos katrani, pasi ka kaq kohë që pret. A e meriton? Përgjigjen po e kërkoj me një pyetje: a nuk mjafton si ndëshkim për të fakti që është katran?

Nëse mund të jenë njëlloj të bardhë, atëherë janë njëlloj të pafajshëm. Por, kjo mund të ndodhë vetëm në perspektivën e dashurisë. Në atë të drejtësisë, emri i fajit është i përveçëm, jo kolektiv. Kështu që paqja është e mundur vetëm në saje të drejtësisë. Por, ky është një tjetër diskutim.

E vërteta është se, si flokëbora, ashtu dhe katrani kanë nevojë për dashuri. Ndërsa dashuria është e mundur vetëm në saje të dashurisë. Është njësoj si me të ashtuquajturat ngjyra bazë: e kuqja, e verdha dhe bluja, të cilat nuk përftohen nga asnjë bashkim ngjyrash; kurse ngjyrat e tjera janë rrjedhojë e këtyre të triave.

Merita mund të jetë faj dhe faji meritë.

“Çdo shenjtor ka një të shkuar, sikurse çdo mëkatar ka një të ardhme.” (Wilde)

Nga një thënie e Profetit Muhamed mësojmë se parajsa nuk blihet me veprat tona, por me dashurinë e Zotit, sepse, siç thotë diku tjetër Oscar Wilde, “askush nuk është aq i pasur sa të blejë të shkuarën e tij”, ama as të ardhmen.