Dy skenarë në marrëdhëniet me Bullgarinë

Dy skenarë në marrëdhëniet me Bullgarinë

Dy skenarë mund të ndodhin pas hapjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian (BE), moment ky që u shënua me mbajtjen e Mbledhjes së Parë Ndërqeveritare më 19 korrik në Bruksel: i pari do të thotë veto e serishme bullgare, ndërsa i dyti – përmirësim i marrëdhënieve dhe i besimit midis Shkupit dhe Sofjes.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Edhe pse në vitin 1992 Bullgaria ishte vendi i parë që e pranoi pavarësinë e Maqedonisë së Veriut, megjithatë kjo nuk ndodhi me popullin maqedonas dhe gjuhën maqedonase. Nga këndvështrimi bullgar, populli maqedonas para 1945-tës ka qenë pjesë e popullit bullgar, kurse gjuha maqedonase – një nga disa dialektet e gjuhës bullgare. Sipas kësaj perspektive, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut janë si Shqipëria dhe Kosova – një popull me dy shtete (apo një etni, dy kombe).

Në vitin 1999 dy vendet nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët për të mënjanuar pengesat në marrëdhëniet dypalëshe, ndërkohë në vitin 2008 me një Memorandum i riafirmuan zotimet e asaj deklarate. Në vitin 2017 nënshkruan Traktatin e Fqinjësisë së Mirë kurse së fundmi miratuan edhe Propozimin Francez, i cili ishte parakusht që Bullgaria të mënjanojë veton për Maqedoninë e Veriut që t’i nisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE).

Të gjitha këto dokumente, megjithatë, nuk kanë zgjidhur problemin në thelb. Ato vetëm kanë riafirmuar përkushtimet për ngjeshje të lidhjeve midis dy shteteve, por nuk kanë siguruar njohje të popullit maqedonas dhe historisë.

 

Dy skenarë

Dy skenarë mund të ndodhin pas hapjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian (BE), moment ky që u shënua me mbajtjen e Mbledhjes së Parë Ndërqeveritare më 19 korrik në Bruksel: i pari do të thotë veto e serishme bullgare, ndërsa i dyti – përmirësim i marrëdhënieve dhe i besimit midis Shkupit dhe Sofjes.

Skenari i parë, pra ai i ngërçit të vazhdueshëm, është më shumë i mundur për shkak të rrethanave që i presin dy vendet në rrafshin e brendshëm politik, por edhe implikimet e politikave rajonale dhe globale. Pengesa më e madhe ka të bëjë me interpretimin e historisë. Ka shumë dokumente që e mbështesin tezën bullgare se maqedonasit para 1945-tës kanë qenë pjesë e popullit të tyre, ndërkohë që ka po ashtu dokumente që dëshmojnë për qenësinë etnike maqedonase edhe para Luftës së Dytë Botërore. Kjo e bën edhe më të komplikuar marrjen e vendimeve ose miratimin e protokolleve të Komisionit të Përbashkët të Historisë, kur bëhet fjalë për historinë, e sidomos për Mesjetën. Të gjitha ngjarjet dhe figurat ose identiteti i tyre, nuk mund të dokumentohen për t’u llogaritur si të vërteta shkencore. Pjesa më e madhe e ngjarjeve janë hipoteza, kurse përkatësia etnike ose kombëtare nuk ka qenë e kristalizuar deri në masën që e kemi sot. Një e vërtetë shkencore është e bazuar në të dhëna të pakontestueshme dhe të qëndrueshme. Ndërkohë që mungesa e marrëveshjeve për historinë, si obligim i Traktatit të Miqësisë, si pjesë e Kornizës Negociuese, i japin Bullgarisë legjitimitet për një veto të re gjatë procesit të qasjes në BE.

Pengesë tjetër është edhe ndryshimi i Kushtetutës që bullgarët të bëhen pjesë e saj, i cili sipas Propozimit Francez, është parakusht që të nisin të hapen kapitujt e parë nga 35 gjithsej, sa numëron procesi. Në një situatë të elektrizuar dhe politikisht të polarizuar është gati e pamundur të bindet opozita që t’i votojë ndryshimet kushtetuese. Për ato ndryshime nevojiten së paku 80 nga gjithsej 120 deputetë, ndërkohë që qeveria ka vetëm 64 vota. Edhe nëse i shtohen 10 deputetët shqiptarë të opozitës, pra tetë të Aleancës për Shqiptarët dhe dy të BESA-s, të cilët kanë thënë se do të votojnë në favor të ndryshimeve, sërish do të mungojnë gjashtë deputetë. Referendumi që e paralajmëron VMRO-DPMNE-ja opozitare është një mundësi që mund të ndodhë, por që bart rrezikun të dështojë si ai i vitit 2018-të për Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, kur vendi e ndryshoi emrin për t’u bërë anëtar i NATO-s.

Mungesa e stabilitetin politik në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut janë faktor tjetër i rrezikut, që mund ta pengojë zbatimin e Propozimit Francez dhe rikthimin e vetos. Kriza ekonomike, e shkaktuar nga pandemia dhe e përkeqësuar nga lufta në Ukrainë, mund të nxisë lëvizje shoqërore që i forcojnë vetëm partitë margjinale, të ekstremit të majtë ose të djathtë, që sponsorizohen nga Moska. Nëse faktor të qeverive në Shkup dhe Sofje do të ishin këto forca, atëherë integrimi në BE mund të ngelet vetëm si një ëndërr që nuk përfundon e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Skenari i dytë, ndërkaq, ka më pak gjasa të ndodhë, por nuk është i pamundur. Nisja e procesit të negociatave dhe e zbatimit të Traktatit të Miqësisë mund të sjellë një afrim të të dyja vendeve, i cili do ta zbuste qëndrimin e fortë të Bullgarisë ndaj identitetit të maqedonasve etnikë. Ndryshimi i Kushtetutës dhe përfshirja e bullgarëve etnikë aty, megjithatë, mund të sjellë një kthesë pozitive në marrëdhëniet dypalëshe. Me këtë akt Bullgaria de facto e pranon se në Maqedoninë e Veriut ka një popull ndryshe nga ai bullgar, pra heq dorë nga doktrina “një popull – dy shtete”. Një situatë e njëjtë është me Greqinë, e cila nuk e ka rikthyer veton për Shkupin edhe pse janë shkelur afatet kohore për implementimin e disa pjesëve të Marrëveshjes së Prespës. Ky skenar kërkon qeveri stabile, progresive dhe pro-europiane në të dyja anët e kufirit dhe tejkalim të krizës ekonomike.

 

Hapat e fundit të shtetndërtimit

Nëse u rikthehemi dokumenteve të pas-Luftës së Dytë Botërore, duket se Maqedonia e Veriut ka qenë temë dhe pengesë kryesore në marrëdhëniet midis Jugosllavisë, në njërën anë, dhe Bullgarisë dhe Bashkimit Sovjetik, në anën tjetër. Vizioni i Partisë Komuniste Jugosllave të Titos ka qenë që vendi të jetë republikë në kuadër të Jugosllavisë, ndërkohë që Bashkimi Sovjetik ka projektuar një “Maqedoni të madhe”, ku do të hynin edhe Egjeu dhe Pirini, por që do të ishte republikë në kuadër të Bullgarisë. Maqedonia, në fakt, ka qenë shqetësim që nga fillimi i shekullit XX, kur shtetet e para kombëtare fillojnë të ngrihen mbi baza krejtësisht të reja.

Këto rrethana historike dhe ky gërshetim interesash gjeostrategjike, mbase, kanë qenë përcaktuese që Maqedonia e Veriut sot të jetë shtet i pavarur, anëtar i NATO-s dhe aspirant për të qenë pjesë e BE-së. Sidoqoftë, duket se procesi i shtet-ndërtimit ende nuk ka përfunduar. Marrëveshja e Ohrit për të drejtat etnike të shqiptarëve, Marrëveshja e Prespës për emrin me Greqinë që do ta ridefinojë kombin politik dhe Traktati i Miqësisë së Mirë për përkufizimin e etnisë maqedonase, pritet ta kompletojnë procesin e stërzgjatur të shtetndërtimit. Në këtë drejtim, me hapjen e Kushtetutës në muajt e ardhshëm, mund të krijohen rrethana që vendi të bëjë edhe një korrigjim formal (jopërmbajtësor) të pjesës normative të Kushtetutës, kur do të mënjanohej termi “20 për qind” për gjuhën shqipe. Një shtet funksional është ai që është reflektim i realitetit socio-politik, i pakontestuar brenda dhe jashtë.