Dy relacione të Rauf Ficos, dërguar Mbretit Zog i Parë

Dy relacione të Rauf Ficos, dërguar Mbretit Zog i Parë

Pikërisht me nismën e R. Ficos, në vitin 1935, në Beograd, u formua Organizata Studentore “BESA”, e cila dha një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në krijimin e vetëdijes kombëtare shqiptare, por edhe në pengimin e procesit të shpërnguljes së dhunshme për në Turqi, një proces që kishte filluar që nga luftërat ballkanike. Për punën dhe aktivitetin diplomatik e kombëtar, ai në mënyrë të vazhdueshme i raportonte Mbretit Zogu i Parë, si dhe ministrit të Punëve të Jashtme, të cilat raporte ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit  në Tiranë.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Me ridefinimin e Shtetit Shqiptar, nga Republikë në Monarki, si dhe me shpalljen e Ahmet Zogut për “Mbret të shqiptarëve”, e jo “Mbret i Shqipërisë” (1 shtator 1928), siç insistohej asaj kohe nga qarqet hegjemoniste të Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene (më tej SKS), ishin sinjalet e para se në të ardhmen, Mbreti Zogu i Parë, si dhe Qeveria Mbretërore e Shqipërisë, do shprehnin një interesim dukshëm më të madh për problemin shqiptar nën pushtimin e Mbretërisë së SKS-së. Këto sinjale u qartësuan, kur për ministër fuqiplotë (ambasador) të Qeverisë Mbretërore të Shqipërisë në Mbretërinë e SKS-së (nga viti 1929 të Jugosllavisë) u emërua, Rauf Fico, njëri ndër diplomatët më të shquar shqiptar të kohës. Kariera diplomatike e tij, filloi në janar të vitit 1926 kur me dekret të kryetarit të atëhershëm të Shtetit Shqiptar, Ahmet Zogu, u emërua ministër i plotfuqishëm në Legatën shqiptare në Ankara. Emërimi i z. Fico, për ministër i plotfuqishëm në Beograd, për shumë kolegë të tij në Ankara, u vlerësua si një vendim i qëlluar i Qeverisë Mbretërore shqiptare: “Me hidhërim të madh, kolegu im shqiptar, Z. Rau Fitso, thuhet në letrën përshëndetëse të një diplomati në Ankara, se po le Turqinë nesër për të nisur në postën e tij të ri në Beligrad. Zgjedhja e zotit Fitso për këtë post të vështirë dhe delikat është nji provë e mjaftueshëm për opinionin e nalt që ushqen Qeveria e tij për të, por do të dëshiroj të shtoj se nga eksperienca e ime qi kam pasë me zotin Fitso, Qeveria shqiptare nuk mund të zgjidhte nonji njeri më të kualifikuemë…”.

Ai në Beograd, qëndroi shumë shkurt, deri në prill të vitit 1930, pasi tashti atij iu besua posti i ministrit të Punëve të Jashtme. Ndërkohë, në vitin 1933, Rauf Fico, sërish u emërua ministër i plotfuqishëm i Qeverisë Mbretërore shqiptare në Beograd, në të cilën detyrë qëndroi deri në vitin 1936. Gjatë misionit të tij, si të parë, po ashtu edhe të dytë, edhe pse në rethana politike shumë të acaruara midis Tiranës dhe Beogradit, arriti të vendos lidhje dhe bashkëpunim të ngushtë me një pjesë të parisë së shqiptare (Kosovës), në radhë të parë me Ferhat bej Dragën, Seit Hoxhën etj., të cilët, sipas tij, përbënin shtyllat kryesore të rezistencës dhe qëndresës shqiptare të Kosovës (termi Kosovë, në atë kohë nënkuptonte të gjitha tokat shqiptare nën pushtimin e Mbretërisë jugosllave). Pikërisht, me nismën e R. Ficos, në vitin 1935, në Beograd, u formua Organizasta Studentore “BESA”, e cila organizatë dha një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në krijimin e vetëdijes kombëtare shqiptare, por edhe në pengimin e procesit të shpërnguljes së dhunshme për në Turqi, një proces që kishte filluar që nga luftërat ballkanike. Për punën dhe aktivitetin diplomatik e kombëtar, ai në mënyrë të vazhdueshme i raportonte Mbretit Zogu i Parë, si dhe ministrit të Punëve të Jashtme, të cilat raporte ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit  në Tiranë.  Në këtë numër të revistës SHENJA, zgjodha dy relacione të Rauf Fico-s, dërguar Mbretit Zogu i Parë. Relacioni i parë është hartuar më 2 shkurt 1929, gjatë mandatit të tij të parë, ndërsa i dyti, është hartuar më 3 tetor 1935. Në relacionin e parë, Fico e njofton Mbretin Zog, për pozitën jashtëzakonisht të rëndë të popullsisë shqiptare, e cila vinte si rrjedhojë e dhunës dhe terrorit të vazhdueshëm të regjimit të atëhershëm të Beogradit. Sipas tij, një pjesë të përgjegjësisë për gjendjen e rëndë të shqiptarëve, e mbante edhe paria   e atëhershme e Kosovës, e cila siç shprehet: “..shumica e tyre janë bërë vegla e serbëve”. Në vazhdim, Fico theksonte se, një pakicë e parisë shqiptare, e cila kultivonte ndjenja kombëtare “…vriten e po persekutohen si të ndyerit Gafur e Jusuf Ahmeti që u vranë (me urdhërin e Seksionit të dytë të Shtabit Madhor, dhe që gjakatarët e vrasjes, natyrisht, mbejtën të pa-njoftun), e si Ferhat Bey Draga, me shokë që janë plagosë e janë mbajtur me vite në burg…”. Ndryshe nga relacioni i parë, në relacionin e dytë, Fico, shprehte një optimizëm shumë të madh për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë, sepse siç vë në dukje, paria shqiptare, nën udhëheqjen e Ferhat bej Dragës e të Sait Hoxhës, tashmë kishte filluar t’i konsiledoj radhët e veta. Kjo bindje e tij erdhi pas takimit që ai pati në Shkup me këta dy personalitete të shquara shqiptare të kohës. Në relacion, Fico shkruan se, Ferhat bej Draga, edhe pse ishte “tepër egoist”, ai megjithatë ishte një patriot i madh shqiptarë, i cili  “nuk kurcehet kurr që të çfaqi lirisht e botnisht mendimet e tija kombëtare…”. Përveç, Dragës, Fico, në relacion lartëson edhe figurën e Sait Hoxhës, për të cilin ai shprehet: “Natën me 21 Vjesht në odën e shtëpis ku banon sekretari i Kryekonsullatës Z. Sofo Çomora u poqa me Z. Sait Hoxhën dhe i komunikova përshëndetjet e Naltmadhnis sUej u mallëngjue për së tepërti e iu mbushën syt me lot. Ky njeri zotnon karakter të fortë, tepër i ndershëm dhe mjaft i ditun, por edhe ky si i pari mjaft egoist. Në udhëtimet gati të përjavshme që bën në rethet e ndryshme të Kosovës, me raste dasme mevlude, vdekje dhe me autoritetin që i nep çallma, me cilsi të tija të dituna e posaçërisht e kaluemja e tij e pastërtë, bën nji shërbim të math. Kudo këshillon, durim qëndrim e besim në tarthmen. Si nji njeri i zgjuar gjen mënyrën e kombinimit me ndjenjat fetare me ato të kombësis. Si në fillim të jetës së tij edhe sot ka mbet plotësisht nji (softa), vobeksia dhe nevojat e jetës nuk kan mujtur ta trembin as pak. Kur i thash se Madhënija e Juej ishit gati për me i ndihmue me sa qe të dëshironte, më tha: Ju falem nderit shumë, por unë shërbej për atë që besoj, nuk jam nga kategoria e Halim Dragës (ndoshta bëhet fjalë për Ferhat Dragën – Q. L.). Unë Madhënin e Tij e njoh që në vegjeli e nashti që esht i pari i kombit tem, e kam për detyrë t’i shërbej atdheut dhe Ati me sa fuqi që të kem deri sa të vdes. Unë nuk kam nevojë për kur gjë, janë të tjerë që do të kenë nevojë kur të vijë koha u them që t’i ndihmoni…”.

Në vazhdim, lexuesit e revistës mbarëkombëtare SHENJA, do të mund të shohin se si Rauf Fico, e përshkruante gjendjen e shqiptarëve në Kosovë, në harkun kohor 1929-1935.

* * *

Relacion nr. 1 i Rauf Ficos, dërguar Mbretit Zog i Parë, mbi gjendjen e shqiptarëve nën Mbretërinë Shqiptare

“2 Fruer 1929

Sire

Duke u frimëzuar nga ideja e (DITËS MADHE) që Nalt Madhësia e Juaj denjuat të më shpjegoni, guxoj të parashtroj përfundimin e vrojtimevet e të hetimeve të mija mbi çështjen e Kosovës.

Për fat të keq në këtë Legatë nuk gjeta kur nonjë shënim për çështjen e Kosovës, pra nuk jemi në pozitë të paktën të dimë Krahinat dhe veçanërisht katundet ku banojnë shqiptarë. Nuk ka as nonjë regjistër ose shënim mbi persekutimet Jugosllave. Kjo gjë rrjedhë nga mos pasja e veglave të duhura për të bërë një vepër në regull.

Si dihet, paria e Kosvës, shtatëdhjetë për qind, janë injoranta e fanatika dhe mund të thuhet se shumica e tyre, janë bërë veglat e Serbëve. Një pakicë që ka ndjenja kombëtare po vriten e po persekutohen si të ndyerit Gafur e Jusuf Ahmeti që u vranë (me urdhërin e Seksionit të dytë të Shtabit Madhor, dhe që gjakatarët e vrasjes, natyrisht, mbejtën të pa-njoftun), e si Ferhat Bey Draga, me shokë që janë plagosë e janë mbajtur me vite në burg.

Nalt Madhnis së Tij

Z O G  I-rë

Mbret i Shqiptarëve

Shqipnia deri sot u muar me konsolidimin e Shtetit dhe nuk mundi të bënte një ndihmë e përkrahje të vërtetë për kosovarët.

Jugosllavia ma parë e shtytur nga urejtja që ndjen në Shpirtin e vet për kundra racës shqiptare dhe nga imperializma që ëndron edhe në kohrat e fundit nga friga e një luftës Italo-Shqiptaro-Jugosllave ka bërë qi ka ardhur nga dora për të çdukur e farosur shqiptarët.

Kosovarët e mjerë t’udhëhequr nga paria e koruptuar dhe me intrigat e disa Turqëve që kanë mbejtur, akoma në Jugosllavië, janë habitur e më s’dinë ç’të bëjnë. Nuk ka një organizatë që t’i inkurajojë këta të mjerë e t’i ndalojë nga emigracioni, ose, të paktën, ata që ikin t’i çojë në Shqipërië, pra kosovarët për ditë po ikin për në Turqi. (Simbas lajmërimit që më bani Konsulli i Italisë në Manastir, në këto 5 muaj, kanë ikur më se 6.000 frymë).

Deri në fillim të motit 1928, sasia e Kosovarëve që ndodheshin në Turqi, kishte arrirë shumën e 150.000 vetave. Hetimet që i kisha bërë mbi këtë gjë që m’ato kohë i kesh shkruar Ministrisë së P. Jashtme.

Ikja e Kosovarëve në vazhdoftë në këtë mënyrë, pas pakë vjetëve fatalisht çështja e Kosovës mbaron me ngadhnjimin e plotë të Serbëve.

Për t’arrirë idealin e shenjtë të (DITËS MADHE) para ç’do gjegje duhet që me ç’farëdo mënyrë të sigurojmë ndalimin e emigracionit. Por kjo Legatë me gjindjen e sotshme nuk është e zonja të bëj kur gjë, veç se një propagandës të rallë e të mbytur.

Në çfarimin e shqiptarëve në Kosovë, na kunkuron dhe një rezik tjatër më i madhë se emigracioni edhe ky është Serbizimi i Shqiptarëve. Djemtë kosovarë duke kënduar në shkollat Serbe, kanë filluar t’harrojnë shqipen, këtë gjë e kam konstatuarë me pjekjen e me hetimet e mija personale.

Në mest të parisë, nuk janë të pakët ata që pretendojnë që janë nga origjini Serb (për shembull Sejfedin Bey Mahmutogllu në fjalën që ka mbajtur në Deçan kur u zgjodh Patriku, ka dekllaruar se ësht nga Cërnoviqët).

Djemtë që mbarojnë një shkollë ose që hynë në nonjë punë shqiptarizmën e shohin si nonjë gja të turpshëm dhe nuk duan t’i dëgjojnë emrin. Për kundra gjithë premtimeve dhe urdhënave të Babës vet, mos ardhja e djalit Z. Ismet Kryeziut në Shqipëri, është një shembull shumë e hidhët që tregon deri ku ka arrirë demoralizimi. Si ky janë edhe shumë të tjerë.

Pra ka ardhur bile ka filluar t’i kalojë koha, që Shqipnia të krejë zanin e vet për mbrojtjen e egzistencës saj etnike. Shpirti i mjeruemë i Kosovës po pret të shofi agimin e (Ditës Madhe) dhe gjithë populli ka varur shpresat në veprat e Nalt Madhnis së Tij Shpëtimtarit Kombit Mbretit Shqiptarëve.

Mua më duket se nashti (tashti – Q.L.) është koha më e volitshme për të profituar nga rasti që është çfaqur me demarshet e bëra nga ana e Komitetit Ballkanik në Lidhjen e Kombeve. Nashti është koha që të kërkohet çelja e shkollave shqiptare në Kosovë e në Maqedonië. Një demarshë i tillë ka për të tingëlluar drejt nër zemrat e shqiptarëve të këtushmë.

Krej i punës, kishte për të qenë në formimin i një shërbimit të posatshëm për Kosovë, si një Komision me qendër në Shqipërië, ose si një Shoqëri e subvacionuar nga Shqipëria dhe me qendër jashtë Shqipërisë. Në qoftë se gjinden disa njerës me të vërtetë të zotër, mundet të bëjmë shumë punëra. Kjo Organizatë sot për sot nuk ka nevojë të lëftojë me pushkë, por, të miret vetëm me protestime me botime e me propaganda si po e bëjnë edhe kroatët.

Si Qeveria ashtu edhe Shoqënia duhet të kenë një dieni të plotë për vendet e për personat e çquar dhe për katundet ku banojnë shqiptarët ashtu duhet të jenë në kurent të gjithë ngjarjeve që i përkasin këtyre vendeve.

Për të përgatitur hartën e Kosovës shqiptare, po ju parashtroj një takëm të plotë të hartës 1/100.000 pregatitur nga ana e Shtabit Madhuer Jugosllavë. Këto harta janë të mëshefta por munda t’i shtija në dorë me ndërmjetësimin miqësorë të Z. Kolonel Oemte Viskontit (Atashe Militër i Italisë). Këtu duke qenë se janë treguar gjithë katundet e mëhallat mund t’i shërbejë plotësisht përmbushjes së dëshirës t’onë. Një komision i msheftë i përbërë prej dy oficerave me zotësi në pak kohë kishte për të pregatitur Listën e Katundeve dhe hartën e Kosovës shqiptare. Kosovarët që ndodhen këtu nga masat e repta që ka marë Qeveria e këtushme tremben të vinë në Legatë, pra, dëshira e jonë për të pregatitur këtë listë nuk qe e mundur të mbushej. Të ishin bërë zgjedhjet Parlamentare, do të kishim shtirë në dorë listat e sakta të katundeve shqiptare, por mjerisht zgjedhjet nuk po bahen.

Ministrat Shqiptar (fjalën e ka për ambasadorët e Shtetit Shqiptar – Q. L.) që kanë shërbyer në Beligrad kurrë nuk e kanë shëtitur Kosovën. Kjo mungesë ka ra dhe në sy të retheve diplomatike t’huaj, dhe ata po çuditen se pse neve kemi mbajtur kaqë desenteresë në punët e Kosovës. Nuk ka as edhe një Ministrë ose Charge d’Affaires t’huaj, që të mos ketë udhëtuar dy tri herë në Kosovë, Maqedoni, Dalmaci e Kroaci. Dukja e një Ministrit Shqiptar n’ato vise ngjall shpresat e mshefta, dhe flamuri kombëtar që do të valonte mbi automobilin e tij, do të quhej si paralajmëruesi i ditës së Lumnisë.

Nashti (tashti – Q.L.) kur të vërtetohen Traktatet, do të kemi edhe ne konsulla. Në qoftë se Qeveria Mbretnore do të dërgojë disa Zotërinj me kapasitet e me Patriotisëm, Shërbimi i tyre ka për të qenë shumë i frytshëm, por natyrisht duhet, që të kenë edhe pak t’holla që të mundin të presin e të përcjellin e nga nonjë herë të ndihmojnë edhe kështu të jenë në kontakt të plottë me popullin. Veç këtyre duhen edhe dy kurier, që më ç’do 15 ditë një herë të vene e të vinë nga Tirana në Beligrad, dhe këta duhet të jenë njerës të zgjuar që të mundin t’i shërbejnë qëllimit.

Në qoftë se Jugosllavia nuk do të Sanksionojë bashkë me Traktatin Tregëtar, edhe Traktatin Konsulluer më duket se dhe Qeveria jonë duhet të presi deri sa të dalë Traktati Konsulluer e masandaj të Sanksionojë Traktatin Tregtar.

Në qoftë e mundur që të shtihen në dorë aktet e Komitetit vjetër të Kosovës, lehtësohet pregatitja e një broshure, që të përmbajë gjithë mizorinat e ndodhuna në Kosovë.

Duke marë parasysh aktivitetin e thellë të Jugosllavisë në Shqipërië, e shof për detyrë që të parashtroj dhe një herë se ata zotërtinj që do të miren me këtë punë duhet të jenë nga njerëzit ma të besniktë e ma patriota.

Në qoftë se vazhdon gjendja e deri sotshme, kam frik se zjarmi që është ndezur në zemrat e patriotëve kosovarë, me hypjen të Shpëtimtarit të Kombit në fronin e Shkëlqyer të Skënder Beut, do të fiket për një herë bashkë me zjarmin e votrave të këtyre dhe kështu kujtimi i Kosovës, ka për të mbetur si një ëndër e haruar.

Për herë besnik në besën që i kam dhënë Nalt Madhnis Juaj, dhe për herë i lidhur me shpirt në deklaratën që kam bërë n’Ansamblenë Konstituente më 1925 me rastin e çështjes Shën Naumit, jam gadi për këtë qëllim të baj ç’do sakrificë për Atdhen e për Mbretin t’em.

  1. Fico”.

Relacion nr. 2 i Rauf Ficos, dërguar Mbretit Zog i Parë, mbi gjendjen e shqiptarëve nën Mbretërinë Shqiptare

 

“Beograd, me 3 tetor 1935

Sire,

Kam nderin të parashtroj në këmbë të fronit shumë të shkëlqyer të Naltmadhnis s’Uej këtë që vijojnë:

Kur u ktheva nga Tirana për në Belgrad si mbas urdhnit të Naltmadhnis s’Uej, tue mar me vete edhe librat që ishin caktue për Manastir, Shkup e Belgrad, shkova ma parë nga Manastiri dhe mbasandaj nga Shkupi.

Në Manastir konstatova se Z. Meksi popunon me gjith energjin e tij. Kuptova nga bashk fjalimet që pata me tre Zotërinj, se ay esht mjaft në kurent të ngjarjevet që ndodhin në rajonin e vet dhe në çështjet e emigracionit të shqiptarve. Në Konsullatë nji odë është caktuar për sallë këndimi për shqiptarët e rethit që vinë në Konsullatë. Ditën që u ndodha në Manastir takova nji katundar prej Magarovës, që ishte në sallën në fjalë dhe mbassi mori një librë e disa gazeta u kthye në katundin e vet.

NALTMADHNIS SË TIJ

Z O G  I-rë

MBRET’i SHQIPTARVET

T I R A N Ë

Ky katundar më tha se janë edhe disa katundar orthodoks shqiptar 4 që i këndojnë këto libra e gazeta dhe këta kan edhe nji ungjill shqip. I thash Z. Meksit që nga Kryesia e Kishës autoqefale të kërkojë disa libra fetare shqip.

Me 20 Shtator kur mrrita në Shkup, natën e parë u poqa me Z. Ferhat Dragën dhe i thash përshëndetjet që dënjuat t’ia komunikoja. Me përunjtësi të madhe përsëriti ndjenjat e tija ma të besnikta dhe m’u lut që të parashtroj në këmbë të Naltmadhnis s’Uej. Një bisedim që pata me Ferhat bejn në prani të Z. Asaf Xhaxhulit, më tregoj këtë se në Shkup është formuar një komisjon prej Z. Z. Beqir Emin Prishtina, Qemal Osman Kumbaraxhi, Emin Jashar Kumbaraxhi e Seit Hoxha. Ky komisjon nuk ësht zgjedhur zyrtarisht por ësht formuar me marveshtje të mësheftë të patriotve me qëllim që të dirigjojnë marëdhënjet e Kosovës me partitë politike. Veç këtij komisjonit të mësheft në rethin e komisjonit të vakfit ësht edhe nji komisjon tjetrë, nën kryesinë e Z. Seit Hoxhës. Ky komisjon po dirigjon shoqërinë mirëbërëse  (Shefket), dhe për herë bisedojnë për sendet që i përkasin komunitetit mysliman.

Komisjoni i parë ka treguar mjaft aktivitet, bile me ndërmjetësin e delegatit lokal të Partisë Radikale të Shkupit i paskan lajmrue Banit të ri të Vardarit Z. Ranko Trifunoviçit kërkesat e myslimanve të Jugut, që përmblidhen në pikat e posht shënueme:

1.- Kthimi i tokave që u janë zaptuar katundarve mysliman.

2.- Pagimi i çmimeve për tokat e pasanikve, që u jan zaptuar tokët, në mënyr që u jan pague në Vojvodinë nga 6-7000 dinar për hektar e jo nga 300 dinar si esht bër në Kosovë.

3.- Në zgjedhjet parlamentare e bashkiake t’iu sigurohen të drejtat e myslimanve, si mbas sasisë së popullit.

Me 18 Vjesht (shtator -1936 – Q.L.), Komisjoni në fjalë shkoj pran Banit për me iu urue mir s’ardhjen dhe pa i than kurgja duel jashtë.

Ferhat beg Draga thot se Bani kërkesat e myslimanve do t’i parshtroj në Qeverin qendrore që shkoj posaçërisht në Belgrad.

  1. Ferhat Draga ësht shumë egoist por pa dyshim ësht nji patriot i math dhe nuk kurcehet kurr që të çfaqi lirisht e botnisht mendimet e tija kombëtare, aq sa ky guxim nga ndonji herë arrin edhe në nji shkallë të dëmshme për interesat kombëtare. Optimizma e tij e pakufizueme, nga ndonji herë e shtije në inkoherencë.

Natën me 21 Vjesht në odën e shtëpis ku banon sekretari i Kryekonsullatës Z. Sofo Çomora u poqa me Z. Sait Hoxhën dhe i komunikova përshëndetjet e Naltmadhnis s’Uej u mallëngjue për së tepërti e iu mbushën syt me lot.

Ky njeri zotnon karakter të fortë, tepër i ndershëm dhe mjaft i ditun, por edhe ky si i pari mjaft egoist. Në udhëtimet gati të përjavshme që bën në rethet e ndryshme të Kosovës, me raste dasme mevlude, vdekje dhe me autoritetin që i nep çallma, me cilsi të tija të dituna e posaçërisht e kaluemja e tij e pastërtë, bën nji shërbim të math. Kudo këshillon, durim qëndrim e besim në t’arthmen. Si nji njeri i zgjuar gjen mënyrën e kombinimit me ndjenjat fetare me ato të kombësis. Si në fillim të jetës së tij edhe sot ka mbet plotësisht nji (softa), vobeksia dhe nevojat e jetës nuk kan mujtur ta trembin as pak. Kur i thash se Madhënija e Juej ishit gati për me i ndihmue me sa qe të dëshironte, më tha: Ju falem nderit shumë, por unë shërbej për atë që besoj, nuk jam nga kategoria e Halim Dragës (ndoshta bëhet fjalë për Ferhat Dragën – Q. L.). Unë Madhënin e Tij e njoh që në vegjeli e nashti që esht i pari i kombit tem, e kam për detyrë t’i shërbej atdheut dhe Ati me sa fuqi që të kem deri sa të vdes. Unë nuk kam nevojë për kur gjë, janë të tjerë që do të kenë nevojë kur të vijë koha u them që t’i ndihmoni.

Zotnija e tij në një mënyrë madhështore shkëlqen me sinqeritetin e thjeshtësin e tij.

Dy vjet ma parë bashk me Abas Hilmi Pashën (ish Kidivi i Egjyptit) shëtiti në Kosovë e në Mal të Zi. Simvjet ësht i ftuar për me e shoqërue në udhëtimin që do të bëjë në Palestin, pra në të kthyem pa tërheq vërejtjen e të huajve me kalue nga Tirana posaçërisht për me parashtrue homazhet e tija në Këmbë të Naltmadhnis s’Uej.

Zotnija e tij më tregoi se, kosovarët në çështjen e organizimit fetar do të insistojnë që të sigurojnë interesat e tyne e do të mundohet që mos të bëhen koloni e boshnjakve. (Si më duket në pikën e organizimit të komunitetit mysliman, jo me boshnjakët por as në mes të tyre nuk janë marë vesh, dhe kështu nuk kanë caktuar akoma se si do të sillen). Sa për marrëveshtjen me partit politike, mendon se jan të detyruem që të vënë me shumicën që do të ketë natyrisht edhe qeverin në dorë. Për kondidat e sipër shënueme, më tha se i kemi menduar por Banit nuk ja kemi komunikuar. Si do qoftë, nashti kemi një organizatë dhe po punojmë mbrenda në reth të ligjeve. Shpresojmë që të përmirsojmë gjendjen t’onë e të sigurojmë nji jetë të qetë. Serbët në zaptimin e pasunivet të shqiptarve jan shumë kriminela. Pa para lajmrim sjellin Malaziasit dhe iu korin arat e shqiptarve e iu hyjnë në shtëpijat e tyne, bëjn dhe shumë pa udhësina të tjera, por shpresojmë që edhe këtynve t’iu napin nji fund. Për emigrim jemi munduar mjaft që t’a ndalojmë.

  1. Sait Hoxha më foli me kënaqësi nga ndihmat që po Ju bëhet nga ana e Kryekonsullatës disa njerzve që mund të shërbejnë ose që shërbejnë.
  2. Sait Hoxha në ditët e fundit kishte qen në Prizren, Gostivar e Tetovë, dhe në ato vise esht munduar për ngrefjen e shoqërive mirëbërëse. Në Prizren ësht siguruar ngrefja e nji shoqënies nën emnin (Merhamet). Edhe kjo shoqëni, po si ajo e Shkupit do të mundohet të ndihmojë të mjeruemit. Me Zotërin e tij kemi lidh fjalë që në rast nevojeje të piqemi edhe në Belgrad.

Mbassi u ktheva në Belgrad më 24 Shtator u poqa prap me Z. Ferhat ben dhe i dorzova të 5.000 frangat.

Zotnija e tij më tregoj disa letra që do t’Ju parashtrohen posaçërisht.

Mbasi Qeveria mori autorizim për prishjen e ligjës të komitetit mysliman, këtu në Belgrad ishte formuar nji komisjon i posatshëm për të studjuar ligjën dhe regulloren e re të komunitetit mysliman, që do të përpilohet rishtas. Në këtë komisjon marin pjesë katër veta, dy jan nga Bosna dhe që të dy jan njerëz të zotër kurse kosovarët, njeri esht nga Prepoja dhe quhet Z. Fevzi Hamziq d.m.th. boshnjak dhe tjetri Mustaf Durgut prej Rahoveci, ku flitet boshnjakçe, por ky di mir edhe shqip dhe hiqet si Shqiptar dhe sot ësht deputet.

Zgjedhja e këtyne dy zotrinjve, pa u kujtuar për zotërinjt ma të zotër që ndodhen në Kosovë vërtet nuk tregon dashamirjen e boshnakve. Ferhat beu mbi këtë çështje i paska tërhequr vërejtjen Z .Dr. Spahos dhe kan mbet d’akord që bisedat e komisjonit në fjalë të kontrollohen prej Z. Sheh Mehmet nga Prishtina, Iliaz i biri i Haxhi Xhemal efendiut  (Agushi – Q. L.) po prej Prishtine, Z. Rifat Mitrovicës dhe prej Z. Aqif Jenipazarit (Blytës – Q. L.).

Këta zotërinj do të vin e do të rin deri në mbarim të bisedimeve në Belgrad, për të gjyrmuar bisedimet e për të proponuar mendimet e tyne. Ditët e arthme do të tregojnë deri ku do të realizohen këto mendime.

Komiteti mysliman i Kosovës (Mexhlisi i Ulemasë së Shkupit – Q.L.) si mbas ligjës që është në veprim ka dy organe e para esht Këshilli i Përgjithshëm, ky këshill ësht i përbam prej personave 15 të zgjedhun prej popullit dhe 12 të tjerët jan nënpunësit që marin pjesë dunësisht në mbledhjet. Ky këshill mblidhet nji her në mot. Mbasadnej vjen (Odbori) Komisjoni administrues, që vepron tër vitin. Në kët komisjon vjet u zgjodh Z. Z. Aqif Bluta, banker nga Jeni-Pazari. 2. Rifat Mitrovicaka mbaruar shkollën e Drejtësis në Stamboll. 3. Seit Hoxha. 4. Musa Shehu nga Prizreni.Këtatë katër thuhet se e kan në dor komisjonin dhepunojnë me energji.

Si mora vesh në Shkup edhe këtu në Belgrad, komisjoni i vakfeve ka caktuar nji kredi prej 860.000 dinar për me çue studenta n’Universitetet e Belgradit, pra no qoft se ky vendim do të zbatohet me të vërtet sasia e studentve Kosovar këtë mot do të kaloj numrin 40. Pra nuk ka me mbet nevojë për nji ndihmë të veçantë nga ana e Naltmadhnis s’Uej për me sjell studenta. Përfundimi i kësaj çështje mund të miret vesht deri në mbarim të Nëndorit.

Komisjonet sipëthënun që do të vinë këtu për me gjyrmue bisedat e ligjes që po përgatitet, kujtoj që do të jetë mirë që t’i bahet nji ndihmë, me këtë mënyrë Ju çfaqet në një mënyr të kjartë interesimi i Naltmadhnis s’Uej në çështjet Kosovare.

(Midis personave që Ju parashtruan emnat ma nalt Z.Z. Iljazi dhe Aqifi nuk janë nevojtar).

Pamja e stoçme tregon se në Kosovë ka nji zgjim dhe dëshirë të madhe për me mbrojt të drejtat e tyne. Kujtoj se vetëm në këto hapat e para do të ketë nevojë deri diku për ndihmë dhe ma tutje do të jenë në gjendje që t’i bëjn ballë vetë shpenzimeve të nevojshme.

Mbrojtja kombëtare këtu po bahet nën formën fetare.

Në viset e Jakovës (Gjakovës- Q. L.) e të Prizrenit do të jetë mirë që të dërgohen nga Shkodra disa libra fetare për katolikët dhe në qoft se Ju ndihmohet disa prifterve katolik do të bahet shumë mirë. Disa Jakovas më than se katundarët katolik propagandojnë mjaft për me ndalue emigrimin e Kosovarve Mysliman.

Si përfundim po parashtroj në këmbë të Naltmadhnis s’Uej, se Konsullata e Manastirit punon mirë, por Z. Konsulli financiarisht esht në nji gjendje shum të keqe, dhe kështu natyrisht ndalohet nga zbatimi i mundshëm i kapasitetit të tij. Ësht nevoja që rroga dhe alokasjoni i tij ashtu dhe shpenzimet e zyrës të ngrihen në shkallën e Konsullatave të tjera dhe t’i nepet nji kredi për propagandë e për ndalimin e emigrimit.

Kryekonsullata e Shkupit punon fare mirë Z. Asaf Xhaxhuli me kredin e dhanun, plotsisht po mbush detyrën që i ësht ngarkuar.

Sa për Legatën, dua të parashtroj se është nevojë që të caktohet nji shumë e vogël sa për propagandë për me Ju ndihmue Kosovarve që po na drejtohen ose që mbeten në nji pozitë të kritikshme nëpër dyert Qeveritare.

Gjith patriotat e kujtojn me mirënjohtje mundimet e pa kurcyera të Naltmadhnis s’Uej.

Me besniki e mirënjohje të përhershme

Sherbetori i Naltmadhnmis s’Uej:

R.Fico”

 

FOTO: Rromir Imami