Droga e konfiskuar në Butel, kërkohet paraburgim për trafikuesin

Droga e konfiskuar në Butel, kërkohet paraburgim për trafikuesin

Prokuroria Publike i ka propozuar Gjykatës Penale që ti shqiptojë paraburgim dilerit të drogës nga Buteli, që dje policia e kapi me afro 300 kilogram marihuana, raporton SHENJA.

Prokuroria ka shkruar se ky person do të përndiqet për prodhim dhe shitje të drogës, në bazë të nenit 215 nga Kodi Penal.

Teksa pritet vendimi mbi paraburgimin, prokuroria po vazhdon hetimin mbi veprimtarinë e prodhimit dhe shitjes së drogës.

“Personi i dyshuar ka blerë marihuanë, dhe e ka mbajtur në shtëpinë e tij në Lagjen Butel, dhe ka patur për qëllim që më vonë ta shesë dhe fitojë para. Pas një urdhri gjyqësor më 4 janar të këtij viti, policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit dhe ia ka gjetur një sasi të konsiderueshme të drogës, të paketuar në disa vende, si dhe ka gjetur disa peshore dixhitale, në të cilat kishte gjurmë të drogës” , shkruan Prokuroria Publike në kumtesën drejtuar mediave.

Prokuroria pas ekspertizës së bërë në laborator, kishte konstatuar se droga është e llojit marihuanë, dhe peshon afro 300 kilogram. Personi i dyshuar është 30 vjeçar. /SHENJA/