Dritëhijet e qytetit

Dritëhijet e qytetit

Ku është lindja, perëndimi ku?

Ku është jugu, ku është veriu?

Ku vallë mbaron betoni?

Ku vallë fillon njeriu?

(Bardhyl Londo, strofë nga “Lirikë e hidhur”)

 Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

Falë rrjeteve sociale, herë mbas here na jepet mundësia me pa edhe fotografi të hershme të qyteteve kryesore shqiptare. Nji prej gjanave që mund të shquajmë me lehtësi në këto fotografi është edhe harmonia midis natyrës dhe banimit ose arkitekturës, artit të ndërtimtarisë. Natyrisht që pjesë e kësaj harmonie është edhe urbanistika. Nuk gjen pothuajse asgja që ta vret syrin apo që është në vendin e gabuar. Xhami, kisha, teqe, kulla sahati, tregje, hamame, vila dhe shtëpi të thjeshta të organizuara me hapësirat e duhura dhe të rrethuara gjithandej me gjelbërim, me oborre e bahçe të ujdisura për marak. Freski, ngjyra dhe frymëmarrje pa zor, pa ngut. Shumë shtëpi ishin si oaza që konkurronin në hijeshi.

Qytete si Prizreni, Shkodra, Tirana, Durrësi, Elbasani, Berati, Korça, Vlora, Gjirokastra, Shkupi etj. na shfaqen ikonike sot pas shpërfytyrimit që i mbërtheu me ardhjen e komunizmit (veçan në Shqipërinë londineze), shpërfytyrim që vijoi me nji tjetër “filozofi” edhe mbas ranies de jure të tij. Domethanë, de facto, estetika “përmbysja e së vjetrës”, që u ngjiz në komunizëm, vijoi edhe mbas tij. Si shumëçka tjetër, u çart edhe shija artistike në arkitekturë.

Për me e provu e kuptu këtë çartje të shijes mjafton me pa me vëmendje nji qytet si Gjirokastra apo Berati, duke krahasu shtëpitë karakteristike të këtyre qyteteve dhe ndërtimet që u banë gjatë komunizmit. Dallimi është i fortë deri në trishtim. Ndërtimtaria e stilit parafabrikat, ngjyrë gri dhe agresive në formë, është dëshmia ma goditëse për me kuptu estetikën që imponoi ajo ideologji e ndërprerjes së elanit njerëzor; ajo ideologji që të thotë shkëputu nga çdo gja që ke trashëgu prej paraardhësve, trashëgimi e cila është farkëtu përgjatë qindra e mijëra vitesh, kur shqiptarët lëviznin lirshëm sa nëpër Lindje e sa nëpër Perëndim, duke marrë shumëçka të bukur e të vyer në këto shtegtime e duke e sintetizu simbas mundësive në tokat e tyre të lakmueshme.

Ja si e përshkruan Tiranën e vitit 1921 nji gazetar zvicerian, në gazetën “Journal de Genève” (14 nëntor, 1921):

“Në këtë kryeqytet politik u desh të improvizohej e gjithë administrata, sepse nuk mund të pritej për të ngritur ndërtesa të mëdha qeveritare. Me një ndjenjë demokratike vërtet për t’u lavdëruar.

Autoritetet i përdorën me nikoqirllëk mjetet tepër të pakta që kishte qyteti. Një shtëpi e vetme (sot Teatri i Kukullave) u bë selia e parlamentit dhe e shumicës së ministrive. Të tjerat u shpërndanë nëpër qytet.

Me një thjeshtësi që i ka lezet, tamam siç është zakon edhe në Zvicër, ministri të pret në një dhomë ku muret janë të lyera me gëlqere dhe ku shikon pak gjëra: një tryezë pune, disa karrige e ndonjë divan. Të nxjerr një cigare dhe biseda rrjedh lirshëm. Të krijon një ndjenjë besimi, që ne ia dimë mjaft mirë vlerën.

Krah për krah, me veshje të ngjashme, myslimanët dhe të krishterët mendojnë për të ardhmen e vendit, me të njëjtin shpirt shqiptari. Çfarë qetësie në qytet! Çfarë dinjiteti nëpër rrugë dhe në dyqane!

Nuk shikon asnjë të dehur, askënd që t’i merren këmbët nga pija. Asnjë e bërtitur, asnjë gjest i papërmbajtur. Sjellja fisnike që i bën përshtypje çdo vizitori në një vend mysliman, këtu është e pranishme kudo.” (Marrë nga nji status i Ilir Ikonomit në Facebook, kursivi i imi)

Kurse Johann Georg von Hahn, i cilësuar si dekani i studimeve shqiptare të shek. XIX, në veprën Studime shqiptare e përshkruan kështu Tiranën e shek. XIX:

“Qyteti i Tiranës dhe fusha e saj më banë nji përshtypje shumë të mirë. Banorët e këtushëm mbahen si më të shkathëtit, por edhe më dinakët e Shqipërisë së Mesme. Arat, qipshtet dhe pemishtet janë të punuara fare mirë dhe këto të fundit janë rrethue me gjerdhe; njerëzit janë veshë pastër dhe mirë. Gjaja e gjallë asht e mbajtun mirë dhe në shumë katunde ka shtëpia me dy kate prej druni, të cilat përbrenda janë shumë të pastra. Kurkund nuk shihen gjurmë të vobegësisë dhe të mizerjes, por sidomos qyteti më bani shumë përshtypje, sepse unë prisnja nji çerdhe të errët dhe të ndytë, por gjeta nji qytet që shtrihet në mes të qipshteve, mbi nji fushë që ka ujë boll për të njomë tokat. Kur hetova ma mirë erdha në këtë përfundim, se në këtë qytet nuk ka fukara që heqin keq ose vuajnë nga uria.” (Studime shqiptare, përkth.: Veniamin Dashi dhe Afrim Koçi, f. 123-24)

Pra, komunizmi e ndërpreu dhunshëm këtë zhvillim të ngadaltë – por, me nji lloj qëndrueshmërie dhe në harmoni me karakterin dhe atributet e vendit – që mori nji hov të dukshëm në kohën Mbretit Zog, i cili ftoi dhe kontraktoi disa prej arkitektëve dhe inxhinierëve ma të njohur të asaj kohe për me pasuru e zhvillu atë që sot quajmë “hapësirë publike”. Sa për shembull, edhe sot, në vitin 2022, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, që u ideu dhe u ndërtu në kohën e Mbretit Zog, mbetet rruga dhe hapësira ma me standarde europiane që ka jo vetëm kryeqyteti, por besoj i gjithë vendi. E njajta gja vlen edhe për kompleksin e ministrive, ku asnji godinë shtetërore që u ndërtu ma vonë nuk ua kalon as për nga shija estetike, as për nga funksioni.

Jo vetëm kaq, por, ndër të tjera, në atë kohë u dërguan për studime me bursë shtetërore qindra studentë shqiptarë, në universitetet ma në za të Europës, shumë syresh për arkitekturë dhe inxhinieri.

Ja, pra, ky ishte “satrapi” Zog, siç e quante propaganda e regjimit, e atij regjimi që, e vetmja aftësi që kishte ishte çrrënjosja, e cila vepronte nëpërmjet maskës së “Shqipërisë së re”, shoqëruar me nocione mikluese si “reformë” apo “zhvillim”.

*          *          *

Nji tjetër gja që ta tërheq vëmendjen në fotot e hershme të qyteteve shqiptare është edhe fakti se ndërtesa ma e lartë dhe që bie ma shumë në sy mbetet tempulli, xhamia ose kisha, ose të dyja së bashku, ku asnji ndërtesë nuk është ma e lartë se minarja apo kambanorja, ashtu siç është edhe sot e kësaj dite në çdo qytet të njohur të Europës, ku zona kryesore e qytetit, qendra historike, në zemër të së cilës mbizotëron zakonisht nji katedrale ose nji kishë, nuk cenohet në asnji centimetër katror.

Me ardhjen e komunizmit, ky binom estetik dhe etik njiherësh i qyteteve shqiptare u përmbys, kryesisht duke i rrënu xhamitë dhe kishat, ose duke i përdhosë në forma të ndryshme ashtu siç dinë me ba vetëm ata që u ka shteru çdo shenjtëri.

“Mund të gjejmë qytet pa kala, pa sundimtar, pa qytetërim, pa letërsi apo pa teatër, mirëpo nuk është parë asnjëherë një qytet pa tempull dhe pa banorë që luten.” (Plutarku)

Ja që komunizmi i la shumë qytete pa tempuj!

“Ka pasur dhe ka edhe sot turma njerëzish pa shkencë, pa art e filozofi, por asnjëherë nuk ka pasur kolektivitet pa fe” – konstaton Bergson-i 20 shekuj ma vonë.

Edhe në këtë rast komunizmi ban përjashtim, sepse pothuajse kudo ku ai mori pushtetin, krijoi kolektiva pa fe, ose partia u ba feja e re, ku vendin e Zotit e zuri kulti i “udhëheqësit të lavdishëm”, vendin e ritualit (faljes, lutjes) e zuri kulti për punën, ndërsa bota e përtejme u zëvendësu me premtimin e parajsës në tokë, ku të gjithë do të hanin me lugë floriri, të gjithë do të ishin të barabartë, të gjithë të lumtur!

“Tempulli ka qenë dhe mbetet gjithmonë qendra, shpirti dhe zemra e çdo qyteti, qytetërimi, feje, kulture dhe i çdo aktiviteti tjetër jetësor, shpirtëror dhe mendor që ka patur dhe do të ketë njerëzimi. Është tempulli ai që krijon komunitetin, që e bën njeriun të mendojë dhe të ndiejë se ai merr pjesë në fatet e përbashkëta të krejt sojit njerëzor, ai që i jep njerëzimit vlera universale. Ndërsa qyteti rritej rreth tempullit fizikisht, ai rritej gjithashtu rreth dhe nëpërmjet tij në mendim, kulturë dhe qytetërim. Qytetërimi dhe kultura krijohen nga një mënyrë e të jetuarit, e cila ka filluar në tempull, është ushqyer nga ai dhe mbahet prej tij. Ndonëse në historinë e gjatë të njerëzimit ka patur dhe tempuj të deformuar, apo që janë deformuar gjatë rrjedhës së kohës, përsëri tempulli mbetet shtylla kryesore e një qytetërimi. Edhe kur ka patur persona të korruptuar në të, përsëri ai ka qenë i nevojshëm. Historia ka treguar se dëmi pa tempull është shumë herë më i madh. Nuk mund të ngrihet një qytet apo shtet pa pasur një filozofi të jetës, pa pasur një ideologji dhe ai nuk mund të mbahet pa atë. Sepse një shoqëri njerëzore, nuk ka rëndësi sesa e zhvilluar është (zhvillimi mund të matet nga parametra të ndryshëm në qytetërime të ndryshme), nuk mund të mbahet pa pasur disa vlera (vlerat mund të jenë të ndryshme në kultura të ndryshme, por ka patur gjithmonë disa vlera bazike të përbashkëta) dhe vlerat, askush nuk mund ta mohojë, kanë dalë nga tempulli. Vetë shoqëria ka lindur dhe është organizuar rreth këtyre vlerave dhe sa më të forta janë ato, aq më e fortë është ajo.” (Joani, mitropoliti i Korçës, 2000)

Besoj se mjafton kaq për me kuptu se çfarë dami u shkaktu në atë kohë, pasojat e të cilit janë aktive edhe sot, sidomos tek ai brez i cili lindi në kulmin e luftës ndaj fesë, në vitin 1967 e mbrapa, vit në të cilin Shqipëria u shpall me kushtetutë shteti i vetëm ateist në botë.