Dritani i konceptit gjithëpërfshirës politik

Dritani i konceptit gjithëpërfshirës politik

Dritan Abazoviqi përfaqëson ngadhënjimin e konceptit dhe diskursit modern politik, përfaqëson një tipologji tjetër politike, që në esencë ka një vizion inkluziv për të gjitha forcat politike dhe për të gjitha grupet etnike dhe shoqërore. Ai ka arritur që me kujdes dhe me durim ta shpërfaqë këtë koncept gjithëpërfshirës, jokonfliktuoz, që për më tepër do të thotë vizion europian mbi politikën dhe zgjidhjen e tensioneve të brendshme etnike. Gjithë diskursi i tij politik përfaqëson pikërisht esencat më të mira të politikës që bashkon shqiptarin si kryeministër dhe qytetarin e Malit të Zi në dinjitetin e plotë të vlerave më të mira europiane. Dritan Abazoviqi nuk është as “hero” e as “tradhtar”. Ai është një model i politikanit kreativ dhe pragmatik.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Protagonizmi në politikë nuk është në asnjë rast një gjë aksidentale. Terreni politik, gjegjësisht shfaqjet politike, gjithnjë kanë një ndërvarësi me ligjësi pak më të thella, me ligjësitë historike, të cilat jo gjithmonë duhet t’i kuptojmë si korpuse imperativësh të padiskutueshëm. Determinimet historike nuk duhet kuptuar gjithmonë si mjegull të dendur proklamimesh bjerrakohëse. Ato, nganjëherë, mund të vijnë dhe të formësohen lehtësisht në momentume politike të pasforcuara dhe gati të pavërejshtme. Një shfaqje politike në asnjë rast nuk mund të shkëputet nga një kontekst pak më i gjerë historik, shoqëror dhe kulturor. Brenda konteksteve të këtilla zakonisht marrin hov vektorë politikë, të cilët kërkojnë hapësirë identifikimi, afirmimi dhe përfaqësimi në sferën publike.

Pikërisht mbi këtë shumësi ndërvarësish, që vijnë herë-herë me mjegulla të padeshifruara ndikimesh, impenjimesh, por edhe guximi, ngrihen platformat e ardhshme politike, marrin hov nisjet politike dhe shoqërore, që gradualisht fillojnë ta tipizojnë një perceptim tjetër mbi realitetet politike dhe shoqërore. Ne mund të hamendësojmë se si shfaqen në jetën publike protagonistë politikë, por ne nuk mund ta dimë saktësisht se si ata forcohen dhe marrin rol në një kohë të caktuar. Rrugët e ardhjes nganjëherë mund të na duken paradoksale, njësoj siç mund të na duken të pakapshme deri në fund figurat që bëhen bartëse të disa proceseve.

Mes shumë hamendësimeve dhe analizave, mbase analiza diskursive në këtë rast na jep dorë që ta interpretojmë më me objektivitet një protagonist apo një shfaqje politike. Dhe, zakonisht, kjo analizë shkon përtej vlerësimeve skajshmërisht kundërthënëse, që shpesh dinë të manipulojnë me kualifikime të tipit “hero” ose “tradhtar”. Gjithnjë ekziston një vlerësim i ndërmjetmë, jo për ta relativizuar qasjen, por për ta kuptuar më thellësisht një fenomen politik. Për këtë na ndihmon analiza diskursive, e cila përafërsisht na jep një vlerësim më të përkorë mbi figurat politike dhe mbi trajektoren politike të tyre në një kontekst të caktuar.

Siç e dimë tashmë, Mali i Zi ka kaluar nëpër një trajektore me shumë turbulenca historike dhe me shumë konfliktualitete politike, të cilat vijnë nga një rivalitet i fortë i brendshëm etnik, që në fakt gjithnjë ka qenë një rivalitet orientimesh gjeopolitike të këtij shteti. Rruga e Malit të Zi drejt NATO-s dhe BE-së gjatë tërë kohës ka qenë e minuar nga forcat proserbe dhe proruse. Sigurisht, edhe shqiptarët kanë pasur një rol të rëndësishëm në këtë orientim, i cili padiskutim që ka qenë properëndimor.

Përtej këtij konteksti gjeostrategjik, që ka ngjallur vazhdimisht trazime politike orientimesh, Mali i Zi, sikundër të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, ka shtresuar brenda vetes gjatë një periudhe gati tridhjetë vjeçare edhe një korrupsion enorm, i cili është bërë problem për një zhvillim normal dhe të qëndrueshëm të këtij shteti.

Pikërisht në suaza të këtij konteksti shfaqet fenomeni politik Dritan Abazoviq, i cili mbetet i ravijëzuar me dritë-hijet e veta në skenën politike të Malit të Zi. Dritan Abazoviqi, për më tepër, përfaqëson ardhjen e një politikani të ri, që dukej se përtej acarimeve të brendshme politike, po e zhvendoste vizionin e tij politik në një agjendë tjetër, atë të korrupsionit dhe të orientimit europian, përkundër faktit se në paraqitjen e fillimit të tij mund të dukej naive. Mund të dukej naive për shkak të bashkëpunimit me parti politike që sytë i mbanin nga Serbia, si një agjendë në të cilën besohej se ishte futur edhe Dritan Abazoviqi.

Sigurisht, këto ishin perceptimet e para, por me kalimin e kohës tashmë po vërehej se Dritani i diskurseve antikorrupsion dhe proeuropiane po e zhvendoste fokusin e veprimit të tij politik drejt majave të pushtetit, drejt një arritjeje politike që në esencë dukej e pamundur. Me kalimin e kohës gjithë diskursi politik i Dritanit do të fokusohej pikërisht në përmbajtje të tjera politike, të cilat tashmë përfaqësonin risi në skenën politike të Malit të Zi. Sigurisht Dritan Abazoviqi është shqiptar për nga prejardhja etnike, por vizioni i tij politik për Malin e Zi shkon përtej këtyre skematizimeve, përtej formulimeve që e vendosin atë në pozita palakmueshme, të mbrojtjes së përkatësisë së tij përballë sulmeve nganjëherë brutale që mund t’i vinin nga forca të errëta në këtë shtet. Në gjithë këtë situatë, Dritan Abazoviqi, duke qenë i mbrujtur me vlera politike dhe njerëzore, do të arrijë që me elegancë të tejkalojë gjithë disavantazhet që i vinin nga një kontekst përplasjesh acaruese politike në Mal të Zi. Ai ngrihet mbi këto mendësi mesjetare, që kërkonin dhe kërkojnë konfliktualitet, duke ndërtuar një narrativë moderne politike të pranueshme për të gjithë qytetarët e Malit të Zi, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Dritan Abazoviqi përfaqëson ngadhënjimin e konceptit dhe diskursit modern politik, përfaqëson një tipologji tjetër politike, që në esencë ka një vizion inkluziv për të gjitha forcat politike dhe për të gjitha grupet etnike dhe shoqërore. Ai ka arritur që me kujdes dhe me durim ta shpërfaqë këtë koncept gjithëpërfshirës, jokonfliktuoz, që për më tepër do të thotë vizion europian mbi politikën dhe zgjidhjen e tensioneve të brendshme etnike. Gjithë diskursi i tij politik përfaqëson pikërisht esencat më të mira të politikës që bashkon shqiptarin si kryeministër dhe qytetarin e Malit të Zi në dinjitetin e plotë të vlerave më të mira europiane. Dritan Abazoviqi nuk është as “hero” e as “tradhtar”. Ai është një model i politikanit kreativ dhe pragmatik, që di të ofrojë një vizion përbashkues politik brenda një shoqërie të acaruar dhe fragmentarizuar. Fenomeni politik Dritan Abazoviq është ngadhënjim i një diskursi paqtues politik që shkon përtej retorikave asgjësuese “tradicionale” në Mal të Zi.

Dhe, pa dyshim, ky koncept dhe ky diskurs politik shfaqet me emancipim të dyanshëm politik në binomin lider-qytetarë. Për më tepër, zgjedhja e tij si kryeministër i Malit të Zi tregon për një emancipim politik dhe qytetar të shoqërisë së Malit të Zi. Modeli politik i Dritan Abazoviqit pa diskutim mbetet reflektues për gjithë rajonin, mbetet një model emancipues, që në esencën e vetë e ka dinjitetin e reprezentimit, konceptin dhe diskursin që nuk acaron, por përkundrazi përbashkon rreth vlerave europiane, të cilat Dritani i afirmon vazhdimisht.

Dritani edhe mund të dështojë, por për momentin ai ka dhënë shembullin e formësimeve të tjera politike që shkojnë përtej tipologjive të zakonshme ballkanike. Mbase, Dritani është një politikan normal në një kohë dhe ambient jonormal, siç është rajoni i kreshpëruar i Ballkanit. Algoritmet e konteksteve rajonale gjithnjë shfaqen të komplikuara dhe në çdo rast mund ta zhbëjnë një model që përpiqet të ngrihet mbi fatalitetet historike, mbi “ligjësitë” e imponuara nga forca “misterioze”. Por, kjo në asnjë rast nuk do të thotë se nuk ishte provuar një rrugë tjetër, një rrugë që për një moment të caktuar jep shpresë se gjërat edhe mund të shkojnë për së mbari!