Dosja e dosjeve

Dosja e dosjeve

Dosja e dosjeve te shqiptarët vazhdon ta mbajë gjallë padrejtësinë shoqërore që nga vendosja e komunizmit me dhunë. Tani vetëm janë sofistikuar format dhe metodat. Edhe pse komunizmi formalisht ka rënë, fryma e tij jo vetëm që është gjallë, por vazhdon të qeverisë edhe sot e gjithë ditën mbi shqiptarët.

Shkruan: Ardian LIMANI, Shkup

Trajtimi që sistemet politike ua bënin shqiptarëve në shtetet e ndryshme solli deri te gjendja që shqiptarët të ndahen në të përndjekur në Jugosllavi dhe në të persekutuar në Shqipëri. Zanafilla e dosjeve e ka burimin në sistemet totalitare, në të cilat kemi jetuar ne si shoqëri. Dosjet janë dokumente që përmbajnë informacione për të kaluarën, me të cilat mbahet peng e ardhmja e individëve të caktuar, e nëpërmjet tyre edhe e një popull i tërë. Pas rënies së sistemeve totalitare, strukturat e atij sistemi kishin kryer asgjësimin e një mase të caktuar të dosjeve, duke fshehur bëmat e udhëheqësve të “rinj” të politikës e që vinin me një përvojë të qeverisjes. Dosjet si të tilla janë mjet i rëndësishëm dhe shumë i vlefshëm politik, sepse ato shërbejnë si mjet kushtëzimi dhe shantazhi, përmes të cilave realizohen qëllime politike dhe mbrohet pozita e pushtetarit.

 

Dosja-Shqipëria: Klasa sunduese kundrejt të persekutuarve

Në Shqipëri edhe pas përmbysjes së shtetit komunist shqiptar, nomenklatura e atij sistemi u transformua dhe u inkorporua në aparatin shtetëror të Shqipërisë demokratike. Përveç kësaj, përmes procesit të transformimit të Partisë së Punës të Shqipërisë në Partinë Socialiste të Shqipërisë, ajo solli në pushtet “bijtë e bllokmenëve”, të cilët, në fakt, tanimë e vazhdonin “luftën” për pushtet, por me mjete të tjera. Ata, duke e shfrytëzuar rrjetin e krijuar nga etërit e tyre politikë, por edhe biologjikë, janë disa hapa përpara të djathtës së shkatërruar nga etërit e tyre. Në fakt, njerëzit e ditur dhe të pasur o ishin larguar nga vendi, o ishin vrarë me gjyq e pa gjyq, ose ishin dërguar nëpër burgje dhe në kampet e riedukimit, duke ua internuar edhe familjet e duke ua marrë edhe të drejtën e shkollimit. E tani këta ishin vënë në garë politike me një parti-shtet, siç është PS-ja.

Kur jemi të çështja e dosjeve të Sigurimit e duke e pranuar se në Shqipëri nuk kishim rënie të sistemit, është krejt e kuptueshme përse nuk kemi proces të mirëfilltë të lustrimit, si dhe të dekomunistizimit të sistemit dhe shoqërisë shqiptare.

Mëkëmbësit e frymës enveriste thirren në emër të së drejtës, që e garanton sistemi  demokratik, i cili e ka të pamundur që përmes një ligji të sjellë një ekuilibër midis moralit dhe së drejtës. Sepse, çdo qytetar ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, me përjashtime të veçanta, por kur jemi te dekomunistizimi, ky edhe në vitin 2022 ende nuk është kusht.

Por, edhe nëse fillon një proces i tillë, ai do të bëhet me qëllim që të eliminojë figura të harxhuara brenda llojit, që në fakt do të jetë një farsë, sepse fryma e etërve ka për të vazhduar në një formë ose në një tjetër.

 

Dosja–Kosova: Shteti i Serbisë, kundrejt shtetit të Kosovës

Për dallim nga Shqipëria, në Kosovë, përveç se kishim aparatin komunist jugosllav, ai njëherazi ishte edhe shtet okupues i saj. Sistemi komunist, përveç armiqve të partisë, i shihte shqiptarët edhe si armiq të federatës jugosllave, sepse duke u nisur nga premtimet që u kishin dhënë shqiptarëve se pas luftës ata vetë do të vendosnin për të ardhmen e tyre, pas luftës ata nuk ishin pyetur se a dëshironin të ishin pjesë e kësaj federate. Aparati represiv ka përdorur të gjitha format dhe mjetet që t’i mbajë të frikësuar shqiptarët e Kosovës. Kur jemi te dosjet që kishte sistemi jugosllav, ato nuk ndodhen në Prishtinë, por pushtuesi i kishte marrë me vete gjatë tërheqjes në vitin 1999. Problemi me dosjet e periudhës 1945 e deri më 1999 është i një rëndësie të veçantë. Këtu nuk kemi të bëjmë me çështje ideologjike të sistemeve, por edhe me atë të sigurisë kombëtare. Dosjet në duart e një vendi armik siç është Serbia, paraqesin shqetësim serioz. Ligji i lustrimit ose, i njohur ndryshe, si ligji i pastrimit të figurave, do të ishte një domosdoshmëri edhe për Kosovën. Në Kosovë edhe sot mund të gjenden persona që mbajnë pozita në institucione, por që në të kaluarën kanë ushtruar funksione dhe kanë zbatuar ligje diskriminuese ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Çështja e dosjeve, edhe pse duket të jetë mision i pamundur, do të duhej të ishte ndër temat e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me qëllim të ruajtjes së paqes dhe krijimit të mirëbesimit ndërmjet të dyja palëve.

 

Dosja-Maqedonia e Veriut: Sistemi kundrejt shqiptarëve

Në disa shtete ish-komuniste, në fund të viteve të ’80-ta e në fillim të atyre të ’90-ta, shpërthyen protesta, ku u rrëzuan sistemet e deriatëhershme politike dhe erdhën njerëz të rinj në krye të atyre shteteve. Në Maqedoni kjo nuk ndodhi. Nuk pati protesta kundër nomenklaturës shtetërore. Vetë krerët e shtetit, me të gjitha organet shtetërore, e transformuan sistemin shoqëror, duke mundësuar formimin e partive politike e duke ia zgjatur kësisoj vetes qëndrimin në pushtet. Maqedonia është ndër vendet e rralla ish-komuniste, ku komunistët e transformuar bënë sërish qeverinë e tranzicionit, duke e mbajtur pushtetin. Rrjeti i shërbimit sekret, që kishte ndjekur qytetarët me vite, mbeti po i njëjti.

Lidhja e Komunistëve të Maqedonisë u transformua në Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë, ndërsa kjo solli edhe krijimin e partive etnike në Maqedoni. Disa ish-funksionarë shqiptarë të Lidhjes së Komunistëve, bashkë me një grup entuziastësh, krijuan Partinë për Prosperitet Demokratik, e cila në fakt u përjetua si lëvizje popullore, ku përveç titistëve kishte edhe idealistë që vepruan për të drejtat e shqiptarëve në këtë shtet.

Për dallim nga Kosova, e cila nuk i posedon dosjet e qytetarëve të saj (pronare e të cilave është Serbia) dhe – tani kur është e pavarur, vetëqeveriset duke shmangur ndikimin e dosjeve – shqiptarët e Maqedonisë nuk i posedojnë dosjet dhe vazhdojnë të “bashkë”qeverisen nga shteti (sistemi) edhe përmes dosjeve. Ndërkaq sistemi kishte bërë lustrim selektiv me idenë e diskreditimit me porosi.

Për dallim nga Shqipëria dhe Kosova, ku kemi pasur rotacione të pushtetit, pas të cilave kemi pasur edhe ndërrime të strukturave, p.sh. me rënien e PS-së binte edhe nomenklatura e vjetër, me rënien e LDK-së binte edhe ajo pjesë nga nomenklatura e vjetër komuniste, në Maqedoni partitë shkojnë e vijnë, por nomenklatura e vjetër shqiptare e Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë është konstante, e pandryshueshme. Ata në fillin u rreshtuan në Partinë për Prosperitet Demokratik, ndërsa më vonë, pas vitit 2002, u rirreshtuan në Bashkimin Demokratik për Integrim.

Në vitin 1998, pas zgjedhjeve parlamentare, ndodhi tranzicioni real politik, ku për here të parë një parti antikomuniste në bllokun maqedonas, VMRO-DPMNE, dhe në bllokun shqiptar PDSH formuan qeveri. Gjatë kësaj qeverie u kuptua që qeveria paraprake kishte vazhduar t’i plotësonte dosjet e sistemit komunist, duke i përditësuar me informata deri në vigjilje të formimit të qeverisë së re. Kështu u dëshmua që dosjet në fjalë nuk kishin pushuar në vitin e transformimit politik, por ishin një zgjatim i vazhdimësisë edhe në periudhën pas viteve ‘90.

Opozita shqiptare e Maqedonisë, e përfaqësuar atëherë nga Partia Demokratike Shqiptare, edhe pse dy herë erdhi në pushtet (1998–2002 me më pak mandate se PPD, 2006-2008 me më pak mandate se BDI), në të dyja rastet ajo hyri në qeveri me VMRO-DPMNE-në, partinë anti-komuniste maqedonase.

Siç shihet, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut asnjëherë nuk arritën të kenë rotacion politik të mirëfilltë, kjo për arsye se ata nuk kanë zgjedhje mes partive politike, por në ditën e zgjedhjeve ata ndeshen me nomenklaturën, me sistemin.

Strukturat e sistemi shtetëror, kur kishte nevojë për vota, gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, i “aktivizoi” dosjet për arsye se LSDM-ja (ish-Lidhja e Komunistëve të Maqedonisë) kishte nevojë të madhe për mbështetje që të mbijetojë, duke ardhur në pushtet. Ajo e riktheu gjithë “rrjetin” e vet që e ka te shqiptarët me dosje dhe, si rrjedhojë, BDI-ja u përgjysmua, sepse “dosjet” kësaj radhe e votuan matricën e tyre, LSDM-në. Por, ata nuk vonuan shumë dhe vitin tjetër, në zgjedhjet lokale, u rikthyen për ta ringjallur bazën e tyre, BDI-në, duke u bërë të gjithë bashkë, edhe me maqedonasit, që të fitonin ndaj shqiptarëve që nga Struga e deri në Çair të Shkupit, duke bërë koalicion “qytetar” shumetnik.

Ky është ai kontingjent i sistemit që përshtatet varësisht interesit, ata janë edhe patriotë kur e kërkon nevoja për t’u përshtatur me terrenin, ndërsa kur vijnë në pushtet bëhen me opsion qytetar, sepse ashtu e kërkon nevoja. Ata shkojnë deri në ekstrem, duke u profilizuar edhe si parti ambientaliste, ekologjike, e gjelbër, për të cilët edhe Makiaveli do të thoshte se “Qëllimi justifikon transformimin”.

Sa për t’u kujtuar, BDI tash e 20 vjet është në pushtet dhe asnjë nga funksionarët e saj nuk është përgjigjur për asnjë shkelje ose vepër antiligjore, për korrupsion dhe nepotizëm. Që të gjithë kanë “imunitet kolektiv politik”, që vjen si rezultat i një interesi shtetëror, por jo edhe interesi shqiptar.

Pra, përveç që kemi të bëjmë me nomenklaturën e vjetër me dosje nga koha e  Jugosllavisë, shqiptarët sundohen tani edhe nga nomenklatura e re me dosje “fringo” të Maqedonisë së Veriut. Se ata as që po denoncohen për veprat, e jo më edhe të dënohen për ato. Sistemi sigurisht që ka dosje edhe për ta. Pra, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, përveç se vazhdojnë t’i mbajnë mbi supe personat me dosje nga koha e komunizmit, atyre u janë shtuar mbi krye edhe persona me dosje për gjëmat e kohës së tranzicionit të pafund politik.

Dosja e dosjeve te shqiptarët vazhdon ta mbajë gjallë padrejtësinë shoqërore që nga vendosja e komunizmit me dhunë. Tani vetëm janë sofistikuar format dhe metodat. Edhe pse komunizmi formalisht ka rënë, fryma e tij jo vetëm që është gjallë, por vazhdon të qeverisë edhe sot e gjithë ditën mbi shqiptarët, duke ua mohuar atyre të drejtën elementare – lirinë për të garuar të barabartë, sepse është mision i pamundur të fitohet një parti-shtet, nga parti vetëm me vullnet.