Doriev i Shkëndijës paralajmëron fitore ndaj Pobedës

Doriev i Shkëndijës paralajmëron fitore ndaj Pobedës

Të dielën në mesin e tre takimeve të elitës së futbollit vendor do të jetë edhe përballja Pobeda-Shkëndija. Tetovarët duan fitore, por janë të vetëdijshëm se prilepasit do të mundohen në të gjitha mënyrat të shkaktojnë problem për mysafirët. Para ndeshjes ka folur sulmuesi i Shkëndijës Ljupço Doriev që respekton Pobedën, por shton se kuqezinjtë opsion kanë vetëm fitoren.

Këtu nuk ka shumë për të folur. Thjesht dhe qartë Shkëndija në çdo ndeshje ka objektiv vetëm fitoren. S’ka rëndësi kush është rivali, forma apo vendi. Luajmë për tre pikë sepse duam kreun e tabelës“, shprehet Doriev për web faqen zyrtare të Shkëndijës duke vijuar:

Mendoj se pauza kampionale ishte e mirëseardhur për tu përgatitur, posaçërisht pas ndryshimeve në stafin teknik. Pavarësisht se unë dhe Egzoni (Bejtullai) si dhe tre lojtarë më të ri ishim me përfaqësueset, duket se skuadra ka punuar mirë dhe këto pesë ditë që kemi qenë të kompletuar na shërbyen të jemi të gatshëm për sfidën me Pobedën“.

Doriev ka folur për Pobedën dhe presionin që pritet të jetë i pranishëm në Prilep, por shton se ai dhe shokët e skuadrës janë të gatshëm për çdo situatë.

Është skuadër e papërshtatshme në terren të vet, posaçërisht kur luajnë me skuadra nga kreu i renditjes sikur motivohen dy herë më shumë. Deri tani nuk kanë ecur mirë këtë sezon dhe jemi të përgatitur se me mbështetjen e publikut të tyre do të kërkojnë të na ndalin. Por ne jemi Shkëndija dhe për të ecur si duam duhet të jemi në lartësinë e duhur për të kaluar edhe kështu situata“, përfundoi Doriev.

Ndeshja Pobeda-Shkëndija luhet të dielën në Prilep me fillim në orën 15:00.