Dorëhiqet i dërguari amerikan për çështjen e Katarit

Dorëhiqet i dërguari amerikan për çështjen e Katarit

I dërguari amerikan për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Katarit dhe fqinjëve të tij arabë, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, për siç ka thënë, papajtueshmërisë së palëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjenerali i pensionuar i Marinës amerikane, Anthony Zinni, në një prononcim për televizionin CBS News, tha se nuk është në gjendje të bëjë një përparim “për shkak të mosgatishmërisë së liderëve rajonalë për të rënë dakord për ndërmjetësimin që ne ofruam”.

Ai vuri në pikëpyetje nevojën për përfshirjen e tij në aleancën “Arabë-NATO”, të cilën e ngriti presidenti amerikan, Donald Trump, për të konfrontuar Iranin.

Zinni tha se zyrtarë e tjerë të administratës amerikane po nxisin krijimin e Aleancë Strategjike për Lindjen e Mesme.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Robert Palladino, tha për Anadolu Agency se “përpjekjet për të formuar aleancën janë në rrugë të mbarë falë përpjekjeve të Zinnit”.

“Administrata përmes procesit ndërinstitucional të kryesuar nga DASH-i, do të vazhdojë misionin. Gjenerali Zinni na ka treguar se mbetet në disponim nëse shfaqet nevoja për të”, tha Palladino.

Zinni në vitin 2017 u angazhua të punojë si këshilltar i posaçëm i Sekretarit të Shtetit, me kërkesë të ish sekretarit të Mbrojtjes, James Mattis dhe ish sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson.

Të dy zyrtarët e lartpërmendur janë larguar nga administrata amerikane pas pakënaqësive mbi politikat e presidentit Trump.

Mattis dha dorëheqje në dhjetor, ndërsa Tillerson ishte shkarkuar nga Trump përmes një njoftimi në Twitter në mars të vitit të kaluar.

Zinni më herët ka shërbyer si komandant i Komandës Qendrore dhe i dërguar i presidentit George W. Bush për Paqe në Lindjen e Mesme.