` . Domeni i Presidentit në demokracinë parlamentare të Kosovës - TV-SHENJA

Domeni i Presidentit në demokracinë parlamentare të Kosovës

Në rendet kushtetuese moderne, që kanë përqafuar sistemin parlamentar të qeverisjes, kundrohet prova që posti i kreut të shtetit nuk qëndron i ngujuar në asnjërën nga tri pushtetet shtetërore.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Vetëm dy vite pas pavarësisë së Kosovës dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së saj, plasi sherri politik me fokus në Presidentin e Republikës. Atëbotë, ai kishte dhënë dorëheqje dhe kishin pasuar kriza të tjera. Tani, megjithëse ka kaluar një dekadë nga kjo ngjarje, në arenën politike vazhdojnë shfaqjet, në të cilat personazhet – gati pareshtur – janë në marrëdhënie të acaruara. Ndër personazhet kryesore është Presidenti i Republikës.

Presidenti në demokracitë parlamentare

Në rendet kushtetuese moderne, që kanë përqafuar sistemin parlamentar të qeverisjes, kundrohet prova që posti i kreut të shtetit nuk qëndron i ngujuar në asnjërën nga tri pushtetet shtetërore. Jo se ai nuk ka asnjë lloj tagri në nismat legjislative, pjesërisht në funksionet ekzekutive e emërimet e funksionarëve të caktuar sipas kushtetutës së një vendi, por se ai – për shkak të një pozite specifike që ka – nuk është subjekt aktiv i vendimmarrjes në asnjërin pushtet shtetëror.

Në të vërtetë, në republikat parlamentare edhe presidenti supozohet si institucion përbërës i pushtetit ekzekutiv bicefal, mirëpo funksionet e veta nuk i ushtron i pavarur në rrafshin e këtij pushteti, i cili mishërohet në funksionin e Qeverisë si organ kolegjial. Përderisa në shtetet presidenciale kreu i shtetit është njëherësh edhe shef i pushtetit ekzekutiv e – rrjedhimisht – bartës i funksioneve dhe kompetencave ekzekutive, në shtetet parlamentare presidenti/mbreti nuk bart funksion qeverisës.

Presidenti konsiderohet si një organ i posaçëm kushtetues jo pak i rëndësishëm dhe me rol tejet indikativ në momente të veçanta që mund ta karakterizojnë jetën shtetërore. Aq më tepër kur nuk mund të flitet për një model të vetëm të parlamentarizmit. Autorizimet kushtetuese për Presidentin mund të luhaten pak a shumë në favor të fuqizimit të pozicionit të tij, por karakteri i tij formal dhe kryesisht ceremonial është emërues i përbashkët i sistemit parlamentar në tërësi.

Shikuar në prizmin e protokollit shtetëror, Presidenti zë vendin e parë. Prandaj ai cilësohet si “i pari i vendit”.

Funksioni kushtetues i Presidentit në Kosovë

Pa hyrë në hollësira, vlen të vihet theksi mbi kompetencat e përgjithshme të Presidentit. Kuptimi i përfaqësimit të brendshëm të unitetit të popullit lidhet ngushtë me mbikëqyrjen e funksionimit të rregullt të institucioneve të shtetit. Kjo kompetencë e tij është rrjedhim i natyrshëm i atributit të kreut të shtetit.

Në raport me pushtetin legjislativ, Presidenti ka kompetenca si: shpërndarja e Kuvendit (pas mocionit parlamentar të suksesshëm kundër Qeverisë), thirrja e mbledhjes së parë dhe atyre të jashtëzakonshme të Kuvendit, firmosja e ligjeve dhe e marrëveshjeve ndërkombëtare, nxjerrja e dekreteve, propozimi i projektligjeve dhe projekt-amendamenteve kushtetuese, kthimi i ligjit në Kuvend etj.

Në raport me pushtetin ekzekutiv, Presidenti e propozon në Kuvend mandatarin për kryeministër, e emëron Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Guvernatorin e Bankës Qendrore (BQK), pastaj ushtron disa kompetenca të ndërvarura me Qeverinë përkitazi me emërimin e disa funksionarëve të lartë (Komandantin e FSK-së, Drejtorin e AKI-së, ambasadorët), konsultohet me kryeministrin lidhur me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme etj.

Në raport me pushtetin gjyqësor, Presidenti ka rol në emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me propozimin e Këshillit Gjyqësor, përkatësisht Këshillit Prokurorial, emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me propozimin e Kuvendit, referimin e çështjeve kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese etj.

Si kompetenca të karakterit ceremonial, Presidenti jep medalje, mirënjohje dhe çmime, shpall falje individuale dhe, së paku një herë në vit, i drejtohet Kuvendit të Kosovës përkitazi me fushëveprimtarinë e tij.

Presidenti baras me noter?

Në debatet publike të kohës së fundit rastiset të dëgjohet jo rrallëherë se presidenti në një regjim parlamentar si Kosova ka rolin e një noteri. Bile është vërejtur se ky term përdoret në kuptimin përbuzës, me aludimin se detyra e Presidentit është veç të qëndrojë formalisht në zyrë dhe të nënshkruajë letrat që i vijnë në tavolinën e punës. Po, Presidenti ka karakter formal dhe ceremonial në raport me politikën aktive dhe po, ai nënshkruan një mori aktesh. Nga kjo perspektivë, ai ushtron funksionin e një noteri. Porse të jesh noter, domethënë të jesh autoriteti që bën vërtetimin profesional të një dokumenti. Kur një dokument vjen para noterit, ky obligohet ta analizojë me kujdes përmbajtjen e tij dhe t’i llogarisë efektet e pastajme të vërtetimit të atij dokumenti.

Së këndejmi, kur Presidentit i paraqitet një akt juridik i ndonjë organi të lartë kushtetues, ai ka për obligim që ta shqyrtojë mirë para se ta nënshkruajë dhe kjo nuk është vetëm një procedurë krejtësisht formale. Pikërisht për këtë arsye, atij i lejohet që aktet e Kuvendit dhe Qeverisë të mund t’i referojë në Gjykatën Kushtetuese ose të vërë veto ndaj ligjeve të miratuara në Kuvend.

Se a e kryen me përgjegjësi këtë detyrë të veten Presidenti është një çështje tjetër, që pastaj e trason rrugën e vlerësimit të oportunitetit ndaj punës së tij.

Raporti i Presidentit me partitë politike

Siç u bë fjalë më sipër, në demokracitë parlamentare Presidenti duhet të jetë unifikues i popullit dhe i shtetit. Një instrument në shërbim të këtij parimi është edhe ndalesa që i vihet atij të jetë anëtar i një partie politike gjatë kohës sa e ushtron mandatin presidencial. Ky parim është standardizuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës (neni 88) dhe i shërben forcimit të tiparit neutral të Presidentit ndaj orientimeve politike aktive.

Megjithatë, ndikimi i Presidentit në veprimtarinë shtetërore nuk varet vetëm nga konfigurimi kushtetues që ia pleks hapësirën. Praktikisht, ai del në pah edhe me fuqinë politike të përforcuar me përkrahjen e partisë ose shtresës ideologjike prej nga buron si personalitet politik. Mjafton t’i hidhet një vështrim të kaluarës së afërt politike në Kosovë.

Në vitin 2010, kur presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu, u përball në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin e disa deputetëve se ai po e shkelte Kushtetutën, duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit të Kosovës dhe postin e Kryetarit të LDK-së (pasi nuk kishte dhënë dorëheqje nga partia) dhe kur Gjykata me Aktgjykimin KO47/10 e konstatoi këtë fakt, duke e cilësuar si shkelje e rëndë e Kushtetutës, Sejdiu dha dorëheqje nga posti i Presidentit të Republikës. Mirëpo, skena politike përjetoi edhe një pasojë: prishjen e koalicionit qeveritar nga ana e LDK-së. Kjo dëshmoi se fuqia reale e një Presidenti në mentalitetin politik ballkanas nuk mund të jetë e dukshme pa mbështetje nga ndonjë subjekt i spektrit politik.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për ish-Presidenten Atifete Jahjaga. Pasi u vërtetua nga Gjykata Kushtetuese se zgjedhja president e Behxhet Pacollit ishte bërë në kundërshtim me procedurat kushtetuese, më 6 prill 2011 u arrit një marrëveshje ndërmjet subjekteve politike PDK, LDK dhe AKR që si kandidate për presidente të dominohet Atifete Jahjaga, një emër i panjohur në qarqet politike. Në këtë marrëveshje palët zotoheshin të përgatisnin amendamentet e nevojshme kushtetuese që Presidenti të zgjidhej drejtpërdrejtë nga populli dhe zgjedhjet presidenciale të mbaheshin brenda gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese.

Ndërkohë ishin përgatitur një mori amendamentesh, në mesin e të cilave edhe ai që synonte shkurtimin e mandatit të Presidentes Jahjaga. Meqë sipas Kushtetutës kosovare ndryshimet kushtetuese mund të miratohen në Kuvend vetëm pasi të adresohen nga Kryetari i Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar paraprakisht nëse ndryshimet në fjalë pakësojnë ndonjë të drejtë dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës (nenet 119/9 dhe 144/3), rasti kaloi në Gjykatë.

Në Aktgjykimin e rasteve KO29/12 dhe KO48/12, Gjykata kishte përfunduar se ndërprerja e parakohshme e mandatit te Presidentit, sikundër parashihej me amendamentin e propozuar, do të cenonte parimet themelore kushtetuese, posaçërisht parimin e ndalimit të shkurtimit te mandatit të fituar ligjërisht të postit kushtetues. Kësisoj, znj. Jahjaga mbeti në detyrë falë këtij Aktgjykimi të Gjykatës, sepse po t’i lihej hapësirë manovrave politike të partive, ajo nuk do ta mbaronte dot mandatin e saj kushtetues. E vërteta është se me këtë interpretim Gjykata nuk e kishte mbrojtur Presidenten ad hominem, por ka ruajtur integritetin e postit të Presidentit, të cilin e garanton vetë Kushtetuta.

Përpos kësaj peripecie juridike, mungesa e mbështetjes politike (partiake) deri diku e ka kufizuar Presidenten Jahjaga vijanoz gjatë mandatit të saj në ushtrimin e rolit të një përfaqësuesi të unitetit dhe garantuesit të funksionimit kushtetues të institucioneve, duke iu kontestuar legjitimiteti politik nga subjektet e tjera, madje shpeshherë me etiketime të padenja.

Rëndësia e përkrahjes partiake është manifestuar edhe gjatë mandatit presidencial të Hashim Thaçit (2016-). Duke pasur komoditetin e mbështetjes së PDK-së (subjektit që i priu deri në zgjedhjen President) dhe partnerëve politikë, ai nuk kurseu përpjekjen të merrte drejtimin e udhëheqjes së bisedimeve në Bruksel dhe aktualisht atyre në Uashington, për të arritur marrëveshje eventuale me Serbinë në emër të Republikës së Kosovës, ndonëse nuk gëzon kompetencë kushtetuese për t’i bërë këto. Lista e veprimeve me tendencë të njëanshme të Presidentit Thaçi nuk është fare e shkurtër.

Ndër rastet e freskëta është edhe përpjekja njëditore e tij, në mesin e muajit mars, për të nxjerrë Dekretin mbi Shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, megjithëse Kryeministri Albin Kurti nuk e kishte përkrahur këtë ide, kurse Kushtetuta (neni 131) përcakton se kjo mund të realizohet vetëm pas konsultimit me Kryeministrin. Sidoqoftë, për shkaqe të panjohura zyrtarisht për publikun, Presidenti Thaçi nuk e aktualizoi më këtë çështje edhe pse situata me pandeminë Covid-19, të cilën ai e kishte ofruar si arsye për Gjendje të Jashtëzakonshme, veçse është rënduar javëve pasuese.

Gjithashtu, pas mocionit të mosbesimit të datës 25 mars 2020 ndaj Qeverisë Kurti, trysnia e Presidentit për të marrë një emër të një kandidati të ri nga fituesi i zgjedhjeve(Lëvizja Vetëvendosje!) dhe paralajmërimi i tij se, kur ta shohë të arsyeshme vetë, mandatin do t’ia kalojë një subjekti tjetër parlamentar, lë një shije të hidhur për demokracinë dhe zbatimin e kushtetutshmërisë nga vetë titullari i postit që duhet të jetë unifikues.

Gjurmëve të rrugëzgjidhjeve

Demokracitë në zhvillim, pra ato që ende s’kanë arritur në një stad të kënaqshëm konsolidimi, si puna e demokracisë kosovare, kanë hallet e veta. Njëri hall është që demokracia parlamentare reduktohet vetëm në përfaqësimin e partive politike dhe kur vjen momenti i zgjedhjes së bartësve të organeve të tjera, fjala bie Qeverisë a Presidentit, atëherë kriteret përqendrohen në përkatësinë partiake të kandidatëve dhe jo në vlerësimin profesional e meritor të tyre. Kështu prodhohet një establishment politik me tendencë erozioni të shpejtë që në fillin e vet dhe jo larg manifestohet me kriza institucionale, gjë që afekton shume pore të jetës publike.

Mosrespektimi i kufijve kushtetues nga ana e organeve të shtetit shpie në konflikt kompetencash. Sa i takon rastit të Kosovës, kompetencat kushtetuese kryesisht janë të njohura. Zaten, paqartësitë po shfaqen për dy arsye themelore: deri diku fleksibiliteti i formulimeve të caktuara kushtetuese, paksa me probabilitet ambiguiteti, mbi rregullimin e të drejtave diskrecionale dhe – arsyeja tjetër – më kryesorja, gatishmëria e protagonistëve politikë për të përfituar me çdo kusht copëza nga pushteti politik, madje duke ofruar edhe komentime kushtetuese amorfe që nuk korrespondojnë me parimet dhe metodat e interpretimit profesional. Në këtë mënyrë krijohen situata absurde ku vullneti politik zë të perceptohet jo më si vullnet i qytetarëve, por si vullnet i partive a grupimeve politike dhe kjo paraqet edhe embrionin e veprimeve subversive ndaj pushtetit legjitim.

Tipari i përfaqësuesit të unitetit të popullit parakupton që Presidenti të reflektojë sjellje unifikuese në emër të popullit karshi veprimeve të institucioneve të tjera. Meqë veprimtaria shtetërore është kompleks edhe përfshin brenda vetes aktet e organeve dhe institucioneve të shumta administrative, roli i Presidentit konsiston në kundërpeshim ndaj gjithë atyre akteve që mund të jenë të karakterit vital për shoqërinë. Presidenti nuk mund t’i shfuqizojë aktet e organeve të tjera, mirëpo mund t’i dërgojë ato në Gjykatë Kushtetuese nëse vlerëson se ato cenojnë Kushtetutën. Prezumohet se ai i takon krejt popullit dhe qëndron në pozitë asnjanëse. Për rrjedhojë, Presidenti nuk mund të përzihet në përcaktimin e politikave qeveritare (të brendshme e të jashtme), por duhet ta përcjellë me vëmendje ruajtjen e dobisë së përgjithshme, e cila vërehet më së miri nga reagimet e vetë popullit. Këtushmi, çfarëdo veprimi i Presidentit që nuk pasqyron pritshmërinë dhe vullnetin qytetar, do të shënjohet si devijim nga roli i tij përbashkues.

Ndërkaq, sa i takon procesit të zgjedhjes së Qeverisë, fatkeqësisht të shndërruar në situatë problematike, Presidenti, si kreu i shtetit, ka obligim formal që të propozojë në Kuvend mandatarin për kryeministër, në sensin e rrjedhojës logjike të zinxhirit të funksionalizimit të plotë të organeve shtetërore. Kjo assesi nuk nënkupton që Presidenti mund ta veshë petkun e një kumbari politik për t’i bërë bashkë subjektet e caktuara që të formojnë një koalicion a ta mbështesin njëri-tjetrin.

Në një vështrim retrospektiv në historinë politike botërore, në shekullin XIX, na shfaqen polemikat e zjarrta në Francë lidhur me pozicionin e kreut të shtetit që duhej ta kishte brenda arkitekturës kushtetuese. Atëbotë, shtetari francez, Adolf Thiers (1797-1877), në gazetën “Le National” të datës 4 shkurt 1830, e kishte pohuar këtë thënie, e cila më vonë është shndërruar në një devizë për studimet politike dhe ato të së drejtës publike: mbreti nuk administron, nuk qeveris, por udhëheq/mbretëron (Le roin’administre pas, ne gouverne pas, ilrègne). Ja, kjo është receta që shëron lëngimet e Kosovës me problemin e postit të Presidentit që nga pavarësimi i vendit. Presidenti do të jetë në ballë të vendit si kreu i shtetit, por ai nuk harton politika ditore dhe nuk i menaxhon ato. Këto të fundit janë detyra të Qeverisë, përkatësisht Kryeministrit.

Presidenti është subjekt politik, por me detyrë pasive në qeverisje, andaj dhe nuk bart përgjegjësi politike karshi Kuvendit, kurse Qeveria është subjekti aktiv i pushtetit ekzekutiv dhe i përgjigjet Kuvendit për punët e veta. Kjo është arsyeja që ndaj të parit nuk mund të iniciohet procedurë shkarkuese për shkaqe politike, kurse Kryeministri dhe anëtarët e Qeverisë mund t’i nënshtrohen nocionit të mosbesimit. Për më tepër, ndër parimet fondamentale të së drejtës publike është ai që thotë se përgjegjësia i takon atij që gëzon kompetencë.

Në fakt, nuk duket të jetë fort i zahmetshëm kuptimi i saktë i këtij silogjizmi, apo?

Eh, në ardhtë një ditë kur një president i përkorë ta pranojë drejt pozitën e vet, pra që ai nuk është vetëm kukull, por as sundues jo, në Kosovë do të ketë stabilitet politik dukshëm më të avancuar se çfarë është sot. Deri atëherë do të vijojmë ta lexojmë e komentojmë Kushtetutën, e pse jo nga pak edhe Naimin: Jak’o dit’e uruar…