` . Dobitë e mundshme nga shkëmbimi i territoreve - TV SHENJA

Dobitë e mundshme nga shkëmbimi i territoreve

Shkëmbimi i territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë nuk është domosdoshmërisht një “kompromis i dhimbshëm”, por një mundësi e mirë për t’i hequr qafe kufizimet antishqiptare që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit dhe shqiptarët e Kosovës më në fund t’i realizojnë përpjekjet njëshekullore të tyre.

Shkruan: Rilind DAUTI, Shkup

Dialogu Prishtinë- Beograd mori një shtysë të re pas heqjes së “taksës“ (në fakt tarifës) 100% ndaj mallrave serbe dhe “boshnjake” (në fakt mallrave bosane), si dhe emërimit të Riçard Grenellit dhe Mirosllav Lajçakut si të dërguar special për dialogunnga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjegjësisht Bashkimit Evropian.

Kur vjen puna te dialogu, rreth dy vitet e fundit ishte një temë që vazhdimisht na shfaqej nëpër ekranet tona (celularë, kompjuterë, dhe televizorë), kjo temë njihet me emra të ndryshëm: “shkëmbimi i territoreve”,  “korrigjimi i kufirit”, “demarkacioni”. Ishte një debat i ashpër edhe pse nuk dihej fare se për çka konkrete bëhet fjalë. Hashim Thaçi ishte tejet i paqartë dhe jokonsekuent. Ia nisi nga “s’na duhen dhuratat e Rankoviqit” dhe përfundoi te “Lugina e Preshevës do t’i bashkëngjitet Kosovës ndërsa Serbisë nuk do t’i japim asgjë”!

Gjatë debatit disamujor për çështjen e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë shumica dërrmuese e intelektualëve shqiptarë ishin ashpërsisht kundër. Përjashtime të rralla dolën Akademik Rexhep Qosja (përkrahës i kahershëm i idesë), gazetari Baton Haxhiu (por që njëjtë si Thaçi asnjëherë s’e quante “shkëmbim i territoreve”), historiani Daut Dauti nga Londra (pa lidhje farefisnore me autorin e këtij shkrimi), gazetari (shpeshherë kontravers) Milaim Zeka, kryetari i partisë së vogël Lëvizja për Bashkim Valon Murati…

 

Argumentet kundër

 

Para se t’i japim argumentet pro shkëmbimit të territoreve, së pari le t’i analizojmë argumentet kundër që jepeshin gjatë debatit publik.

Argumenti i parë është që “Kosova s’ka më tokë për të dhënë”, dhe në këtë drejtim tek-tuk përmendej edhe humbja e territoreve në ish-njësinë administrative osmane të Sanxhakut të Nishit, ose “deri te Molla e Kuqe”. Megjithatë, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dhënie por edhe për marrje, domethënë edhe Kosova do të merrte diçka nga Serbia!

Një argument tjetër ishte mendimi i Komisionit të Badenterit mbi Jugosllavinë sipas të cilit kufijtë e republikave të Jugosllavisë duhet të shndërrohen në kufij të shteteve sovrane. Por shqiptarët duhet të jenë të kujdesshëm kur thirren në principin e Badenterit mbi kufijtë sepse ky princip kishte të bëjë me republikat e Jugosllavisë, ndërsa Kosova edhe pse me status të njësisë federale në kuadër të Jugosllavisë, ajo prapëseprapë ishte krahinë në kuadër të Serbisë. Në bazë të kësaj Serbia mund të argumentojë se pavarësia e Kosovës ishte ilegale, gjë që Ivica Daçiqi edhe e bëri kur Millo Gjukanoviqi i Malit të Zi u shpreh kundër shkëmbimit të territoreve sepse, sipas tij, kjo do ta shkelte principin e Badenterit mbi kufijtë.

Për Millo Gjukanoviqin principi i mosndryshimit të kufijve ka rëndësi jetike për shkak të karakterit multietnik të Malit të Zi ku malazezët janë vetëm 45% të popullsisë, kështu që është e kuptueshme frika e tij që shkëmbimi i territoreve do të ketë efekt domino në rajon. Por çuditërisht frikën nga efekti domino e shprehën edhe disa analistë shqiptarë. Megjithatë, efekti i mundshëm domino në rajon nuk është gajle e shqiptarëve! Brenga për efektin domino vetëm se luan në kartën e atyre që edhe pavarësinë e Kosovës e kundërshtonin pikërisht në bazë të atij argumenti, me çka stabiliteti i rajonit duhet të qëndrojë mbi kurriz të shqiptarëve! Por për mos të mbetur borxh, të analizojmë përse shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi nuk do të përbënte rrezik për shtetet tjera të rajonit. E para është se shkëmbimi i territoreve në relacion Kosovë-Serbi do të bëhej me vullnet të ndërsjellë në mes palëve. Nëse nuk plotësohet kushti i vullnetit të ndërsjellë, atëherë shkëmbimi i territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të shërbejë si precedent për rastet tjera. Arsyeja tjetër është që shtetet për të cilat ka frikë se mund të ketë efekt domino kanë territor shumë më heterogjen për nga etnia me çka separatizmi në bazë etnike është i pamundur. Ndërsa sa i përket shtetit për të cilin ekziston më së shumti frika për efekt domino, Bosnje-Hercegovina, e vërteta është se Republika Sërpska nuk ka kredibilitet moral për të kërkuar ndarje! Me armatimin e trashëguar nga JNA-ja e fuqishme, Republika Sërpska u vu në një fushatë gjakësore të spastrimit etnik që kulminoi me Gjenocidin në Srebrenicë, i shembi 534 xhami, dhe implementoi masa të stilit nazist siç ishte obligimi i mbajtjes së një shiriti të bardhë për joserbët në qytetin Prijedor. Kështu që, duke i pasur parasysh bëmat e saj, Republika Sërpskaështë me fat që nuk u zhduk plotësisht nga faqja e dheut, por u lejua të ekzistojë si shtet brenda shtetit të Bosnje-Hercegovinës!

Si brengë që me të vërtetë mbanë kur vjen puna te shkëmbimi i territoreve është Trepça e famshme ku besohet se ka pasuri të madhe nëntokësore. Për shkak se nuk jam i njoftuar me atë se çfarë pasurie ka, sa pasuri ka, si dhe ku saktësisht gjendet pasuria, nuk do të komentoj për këtë çështje. Megjithatë sa i përket Trepçës dua ta ndaj një pyetje që më ka perpleksuar: nëse Trepça e ka gjithë atë pasuri, atëherë përse në kuadër të Jugosllavisë Serbia ishte më pak e pasur ekonomikisht se Sllovenia dhe Kroacia, përderisa prej vitit 1912 Trepça ka qenë në dorë të Serbisë?!

Një pengesë reale për idenë e shkëmbimit të territoreve janë serbët në jug të Ibrit. Nëse Serbia kërkon që shkëmbimi i territoreve t’i përfshijë edhe komunat me shumicë serbe që gjenden në jug të Ibrit, atëherë kjo është e papranueshme për palën shqiptare! Qoftë si enklava, qoftë si zgjatime territoriale (ang. “salient”/“panhandle”) të Serbisë thellë në territorin e Kosovës, bëhet fjalë për formula që do ta vështirësonin lëvizjen e shqiptarëve, përfshirë dhe shqiptarëve të Shkupit që kanë për qëllim të udhëtojnë për në Prishtinë, dhe ato territore mund të jenë burim i tensioneve të shpeshta ndërkombëtare. Për komunat e tilla, për shqiptarët si zgjidhje nuk është e pranueshme as “Asociacioni i Komunave Serbe” sepse një rajon i tillë autonom do të ishte burim i përhershëm i jostabilitetit përmes kërcënimeve të paevitueshme për shkëputje (siç bën vazhdimisht Republika Sërpska). Maksimumi që mund të ofrojë pala shqiptare në bisedime është që komunat me shumicë serbe poshtë Ibrit të vazhdojnë të ekzistojnë, edhe pse janë të krijuara artificialisht dhe shkojnë kundër logjikës së shëndoshë të ndarjes së mirë administrative-territoriale. Një zgjidhje e mirë do të ishte edhe sikur Serbia t’i ftojë drejt Serbisë ata serbë që do të mbetnin në Kosovë. Kjo do t’i sillte dobi të madhe Serbisë që përballet me natalitet të ulët dhe qindra fshatra të lëna shkretë.

Një argument fyes ndaj shqiptarëve që e mbështesin idenë e shkëmbimit të territoreve është: përse ta shpërblejmë Serbinë duke i dhënë asaj territore? Me këtë pyetje e vendosin në pikëpyetje lojalitetin e disa njerëzve ndaj kombit shqiptar sikur paska shqiptarë që dëshirojnë t’i dhurojnë diçka Serbisë! Por ky argument përveç se e zbulon mungesën e respektit ndaj palës tjetër, e zbulon edhe mungesën e largpamësisë që e kanë ata.

 

Argumentet pro shkëmbimit të territoreve

 

Shkëmbimi i territoreve përbën një mundësi (me gjasë të vetme!) që Kosova ta heqë qafe Pakon e Ahtisaarit, kurse një Kosovë siç e kemi tani, është një Kosovë me të meta të mëdha dhe që mund të sjellë pasoja të shumta për popullin dhe kombin shqiptar!

Pakoja e Ahtisaarit e synon një shtet që e bën maksimumin e rritjes së fuqisë së minoriteteve dhe mohimin e karakterit shqiptar të Kosovës. Për ta konstatuar këtë, nuk ka nevojë për shumë lexim, por mjafton funksioni Ctrl+F! Më saktë, nëse kërkon sipas fjalës kyçe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës do të shohësh se romët përmenden 4 herë, serbët përmenden 13 herë, ndërsa shqiptarët përmenden vetëm 1 herë!

Sipas Kushtetutës, është e domosdoshme pjesëmarrja e serbëve në qeverinë e Kosovës, ndërsa kjo ia mundëson Beogradit që në çdo moment ta godasë stabilitetin e qeverisë, që është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e një shteti. Po ashtu, me ulëset e garantuara për minoritetet në Kuvend që janë shumë më shumë se përqindja në popullsinë e përgjithshme, mundësohet krijimi i qeverisë nga koalicion partish që kanë fituar shumë më pak se 50% të votave të shqiptarëve, me çka opozita lehtësisht e vë në pikëpyetje legjitimitetin e qeverisë dhe mund të jetë burim frustracioni për votuesit etnikisht shqiptarë.

Por pasoja më e madhe e Kosovës ahtisaariane do të jetë krijimi i kombit kosovar, një realitet i paevitueshëm me pasoja të dhimbshme për popullin dhe kombin shqiptar. Edhe pse aktualisht ithtarët e kombit kosovar janë të paktë, kombi kosovar do të ishte një rrjedhë e logjikshme e të të qenit për një kohë të gjatë shtet i veçantë nga Shqipëria. Ndërtimi i identitetit kosovar të veçantë nga ai shqiptar nuk do të ishte aspak e rëndë, ndërsa tashmë jemi dëshmitarë të shenjave të para.

Me nominimin për çmimin “Oskar” të filmit të shkurtë “Shok”, me fitimin e medaljes së artë nga Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike, me sukseset e përfaqësueses së Kosovës në futboll, te shqiptari i Kosovës u mboll fara e dyshimit se a është në fakt ide e mirë të bashkohemi me Shqipërinë përderisa ja çka mund të arrijmë vetë dhe përse meritat tona t’i marrin shqiptarët e Shqipërisë?!

Në fillim të pavarësisë, flamuri i kaltër i Kosovës ishte i neveritshëm për shqiptarin e Kosovës për shkak të mungesës qoftë dhe të diçkaje të vogël shqiptare. Por sot flamurin me hartë të verdhë e gjen të vendosur nëpër shtëpi dhe të përdorur nëpër dasma. Adaptimi me flamurin e Kosovës nuk ka lënë pa prekur as shqiptarët jashtë Kosovës por me prejardhje nga Kosova. Tashmë flamurin me 6 yje e gjen te shoqatat në diasporë, ndërsa te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut vërehet se ata me prejardhje nga Kosova nëpër rrjete sociale e postojnë shpesh emoxhin e flamurit të Kosovës ndërsa shqiptarët autoktonë të Maqedonisë së Veriut këtë zakonisht nuk e bëjnë. Kjo flet për krijimin e një lidhjeje emotive jo vetëm për trevën e prejardhjes por edhe për flamurin që sot është zyrtar në atë trevë. Kështu që, me kalimin e kohës, flamuri verdhekaltër plotësisht do ta zëvendësonte atë kuq e zi në zemrat e shqiptarëve të Kosovës.

Krijimi i kombit kosovar do të ishte një humbje numerike e radhës për popullin dhe kombin shqiptar pas disave të shumta që shqiptarët i kanë përjetuar: arvanitët në Greqi janë bërë më grekë se grekët, shqiptarët ortodoksë në Maqedoninë e Veriut janë bërë më maqedonasë se maqedonasit, shqiptarët në Sanxhak janë bërë më boshnjakë se boshnjakët, kurse në Turqi kemi miliona shqiptarë, por që shumica nuk dinë shqip dhe kanë pikëpamje turke për botën. Shndërrimi i 2 milionë shqiptarëve në kosovarë do ta dëmtonte edhe më tej fuqinë politike të kombit shqiptar ndërsa pasojat më të mëdha do të ndjeheshin te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që do ta kishin një mburojë më të dobët pas shpine. Por më shumë se humbje nga pikëpamja e realpolitikës, krijimi i kombit kosovar do të ishte tradhti ndaj gjithë atyre që dhanë shpirtin, gjymtyrët, dhe vitet e jetës me qëllim që Kosova të jetë pjesë e Shqipërisë siç edhe kishin nënshkruar delegatët nga Kosova në Kuvendin e Vlorës të 28 nëntorit 1912!

Pa marrë parasysh sa e ngushëllojmë veten që “etnia jonë prapë do të jetë shqiptare”, përvoja e disa kombeve tjera dëshmon se krijimi i një kombi të ri krijon bindje edhe për veçanti etnike. Fjala bie, maqedonasit fare s’duan të dëgjojnë për mundësinë që ata janë i njëjti grup etnik me bullgarët dhe për këta të fundit përdorin edhe fjalor racist (“tatarë”, “Han Asparuh”); moldavët besojnë se janë etnikisht të ndryshëm nga rumunët; kurse malazezët për ta dëshmuar veçantinë nga serbët, u bënë gaz i botës me krijimin e “gjuhës malazeze”.

Ironia më e madhe e krijimit të kombit kosovar do të ishte fakti se ky komb i njerëzve etnikisht shqiptarë,do ta merrte emrin nga toponimin sllav “Kosovo”.

Një analist i njohur dhe ithtar i kombit kosovar thoshte se e drejta ndërkombëtare nuk e njeh konceptin e shkëmbimit të territoreve por vetëm shkëmbimin e popullsisë. Kjo është shumë gabim sepse jo më herët se në vitin 2016 u nënshkrua, dhe më 1 janar 2018 hyri në fuqi, shkëmbimi i territoreve në mes shteteve të qytetëruara evropiane Holandës dhe Belgjikës!

Shkëmbimi i territoreve nuk guxon të çojë në shuarjen e menjëhershme të shtetit të Kosovës duke iu bashkuar Shqipërisë. Në mos për tjetër, Republika e Kosovës duhet të ekzistojë edhe për disa vite shtesë vetëm që t’i rrijë si halë në sy Serbisë që i përçmonte shqiptarët e Kosovës dhe çështjen e Kosovës donte ta zgjidhë në raport me Tiranën. Por pas fitimit të subjektivitetit ndërkombëtar të konfirmuar në Kombet e Bashkuara, me sovranitetin e plotë të saj Kosova do të mund ta shpallte referendumin për bashkim  me Shqipërinë e që është synimi i vërtetë i shqiptarëve të Kosovës. Prandaj, shkëmbimi i territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë nuk është domosdoshmërisht një “kompromis i dhimbshëm” por një mundësi e mirë për t’i hequr qafe kufizimet antishqiptare që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit dhe shqiptarët e Kosovës më në fund t’i realizojnë përpjekjet njëshekullore të tyre.