Disavantazhi strategjik

Disavantazhi strategjik

Së fundmi, Serbia i ka forcuar lidhjet me aleatët e saj të mëdhenj duke blerë tanke, aeroplanë dhe armë të tjera konvencionale prej Rusisë, por edhe sisteme të avancuara raketore dhe radarë prej Kinës. Serbia është i vetmi vend në kontinentin europian që ka importuar sisteme armatimi kinez.

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Në rrafshin gjeopolitik të mbarë sferës shqiptare nuk po luhet asnjë “lojë” më e rëndësishme se ajo mes Kosovës dhe Serbisë. Të dyja palët janë duke zhvilluar strategjitë e tyre, ç´prej se Kosova është çliruar. Synimi i Kosovës është që të zgjerojë shtrirjen e njohjeve të saj, si dhe pranueshmërinë në organizata e forume ndërkombëtare, ndërsa synimi i Serbisë është të bëjë të kundërtën, të ndalë rritjen e numrit të njohjeve, të lobojë kundër anëtarësimeve të Kosovës, mundësisht edhe të punojë për ndonjë “çnjohje”, pavarësisht se këtë koncept nuk e merr seriozisht shumëkush në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në çdo përballje të tillë rëndësi kanë rreshtimet e forcave, përmasat e tyre, dhe aleancat. Le t´i shqyrtojmë pakëz këto tre elemente, duke nisur nga e fundit, pra nga aleancat. Meqenëse shtetet ballkanike janë përgjithësisht të vogla, e ato të Ballkanit Perëndimor janë edhe më të vogla, historikisht loja ballkanike ka qenë më shumë teatër ku përballeshin interesa fuqish të mëdha, të cilat vetë nuk gjenden në Ballkan. Në rastin tonë dihet, Kosova qysh prej çlirimit të saj ka partner kryesor Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sponsor i fuqishëm i çlirimit, por edhe i pavarësimit të Kosovës, si edhe garantues kryesor ushtarak me prezencën e konsiderueshme në baza si Bondstill. Pas SHBA-ve, partnerë shumë të rëndësishëm të Kosovës janë disa shtete të rëndësishme si Gjermania, Italia, Britania e Turqia në rend të parë, por edhe shtete të tjera të afërta e miqësore me Kosovën. Mandej ka shtete që e njohin pavarësinë e Kosovës, por janë disi më të ftohta në marrëdhëniet me Kosovën, ashtu siç ka edhe shtete që ende nuk e njohin Kosovën, por i kanë përmirësuar shumë marrëdhëniet me të. Aleancat ushtarake, si NATO, ose ato ndërshtetërore si BE, mbajnë një qëndrim neutral ndaj njohjes së Kosovës, megjithatë mund të konsiderohen përgjithësisht pozitive ndaj Kosovës për sa kohë që në to ka ndikim të madh politika amerikane apo ajo gjermane etj.

Nga ana tjetër, Serbia aleatë të mëdhenj, me ulëse në KS të OKB, ka Rusinë dhe Kinën. Këto të dyja janë arsyeja se pse Kosovës nuk mund t´i premtohet në këmbim të ndonjë marrëveshjeje “ulëse në OKB”. Për sa kohë ai forum funksionon me të drejtën e vetos, nuk mund të pritet që Rusia e Kina ta pranojnë anëtarësimin e Kosovës. Madje, edhe nëse Serbia formalisht dhe përfundimisht të arrijë ta njohë Kosovën, kjo nuk do të thotë automatikisht edhe pranim nga Rusia e Kina. Sepse ato shtete të mëdha si rivale të tyre shohin SHBA-të.

Së fundmi, Serbia i ka forcuar lidhjet me aleatët e saj të mëdhenj duke blerë tanke, aeroplanë dhe armë të tjera konvencionale prej Rusisë, por edhe sisteme të avancuara raketore dhe radarë prej Kinës. Serbia është i vetmi vend në kontinentin europian që ka importuar sisteme armatimi kinez. Duke qenë se bëhet fjalë për teknologji të avancuar, duhet kuptuar se në Serbi nuk ka ardhur vetëm arma ose “hardware”, por edhe programi i përdorimit, i cili patjetër i lë një farë aksesi në kontroll edhe vetë prodhuesit. Pra, “këmbëzën” e raketave nuk mund ta tërheqë vetëm Serbia, por edhe Kina.

Veç këtyre, Serbia ka vazhduar të kultivojë marrëdhënie tepër të afërta demokratike me Rusinë e Kinën. Madje, para pak javësh, në mes të Nju-Jorkut, në margjina të mbledhjes së OKB-së, serbët dhe rusët lidhën marrëveshje për koordinim të politikës së jashtme.

Aset tjetër i Serbisë janë rrjetet e trashëguara diplomatike dhe ato influencuese, me impakt në media, në institute, në biznese të ndryshme. Beogradi, dikur kryeqytet i Jugosllavisë, ishte një nga qendrat kryesore të “Lëvizjes së Paangazhuar”, që synonte të ishte pol i tretë në OKB. Sot Jugosllavia nuk ekziston më, mirëpo është trashëguar një pjesë e madhe e lidhjeve e kjo shpjegon pse shumë vende afrikane, arabe apo të Amerikës Latine nuk e njohin ende Kosovën. Është një vazhdimësi e traditës së “botës së tretë”.

Në këtë panoramë, duhet patjetër të përfshihet edhe qasja e amerikanëve dhe europiano-perëndimorëve. Ata prej më se një dekade janë të fokusuar te gjetja e mënyrave për ta penguar rritjen ekonomike të Kinës dhe rritjen territoriale të Rusisë, e cila s´ka përtuar të shkaktojë probleme apo të ndërhyjë në Gjeorgji, Ukrainë, Moldavi, vende të Azisë Qendrore, Armeni etj. Së fundi, këto ndërhyrje destabilizuese degjeneruan në një luftë agresioni të paprovokuar, ku Rusia pushtoi Ukrainën. U krijua përshtypja se edhe Kina mund të bënte diçka të ngjashme me Taivanin.

Një nga linjat e përpjekjeve “perëndimore” ka qenë ajo e shkëputjes ose krijimit të një çarjeje mes Rusisë dhe Kinës. Deri më tash kjo linjë nuk ka prodhuar diçka të njëmendtë, sepse megjithatë Rusia e Kina gjejnë interesa të përbashkët strategjikë si fuqi rivale më të dobëta se SHBA dhe aleatët e saj.

Një linjë e dytë ka qenë dhe mbetet zhveshja e këtyre shteteve prej aleatëve të tyre më të vegjël, si p.sh. në Europë synim ka qenë shkëputja e Serbisë, Bjellorusisë ose ndonjë vendi tjetër prej sferës ruse. Madje, ka qenë publike se SHBA-ja ka shprehur interesin imperativ që edhe aleatët e saj, si Gjermania etj., duhet të shkëputnin marrëdhëniet ekonomike me Rusinë (kryesisht energjetikë), por edhe me Kinën (tregti, teknologji). Edhe kjo linjë e dytë nuk ka pasur rezultate gjithnjë të suksesshme. Teksa shumë shtete europiane u shkëputën prej sferës energjetike ruse dhe u rreshtuan krah lirisë së Ukrainës, ka pasur megjithatë rritje të disa partive rusofile, madje ka disa kryeqytete europiane ku, falë rritjes së populizmit të ekstremit të djathtë, mbështetësit e Putinit, ndoshta sot jo edhe aq të drejtpërdrejtë mbajnë poste qeveritare. Ndërsa vendet si Bjellorusia e Serbia në vend që të shkëputeshin, gjatë pushtimit rus në Ukrainë u bënë edhe më të afërta me arushën veriore.

Vetë serbët, natyrisht, që i përcjellin me kujdes këto rreshtime. Zakonisht politika e tyre ka qenë bivektoriale, e trashëguar prej Jugosllavisë. As lindje as perëndim, por mirë me lindjen, mirë me perëndimin. Ulur në dy karrige. Çështja është se në kohë luftërash hapësira për bivektorializëm zakonisht zvogëlohet. Mosdurimi për Serbinë është rritur në shumë kancelari perëndimore dhe jo rrallë është përcjellë mesazhi se ka ardhur koha që Beogradi të përcaktohet. Shtetet e rëndësishme perëndimore janë partnerët kryesorë ekonomikë të Serbisë, me investime e donacione. Por, në garën e ndikimit, siç duket nuk fitojnë financat por armatimet. Serbia paratë i merr nga BE-ja, por armët nga Rusia e Kina dhe pikërisht këto të fundit po ia përcaktojnë drejtimin. Serbia vazhdimisht refuzon të vendosë politikat e saj diplomatike në linjë me BE-në, ku formalisht synon të anëtarësohet, teksa në OKB rrallë, fort rrallë, thuajse fare, nuk voton kundër Rusisë. Kjo nuk do të thotë megjithatë që Serbia vetë do t´i prishë ndonjëherë marrëdhëniet me perëndimin. Jo. Në Beograd ndiqet politika e “durimit strategjik”. Ata duan ta shtyjnë sa më gjatë, sa më shumë, pa marrëveshje me Kosovën, pa njohje të Kosovës, njëkohësisht pa u prishur me Rusinë. Shpresa që mbizotëron në Beograd racionalen e ka te pritja se mos pas dy vitesh në SHBA do të fitojë ndonjë president izolacionist, i cili nuk do të merret shumë me punët nëpër botë dhe do t´i lërë më shumë territor orekseve të fuqive të tjera. Në këtë kuptim, janë shqiptarët ata që kanë synimin kryesor të mos ia japin Serbisë vonesën, përkundrazi t´ia pamundësojnë atë. Në të mirë të çështjes së Kosovës, pra të “lojës” më të rëndësishme në fushën gjeopolitike për mbarë shqiptarët, është që Serbia ose ta njohë Kosovën sa më shpejt, ose të vërtetojë se bivektorializmi i saj është i rremë dhe se penjtë e Beogradit i tërheq Moska.

Këtu vijmë te analiza e faktorëve të tjerë, që janë rreshtimi i forcave dhe përmasat e tyre. Natyrisht, nuk po flasim për luftë, por për një betejë që aktualisht zhvillohet në rrafshin e diplomacisë konvencionale dhe asaj jokonvencionale. Forcat janë ato që i japin peshë dy vendeve. Demografia, ekonomia, kultura (dhe media), e natyrisht ushtria – por në një dimension më të vogël se zakonisht meqenëse siç e pamë më lart, aspekti i përballjes ushtarake menaxhohet prej forcave të mëdha edhe në këtë teatër të vogël të Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket demografisë, Serbia është disa herë më e madhe se Kosova, por nëse konsiderojmë shqiptarët si një komb, krahasuar me serbët si një komb, ata nuk janë fort larg në përmasa e territorit. Serbia gëzon shumë territor, por një pjesë e konsiderueshme e saj banohet nga pakica kombëtare boshnjake, hungareze, rumune, patjetër edhe shqiptare në Luginën e Preshevës. Problem kryesor i demografisë për serbët është mplakja natyrore, ndërsa për shqiptarët mplakja kryesisht artificiale, meqenëse nga Kosova, po sidomos nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut, rinia shqiptare po emigron me ritme të shpejta. Arsyeja kryesore, sipas sondazheve, thuhet të jetë mungesa e shpresës dhe e besimit në institucione, krah për krah me atë ekonomike. Sa i përket ekonomisë Serbia trashëgon infrastrukturë, kapital e përvojë, dhe ka GDP më të madhe, por sërish, shqiptarët së bashku do të ishin të krahasueshëm me të. Ata kanë dalje në det, larmi më të madhe klimatike dhe zakonisht një vitalitet që i ndihmon në sipërmarrje e në përthithjen e zanateve të reja (apo gjuhëve të huaja). Kulturalisht dhe mediatikisht, nëse jo të dy shtetet, atëherë të dy kombet, në situatën e tanishme janë fatkeqësisht jo fort mirë. Prandaj jo rrallë lind mes tyre melankolia dhe nostalgjia për kohët kur “kishim kulturë”.

Duken si barazim forcat, e nëse jo krejt barazim, së paku jo në distancë të madhe. Por, ku prishet ekuilibri është te rreshtimi i tyre. Barazimi do të arrihej vetëm nëse të dy kombet do të ruanin një qëndrim përballë njëri-tjetrit. Mirëpo, teksa në Serbi (dhe te serbët në vende të tjera) kontrolli i Vuçiqit dhe i Beogradit është i padiskutueshëm dhe kur vjen puna të çështja e Kosovës ata krejt janë në të njëjtën linjë, te shqiptarët nuk mund të thuhet kështu. Shumë nga forcat mes shqiptarëve i kanë shtizat e kthyera kundër njëri-tjetrit. Kjo mbulohet me justifikimin e demokracisë dhe pluralizmit, e dallimeve partiake ose e dallimeve shtetërore mes qëndrimeve të Tiranës, Prishtinës ose Shkupit-Tetovës, etj. Sigurisht, dallimet janë të kuptueshme dhe demokracia e dëshirueshme. Mirëpo, jo sa i përket betejës. E thamë se kjo betejë mes Kosovës e Serbisë nuk është luftë. Ajo zhvillohet kryesisht në rrafshin e diplomacisë. Por, gjithsesi është betejë. E shqiptarët i disavantazhon shumë përçarja e polarizimi mes tyre, i cili edhe nëse nuk është i sponsorizuar prej Serbisë (se gjenden këshilla të vyeshme në veprat e Çubrilloviçit, se si t´i vendosësh shqiptarët kundër njëri tjetrit), i shërben vazhdimisht asaj.