` . Diplomacia e “kthimit mbrapsht” të çështjes së Kosovës - TV SHENJA

Diplomacia e “kthimit mbrapsht” të çështjes së Kosovës

Alternativa e parë për të mundësuar bisedime serioze me Serbinë është që kjo gjendje të ndryshojë nëpërmjet zgjedhjesh të reja. Parlamenti i Kosovës përmbysi qeverinë legjitime të Kurtit, sepse ajo donte të mbronte të tilla parime. Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëri aktin tjetër të shëmtuar të legjitimimit të një veprimi ilegjitim për rrëzimin e një qeverie të vullnetit të popullit, duke shënuar një akt të paprecedentë të caktimit të qeverive me gjykatë e jo me zgjedhje.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Për këtë shkrim të radhës, kisha zgjedhur paraprakisht titullin “REFLEKTIME PARA DHE PAS TAKIMIT TË BUJSHËM SHQIPTARO SERB NË UASHINGTON”.Redaksia e “Shenja” na kishte bërë një lehtësi, që shkrimin mund ta dërgonim dhe në datën 29 qershor, pra mbasi të merrej vesh si shkoi ai takim, shumë i reklamuar, tejet intrigues, i pritur me shumë shpresa nga disa dhe me shumë frikë nga disa të tjetër që janë të shqetësuar për fatin e çështjes shqiptare në Kosovë e në përgjithësi. Nga kjo apati mendimesh më nxori fillimishtnjëthënie e mençur e Charles-Joseph de Ligne “Il y a des gens qui refleshissent pur ecrire, d’autres qui ecrivent pour në pas refleshir” (Ka njerëz që e vrasin mendjen për të shkruar, të tjerë që shkruajnë për të mos e vrarë mendjen). Mendova të provoj dhe unë një herë këtë rrugën e dytë, t’u referohesha përciptas disa fakteve të fundit dhe disa shkrimeve të mia të mëhershme dhe vlerësimeve të nxjerra nga shkrime të autorëve të huaj.

Për të dalë në një shteg të ri e të duhur më dha dorë libri i politologut të mirënjohur amerikan Xhon Mershaimer“Zhgënjimi i madh. Liberal demokracia dhe realitetet ndërkombëtare” (2018),që më shtiu në mendje dhe titullin që mban tani shkrimi im. Në kapitullin 6, “Liberalizmi si burim trazirash”, ai ka analizuar dëmin që sjellin rryma e liberal-demokracisë dhe dukuria e “social enginieering-ut” në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai ka theksuar: “Argumenti im është që një vend i cili përqafon hegjemoninë liberale përfundon në atë qëai i bën më shumë dëm se mirë vetes, si dhe vendeve të tjerë, veçanërisht atyre që ka ndërmend t’i ndihmojë” (f.153). Kuptohet që ai këtu ka parasysh në radhë të parë SHBA. Kurse “diplomacia Grenell” ndaj Kosovës ilustron më së miri saktësinë e vlerësimit të Mershaimerit për sa i përket dëmit që liberal-demokracia amerikane mund t’u sjellë nganjëherë edhe miqve të saj më të mirë, si shqiptarët.

Një dëmi madh iu bë Kosovës me rrëzimin e qeverisë Kurti, dukshëm (pavarësisht se mohohet) nën presionin e Grenellit. Shumë shqiptarëve do t’u duhet njëfarë kohe të qetësohen nga frika e rrjedhojave negative të këtij dëmi dhe të kapërdijnë e harrojnë shijen e hidhur që u la kësaj here diplomacia amerikane. Nga ky këndvështrim duhet trajtuar së pari edhe lajmi i papritur se “Takimi i bujshëm shqiptaro-serb”, i kërkuar me ngut nga diplomati amerikan Grenell, nuk do të bëhej më 27 qershor. Ky lajm shkaktoi një gjurulldi të madhe diplomatike e propagandistike çorientuese për të gjithë, sa që e bëri vërtet të kotë, në këtë fazë zhvillimesh konfuze dhe spekulimesh të gjithfarshme, të vrasësh shumë mendjen që të shkruash me saktësi e vërtetësi për ato që kanë ndodhur e për ecurinë e mëtejshme të zhvillimeve.

Përfituesit e mëdhenj të “dasmës së prishur” në Uashington janë Serbia dhe Vuçiqi

Vetëm kjo gjë mund të thuhet hëpërhë, pa frikë se po gabon. Kur bënte fushatën zgjedhore,Aleksandër Vuçiqi hiqej si tejet i përvuajtur nga hallet mëdha që i kishin rënë mbi kokë,nga presionet e forta amerikane, që takimin në takimin e Uashingtonit të pranonte dhe vendime dëshpëruese për serbët lidhur me çështjen e Kosovës. Madje, në një rast ai deklaroi se nuk e dinte fare se përse do të bisedohej më 27 qershor në bisedimet në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë Vuçiqi kishte mjaft siguri se zhvillimet e ngjarjeve ujin po e çonin në mullirin e tij. Ai arriti me shumë lehtësi ta bënte më lëmsh se kurrë gjendjen politike në Kosovë, që është vënë tashmë nën qeverisje serbe, përderisa “qeveria e pakicës shqiptare”(kështu e ka cilësuar Hashim Thaçi) mbahet pezull vetëm se është e varur në çengelin e votave të deputetëve të pakicës serbe, pra të Beogradit. Vuçiqi arriti të korrë fitoren e madhe në zgjedhje, duke e lënë opozitën jashtë parlamentit, dhe të sigurojë kështu një bazë politike të konsoliduar për autokracinë e tij në Serbi. Sukseset e politikës serbe ndaj Kosovës ia mundësuan edhe më shumë këtë fitore. Pas kësaj, më 24 qershor Vuçiqi shkoi në Moskë, ku u prit me nderim e vlerësimet më të mira e të veçanta, çka ia rriti edhe më shumë statujën e tij politike në sfondin diplomatik ndërkombëtar. Para nisjes për takimin e Uashingtonit Rusia i dha diplomacisë perëndimore mesazhin e qartë se Serbia e Vuçiqi jo vetëm nuk janë jetimë të gjorë diplomatikë, por tashmë janë bërë faktori politike diplomatik më me peshë në Ballkan dhe elementi më përcaktues në lojën kacafytësh të 4 Fuqive të Mëdha (BE tani po pretendon të jetë faktor ndikues i veçantë në Ballkan, krahas tri superfuqive: SHBA, Rusi e Kinë). Rusia përsëri u shfaq si “nënë e dhimbsur” jo thjesht si dado e kujdesshme e Serbisë. Ishte shumë domethënëse pamja e montuar me kujdes që transmetoi dy herë televizioni rus nga tribuna e paradës ushtarake e24 qershorit në Sheshin e Kuq, kur Vuçiq e Putin dukeshin si çift i lumtur, i ngjitur, edhe pse nuk ishin ulur në krah të njëri-tjetrit. Ky gjest u bë vetëm për Vuçiqin. Pra, Moska ua përsëriti diplomacive perëndimore mesazhin: Serbia e Vuçiqi janë të miat dhe mos t’ju shkojë ndër mend se mund t’i shkëpusni prej meje në atë dasmën diplomatike shqiptaro-serbe, që keni kurdisur të bëhet më 27 qershor 2020. Ndoshta Vuçiqi, qyshkur përkëdhelej në Sheshin e Kuq të Moskës e sallonet e Kremlinit, ka nuhatur diçka ose ka ndjerë me intuitën e tij të avashtë se nuk do ta merrte rrugën drejt Uashingtonit. Kurse homologu i tij nga Kosova, Hashim Thaçi dhe kryeministri Kosovar, Abdullah Hoti, u nisën gjithë dëshirë e besim për të sjellë nga kryeqyteti amerikan një sihariq të madh për shqiptarët, madje u ndalën dhe në Bruksel që të shikonin si do ta priste këtë fitore të tyre BE-ja. Por, nuk kishte qenë e thënëtë ndodhte tamam kështu.

Mospajtimet BE- SHBA për Ballkanin morën pamjen e rivalitetit të hapur

Vazoja e bukur,simbol i“një fillimi të ri për pajtimin shqiptaro-serb” në Uashington, u thye disa ditë para mbajtjes së këtij takimi nga shpërthimi i çuditshëm e krejt i papritur i një bombe “politiko-juridike”, që e hodhi një prokuror amerikan pranë Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës në Kosovë, e cila ka qenë ngritur për paradoks me këmbënguljen e madhe të Hashim Thaçit, para 5 vitesh. Prokurori e shpalli Thaçin,bashkëbiseduesin kryesor shqiptar, si të dyshuar zyrtarisht se ka kryer krime lufte dhe kundër njerëzimit. Pra, e njëjta manovër politike si në rastin e ish-Kryeministrit Haradinaj para pak kohësh,që u detyrua tëjepte dorëheqjen. Thaçi e Hoti,sigurisht, nuk do të kenë nuhatur se do të ndodhte kështu dhe u nisën për Uashington me ndjesinë se do të mbanin premtimin për të arritur një marrëveshje “të shumëpritur” nga shqiptarët. Por,nuk mundën t’i shkonin udhëtimit deri në fund dhe as të qëndronin gjatë e me qejf në Bruksel se “situata e krijuar papritmas” i kërkonte në Kosovë. Në njëfarë mënyre u përsërit historia e prapakthimit diplomatik të 24 marsit të vitit 1999 (natyrisht shumë më shëmtueshëm), kur ish-Kryeministri i Rusisë, Jevgenij Primakov,ndërsa fluturonte mbi Oqeanin Atlantik drejt Uashingtonit që të ndalonte mësymjen NATO-s kundër Serbisë,mori lajmin se avionët amerikanë kishin nisur bombardimin dhe u detyrua të kthehej në Moskë.

Thaçie Hoti nuk po ktheheshin me një gjest të atillë revolte si Primakovi, por kokulur, pasi në Bruksel mësuan se në Uashington “dasma e madhe e ëndërruar” kishte përfunduar pa nisur fare muzika e pa u mbledhur dasmorët. Fjalët qetësuese të kryeministrit të Kosovës se është marrë vesh me “mblesësin Grenell” për ta shtyrë ditën e dasmës nuk janë fort ngushëlluese, as qetësuese (edhe pse dëgjuam se kryeministrja e Danimarkës, për arsye diplomatike, paska shtyrë për të tretën herë e dasmën e saj).

Shtyrja e dasmës “shqiptaro-serbe” në Uashington duhet të ketë arsye të thella

Hipotezaat që mund të bëhen janë të shumta. Disa mendojnë se Vuçiq pa se nuk ka më nevojë për një “shou diplomatik me shqiptarët në Uashington”, që gjithsesi do t’i ofronin tani shumë më pak sesa ai ka marrë e sa lakmon. Putini e Llavrovi e kanë mbuluar me sigurime të reja se Rusia do të bëjë edhe më shumë për Serbinë, do të pranojë vetëm ato marrëveshje që Serbia do të arrijë vetë me shqiptarët, por do të kërkojë që këto marrëveshje t’i nënshtrohen edhe një miratimi nga Këshilli i Sigurimit në OKB, ku Rusia e Kina kanë të drejtën e vetos. Pra, Rusia kërkon që Kosovës t’i vihen në qafë kularë edhe më të ngushtë se Rezoluta 1244. Rusia do të kërkojë që Kosovës t’i mbyllet përfundimisht dera për shtetshmëri të pavarur e sovrane, jashtë vullnetit dhe synimeve të Serbisë. Ndoshta Rusisë i është dashur njëfarë kohe t’i trajtojë fshehtas këto projekte dhe me diplomacitë Perëndimore, sidomos me Francën,aleaten e dytë më të përkushtuar të Serbisë në Europë, që gjithnjë ka ndërmarrë nisma diplomatike në dëm të shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në tërësi. Tashmë është bërë e njohur se Franca e Makroni duan që qendra e bisedimeve të mëtejshme shqiptaro-serbe të jetë Parisi, jo Brukseli apo Uashingtoni. Pra, ahengu i dasmës shqiptaro-serbe, që nuk u bë në Uashington, të mund të buçasë fort në Paris, si më 1999 në Rambuje. Rusia dhe Franca duhet të jenë inkurajuar për ta arritur këtë sukses diplomatik, kur shohin se edhe SHBA “çështjen e Kosovës” dhe duan ta mbyllin sa më parë,me rrëmbim, shkel e shko se nuk kanë më durim të merren metë. Franca, Rusia dhe ndoshta edhe BE synojnë më shumë jo ta mbyllin, porta rihapin nga fillimi çështjen e Kosovës,të rihapin “kutinë e Pandorës” të bisedimeve pa mbarim shqiptaro-serbe e ta rikthejnë sërish në tryezën e bisedimeve edhe thelbin e kësaj çështjeje,përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, që është konsideruar i mbyllur qysh nga shkurti i vitit 2008. Pra, diplomacitë ruse dhe europiane, që i kanë qenë kundërvënë gjithnjë diplomacisë Klinton-Bler për ndërhyrje ushtarake kundërSerbisë më 1999 dhe diplomacisë Bush i Riu (qershor 2007-shkurt 2008) për të bërë e njohur Kosovën si shtet i pavarur,kapen pas problemeve që krijoi “diplomacia kauboj se Grenell”, që çështjen e Kosovës ta rikthejnë në fazën e Dejtonit (1995) e të Rambujesë (shkurt-mars 1999). Propozimi francez pikërisht këtë synon, një “Konferencë të re të Rambujesë”. Rusia për vete sigurisht nuk do të pranonte që vendimet e saj për pushtimin e aneksimin e Krimesë dhe shkëputjen e Doneckut e të Luganskut nga Ukraina t’i paraqesë për miratim në Këshillin e Sigurimit. Por, kur është puna për të ndihmuar Serbinë, ajo kërkon dhe gjëra më të vështira se për vete.

Pra,mund të mendohet se është sërish Rusia që nxit Serbinë e Vuçiqit të shtojë kërkesat e saj lakmitare në bisedimet me shqiptarët, sikurse bëri në mars të1999, që e trimëroi Serbinë e Millosheviçit të shpërthente gjenocidin masiv në Kosovë, që ta boshatiste Kosovën nga shqiptarët. Në atë kohë ishte veprim pa mend fare ai që bëri Serbia, duke mosnënshkruar “marrëveshjen e Rambujesë”, edhe pas dy lëshimeve të mëdha që i bënë në fund Fuqitë Perëndimore, duke i dhënë siguri se Kosova do të mbetej pjesë e Serbisë, sipas formulës së Ollbrajtit “Serbia jashtë Kosovës (politikisht dhe ushtarakisht) dhe Kosova në Serbi (ekonomikisht dhe diplomatikisht)”. Kështu, pas përmbysjes së qeverisë Kurti në mënyrë antidemokratike, Serbia siguroi me lehtësi e pa reciprocitet rikthimin e saj ekonomik kolonizues në Kosovë. Meqeverinë e re, që u krijua e që mbahet me vota serbe, Beogradi ka marrë të drejtën e një vetoje politike dhe diplomatike në Kosovë. Pra, formula e dikurshme Ollbrajt tani në fakt është kthyer në inversin e saj: “Kosova jashtë Serbisë, por Serbia brenda në Kosovë”.

Çfarë mund të ndodhë tani e tutje me “diplomacinë Grenell” për Kosovën

Tani politikanët, politologët e diplomatët kanë sa të duan terren të vrasin mendjen ose të shkruajnë dhe pa e vrarë mendjen mbi shkaqet, qëllimet e pasojat e shtyrjes së takimit shqiptaro-serb në Uashington.

A u bë shtyrja ngaqë diplomacia amerikane në çastet e fundit vuri re që kishte shpërfillur aspekte politike e diplomatike të rëndësishme? Këtë hipotezë e mbështet deklarata e Presidentit Trump se “do të vejë në provë dobishmërinë e qëndrimit të Grenellit në misionin që i kishte ngarkuar”.

U bë shtyrja që diplomacia amerikane të ketë kohë të ftillohet se deri ku do të shkojnë orekset e reja e manovrat politike të Rusisë e të Serbisë?

U bë kjo derisa të riparohen disi dëmet që ka sjellë “diplomacia Grenell” në aleancën e vendeve Perëndimore dhe veçanërisht në marrëdhëniet amerikano-gjermane?

A është shtyrja një premisë, që të hyjnë në veprim mblesërira të reja, për ta bërë më ndryshe “krushqinë shqiptaro-serbe” në Ballkan, në mënyrë që të kënaqet disi Rusia, të cilën amerikanët kanë interes ta largojnë pakëz nga Kina?

Mos vallë e tëra ndodhi vetëm se “diplomacia e Brukselit” kësaj here u fye tej mase se ia hodhën poshtë punën dhjetëvjeçare si pa rezultate pa dobi për arritjen e pajtimit shqiptaro-serb. Për këtë pakënaqësi,në njëfarë mënyre, Brukseli duket i prirë dhe i gatshëm të shfrytëzojë paqartësitë në “diplomacinë Grenell”, që të marrë peng këtë diplomaci dhe të paralajmërojë kështu më hapur SHBA-të se nuk duhet të thellojë më tej të çarat që kanë ndodhur në solidaritetin politik e diplomatik, si dhe politik euroatlantik, siç po dëshmojnë edhe rivalitetet e shtuara amerikano-gjermane për rol parësor në Ballkanin Perëndimor dhe në sfidat e këtushme me Rusinë e Kinë?! Me sa kuptohet nga shtypi gjerman, bomba që plasi prokurori në Hagë nuk ka të bëjë fare me përmbushje funksionesh juridike. Është thjesht një makinacion politik vulgar, më shumë europian, që nuk tregon pavarësinë e jurisprudencës nga politika, por keqpërdorimin e jurisprudencës nga politika.

Atëherë përse duhet të rinisin me ngut bisedimet e kota shqiptaro-serbe?!

Në këto rrethana nuk kishte vërtet aspak kuptim e dobi të mbahej takimi shqiptaro-serb në Uashington, sepse ai ishte përgatitur e kurdisur të vuloste ato marrëveshje që janë arritur kryesisht mbi bazën e bisedimeve të bëra në Bruksel dhe janë përfolur shumë si të dyshimta dhe që tani po mohohen aq shumë nga Grenelli, nga diplomatë epushtetarë të Kosovës e të Shqipërisë, nga vetë protagonistët Thaçi e Vuçiq (mohohet sidomos ujdia për ndryshimin e kufijve). Veçse, sa më shumë të mohohet me nervozizëm e këmbëngulje diçka e përgojuar si jo e mire, aq më shumë ajo pohohet dhe bëhet e besueshme. Në një konferencë shtypi pas kthimit në Kosovë,Kryeministri i Kosovës deklaroi se “në bisedimet shqiptaro-serbe (kur të rifillojnë) nuk do të jenë objekt shqyrtimi dy çështje: karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe ndryshimi i kufijve”. Ky lloj deklarimi kumbon më shumë si një vërtetim i tërthortë se këto dy çështje paskan qenë objekt shqyrtimi para se të vendosej për të bërë takimin e Uashingtonit.

Serbia tani mund të pajtohet dhe me këtë shtrim të ri të këtyre problemeve, sepse është gati t’i ngrejë në një fazë më të lartë kërkesat e saj që Kosova të mos jetë shtet unitar si Maqedonia Veriore, por të bëhet shteti ndërtuar si Bosnja, me federatë dyshtetërore brenda në Kosovë dhe në një lidhje konfederative me Serbinë. Atëherë, kush do t’i sqarojë shqiptarët se çfarë është bërë deri tani në bisedimet shqiptaro-serbe?! Më shumë se të gjithë, sekretet në këtë drejtim i di Hashim Thaçi. A do të flasë ai sinqerisht e qartësisht apo përsëri do të synojë zgjidhje kompromisi për vete, duke ruajtur të fshehtat kryesore?

Rreziku më i madh për çështjen shqiptare në Kosovë është bërë me kohë “diplomacia sekrete” e shqiptarëve dhe e ndërkombëtarëve. Tani shqiptarët patën rastin të shohin se ndodhka që“edhe miku më i mirë vjen dita dhe mund të të vërë në pozitë të vështirë”. Në këto kushte duhet pranuar se bisedimet serbo-shqiptare kanë qenë punë të kota. Kujt i duhet bisedime që të tilla të rinisin e të vazhdojnë në kushte të tilla? Tema e bisedimeve shqiptaro-serbe është bërë si një obsesion i mallkuar për shqiptarët dhesi një kamxhik i rëndë në dorë të ndërkombëtarëve mbi kurrizin e shqiptarëve. Për këto kemi folur e shkruar shpesh.

Mua asnjëherë nuk më hiqen nga mendja vlerësimet e politologut amerikan Henri Perrit Jr., (libri “Rruga e Kosovës për pavarësi”, 2010) se në bisedimet shqiptaro-serbe në vitet e shkuara serbët kanë qëndruar pothuajse pasivë, duke ua lënë shqiptarëve barrën të sillnin pa pushim projekte,që serbët të zbaviteshin, pa u kënaqur asnjëherë. Atëherë çfarë është bërë deri tani në këto bisedime, të quajtura formalisht shqiptaro-serbe, nën kujdestaritë e shumta ndërkombëtare? Çfarë është bërë në mënyrë të veçantë në 10 vite bisedime në Bruksel? Përse duhen rifilluar me ngut bisedimet shqiptaro-serbe tani, kur ende askush nuk jep një panoramë të qartë se çfarë synohet? A nuk është punë e kotë prej Sizifi të vazhdohet me bisedime të tilla, pa strategjie taktika të qarta shqiptare, pa një përgatitje serioze të mjaftueshme, po të shkohet si gjithnjë kuturu, pa kurrfarë ideje të fiksuar mirë se ku duhet të jetë fundi i lëshimeve shqiptare? A nuk është një dëm i madh dhe një marrëzi për shqiptarët që të pranojnë të rinisin bisedimet shqiptaro-serbe si një imitim paralel i atyre bisedimeve izraelito-palestineze, ku diplomacitë e fuqishme ndërkombëtare ndjekin vetëm rrugën e arritjes hap pas hapi të atyre zgjidhjeve që dëmtojnë palën e dobët (palestinezët) dhe favorizojnë ambiciet e palës së fuqishme (Izraelit)? Duke manipuluar me enklavat etnike e kishtare serbe në Kosovë, praktikisht Serbia kërkon të ketë në Kosovë atë pozitë që ka Izraeli në Bregun Perëndimor të Lumit Jordan, ku manipulon me ngulimet çifute. Pra, është fjala për një pushtim sui generis. Lidhur me këto pushtime sui generis serbe në Kosovë jam shprehur dhe me parë. Prandaj, dëshiroj t’i paraqes këtu lexuesit dy shkrime (“Tre variantet e moszgjidhjes së problemit të Kosovës” dhe “Serbia e Mlladiçit bën ‘ripushtimin kushtetues’ të Kosovës”), ku analizohen si është hequr vallja e gjatë “e bisedimeve për të mos u marrë vesh” me serbët dhe për ta mbajtur teorikisht Kosovën nën thundrën e sovranitetit të Serbisë mbi të.

BOX:

TRE VARIANTET E MOSZGJIDHJES SË PROBLEMIT TË KOSOVËS

 Më 22 dhe 23 janar 1997,Munih u zhvillua takimi i intelektualëve serbë e shqiptarë, në prani të shumë ekspertëve të huaj, për të diskutuar rreth tre varianteve “për zgjidhjen e problemit të Kosovës”. Sikurse ka njoftuar gazetari Jusuf Buxhovi nga Boni (“Rilindja”, datë 23-24 janar 1997) ky takim paska qenë i rëndësishëm, sepse “grupet e punës shqiptare e serbe brenda tre muajve do t’i harmonizojnë qëndrimet e tyre rreth varianteve”. Por, gjatë takimit të tanishëm dyditor “nuk është arritur shumë në planin e eliminimit të kundërthënieve ekzistuese midis dy popujve … por të dy palët u bindën se kontestet e gjata historike dhe problemet midis dy popujve mund të eliminohen shkallë-shkallë me anën e marrëveshjeve demokratike, që fillojnë mbi bazën e kompromisit civilizues”.

Ekspertët ndërkombëtarë në këtë takim paskan shprehur kënaqësinë që “shqiptarët dhe serbët po mendojnë më shumë rreth gjetjes së kompromisit historik, se për ndonjë konflikt të kobshëm për të dyja palët”. Një ekspert u paska këshilluar shqiptarëve të bëjnë durim edhe më të madh, sepse “ngutitë nganjëherë mund të jenë të kobshme”. Ai edhe i ka inkurajuar shqiptarët me fjalët “koha e zgjidhjes së problematikës së Kosovës po afrohet dhe do bëhet medoemos sipas kritereve civilizuese e demokratike”.

Takimi i Munihut është vazhdimi i një takimi që u bënë Rodos (Greqi), në shtator 1996, në të cilin morën pjesë njerëz edhe nga Greqia, Shqipëria dhe Maqedonia, ndërsa nga Kosova niveli i përfaqësimit është i lartë, Kryeministri Bukoshi dhe Nënkryetari i LDK-së, Agani,

Tri variantet e zgjidhjes së çështjes së Kosovës të diskutuara në Munih janë:

Zgjatja e status quo-së së tanishme në Kosovë (domethënë vazhdimi i pushtimit të huaj), por duke marrë masa parandaluese, që të mos keqësohet më tej kjo gjendje dhe që të gjendet njëfarë ujdie për probleme të tilla, si ai i shkollimit, shëndetësisë, informimit, ekonomisë, pa paragjykuar statusin definitiv. Pala shqiptare paska shprehur mendimin se faktori ndërkombëtar duhet të angazhohet më shumë, të rregullohen aspektet e problemit, gjë që mund të rivendosë paksa edhe besimin midis serbëve dhe shqiptarëve.

Kosovës t’i jepet njëfarë autonomie në frymën që përshkon marrëveshjet e Dejtonit. Pala shqiptare paska ngulur këmbë që një gjë e tillë të konsiderohet si “pikënisje drejt marrëveshjeve përfundimtare shqiptaro-serbe dhe zgjidhjes së kontesteve historike”. Kurse serbët kanë ngulur këmbë që çështja e autonomisë së Kosovës të reduktohet në një çështje minoriteti brenda Serbisë, bile si çështje e brendshme e Serbisë. Pra, pala serbe i është kundërvënë dëshirës palës shqiptare që“projekti për status autonomie të Kosovës të maksimalizohet deri në nivelin e një njësie të barabartë federative dhe pastaj, me referendum popullor, shqiptarët të përcaktojnë në mënyrë demokratike ardhmërinë e tyre”. Kështu, intelektualët shqiptarë e kanë zhvleftësuar referendumin që tashmë është bërë në Kosovë. Ndërsa këshilla e përfaqësuesit të organizuesit të takimit, institutit gjerman Bentelstman, ka qenë që “palët t’i afrohen gjendjes së të mundshmes”. Mirëpo, ende askush nuk e di se cila është kjo e mundshmja.

Varianti i tretë ka të bëjë me pavarësimin e Kosovës. Sipas Buxhovit, për ketë variant nuk paska pasur konfrontime, por më shumë na qenka diskutuar teorikisht se “si do të reflektohej shteti i pavarur i Kosovës në konfiguracionin politik dhe strategjik në Ballkan dhe mëgjerë”. Përderisa nuk ka pasur diskutime do të thotë se serbët nuk kanë pranuar fare qët’u shtrohet pyetja se ç’mendojnë ata për pavarësimin e Kosovës. Atë që shqiptarët nuk kanë guxuar ta bëjnë për dy variantet e para, por kanë hyrë në diskutime për to, serbët duket nuk e kanë bërë për variantin e tretë.

Buxhovi në shkrimin e vet thekson: “Përsa i përket Maqedonisë, shqiptarët u zotuan se ajo nuk do të rrezikohej fare prej ekzistimit të shtetittë pavarur të Kosovës, nëse maqedonët do t’i njihnin shqiptarët etnikë atje si popull të barabartë shtetformues. Pra, intelektualët shqiptarë nga Kosova në takimin e Munihut janë pajtuar edhe me copëtimin e ri që i është bërë kombit shqiptar në ish-Jugosllavi, pas shpërbërjes së kësaj federate. Kështu, këta intelektualë mbajnë ndaj shqiptarëve në Maqedoni atë qëndrim që ka mbajtur politika zyrtare shqiptare ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kështu, krijohet një tablo vërtet dëshpëruese. Shqiptarët, kur dalin para të huajve, tregohen shumë të gatshëm të pranojnë lëshime në dëm të unitetit kombëtar dhe të drejtës së tyre për bashkim në shkëmbim të disa të drejtave të kufizuara herë nën serbët, herë nën maqedonët e herë nën malazezët.

“Palën shqiptare” në bisedimet e Munihut e kanë përfaqësuar Veton Surroi, Gazmend Pula e Ihsan Zymberi. Duket se ata që merren me organizimin e takimeve të tilla, nën pretekstin se po ftojnë intelektualë të pavarur, dinë t’i zgjedhin pjesëmarrësit nga radhët e shqiptarëve që të mos u krijojnë shumë telashe projekteve europiane. Nuk duhet të jetë rastësi që në Munih shqiptarët janë përfaqësuar kryesisht nga trashëgimtarë të atij brezi politikanësh që për dhjetëra vjet bënë në Kosovë politikën e jugosllavizmit dhe të bashkim-vllaznimit shqiptaro-sllav.

Variantet e diskutuara në Munih gabimisht quhen për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ato janë variante për moszgjidhjen e kësaj çështjeje. Edhe pavarësia e Kosovës, të cilën serbët nuk kanë dashur ta diskutojnë, konkretisht nuk mund të jetë zgjidhje përfundimtare. Pjesëmarrja e intelektualëve shqiptarë në bisedime si ato të Munihut nuk duhet konsideruar si punë individësh. Vetë organizatorët thonë se këto bisedime bëhen që t’i jepen faktorit politik ndërkombëtar projekte, mbi të cilat ai do të veprojë zyrtarisht. Dihet gjithmonë se përpara politikanëve zyrtarë punët i bëjnë ekspertët. Pra, për përgatitjen e dokumentacionit për çështjen e Kosovës, si ekspertë nga ana shqiptare janë thirrur më të predispozuarit për ringjalljen e frymës së autonomizmit. Edhe njëherë shohim se ka një mishmash idesh midis shqiptarëve dhe njëkohësisht shumë manovra mashtruese për opinionin. Këto bisedime tregojnë se ithtarët e mbetjes së Kosovës në lidhje shtetërore me Serbinë po bëhen më aktivë dhe po hidhen vështrime më tepër nga e shkuara sesa nga e ardhmja.

 Botuar në gazetën “Rimëkëmbja”, më 28 janar 1997

SERBIA E MLLADIÇIT BËN “RIPUSHTIMIN KUSHTETUES” TË KOSOVËS

 Tani që po afron çasti kur duhet shpallur më në fund një “status përfundimtar” për Kosovën pushtetarët e Serbisë tregohen më të papërmbajtur, më sfidues e më arrogantë se kurrë në shpalljen e gjithfarë tezash absurde e vendimesh provokuese për ta ngatërruar sa më shumë lëmshin e veprimeve politike dhe diplomatike.

Ishte qesharake kur para disa kohësh Ministri i Jashtëm serb, Vuk Drashkoviç, propozoi ta fshinte tërë procesin politiko-diplomatik ndërkombëtar të deritanishëm për përcaktimin e statusit të Kosovës për ta lënë marrjen e një vendimi në dorë të një “komisioni historianësh ndërkombëtarë” që me “paanësi”, sipas oreksit serb, të përcaktonin se kush paska më shumë historikisht të drejtë mbi Kosovën, shqiptarët apo serbët. Askush nuk u mor me këtë marrëzi serbe. Por Drashkoviçi e kishte hak të pyetej a do të pranonte që serbët të iknin nga Ballkani e të shkonin diku përtej Karpateve, nëse ky komision ndërkombëtar do të pohonte të vërtetën se serbo-sllavët janë ardhacakët më të vonë në Ballkan, kurse paraardhësit e shqiptarëve kanë qenë këtu nga kohëra shumë më të hershme, që nuk mbahen mend.

Tani serbët po përpiqen ta zhvleftësojnë procesin ku janë angazhuar për shumë kohë ndërkombëtarët me metodën e tyre fare të thjeshtë e tejet absurde duke shpallur se nuk do të njohin kurrë pavarësi të Kosovës nga Serbia dhe duke e shënuar në kushtetutën e re të Serbisë se “Kosova është pjesë e shtetit serb”. Kështu patën bërë edhe në kushtetutën e Unionit Serbi-Mal i Zi që nuk është më, sepse u shkëput dhe Mali i Zi. Pushtetarët e politikanët serbë japin pa pushim dëshmi se janë të paaftë të kuptojnë proceset historike, se janë kryeneçë deri në absurditet në refuzimin për të filluar të arsyetojnë normalisht.

Politika dhe diplomacia serbe, e drejtuar nga Tadiçi, Koshtunica, Drashkoviçi, ka mbetur në nivelet më primitive të së shkuarës. Politika e diplomacia serbe, në fakt, shkojnë sipas mendësive të kriminelit të luftës Mlladiç, të cilin jo rastësisht serbët ka vite që e ruajnë si vlerën e tyre më të madhe kombëtare. Janë mendësitë e Mlladiçit që mbisundojnë sot në Serbi dhe prodhojnë deri absurditetin e “pushtimit të ri kushtetues” të Kosovës.

Shpallja nga Serbia e “pushtimit të ri kushtetues” të Kosovës vërteton më së miri se kanë qenë krejt të kota përpjekjet e shumta të diplomacisë ndërkombëtare gjatë viteve për të mundësuar një zgjidhje me marrëveshje, midis serbëve e shqiptarëve. Tani në fund serbët po i thonë diplomacisë ndërkombëtare se atë që ajo nuk e bëri dot duke mashtruar ose detyruar shqiptarët të pranojnë sërish sundimin e Serbisë do ta bëjë vetë Serbia në mënyrën më të habitshme, duke vendosur në Kushtetutën e saj se Kosova është pjesë e Serbisë. Më këtë veprim Serbia vërtetoi se kanë qenë krejt të kota bisedimet shqiptaro-serbe, se këto bisedime Serbia i ka pranuar vetëm me qëllimin që të detyroheshin shqiptarët të kërkonin vetë të ishin pjesë e Serbisë. Përderisa shqiptarët nuk e bënë këtë dhe nuk mund ta bënin këtë, Serbia shpall se do të shënojë në kushtetutë se Kosova është pjesë e Serbisë. Kjo do të thotë se shqiptarët dhe bota duhet ta marrë vesh se problemet e Ballkanit nuk po shkojnë drejt sheshimit, por drejt një acarimi të ri.

Në kohën kur ende ndërkombëtarët kujtojnë se mund të bëjnë presion mbi Serbinë me kërkesën për dorëzimin e Ratko Mlladiçit, Beogradi u përgjigjet me paralajmërime arrogante në frymën e veprimtarisë për të cilën akuzohet Mlladiçi. Serbia me sjelljet mlladiçiane do të jetë një kërcënim i vazhdueshëm për shqiptarët, një vatër ngatërresash për Ballkanin dhe Europën. Nëse Serbisë i lejohet të vazhdojë më tej lojërat e pista politiko-diplomatike që ka bërë deri tani, të kërkojë shtyrje të shpalljes së statusit të Kosovës, sipas intrigave politike që bëhen në Beograd për pushtembajtje e pushtetmarrje, të lërë vend për shpikje të çuditshme beogradase si ajo e “pavarësisë së Kosovës brenda Serbisë”, faji nuk duhet të jetë më i serbëve, por i diplomacisë ndërkombëtare. Serbia i ka dalë plotësisht borxhit kësaj diplomacie duke i bërë përfundimisht të qartë se për Kosovën nuk do zgjidhje me arsye, në përputhje me realitetin, të drejtën e të vërtetën, por vetëm “zgjidhje serbe”. Kështu që tingëllojnë vërtet jashtë realitetit politik e logjikës së shëndoshë diplomatike thirrjet e disa diplomatëve europianë se për Kosovën duhet një zgjidhje që të mos poshtërojë askënd. Zgjidhje që të kënaqë gjithkënd nuk mund të ketë për Kosovën. Zgjidhja e tillë do të dëmtonte palën që ka të drejtë. Zgjidhja për të cilën të mos ankohet askush nuk mund të ketë. Serbët kanë treguar se do të ankohen për çfarëdo zgjidhje që nuk plotëson orekset e tekat e tyre që Kosova të mbetet nën Serbi, apo që të quhet formalisht se nuk ka dalë jashtë Serbisë. Kjo është e papranueshme për shqiptarët. Prandaj diplomacia ndërkombëtare që po merret me “gjetjen e statusit për Kosovën” tashmë duhet ta ndjejë veten të vënë me shpatulla pas murit nga qëndrimet më të fundit të Serbisë. Kësaj diplomacie i mbetet ose të njohë e të plotësojë si duhet të drejtat e shqiptarëve, ose të kënaqë lakmitë grabitqare të Serbisë dhe të bëjë edhe një herë një padrejtësi të madhe historike kundër kombit shqiptar që do ta lejë përsëri Ballkanin zonë të trazuar.

Shqiptarët janë më afër se kurrë çastit të shtrimit hapur të çështjes së tyre jashtë formulave të mjegulluara që janë përdorur deri tani. Shqiptarët kanë ende shpresa të mëdha për drejtësi, por nuk duhet të harrojnë se mund t’i presin zhgënjime të forta. Është e qartë se shqiptarët do të provojnë njëfarë zhgënjimi në shpresat e tyre. Por puna është se deri ku mund të cenohet zgjidhja e drejtë e çështjes së Kosovës dhe a do të jenë në gjendje ndërkombëtarët të mbajnë këto zhgënjime në atë nivel sa shqiptarët të mos e shohin dhe një herë veten të nëpërkëmbur e të tradhtuar në atë masë sa të fillojnë të mendojnë se do t’u duhet të rinisin proceset nga e para.

Nëse diplomacia ndërkombëtare nuk merr masat për ta shmangur në kushtetutën e Serbisë dispozitën se Kosova është pjesë e Serbisë, atëherë Kuvendit të Kosovës, si shprehës i vullnetit të popullit shqiptar në Kosovë, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të miratojë menjëherë deklaratën për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, në përputhje me deklaratat që kanë bërë gjithnjë drejtuesit e Kosovës se pavarësia është minimumi që shqiptarët kërkojnë.

 Botuar në gazetën “Rimëkëmbja”, më 3 tetor 2006

Paska dhe “pushtim vetëqeverisës” në dëm të vetëvendosjes

 

Tani Serbia po realizon edhe “ripushtimin qeverisës” të Kosovës, nëse nuk ndryshohet shpejt gjendja paradoksale e krijuar në Kosovë, nëse nuk mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare për të rikthyer qeverisjen sipas vullnetit të zgjedhësve dhe për t’i dhënë Kosovës mekanizmin e pushtetarët e duhur autoritarë, për ta përfaqësuar denjësisht para çfarëdo nisme ndërkombëtare, që ka të bëjë me statusin e shteshmërisë, interesat kombëtare e shtetërore të Kosovës së pavarure sovrane, si shteti unitar shqiptar, ku pakicat respektohen në shkallën maksimale. Nuk duhet lejuar që shumica shqiptare të vihet nën regjim apartejdi të pakicës serbe, si dikur zezakët nën pakicën e të bardhëve në Bashkimin Jug-afrikan. Prandaj, duhet të themi se çdo e keqe ka një të mirë po ta trajtosh si duhet ngecjen e “diplomacisë së Grenellit” dhe “irritimin e diplomacisë së Brukselit (Berlinit e Parisit)”. Këto dy zhvillime mbase mund të vlejnë si një dërrasë shpëtimi në rrymën e turbullt ku ka rënë shqiptarët, na rast se arrihet sa më shpejt që në emër të Kosovës të flasin zëra që nuk kanë gabime të mëdha për të ndrequr, faje apo dhe krime të rënda për të fshehur ose dhe ata qëi bren dhe i vret më në fund ndërgjegjja dhe vendosin të dalin në pozicione burrërore kombëtare.

Në rastin e akuzave të lëshuara ndaj Hashim Thaçit e drejtuesve më të lartë të UÇK-së shqiptarët kudo janë indinjuar me të drejtë dhe kanë ngritur zërin e zemërimit kundër qëndrimit e makinacionit politik të kurdisur nëpërmjet një prokurori në Hagë. Ky qëndrim solidariteti motivohet së pari nga fakti që po sulmohet Lufta Çlirimtare e popullit shqiptar të Kosovës, po përdhoset për të satën herë imazhi i UÇK-së dhe po ndëshkohen e poshtërohen rëndë viktimat shqiptare të agresionit e gjenocidit serb në Kosovë dhe po harrohen e amnistohen krimet e agresorëve serbë, duke e barazuar viktimën me kriminelin. Por, kjo nuk është gjë e re. Është bërë qysh në kohën kur në Kosovë ende luftonin forcat e NATO-s për të ndëshkuar shtetin serb e mposhtur ushtrinë agresore serbe dhe për të shpëtuar shqiptarët, viktima të agresionit, duke bashkëpunuar ngushtë dhe me UÇK-në, që vepronte në terren si aleate e NATO-s. Por, edhe atëherë në Perëndim ngriheshin zëra të çakërdisur për të zhvlerësuar fushatën ajrore të NATO-s, për të akuzuar diplomacinë perëndimore se po bënte padrejtësira ndaj Serbisë, se po mbështeste “terroristët shqiptarë” etj.. Do ta përmend edhe një herë për ilustrim një libër që e kam përmendur disa herë gjatë 20 viteve si shprehje e së keqes. Libri u botua nënë SHBA në vitin 2000 nën titullin “Fitorja bosh (e kotë) e NATO-s. Një postmortum për luftën në Ballkan”, ku Ted Karpenter nga Instituti CATO në Uashington përmblidhte kumtesat e 10 politologëve amerikanë, që mbronin si avokatët më të këqinj Serbinë e Milosheviçin për krimet që bënte në Kosovë, akuzonin si prokurorët më të egër shqiptarët se kishin çuar punën derisa NATO të ndëshkonte serbët e mirë dhe mallkonin NATO-n dhe politikanët perëndimorë, që u gjendën në krah të rezistencës shqiptare. Fryma e këtij libri ka përshkuar një propagandë intensive dhe lëvizje diplomatike gjatë dy dekadash. Prandaj, nuk kemi përse habitemi sot që po sulmohet tani UÇK-ja dhe lufta çlirimtare e shqiptarëve, e rrezik për Ballkanin shpallet nacionalizmi shqiptar e jo shovinizmi serb.

Një shkrim që duhej ta kishte lexuar Grenelli

I vetmi shkrim me një frymë më profesionale në këtë përmbledhje është ai i politologut Xhon J. Mershaimer mbi “Rasti për ndarjen e Kosovës”. E përmend veçmas këtë shkrim, sepse është dëshmi që çështja e ndarjes dhe e ndryshimit të kufijve të Kosovës nuk ka dalë vetëm kur këtë e përmendi shkarazi Hashim Thaçi në vitin 2018. Diplomatit Grenell nuk i ka hije që të mos dinte se ky problem është rrahur teorikisht e politikisht më herët në SHBA, se Grenelli e paska dëgjuar vetëm kur e ka përmendur njëherë para tij Xhon Boltoni. Mendimin e tij Mershaimeri e mbështeste në përfundimin teorik se “Historia nuk njeh shembuj që grupe etnike të bien në ujdi për të ndarë pushtetin në një demokraci, pasi kanë qenë kacafytur në një luftë civile etnike në shkallë të gjerë. Luftëra të tilla marrin fund ose me një diktaturë, që e vendos rendin me anë të kamxhikut, ose me ndarje”. Ai e quante “të paarritshëm dhe të padëshirueshëm qëllimin për të mbajtur shqiptarët e Kosovës në një Jugosllavi të dominuar nga serbët”. Prandaj sugjeronte një ndarje midis shqiptarëve dhe serbëve edhe në Kosovë, “duke lënë një rrip në veri e veriperëndim të Kosovës, si karrotë për të qetësuar Serbinë, duke u bashkuar me të dhe për të lënë shqiptarët të bëhen të pavarur ose të bashkohen me Shqipërinë nëse duan”. As Grenell dhe asnjë diplomat amerikan, që merret me çështjen e Kosovës, nuk ka të drejtë të thotë se nuk di gjë për plane të tilla. Askush nuk ka të drejtë të mohojë se ajo që thoshte Mershaimeri për atë “rripin serb” të Kosovës, praktikisht u bë, rripi mbeti i bashkuar me Serbinë qysh kur hyri ushtria e NATO-s dhe në Mitrovicë u vendos komanda e kontingjenti ushtarak francez. Sot pritet vetëm një firmë shqiptare për legjitimimin e kësaj ndarjeje të bërë në terren. Kurse të drejtën e bashkimit të shqiptarëve të Kosovës me Shqipërinë diplomacia ndërkombëtare në “Planin Ahtisari” e ka ndaluar shprehimisht e rreptësisht.

Edhe HashimThaçi nuk i ka sajuar nga vetja plane të tilla në raste të tilla dhe e ka ditur me kohë se ku të çojnë ato, në dëmtimin e Kosovës, por pa sjellë pajtimin e madh shqiptaro-serb. Thaçi, prej kohësh, kishte detyrën t’i sqaronte këto gjëra për shqiptarët, jo të mbillte konfuzion me idetë që hodhi për rregullimet në kufijtë e Kosovës. Thaçi kishte detyrimin që me kohë të sqaronte e të hidhte poshtë të gjitha akuzat e bëra me radhë nga Karla Del Ponte, Dik Marti, Uilliamsoni e të tjerë, që sot po përpiqen ta venë me shpatulla në mur Thaçin, që dëmtojnë edhe më rëndë Kosovën e imazhin e UÇK-së. Hashim Thaçit të parit i binte barra të shpjegonte dhe defektet që ka formula e Mershaimerit për sa i përket ndarjes së Kosovës dhe jo t’u hapte rrugën debateve shqiptare për pjesën e pasaktë të formulës. Mershaimeri fliste nga katedra akademike në Amerikë, kurse Thaçit i takonte të shpjegonte nga kolltuku i udhëheqësit kryesor politik e shtetëror në Kosovë që të mos mbetej tani tek ankimi se po duan ta shtrembërojnë historinë e Kosovës.

Këtë histori kanë tentuar e do të tentojnë ta shtrembërojnë si njerëz të ligj dhe të paditur në radhët e ndërkombëtarëve e të vetë shqiptarëve. Dhe prandaj lind përsëri nevoja që shqiptarët të mobilizohen për t’u përballur më mirë me orvatje të tilla. Unë do të nënshkruaja pa ngurrim si peticion popullor fjalën patetike patriotike që mbajti kryeministri i Shqipërisë Rama në parlament lidhur me “çështjen Thaçi”, sikur këtë ta bënte ndonjë lëvizje civile dhe jo një kryeministër, që vetëm para disa muajsh bëhej prokurori i egër kundër politikës e pushtetarëve të Kosovës, përfshi këtu edhe Thaçin, ndërsa përpiqej të kënaqte gjykatën sllavo-ortodokse, që kryesohej nga Aleksandër Vuçiq, madje brenda në territorin e Shqipërisë. Me “bomba patriotizmi” nuk shfajësohen mëkatet antikombëtare të udhëheqësve shqiptarë.

Diplomacia e Grenellit versus politologjisë së Mershaimerit

Për lexuesin dua të bëj një ballafaqim midis diplomacisë së Grenellit dhe akademizmit politologjik të Mershaimerit. Kam lexuar disa nga librat e kam përdorur disa nga mendimet shumë interesante të Mershaimerit.

Grenelli gjthë skemën e tij diplomatike mbi trajtimin e problemit të Kosovës e ka ndërtuar mbi parimin se ekonomia ka përparësi mbi politikën. Shqiptarët e brezit tim e kanë dëgjuar deri në mërzi këtë shpjegim, që përbën themelin e teorisë marksiste-leniniste. Grenelli është mburrur se ai niset nga postulate që problemet që ndajnë serbët nga shqiptarët t’i sheshojë e kapërcejë duke ndikuar me çdo mënyrë nëpërmjet levave ekonomike, tregtare, lidhjeve infrastrukturore dhe investimeve të kapitalit. Mbështes i flaktë i kësaj qasjeje për rregullimin e konflikteve në Ballkanin Perëndimor është bërë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Rama, me përkudesjet për mbështetjen e tij të Nismës së Berlinit dhe projektin e Minishengenit ballkanik. Grenelli, jo pa sarkazëm, ka thënë në një rast se ai punët e politikës midis serbëve e shqiptarëve po ia lë Brukselit t’i trajtojë e t’i rregullojë, kurse ai do të merret me zgjidhjet ekonomike. Grenelli bëri zhurmë të madhe kur u nënshkrua një kontratë fiktive për lidhje ajrore e hekurudhore Beograd-Prishtinë. Por, punën më të bujshme përsëri e bëri me mjete politike dhe në fushën e politikës, kur përgatiti rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit, vetëm se ky kryeministër i ri i Kosovës kërkonte gjënë më normale në marrëdhëniet midis shteteve, reciprocitetin në të gjitha fushat midis Kosovës e Serbisë. Arsyetimet e përdorura nga Grenelli janë në vazhdën e një rryme të fuqishme në mendimin politike diplomatik të liberal-demokracisë perëndimore amerikane se luftërat mund të shmangen më së miri nëpërmjet ndërvarësive ekonomike të shteteve e sidomos të shteteve të zhvilluara.

Kurse Mershaimeri në librin e tij “Zhgënjimi i madh. Ëndrra liberale në marrëdhëniet ndërkombëtare” (2018), jep të tilla shpjegime: “Sipas teorisë së ndërvarësisë ekonomike dy vende që janë shumë të varur nga njëri-tjetri për mirëqenien e tyre ekonomike nuk do të hyjnë në luftë edhe kur kanë divergjenca të shpeshta politike…, sepse mirëqenia e jo mbijetesa është qëllimi i tyre parësor. Imperativi për të prodhuar pasuri do të thotë se asnjë lider nuk ka të ngjarë të fillojë luftën” (f. 204). Tani të bëjmë pyetjen edhe sikur ne shqiptarëve të na pëlqejë të përqafojmë pikërisht këtë arsyetim, a mund të jemi të sigurt se edhe serbët apo armiqtë e tjerë do të mendojnë e veprojnë kështu ndaj nesh?! Mershaimeri e quan të gabuar mendimin “se qëllimi është të arrihet begatia dhe jo mbijetesa… sepse shpesh llogaritë politike i ndrydhin ato ekonomike, sidomos kur vihet në rrezik ekzistenca kombëtare… . Një vend nuk mund të begatohet nëse ai nuk ekziston” (f. 207). Ai shton se “Politika del mbi begatinë kur në lojë hyn nacionalizmi. Si përfundim, nuk ka bazë të besohet se ndërvarësia ekonomike përbën një themel të fortë për paqen botërore, edhe në qoftë se, rast pas rasti, kjo shërben për frenimin e luftës” (f. 208-209). Mershaimeri i mbyll vlerësimet e tij për këtë temë me thëniet: “Pse jam realist? Sepse shtetet veprojnë në një botë kur duhet t’i bësh shërbim vetvetes si rruga më e mirë për të mbijetuar, duhet të jesh aq i fortë sa mundesh edhe nëse një gjë e tillë kërkon të ndjekësh politika të rrepta. Kjo nuk është një rrëfenjë e bukur sa për t’u dëgjuar, por nuk ka alternativë tjetër nëse mbijetesa është qëllimi më i lartë”.

Përse duhet të vazhdojnë pambarimisht bisedimet e kota shqiptaro-serbe?

Këto fjalët e rreshtit të fundit m’u dukën veçanërisht kuptimplota e të rëndësishme kur dëgjova deklaratën e kryeministrit të Kosovës pas kthimit nga rruga drejt Uashingtonit se “për bisedimet (lexo shqiptaro-serbe) nuk ka alternativë”. Po serbët a kanë bërë dhe a do të bëjnë ndonjëherë një deklaratë të tillë?! Deklarata se “Kosova nuk ka tjetër alternativë, përveç bisedimeve me Serbinë”, sikur përjashton alternativën e vërtetë, atë të forcimit të marrëdhënieve integruese e të bashkimit me Shqipërinë. “Rruga e Kombit” tashmë ka shërbyer si alternativë ndaj bllokimit të transportit të Kosovës nëpërmjet Serbisë. Portet detare të Shqipërisë janë një alternativë, që Serbia nuk ia ofron dot Kosovës. Bashkimi kombëtar shqiptar është një alternativë shumë më e çmuar dhe e dobishme, edhe sikur dikush t’ia imponojë Kosovës, në krahasim me pranimin e varësive ekonomike, politike e diplomatike, me të cilat Serbia do ta mbajë Kosovën nën vete. Por, dhe brenda në Kosovë duhet të ketë një alternativë më të mirë se bisedimet me Serbinë: forcimi i shtetshmërisë së Kosovës, qeverisja e mirë e Kosovës, çrrënjosja e korrupsionit, ndëshkimi nga vetë shqiptarët i fajeve dhe fajtorëve që kanë çuar Kosovën deri në pikën që sot Serbia ta paraqesë si shtet të dështuar para botës.

Njohja nga Serbia nuk duhet parë si alternativa për ta bërë Kosovën një shtet efikas dhe të pranueshëm në marrëdhëniet botërore. Forcimi i shtetit, ushtrimi i plotë i sovranitetit brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare, vlejnë më shumë se njohja nga Serbia me kushte poshtëruese. Që Kosova të përparojë e të begatojë veten duhen mbajtur parasysh fjalët e Mershaimerit: “Sovranitet do të thotë që shtetet kanë autoritetin më të lartë mbi atë që ndodh brenda kufijve të tyre dhe fuqitë e jashtme nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në punët e tyre” (f.159). A e ka vërtet qeveria e Kosovës autoritetin më të lartë në vend, në kushtet kur Serbia me një telefonatë deputetëve të saj në parlamentin e Kosovës mund ta paralizojë ose dhe ta rrëzojë këtë qeveri?

Atëherë alternativa e parë për të mundësuar bisedime serioze me Serbinë është që kjo gjendje të ndryshojë nëpërmjet zgjedhjesh të reja. Parlamenti i Kosovës përmbysi qeverinë legjitime të Kurtit, sepse ajo donte të mbronte të tilla parime. Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëri aktin tjetër të shëmtuar të legjitimimit të një veprimi ilegjitim për rrëzimin e një qeverie të vullnetit të popullit, duke shënuar një akt të paprecedentë të caktimit të qeverive me gjykatë e jo me zgjedhje. Qartazi një vendim kundër demokracisë dhe shtetshmërisë. Nëse edhe më tutje politika e Kosovës do të ecë në këtë rrugë atëherë ku do ta çojë shtetin e kombin?! Për hir të alternativës së vetme të bisedimeve me Serbinë a duhen shpërfillur pranuar parimet e kriteret e tjera të marrëdhënieve ndërkombëtare?!

E vlen shumë të sillet edhe një citat nga libri i Mershaimerit: “Diplomacia është një proces pazaresh midis dy ose më shumë shtetesh që kanë pikëpamje konfliktuale për çështje të rëndësishme për ta. Qëllimi i tyre është të prodhojnë një marrëveshje që i zgjidh grindjet paqësisht. Për të arritur sukses secila palë duhet të bëjë disa koncesione, ndonëse nuk nevojitet që ato të jenë simetrike” (f. 156). A mund të paraqesin qeveritarët, politikanët,diplomatët e propagandistët e Kosovës e të Shqipërisë një listë “pazaresh shqiptaro-serbe” që janë bërë deri tani, apo një katalog lëshimesh reciproke që ka bërë secila palë deri tani, qofshin këto lëshime asimetrike apo simetrike?!

Ka dekada që lexoj e shkruaj mijëra faqe për problemet e Kosovës dhe nuk po gjej një shembull të ndonjë lëshimi simetrik që Serbia e serbët t’ua kenë bërë bashkëbiseduesve shqiptarë, të cilët kanë bërë pothuajse të gjitha lëshimet që u janë kërkuar nga serbët dhe nga ndërmjetësit e mbikëqyrësit ndërkombëtarë. Ka lëshime pa mbarim, madje dhe fyese, që Kosova ia ka bërë Serbisë. Nuk e dimë ende se ku është kufiri maksimal i lëshimeve simetrike e asimetrike që mund të bëjë ose që ndërkombëtarët mund t’i kërkojnë Kosovës të bëjë për të ndalur kërkesat absurde të Serbisë. Mua më duket e pabesueshme që pushtetarët e politikanët e Kosovës të mos i kenë çuar në mendje gjëra të tilla. Po përse nuk e thonë troç se nuk kanë çfarë lëshimesh të bëjnë më, sepse “Plani Ahtisari” ka qenë cilësuar nga vetë ndërkombëtarët si maksimumi i lëshimeve nga Kosova dhe prandaj nuk ka fare kuptim të shkosh e të bisedosh përsëri me serbët. Serbia e miqtë e saj nuk u kënaqën asnjëherë. Miqtë e shqiptarëve po i harrojnë këto procese. Pushtetarët e Kosovës kanë heshtur të mos zemërojnë miqtë dhe propaganda shqiptare kujdeset vetëm për të përhapur vlerat e liberal-demokracisë.

Historinë e Luftës Çlirimtare të popullit shqiptar dhe të UÇK-së tashmë e kanë përdhosur aq shumë sa nuk ka më qejf njeri në botë të dëgjojë për to. Nuk po ndodh vetëm tani si thotë Thaçi se duan të ndërrojnë këtë histori. Komandantët e Luftës këtë e lejuan të ndodhte për hir të pushtetit të tyre, të mburrjes së tyre. Ata pranuan të hynin në gjithfarë bisedimesh që për popullin madje dhe njerëzit jashtë një rrethi të ngushtë mbeten gjithnjë të fshehta.

Nëpër libra është shkruar një porosi e Mbretit shqiptar, Ahmet Zogut: “Hy në pazar (pra bëj diplomaci sipas konceptit të Mershaimerit), por mos u shit. Po u shite nuk ka më pazar”. I kam mbrojtur me shkrime e biseda luftëtarët e lirisë së Kosovës, kur janë akuzuar nga gjykata e huaja. Kam mbrojtur edhe Thaçin.

Por, për lexuesit dua të kujtoj se në gazetat “Rimëkëmbja” dhe “Bota Sot” në shkurt të vitit 1999 kam botuar një shkrim të gjatë me titull “Kush e kërkon Frontin e gjithëpërfshirjes në Kosovë”,ku analizoja në frymë shumë kritike “Platformën”, me autorësi anonime të “Drejtorisë Politike të UÇK-së” (pra, të Thaçit e të grupit të tij të ngushtë), ku bëhej fjalë më shumë për strategjinë e marrjes e të vendosjes së një pushteti monist në Kosovë se për luftën çlirimtare. Në atë shkrim jam shprehur se ku mund ta çonin pushtetin që do të dilte pas Luftës Çlirimtare gabimet që përmbante ajo platformë e tipit komunisto-enverist, e bazuar në përvojën e Frontit NAÇL të Shqipërisë, përvojë që e kishin sjellë në Shqipëri Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha dhe që Drejtoria politike UÇK-së po e rimerrte për ta përdorur në Kosovë. Parandjenjat e këqija të atëhershme, për fat të keq, m’u vërtetuan trishtueshëm. Nga ai shkrim po sjell vetëm dy paragrafët e fundit:

Edhe një fakt provon se platforma është përpiluar duke ruajtur respekt të thellë për trashëgiminë enveriste në Shqipëri. Platforma akuzon se “gabimet e z. Rugova e të qeverisë së tij u thelluan kur ata i akuzuan luftëtarët e UÇK-së si agjentë të serbëve ndërkohë që ata vriteshin me serbin, deklaratë që e përsëriti edhe z. Berisha në Shqipëri gjatë periudhës kulmore të ofensivës serbe kundër popullit kosovar”. Përpiluesit e platformës ia bëjnë mirë Rugovës, Berishës që i fshikullojnë për gafat politike që kanë bërë ndaj UÇK-së. Po përse nuk bëjnë të njëjtën kritikë edhe ndaj drejtuesve të PS-së, sidomos ndaj Fatos Nanos, Pandeli Majkos që kanë bërë deklarata edhe më të shëmtuara, ndaj Paskal Milos, Neritan Cekës e të tjerëve që bëjnë politikë të mirëfilltë serbofile. Kuptohet se përpiluesit e platformës janë të krahut të PS-së, të Nanos e Majkos, janë të rrymës politike dhe ideologjike marksiste-leniniste-enveriste.

Prandaj, ngado që ta vështrosh platformën që predikon “gjithëpërfshirjen” në realitet ajo synon “gjithëfshirjen” e të tjerëve në rrugën drejt totalitarizmit politik. Pavarësinë e Kosovës e duam dhe e mirëpresim sido që të vijë, por duhet ta dëshirojmë e ta kërkojmë nëpërmjet mënyrave më të mira për shqiptarët. “Sot na nevojitet një lloj pushteti i centralizuar”, – shkruhet nga fundi i platformës. Më e pëlqyer e më pak e dhimbshme do të ishte që të krijohej një pushtet demokratik me disiplinën e nevojshme.”

Apologjia që paraqiti Thaçi tejet i pezmatuar për atë që po ndodh për punën e tij, për UÇK-në, për dëmet që po i shkaktohen Kosovës na shton dhimbjen por ende nuk na qartëson për asgjë, çka Thaçi bashkëpunëtorët e tij e kanë për detyrë ta bëjë më shumë e më hapur se kurrë. Apologjia Thaçit, ndoshta, taktikisht mundtë ishte justifikueshme si hap i parë, që të përgatitet shpjegimi i vërtetë i gjërave. Mund të jetë e justifikuar që Thaçi vetëm kalimthi foli për “intrigën që mundtë jetë kurdisur ndaj tij”. Por, tashmë nëse ka intrigë në një rast si ky, kjo duhet marrë si pjesë e një konspiracioni të madh kundër Kosovës e shqiptarisë dhe prandaj duhet zbërthyer. Për këtë Thaçi e bashkëpunëtorët e tij duhen mbështetur. Por, dhe ata nuk duhet të ngurrojnë për tëhedhur dritë të plotë mbi gjithçka ka ndodhur me Kosovën në kohën para luftës, pas luftës e pas shpalljes së pavarësisë.

Duhet të ndihmojnë më parë të sqarohet se pse dhe si ndodhi rrëzimi i qeverisë së ligjshme më 25 mars 2020, që shënoi një pikë kthese shumë të rrezikshme për shtetshmërinë e demokracinë në Kosovë.