Dimri i ftohtë europian

Dimri i ftohtë europian

Veçanërisht të ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve paraqiten shtresat në nevojë, teksa ndër grupet shoqërore që recesioni i radhës do të dëmtojë më tepër janë studentët. Mirëpo, kur flasim për studentët si grup shoqëror, në fakt jemi duke folur për një grup i cili përfaqëson fuqinë punëtore të së ardhmes së Europës, një grup që në vendet kryesore të Europës është duke u pakësuar në kuadër të fenomenit të rritjes së moshës mesatare të popullsisë përgjatë dy-tri dekadave të fundit.

Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë

Sulmi rus në Ukrainë po i thellon gjithnjë e më tepër dëmet ekonomike, veçanërisht për shtresat e margjinalizuara të Europës. Paketa e tetë e sanksioneve kundër Rusisë, që u miratua nga BE-ja në muajin tetor, nuk tregon gjë tjetër, veçse disfatën e vazhdueshme të politikave europiane për të ndërhyrë në mënyrë efektive në situatën e tensionuar në Ukrainë. Sigurisht që në shkurt të këtij viti shumë pak pritej që ndikimi ekonomik i luftës në Ukrainë do ta përshkallëzonte deri në këtë nivel krizën ekonomike në Europë. Qysh nga fillimi i luftës është evidentuar një rritje e madhe çmimesh në rang botëror për lëndën e parë, sidomos karburantit. Për më tepër, kur kjo rritje e vazhdueshme çmimesh për lëndën e parë vjen pas një viti kur tregjet ndërkombëtare ende po vuanin pasojat ekonomike të pandemisë, gjendja paraqitet edhe më e vështirë. Veç të tjerash, lufta e ka shtuar turbullirën për sa i përket sigurisë energjetike, ku shumë ekspertë të ekonomisë e kanë parashikuar shtimin e mëtejshëm të shpenzimeve për ngrohje të familjeve mesatare europiane. Efekti përshkallëzues i kësaj krize e ka prekur edhe rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, aq sa mendohet se në dimrin e sivjetmë do të shtohen edhe më tej çmimet për produktet e shportës. Masat e ndërmarra nga BE-ja ndaj këtyre sfidave kanë vendosur si prioritet ndihmën ndaj shtresave në nevojë, ndihmën e vendeve joanëtare sa i takon zhvillimit të qëndrueshëm të prodhimeve bujqësore, si dhe intensifikimin e bashkëpunimeve midis vendeve në zhvillim dhe partnerëve ndërkombëtarë në kuadër të tregtisë së lirë. “Kriza është normaliteti i ri”, deklaronte Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë Carrefour në shtator të këtij viti, teksa vetëm 8 muaj më parë sapo kishte nisur euforia e shpenzimeve të post-pandemisë të mbështetura nga fondet e emergjencës që qeveri të ndryshme kanë akorduar për tejkalimin e krizës 2-vjeçare të pandemisë. Së bashku me praninë e krizës ekonomike të vazhdueshme duket se një realitet i ri paraqitet në të ardhmen e Bashkimit Europian. Një e ardhme tërësisht e ndryshme nga ajo që shtetet europiane ishin mësuar në 2 dekadat e fundit, ku tashmë nuk ka më inflacion të ulët dhe tregti ndërkombëtare, ndërsa shpenzimet shtetërore pritet të shtohen për përballimin e krizës.

Veçanërisht të ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve paraqiten shtresat në nevojë, teksa ndër grupet shoqërore që recesioni i radhës do të dëmtojë më tepër janë studentët. Mirëpo, kur flasim për studentët si grup shoqëror, në fakt jemi duke folur për një grup i cili përfaqëson fuqinë punëtore të së ardhmes së Europës, një grup që në vendet kryesore të Europës është duke u pakësuar në kuadër të fenomenit të rritjes së moshës mesatare të popullsisë përgjatë dy-tri dekadave të fundit. Të sapodalë nga një krizë 2-vjeçare që i la jashtë auditorëve, tanimë ata përballen me rritjen e kostove të jetesës, qirasë, transportit dhe produkteve ushqimore bazë. Ndërkohë që termi “kostot e krizës aktuale” na jep përfytyrimin e përpjekjeve të familjeve mesatare për të ushqyer dhe për të mbajtur ngrohtë fëmijët në kushtet e rritjes së çmimeve, ligjërimi mbi studentët e universitetit si grup shoqëror i prekur nga kriza ka qenë thuajse inekzistent në diskutimet për paketat e emergjencës. Situata paraqitet edhe më e vështirë për studentët që janë të detyruar të punojnë për të vazhduar universitetin.

 

Ndikimi i krizës ekonomike në sektorin e arsimit

 

Të dhënat e Institutit për Studime Fiskale në Britaninë e Madhe tregojnë se mundësitë e aksesit në universitet për studentët e grupeve të margjinalizuara kanë arritur një minimum historik. Nëse shumica e universiteteve perëndimore sugjerojnë që studentët të mos punojnë më shumë se 15 orë në javë, në mënyrë që të jenë në gjendje të mbajnë ekuilibrin punë-studime, statistikat e muajit shtator tregojnë se 9% e studentëve në Britaninë e Madhe punojnë 21-30 orë në javë, 11% punojnë më shumë se 31 orë në javë, teksa kjo shifër pritet të shkojë në 20% brenda fundit të këtij viti. Por, ndonëse studentët e grupeve të margjinalizuara pritet të preken më tepër nga kriza, edhe studentët e shtresave të mesme pritet ta kenë më të vështirë përballjen me rritjen e kostove të jetesës. Shumë syresh mbështeten nga ndihma financiare e familjeve përgjatë periudhës së studimeve. I njëjti studim në Britaninë e Madhe tregon se 36% e prindërve u janë shtuar vështirësitë për ta mbajtur familjen, si dhe koston e studimeve të fëmijëve, ndërsa 10% e tyre kanë marrë kredi në banka për të përballuar shpenzimet universitare të bijve/bijave të tyre. Gazetarë të ndryshëm në Britaninë e Madhe kanë ngritur pyetjen nëse ia vlen e gjithë kjo sforco ekonomike për marrjen e një grade shkencore në një treg punësimi, ku nga viti në vit po shtohet vazhdimisht pasiguria profesionale. Organizatat e Shoqërisë Civile në Francë, Itali dhe Britaninë e Madhe kanë kërkuar nga qeveritë përkatëse vendosjen e një pakete emergjence për mbështetjen e studentëve, pak a shumë si paketa e emergjencës, nga ku kanë përfituar mbi 20 milionë familje në këto tri vende. Gjatë muajit tetor në Francë dhe Angli ka pasur disa protesta ndaj qeverisë për rritjen e përfshirjes së grupeve të margjinalizuara në fondet e emergjencës. Nga ana tjetër, në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe posaçërisht në Shqipëri, gjendja paraqitet edhe më e pashpresë, ku masat e ndërmarra nga qeveria për përballimin e krizës financiare përfshijnë një numër shumë më të ulët nga numri i përgjithshëm i familjeve të prekura nga rritja e çmimeve. Në fillim të këtij viti, BE-ja akordoi një fond rekord prej 750 miliardë eurosh kapërcimin e dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia. Pjesë e këtij fondi shkoi për Ballkanin Perëndimor, por siç deklaron studiuesi serb Nemanja Rujeviq, pas rritjes së çmimeve dhe lëndës së parë, ky fond tashmë duket i pamjaftueshëm. Për shtetin shqiptar dhe atë të Kosovës duket gati e pamundur që t’i përballojnë të vetëm pasojat e kësaj krize financiare. Pavarësisht vendimit të qeverisë shqiptare për ta shtyrë vendimin e rritjes së çmimit për energjinë elektrike, çmimi i karburantit në Tiranë është barazuar me çmimin e karburantit në Paris, e bashkë me këtë ka ardhur si efekt zinxhir rritja e vazhdueshme e çmimeve për të gjitha produktet e shportës. Studentët e regjistruar në universitetet e Shqipërisë në vitin 2021 ishin 5 për qind më pak (ose 6200 studentë) më pak se ato të një viti më parë, ndërsa studentët që pritet të bëhen pjesë e auditoreve sivjet, parashikohet të jenë rreth 7 për qind më pak se ata të vitit të shkuar. Kësisoj, veç pakësimit të numrit të studentëve për shkak të emigracionit, ulja e numrit të studentëve sivjet priret të ndodhë edhe për shkak të pamundësisë ekonomike për të ndjekur studimet. Gjithashtu, duhet kujtuar se rritja e shpenzimeve për studentët vjen pas një periudhe krizash të vazhdueshme të sistemit universitar që nga protesta studentore në shkallë kombëtare e vitit 2019 e deri te kriza globale e pandemisë të viteve 2020 dhe 2021. Nga ana tjetër, për sa kohë që universitetet e Shqipërisë janë të vetëfinancuara, ulja e numrit të studentëve pritet të ndikojë në një periudhë afatmesme edhe në pagat e profesorëve të universiteteve, të cilët aktualisht kanë pagën mesatare më të ulët në rajon (pothuaj gjysmën e pagës mesatare të një pedagogu në Kosovë). Po ta shtojmë efektin e krizës financiare dhe rritjen e kostove të jetesës, pritet që edhe profesorët e universiteteve si grup shoqëror të kthehen në një ndër grupet e margjinalizuara të shoqërisë shqiptare. Në mungesë të një pakete emergjence gjithëpërfshirëse, pritet që në vazhdim të këtij viti kostot për familjet mesatare shqiptare t’i tejkalojnë edhe ato të periudhës së pandemisë. Në këto kushte, teksa në shumicën e vendeve europiane tashmë ka nisur vala e protestave ndaj qeverisë, ashtu sikurse edhe në Tiranë vijon protesta e pedagogëve, në rajonin e Ballkanit, dimri i sivjetmë mendohet se do ta thellojë krizën e çmimeve dhe, për rrjedhojë, shtimin e trazirave. Me sa duket nga reagimet e deritanishme të qeverive të Ballkanit Perëndimor, e vetmja alternativë serioze për kapërcimin e krizës është ndihma financiare nga BE, ngjashëm me mënyrën se si kanë funksionuar të gjitha projektet e tranzicionit në secilin prej shteteve përkatëse të Ballkanit. Në krye të ligjërimeve zyrtare të kreut të qeverisë shqiptare kundrejt pedagogëve protestues kanë qenë avantazhet e universiteteve shqiptare në aplikimin për fonde nga programet e BE, ashtu sikurse edhe si zgjidhje e mundshme për krizën e rritjes së çmimeve gjithashtu janë paraparë sërish fondet e BE-së. Në një kohë kur shteti shqiptar, sikundër edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor i konsiderojnë fondet e BE-së si zgjidhje të mundshme për çdo krizë eventuale, për qytetarët e këtyre vendeve bëhet haptazi e qartë se projekti i tranzicionit në BP nuk është gjë tjetër, veçse eliminimi i përgjegjësisë shtetërore për krizat e mundshme të modelit ekonomik. Prandaj, protesta e pedagogëve në Shqipëri nuk është veçse një tregues për të ardhmen e Arsimit të Lartë në një vend ku largimi masiv i të rinjve ka marrë formë akute dhe që kriza e rritjes së çmimeve pritet të nxjerrë në sipërfaqe probleme që janë tashmë prej kohësh ekzistuese në strategjitë ekonomike të shtetit shqiptar gjatë dy-tri dekadave të fundit.