Dimovski: Radikalizim i aktiviteteve nga shtatori nëse nuk ka rritje të pagave

Dimovski: Radikalizim i aktiviteteve nga shtatori nëse nuk ka rritje të pagave

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Darko Dimovski paralajmëroi radikalizim të grevës nga shtatori, nëse Qeveria nuk i përmbushë kërkesat e tyre, ndërsa ajo është me rritjen e pagës minimale për 18,4 për qind, të harmonizohen të gjitha pagat e tjera.

“Në pajtim me Ligjin për pagën minimale dhe metodologjinë e re, me rritjen e pagës minimale duhet të harmonizohen edhe pagat e tjera. Do të thotë, paga minimale është rritur për 18,4 për qind dhe në këtë vendim ligjor thuhet se në afat prej gjashtë muajve duhet të harmonizohen edhe pagat e tjera. Por, e pamë se kjo nuk ndodhi”, tha Dimovski në pjesëmarrjen e sotme në TV Sitell.

Ai potencoi se akoma vijon greva në sektorin publik, ndërsa radikalizim do të ketë në shtator, pasi sipas Qeverisë, ligji u mundëson deri në shtator t’i harmonizojnë pagat.

“Si partnerë socialë, më 1 maj për herë të fundit realizuam takim me përfaqësues qeveritarë, ku na u premtua se Qeveria do t’u dalë në ndihmë dhe do t’i japë nga 2.869 denarë me ribalancin e buxhetit. E pamë në ribalancin e Buxhetit, ministri i Financave Besimi nuk e kishte paraparë këtë por filluan të ndahen ca rritje si nën mëngë. Prandaj, ne nga shtatori do t’i radikalizojmë aktivitetet nëse nuk ndodhë kjo rritje”, tha Dimovski.

Ai paralajmëroi se nga shtatori do t’u bëjnë thirrje punëtorëve pa dallim nëse janë nga sektori privat ose publik të dalin në rrugë.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve të dalin në rrugë, që të mundemi fillimisht të ekzistojmë, të mbijetojmë, pasi siç thotë Qeveria, nga shtatori nuk e dimë çfarë do të ndodhë për shkak të krizës së paralajmëruar të re energjetike, paralajmërohen kursime, inflacion akoma më i madh”, shtoi kryetari i LSM-së.

Për momentin, siç informoi, greva është duke u udhëhequr në sektorin publik, mbahet grevë dhe po fitohet e drejta në nivel lokal dhe në ndërmarrjet publike komunale. Nesër, siç tha, do të jenë në Prilep ku do të nënshkruajnë rritje për 18 për qind në një ndërmarrje komunale publike.

“Në shtator duhet të gjithë të kemi rritje për 18,4 për qind, po flas edhe për sektorin publik edhe për atë privat, pasi Ligji është i njëjtë për të gjithë”, shtoi Dimovski.

Lidhur me reformat tatimore, ai vlerëson se tani aspak nuk është koha për reforma tatimore

“Pas 1 majit, që kur u zhduk dialogu social, ne përmes mediave dhe përmes asaj që e prezentoi ministri Besimi e kuptuam se është folur për tatim progresiv por mua më duket tatim regresiv pasi i njëjti i përfshin më shumë të varfrit se të pasurit. Përmes këtij tatimi, të ardhurat më të ulëta të pagave nga profiti i tyre do të tatimohen”, shtoi Dimovski.

Theksoi se Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë do t’i propozojë ministrit të Financave, Fatmir Besimi ta tatimojë fitimin e bankave, me tatim prej 33 për qind dhe jo, siç potencoi, t’i prekë punëtorët, pensionistët dhe të rinjtë.

“Nuk mundet gjatë gjithë kohës tatimi të jetë mbi kurrizin e punëtorëve dhe qytetarëve me të ardhura më të ulëta, pavarësisht nëse bëhet fjalë për paga, pensione ose ndonjë lloj tjetër të ardhurash. Për momentin nuk është koha për reforma tatimore”, vlerëson kryetari i LSM-së.