` . Dimitrov nesër për vizitë në Vjenë - TV SHENJA

Dimitrov nesër për vizitë në Vjenë

Zëvendëskryetari i Qeverisë i angazhuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Vjenë, në kuadër të së cilës është paraparë të ketë takime me Karoline Edshtadler, ministre për Evropë dhe Kushtetutë dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Aleksandar Shalenberg.

Siç kumtoi Sekretariati për çështje evropiane, vizita është pjesë e turneut të zëvendëskryeministrit Dimitrov në kryeqytete të BE-së – vende anëtare, ndërsa në kontekst të angazhimeve të shprehura austriake për intensifikim të procesit të zgjerimit të BE-së me shtetet nga Ballkani Perëndimor, si dhe angazhimi I Austrisë në përballjen me pandeminë Kovid-19 dhe sigurimin e ndihmës në bazë të parimit të solidaritetit.

Më konkretisht, ceket, Dimitrov do të flasë për hapat reformues dhe përkushtimin e fuqishëm të Maqedonisë së Veriut në tejkalimin e sfidave dhe përmbushjen e agjendës evropiane, ndërsa theksi kryesor do të vihet në pikëpamjet për arritjen e kredibilitetit më të madh dhe realizimit të perspektives evropiane dhe konkretizimit të saj përmes mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në.

Në takime do të hapen edhe temat lidhur me bashkëpunimin bilateral me Austrinë si mbështetëse e jona e përkushtuar, e cila përfshin ndihmë konkrete për zbatimin e reformave në sferat kyçe të procesit të integrimit evropian, si dhe projekte konkrete humanitare, infrastrukturore dhe investuese, qëndron në kumtesë.