Dimitrov: Greqia garanton se marrëveshja do të ratifikohet (Video)

Pas lajmit për daljen e partnerit të koalicionit nga Qeveria e Aleksis Ciprasit në Greqi, ministri i i jashtëm i Maqedonisë qetëson opinionin se këto zhvillime turbulente në shtetin fqinj, nuk do të cënojnë hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Prespës. Sipas Dimitrovit, edhe në rast se qeveria e Aleksis Ciprasit nuk i mbijeton votëbesimit në Parlamentin amë, shteti grek këtë marrëveshje do ta çojë përpara pasi që e ka interes kombëtar, dhe për këtë gjë, ka marrë garanca nga homologu i tij Jorgos Katragulos.

Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm

“Pas dorëheqjes së Kamenosit nga pozita e ministrit të mbrojtes në Qeverinë greke, kisha një korrespodencë të shkurtër me kolegun tim Katrugulos, dhe ai më bindi se Qeveria greke është tejet e përkushtuar për të përfunduar detyrën lidhur me Marrëveshjen e Prespës, pasi ky është interes kombëtar i shtetit të tij. Mendoj se duhet të dërgojmë mesazh që këto dy shtete aleate tashmë, të përfundojnë sa më shpejtë këtë proces”

I pyetur se si do të zhvillohet procesi më tej, nëse Qeveria greke i mbijeton votëbesimit në Parlament, Dimitrov shpjegon se kur dy shtetet janë dakorduar, e kanë parashikuar që votimi i Marrëveshjes në Parlamentin grek dhe ratifikimi i protokollit paraqasës për Maqedoninë në NATO, do të shkojnë paralelisht me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes.

Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm

“Pas bisedimeve mes dy qeverive dhe ministrave të jashtme, gjetëm mënyrë që procesi i brendshëm, ndryshimi i amendamenteve dhe hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese që varen nga ajo se kur dhe si do të përfundojë puna edhe në Parlamentin në Athinë, të jetë në në të njëjtën kohë me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje bilaterale ndërkombëtare. Hyrja  në fuqi bëhet me dy ratifikime. Marrëveshja e Prespës duhet të hyjë në fuqi së bashku me ratifikimin e Marrëveshjes në Athinë dhe me protokollin për paqasjen tonë në NATO, dhe ekziston mundësi për të bërë këtë gjë”

Dimitrov kujtoi se votimi i ndryshimeve kushtetuese në Parlament, është një mesazh i qartë për përcaktimin evropian të Maqedonisë, dhe kjo sipas tij, duhet të jetë një mesazh si për Greqinë ashtu edhe për rajonin që duhet të ndjekin shembull.Ministri Nikolla Dimitrov tha se pasi që Maqedonia të bëhet pjesë e NATO-s, duhet ta kapë trenin edhe për anëtarësimin në BE. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/