Diktatori Al Sisi i kërkon televizionit amerikan të mos ia transmetojnë intervistën

Të dielën e 6 janarit rrjeti televiziv amerikan CBS do të transmetojë intervistën e plotë të presidentit egjiptian Al Sisi. Por qeveria egjiptiane i ka kërkuar rrjetit televiziv që të mos e transmetojë, pa dhënë ndonjë arsye të qartë.
Rrjeti televiziv amerikan CBS raportoi se qeveria e Egjiptit i ka kërkuar që të mos transmetojë një intervistë që gazetari Scott Pelley i ka bërë presidentit egjiptian Abdel Fattah al Sisi për emisionin e famshëm 60 minuta.

Rrjeti televiziv u shpreh se kishte marrë një kërkesë nga ambasadori egjiptian në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pak pas përfundimit të intervistës, e cila do të transmetohet e plotë të dielën e 6 janarit.

Nuk është e qartë arsyeja e kërkesës nga ana e Egjiptit.

CBS ka publikuar disa nga përgjigjet e Al Sisi, i cili prej vitesh drejton vendin në mënyrë autoritare.

Al Sisi konfirmoi se ushtria egjiptiane po bashkëpunon me Izraelin kundër terroristëve që veprojnë në veri të shkretëtirës së Sinait.

Ai mohon gjithashtu se në Egjipt ka të burgosur politikë – një fakt i përgënjeshtruar shpesh nga organizata jo qeveritare dhe hetimet e pavarura.

Ai mbrojti masakrën që urdhëroi në vitin 2013 kur ishte ministër i mbrojtjes, kundër mbështetësve të vëllezërve myslimanë dhe të ish presidentit egjiptian Mohammed Morsi, i rrëzuar nga posti me anë të një grushti shteti.