` . Dijetaret e humbura të Islamit - TV SHENJA

Dijetaret e humbura të Islamit

Në kohën kur Eileen Collins u bë gruaja e parë që komandonte anijen hapësinore, disa muslimanë po debatonin të drejtën e grave për të vozitur automjetin në rrugë. Kjo pabarazi në nivelin e diskursit publik për të drejtat e grave dhe rolin e grave i përballë shoqëritë muslimane. Gjetjet e reja nga një studiues në Oksford mbi rolin historik të grave mund të ndihmojnë muslimanët të krijojnë një këndvështrim të ri, por pa e cenuar vërtetësinë e traditave pejgamberike.

Shkruajnë: Mehrunisha SULEMAN & Afaaf RAJBEE

Nëse e quani hajdut një burrë për një kohë të gjatë, ai do të fillojë të mendojë se me të vërtetë është hajdut. Po ashtu, nëse e quani një fëmijë budalla gjatë gjithë kohës, ai fëmijë do të rritet duke menduar se me të vërtetë është budalla. Ky mashtrim i vetëperceptimit e përshkruan ankthin e rrënjosur thellë që rrethon gratë në Islam. Portretizimi i qëndrueshëm akademik dhe mediatik i Islamit ka qenë ai i një feje seksiste, patriarkale, që i nënshtron gratë përmes supozimeve të padyshimta të inferioritetit të tyre. Përpjekjet korrigjuese për këtë seksizëm (seksizmi – emërtimi për ideologjinë antireligjiozee cila zë fill në supozimin që dallimet fizike dhe mendore ndërmjet gjinive duhet të reflektohen absolutisht në pozitën e tyre në shoqëri; megjithatë, Islami nuk e ngarkon femrën mbi fuqinë e saj, duke respektuar natyrën, mundësinë dhe prirjet e saj.) të perceptuar janë formuar nga konservatorizmi dhe radikalizmi njëlloj. Feministet muslimane i hedhin gratë përpara si themeli i një Islami të ri, pa gjini, të lira nga prangat e dijes së meshkujve dhe duke i shtyrë ato të bëhen imame dhe udhëheqëse të shtetit. Në të njëjtën kohë, mund të gjesh imamë të shumtë nga nënkontinenti aziatik, të cilët me gatishmëri do të deklarojnë të drejtat e grave si një import i egër perëndimor, kundër të cilit mbrojtja më e mirë është t’i mbash ato brenda shtëpisë dhe larg vendeve të punës dhe arsimit. Në këtë mënyrë, mund të ketë pak dallim që i ndan mullahët misogjinistë (mizogjinizmi – urrejtja e femrave nga meshkujt, për shkak se konsiderohen si inferiore përballë meshkujve; në Islam femra ka pozitën e familjarit kryesor dhe paraqet ‘alfën’ e familjes, jo në kuptimin e fuqisë, por vlerës.) nga feministet (feminizmi – emërtimi për grupin e ideologjive dhe lëvizjeve politike, kryesisht antireligjioze, të cilët kanë për qëllim përmirësimin e pozitës së femrës në shoqëri, përkatësisht barazinë e të drejtave të femrës me të drejtat e meshkujve; në Islam të drejtat e femrës janë të theksuara në Kur’an dhe Hadith, në pajtim me natyrën e tyre dhe ka disa ndryshime me perceptimin laik perëndimor, i cili absolutisht këmbëngul në barazi mes gjinive, që do ta dëmtonte femrën.) progresive: të dy grupet janë reagime ndaj një krize besimi në vetëbesimin e tyre. Përpjekjet shoqërore dhe politike të shekullit të kaluar e kanë tronditur umetin në thelb – deri në atë pikë saqë komentuesit nuk mund të duket se mbrojnë marrëdhëniet më themelore shoqërore midis burrave dhe grave. Në mes të këtyre festimeve dhe dënimeve të misogjinizmit të supozuar të Islamit, studimi i Shejh Muhamed Akram Nadwi mbi “Al-Muhaddithat”: dijetaret femra të hadithit janë një kujtesë në kohë se çështja gjinore nuk duhet të jetë problem në Islam. Portretizimi i Islamit si shkaku i nënshtrimit të grave në media ishte një frymëzim kryesor që Shejhu të fillonte studimin e tij të gjatë dhjetëvjeçar. Aktualisht një studiues në Qendrën për Studime Islame në Oksford u gjend i ballafaquar me mosmarrëveshjet në mesin e muslimanëve për historinë e tyre. Kishte një nevojë të mprehtë për të kërkuar të dhënat e vërteta historike mbi pozitën e grave në traditën islame.

Ka argumente të cituara gjerësisht se paragjykimi i gjinisë mashkullore në studimin islam ka ndikuar në interpretimet e Kur’anit dhe Hadithit. Por, të dhënat historike tregojnë shembuj të fetvave të lëshuara nga juristët meshkuj, që ishin materialisht të pafavorshëm për burrat dhe në favor të grave. Për më tepër, shumë nga testamentet e shkëlqyera të dijetareve femra janë ritreguar nga studentët e tyre meshkuj. Imam Dhehebiu vuri në dukje se në mesin e grave transmetuese të hadithit asnjëra nuk u gjet se ishte fabrikuese/falsifikuese. Integriteti dhe pavarësia shkencore e grave ishin të paarritshme. Natyrisht, çdo mashkull seksist do të kishte problem t’i pranonte këto fakte. Meqenëse gratë sot marrin pjesë shumë pak në mësimin e Hadithit dhe dhënien e fetvave, ekziston një keqkuptim i gjerë që historikisht që ato kurrë nuk kanë luajtur këtë rol. Siç përshkruan Shejh Akram: “Kur fillova, mendova se mund të jenë tridhjetë deri në dyzet gra”, por ndërsa studimi përparoi, rrëfimet e studiuesve femra vazhdonin të rriteshin dhe rriteshin, derisa përfundimisht nuk u gjetën më pak se 8,000 zëra biografik. Një numër i tillë i gjerë dëshmojnë vërtet për rolin e madh që gratë kanë luajtur në ruajtjen dhe zhvillimin e mësimit islam që nga koha e Pejgamberit të bekuar Muhamed s.a.v.s. Gratë, të cilat shejh Akram i kishte hasur, ishin gra larg nga mediokriteti kur krahasoheshin me burra. Me të vërtetë, disa shkëlqyen shumë përtej bashkëkohësve të tyre meshkuj. Kishte gra të jashtëzakonshme që jo vetëm morën pjesë në mënyrë aktive në shoqëri, por edhe e reformuan atë në mënyrë aktive. Më i habitshëm ishte kalibri i lartë i arritjeve të tyre intelektuale dhe respekti që morën për këtë.

Përveç figurave të njohura, duke përfshirë Aishe Siddikun r.a., të bijën e Ebu Bekrit r.a., madhështia e studiuesve të harruar është rindërtuar në vepër. Fatime Batajahije, një studiuese e shekullit VIII e mësoi veprën e famshme të Sahih ‘ul-Buhariut në Damask. Ajo njihej si një nga studiuesit më të mëdhenj të asaj periudhe, demonstruar posaçërisht gjatë Haxhit kur studiuesit kryesorë meshkuj të ditës u dyndën nga larg për ta dëgjuar atë të fliste personalisht. Një imazh i bukur i saj është pikturuar në një Islam që është harruar prej kohësh – një grua e moshuar e shquar, që u mësonte studentëve të saj për ditë të tëra në vetë xhaminë e Pejgamberit a.s. Kurdoherë që ajo lodhej, ajo do ta mbështeste kokën mbi varrin e Pejgamberit a.s. dhe do të vazhdojë t’i mësojë studentët e saj ashtu siç i kalonin orët. Nëse do ta vizitoni xhaminë e Pejgamberit a.s., tani do të njiheshit me zhgënjimin që nuk do të keni mundësi ta shihni varrin e bekuar të Pejgamberit, e as pamjen ku koka e tyre prehet në murin anësor të varrit.

Një tjetër grua, Zejneb bint Kemal, mësoi më shumë se 400 libra të Hadithit në shekullin XII. Librat e saj si ngarkesa të devesë (të shumta në numër) tërhiqnin studentët si tufa të deveve. Ajo ishte një mësuese natyrore, duke shfaqur një durim të jashtëzakonshëm, me çka i fitoi zemrat e atyre që ajo i mësoi. Me një famë kaq intelektuale, të mrekullueshme, gjinia e saj nuk ishte pengesë për mësimet e saj në disa nga institutet më prestigjioze akademike në Damask.

Pastaj ishte Fatime bint Muhamed Samarkandi, një juriste, e cila e këshilloi burrin e saj më të famshëm se si t’i jepte fetvatë e tij. Edhe Umm’ul-Derda, e cila si një grua e re, rrinte ulur me dijetarë meshkuj në xhami. “Jam përpjekur ta adhuroj Allahun në çdo mënyrë,” shkroi ajo, “por kurrë nuk kam gjetur një mënyrë më të mirë se sa të jesh duke debatuar me studiues të tjerë.” Ajo u bë mësuese e hadithit dhe fikhut dhe ligjëroi në pjesën e burrave. Një nga studentët e saj ishte halifi i Damaskut. Puna e madhe dhe përkushtimi ndaj Islamit nga këto gra është i pakalueshëm sipas standardeve aktuale, por ato gjithashtu kishin disa përparësi biologjike ndaj burrave. Muhaddithet femra u kërkuan shpesh nga studentët për të mësuar hadith për shkak të jetëgjatësisë së tyre më të gjatë – gjë që i shkurtoi lidhjet në zinxhirët e transmetimit. Megjithëse studimi i Shejh Akramit përqendrohet në transmetuesit e Hadithit, ai zbuloi se gratë studiuese gjithashtu kishin kontribuar në mënyrë të konsiderueshme edhe në mësimin e “teologjisë, logjikës, filozofisë, kaligrafisë dhe shumë prej zanateve që ne i njohim dhe admirojmë si islame”.

Vetëm prania e mësueseve femra nuk e thekson mjaftueshëm rëndësinë e grave në historinë islame. Kur’ani, siç u regjistrua fillimisht në pergamena dhe kocka kafshësh, iu besua Hafsës, të bijës së Omerit r.a. Me ndihmën e këtyre shënimeve të ruajtura Halifi Osman r.a. i shpërndau gjashtë versione të standardizuara të Kur’anit në qendrat kryesore politike dhe kulturore në fushën islame. Ai urdhëroi të digjen të gjitha botimet jostandarde (jokanonike), një veprim që tregon besimin e pamasë në aftësinë dhe karakterin e Hafsasë. Vlefshmëria e mësimeve të grave nuk u dyshua kurrë nga sahabët për shkak të gjinisë së tyre ose nga ndonjë studiues i respektuar që nga ajo kohë.

Duke marrë parasysh mësimet e Islamit mbi barazinë themelore të burrave dhe grave, puna e Shejh Akramit nuk duhet të jetë befasuese. Pejgamberi ynë na mësoi se nuk ka ndonjë ndryshim në vlerë midis besimtarëve për shkak të gjinisë së tyre. Të dyja gjinitë kanë të njëjtat të drejta dhe detyra për të mësuar vetë dhe për të mësuar dikë – nga mësimi përmendësh dhe transmetimi i fjalëve të Kur’anit dhe Hadithit, deri në interpretimin e këtyre burimeve dhe dhënia e këshillave për shoqërinë muslimane përmes fetvave (opinioneve juridike). Gratë e kanë të njëjtën detyrë si burrat që ta inkurajojnë të mirën dhe ta frenojnë të keqen. Nga kjo rrjedh logjikisht pyetja se nëse ato nuk mund të bëhen studiuese dhe të jenë të afta të kuptojnë, interpretojnë dhe japin mësim, ato nuk mund të përmbushin detyrën e tyre si muslimane.

Nëse nënshtrimi i grave nuk është rezultat i mësimeve islame, atëherë pse ka shkelje kaq të mëdha të të drejtave të grave sot në botën muslimane? Reduktimi i gruas muslimane vetëm në rolin e nënës dhe shtëpiakes është një fenomen relativisht modern (a nuk e drejtoi Aishja r.a. një ushtri dhe a nuk e shmangu një krizë në Hudejbije Ummu Seleme?). Shkaku përfundimtar i këtij problemi të ndërlikuar dhe me shumë aspekte është debatuar shumë, por disa faktorë kontribuues ia vlen të gjurmohen këtu. Hegjemonia e qytetërimit perëndimor në botën moderne sjell me vete një pashmangshmëri që bota muslimane do të bie viktimë e dobësive të veta. Gratë kanë pasur gjithmonë një pozicion problematik në traditën judeo-kristiane. Shembulli më i qartë është tregimi biblik i rënies së Adamit dhe Evës nga kopshti (parajsa). Burimi i mëkatit fillestar të njerëzimit është vendosur në mënyrë ekstreme mbi Evën, e cila përfaqëson gjininë më të dobët në shëmbëlltyrë (dhembjet e lindjes së fëmijëve janë konsideruar tradicionalisht si shlyerje për këtë mëkat origjinal në besimin e krishterë).

Misogjinizmi u ndërkombëtarizua, siç përshkruan Aisha Bewley, shkrimtare dhe përkthyese e Kur’anit, nga autoritetet koloniale perëndimore që përjashtonin gratë nga mësimet në xhami dhe të merrnin role politike në shoqëritë muslimane që ata kolonizuan. “Thjerrëza përmes së cilës Perëndimi i shikonte gratë muslimane ishte tashmë një lajthitje – dhe e imponuar ose implantuar në mesin e muslimanëve. Ky këndvështrim gradualisht u bë një normë e vendosur”. Derisa kultura perëndimore teknologjikisht dhe shkencërisht u bëri përshtypje intelektualëve muslimanë, ata u rritën më shumë për vlerat që këto kultura sollën me vete.

Drejtimi i gishtit kah “Perëndimi” është një përgjigje e rehatshme për të gjithë, por është më e rëndësishmja ta kuptosh se fati i gruas muslimane nuk mund të ndahet nga fati i bashkësisë muslimane në tërësi. Tërheqja e gruas nga sfera publike është gjithashtu rezultat i frikës. “Pasiguria e tanishme kulturore e Islamit ka qenë e keqe si për dijen ashtu edhe për gratë e saj,” thotë Shejh Akram.“Traditat tona janë dobësuar dhe kur njerëzit janë të dobët, ata bëhen të matur. Kur janë të matur, ata nuk u japin grave lirinë e tyre.” Dëshira e burrit për të mbrojtur gratë ka kaluar në mbivlerësim, deri në pikën që ajo në fakt ka dëmtuar cilësinë e komuniteteve muslimane. Kur gratë e pakta që punojnë pa pushim fillojnë të përhapin marka ekstreme të feminizmit, rezultati është një rreth i keq dyshimesh, frike dhe shtypjeje. Zbulimi i 8.000 historive të fuqishme të studiueseve muslimane do të shkaktojë një mori reagimesh nga parti të ndryshme. Misogjinistet ka të ngjarë ta mohojnë atë dhe të përpiqen të ulin vërtetësinë e saj.

Feministet do të jenë të kënaqura që dikush ka bërë punën e palodhur për to. Megjithatë, mësimi më i mirë ka të ngjarë të gjendet në motivimin që qëndron pas shkrimit të tij. Shejh Akrami përpiqet t’i kthejë njerëzit në Islamin tradicional me qëllim të demonstrimit se Islami nuk është misogjinist dhe as studiuesit e hershëm meshkuj nuk kishin paragjykuar ndaj grave. Akuzat që studimi i tij inkurajon përzierjen e lirë dhe zbutjen e modestisë janë të pabaza. Këtu statusi i Shejh Akramit, si një alim i mësuar nga një institucion prestigjioz (Nadwatal Ulama në Lucknow, Indi), i cili ka studiuar Islamin në mënyrën tradicionale, e vendos atë në vend të mirë; studiuesit, përfshirë Shejh Jusuf Kardavi, kanë qenë më shumë se të gatshëm ta pranojnë studimin dhe gjetjet e tij.

Ironia e dijetareve femra të harruara është se ato e kaluan jetën në ndjekje të fakteve historike, ndërsa muslimanët e kanë harruar prej kohësh faktin e kontributit të tyre. Kritika historike është një parim themelor në Islam. Kur’ani urdhëron “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë mëkatar ju sjell ndonjë lajm, sqarojeni mirë, për të mos i bërë dëm ndokujt nga mosdijenia.”49:6) Të dyshosh dhe marrësh ne pyetje mllefin e mediave mbi Islamin nuk është thjesht një ide e mirë, por një detyrim fetar për muslimanët të kërkojnë nga e vërteta.

Pasi të kemi pranuar të dhënat e vërteta historike se gratë nuk janë nënshtruar nga Islami dhe kanë luajtur një rol që nga fillimi, ne gjithashtu duhet të ecim përpara. Islami nuk u zbulua si një grup doktrinash që përcaktonin të drejtat e grave, të drejtat e njeriut ose të drejtat e kafshëve. Islami na i jep të gjitha këto të drejta dhe detyra kur ne i pranojmë sinqerisht të vërtetat e Allahut. Besimi dhe joracionaliteti i ngathët na lejon të krijojmë një shoqëri ku të gjithë mund të kenë të drejtat e tyre të mbështetura përmes nënshtrimit të Fjalës së Tij dhe të dërguarve të Tij. Shekuj akuzash për misogjinizem janë internalizuar dhe janë shndërruar në realitet, duke bërë që vetë muslimanët të besojnë se Islami është i gabuar. Në një botë ku disa gra mbahen të mbyllura në shtëpitë e tyre, ndërsa të tjera po pretendojnë të bëhen presidente, hulumtimi i Shejh Akramit duhet të na paraqesë me pak besim në drejtësinë e Islamit. Jo sepse vërteton se Islami ka pasur shumë gra të dijshme – por ka pasur shumë dijetare të mëdha që kanë qenë gra.

(Mehrunisha Suleman & Afaaf Rajbee, The Lost Female Scholars of Islam, në: https://www.islamicity.org/9835/the-lost-female-scholars-of-islam/.)

E përktheu nga gjuha angleze dhe pajisi me shënime: I. Ibrahimi