` . Dhjetëra të afërm të ish-luftëtarëve të DAESH-it do të kthehen në Bosnje - TV-SHENJA

Dhjetëra të afërm të ish-luftëtarëve të DAESH-it do të kthehen në Bosnje

Gra dhe fëmijë të ish-luftëtarëve të grupit militant DAESH, të cilët janë shtetas të Bosnjës, do të kthehen në Bosnje këtë fundjavë, tha anëtari i presidencës së këtij vendi, Zhelko Komshiq.

Qindra qytetarë të Bosnjës besohet se kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar për Shtetin Islamik dhe shumë prej tani ndodhen në kampe paraburgimi, në pritje të kthimit në vendin e origjinës.

“Këtë javë pritet kthimi i 24 shtetasve të Bosnjës, gjegjësisht i grave dhe fëmijëve të ish-luftëtarëve në Siri. Ky është një veprim njerëzor. Këta janë njerëzit tanë që qëndruan atje”, u tha Komshiq gazetarëve gjatë një vizite në Slloveni.

Ai shtoi se disa fëmijë që do të kthehen janë jetimë dhe se autoritetet e Bosnjës i kanë bërë kontrollet e sigurisë për të gjithë të kthyerit.

Në tetor, ministri i Sigurisë në Bosnje tha se vendi i tij po përgatitej për kthimin dhe gjykimin e nëntë shtetasve të Bosnjës, të dyshuar për luftë në krah të DAESH-it në Siri.

Sipas kodit penal të Bosnjës, qytetarët që largohen për të luftuar në luftëra të huaja, duhet të ndiqen penalisht nën akuzat për terrorizëm.

DAESH-i e humbi kontrollin e të gjitha territoreve në Siri në mars të këtij viti dhe shumë militantë të tij besohet se ndodhen tani në burgje në veri të Sirisë.