Deputeti i VMRO-së pretendon se drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare është “në xhepin e Serbisë”?!

Deputeti i VMRO-së pretendon se drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare është “në xhepin e Serbisë”?!

Deputeti nga radhët VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki, në profilin e tij në Facebook, ka publikuar një tekst nga WikiLeaks, ku shkruhet se drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Viktor Dimovski, ka qenë “burim i besueshëm në vitin 2001”, por se ka pasur zëra se ai është “në xhepin e Serbisë”.

Deputeti Kovaçki ka deklaruar se këtë person, kryeministri Kovaçevski e mban ende në detyrë edhe pasi deputetët e VMRO-DPMNE-së kërkuan përgjegjësinë prej tij për rastin e dhënies së shtetësisë për oligargun prorus.

“A është kjo Agjencia e reformuar e drejtuar nga një drejtor që mendon se është mbi të zgjedhurit e popullit dhe detyra kryesore e të cilit është të punojë kundër opozitës? Kush i dha të drejtë drejtorit të merrej me politikë dhe të bënte thashetheme për deputetë në një konferencë shtypi?, pyet Kovaçki.

Deputeti kritikon qëndrimin e kryeministrit “sikur asgjë s’ka ndodhur” dhe i kërkon atij llogari përse lejon që shteti të humbasë edhe më shumë reputacionin e tij ndërkombëtar. Kovaçki i kërkoi kryeministrit që menjëherë të shkarkohet drejtori Dimovski, si dhe të kërkohet përgjegjësi për punën e tij. /SHENJA/