` . Departmenti i Drejtësisë nuk zbulon asnjë provë të mashtrimit që do të ndryshonte humbjen e Trumpit - TV SHENJA

Departmenti i Drejtësisë nuk zbulon asnjë provë të mashtrimit që do të ndryshonte humbjen e Trumpit

Prokurori i përgjithshëm i SHBA-ve, William Barr, ka deklaruar se nuk ka asnjë provë të gjerë të mashtrimit të votuesve në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit që mund të ndryshojë fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Deri më sot, ne nuk kemi parë mashtrim në një shkallë që mund të ketë ndikuar në një rezultat tjetër në zgjedhje”, tha Barr në një intervistë për Associated Press.

Barr tha se përfaqësuesit ligjor të SHBA-ve dhe agjentët e FBI-së nuk kanë zbuluar ndonjë provë që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve, duke shtuar se autoritetet kanë marrë në shqyrtim ankesat dhe informacionin.

Komentet e tij janë në kundërshtim me presidentin në largim të SHBA-ve.

Barr u pa duke hyrë në Shtëpinë e Bardhë menjëherë pasi Associated Press publikoi intervistën, megjithëse asnjë takim nuk ishte paraparë në orarin publik të presidentit.

Trump dhe ekipi i tij ligjor në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar të portretizojnë zgjedhjet si të manipuluara, por nuk kanë arritur të mbështesin pretendimet me prova.