Dëmtimi i pësuar në stërvitje, ylli i Realit mungon në dy ndeshjet e radhës

Dëmtimi i pësuar në stërvitje, ylli i Realit mungon në dy ndeshjet e radhës

Karim Benzema pësoi një tërheqje muskulore në seancën stërvitore të së premtes përpara duelit shtëpiak ndaj Sevillas së Sampaolit. Kapiteni i Realit të Madridit dhe Topi i Artë 2022, i është nënshtruar mëngjesin e sotëm kontrolleve mjekësore.

“Pas testeve të bëra sot tek Karim Benzema është konstatuar lodhje muskulore në kuadricepsin e këmbës së majtë”, thuhet në raportin mjekësor të klubit spanjoll në lidhje me sulmuesin 34-vjeçar, i cili realizoi një nga golat në suksesin e fundit 0-3 në Elche.

Benzema humbet në këtë mënyrë sfidën e mbrëmjes së sotme dhe transfertën ndaj Leipzigut në Champions League, të martën e ardhshme. Carlo Ancelotti shpreson ta ketë të gatshëm goleadorin e skuadrës për takimin e 30 tetorit kundër Gironas në La Liga.

Reali kryeson kampionatin spanjoll me 28 pikë të grumbulluara në dhjetë javë kampionat. “Los Blancos” përballen sonte me Sevillan në kryeqytet.