` . Demografia si shkas, familja si zgjidhje - TV SHENJA

Demografia si shkas, familja si zgjidhje

Editorial i Revistës Shenja

Shkruan: Ismail SINANI

Projeksionet për këtë fundshekull, për pjesën e asaj që veten e quan qytetërim europian (perëndimor) të filluar pas periudhës së industrializimit dhe Revolucionit Francez, për promovuesit e neoliberalizmit ekstrem, për ata që prej disa dekadash po e përgatitin njeriun të jetë “i shlirë” jashtë “prangave familjare”, që martesën e sheh si demode, që gjykon se njeriu ka të drejtë të orientohet nga të dojë(!?), që gjykon se fëmija është barrë që e pengon ndërtimin e karrierës, që konsideron se të mjafton të ndjehesh i lumtur pa treguar qartë se çfarë nënkupton lumturia, janë ogurzeza.

Pjesa e globit e zhytur në këtë “ide” dhe në këtë “mentalitet”, në fund të këtij shekulli pritet ta pësojë keq, shumë keq, shumëshumë keq! Statistikat demografike tregojnë se të ndikuarit nga ky “qytetërim” do të humbasin rreth gjysmën e popullsisë, përjashtuar SHBA-në, e cila që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e këndej ka ndërtuar politika të fuqishme demografike. “Ideologjitë e mëdha politike të shekullit të njëzetë përfshijnë liberalizmin, socializmin, anarkizmin, fashizmin dhe demokracinë kristiane. Të gjitha kanë një gjë të përbashkët: janë produkte të qytetërimit perëndimor. Asnjë qytetërim tjetër nuk ka prodhuar ndonjë ideologji politike të rëndësishme”, thotë Samuel P. Huntington në librin e tij “Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror”.

Kur i shikon statistikat dhe projeksionet e fundshekullit, shihet shumë qartë se përqafuesit fanatikë të këtyre vlerave nuk kanë fare të ardhme të ndritur pas 70-80 vjetësh. Thjesht, me këto dinamika demografike, te “përqafuesit e këtyre ideologjive” nuk do të ketë kush të punojë që të mbahet shoqëria “gjallë”. Pra, nëse shkalla e vdekshmërisë në këtë pjesë të globit sot është mes 73 dhe 86 vjeç, në fund të shekullit pritet të jetë mes 86 dhe 94 vjeç!

Pse e gjithë kjo statistikë?Maqedonia e Veriut dhe regjistrimi i popullsisë aty është si shkas. Prej më se një shekulli, që kur kanë përfunduar dy luftërat ballkanike, Serbia në çdo mënyrë është përpjekur të luajë me shifrat e shqiptarëve të këtij nënqielli. Kjo ka vazhduar kështu deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur “bajrakun” e këtij shteti e marrin maqedonasit etnikë, për të parën herë në historinë e tyre moderne të kombformimit, çfarëdo qoftë ajo. Të ndikuar nga “shkolla e Beogradit” edhe “këta të rinjtë” fillojnë të zbatojnë politika antinjerëzore ndaj shqiptarëve. Herë i shndërrojnë në etni të tjera, herë i detyrojnë të largohen, herë nuk i numërojnë… me një qëllim të vetëm – rezultati i tyre demografik të dalë sa më i keq!

Dhe, kjo vazhdon kështu deri në shpartallimin e Jugosllavisë. Më pas lindin një mori problemesh. Shqiptarët nuk i pranojnë rezultatet, refuzojnë të marrin pjesë, bëjnë regjistrim paralel, i zbulojnë statistikat e vërteta dhe, në fund, përafërsisht konstatohet se numri i shqiptarëve është mbi 30 për qind, e assesi siç na kanë thënë prej 30 vitesh, se jemi rreth 25 për qind e më pak. Fillon regjistrimi, diaspora e fillon procesin e regjistrimit masiv dhe, siç edhe pritej, liderët maqedonas, Zaev (LSDM në pushtet) dhe Mickovski (VMRO në opozitë), bien në ujdi që ai të prolongohet për disa muaj, e në fakt sipas të gjitha gjasave të bëhet anulimi i plotë i tij. Pra, përkundër divergjencave të mëdha politike që i kanë mes vete, ata bashkohen në një çështje për ta,të karakterit etnik, për fshehjen e numrit të vërtetë të shqiptarëve.

Shikuar në mikro-plan, kjo është çështje e dhimbshme. Shikuar në makro-plan, duke e ndërlidhur me atë që u tha më lart, kjo çështje është shumë e dhimbshme. Shikuar në projeksionet që parashihen për Maqedoninë e Veriut në fund të shekullit, në të cilat thuhet se ky vend në total do të numërojë rreth 1.3 milionë banorë, atëherë kjo çështje është katastrofë më vete për maqedonasit etnikë, sepse në përkthim kjo i bie se në këtë pjesë të globit dhe gjithandej nëpër botë, do të jetuakan vetëm 500 mijë maqedonas etnikë.Natyrisht, edhe numri i shqiptarëve paralelisht do të bie, por me siguri jo kaq poshtë. Gjithsesi i gjithë ky projeksion është bërë në këto konstelacione gjeografike dhe të demarkacionit kufitar, ngase nuk dihet se çfarë sjellë e nesërmja, se çfarë shtetesh mund të krijohen.

Cila është zgjidhja? Zgjidhja nuk është te numërimi si proces statistikor, sa të vetëdijesimi për nevojën e ekzistimit të familjes.

A kemi mundësi ne si shqiptarë ta ndryshojmë botën? Jo. A mund ta mbrojmë veten?Edhe po edhe jo. Pse po? Për shkak se te shqiptarët familja ka qenë mbi gjithçka dhe vetëmduhet të bëhemi pak më fanatikë dhe ta duam tonën, të jemi autentikë. Pse jo? Për shkak se edhe ne ndikohemi nga “kulturat” që nuk e duan familjen.

E nëse ndodhë e dyta? Atëherë edhe ne do të bëhemi viktimë sikurse të gjithë të tjerët në këtë kontinent.

E pastaj? Pastaj vijnë të tjerët dhe e popullojnë këtë vend. Zaten projeksionet parashohin rritje enorme të numrit të popullsisë në Afrikë dhe Azi, tek ata që kanë qëndruar larg “ideve moderne neoliberale”.

Me një fjalë, inati i dhive ballkanike, në këtë rast i atyre që nuk e duan numrin e saktë të shqiptarëve, me këtë ritëm, pas disa dekadash, pritet të përfundojë në gojë të luanit, e jo të ujkut.