` . “Demarkimi” i kufirit mes mjaftueshmërisë dhe kënaqësisë - TV SHENJA

“Demarkimi” i kufirit mes mjaftueshmërisë dhe kënaqësisë

Për t’u mjaftuar njeriu veç me nivelin e mjaftueshmërisë i ngjason krijesave të tjera, duhet ta synojë kënaqësinë. Kënaqësia është diç fluide, që varion nga individi në individ. Gjersa, mjaftueshmëria është permanente, jo vetëm te njerëzit, por edhe krijesat mbarë.

Shkruan: Ilaz HAJRA – LUMI, Vushtrri

Shpeshherë këto dy koncepte, mjaftueshmëria dhe kënaqësia, janë ngatërruar, edhe pse pashkoqitshëm janë të lidhura jo në pak raste: njëra nuk nënkupton tjetrën, as e para nuk është sinonim i të dytës. Kjo ndarje daton hershëm si teori, e edhe më herët si përjetim, ndjenjë, e kështu me radhë. Gjurmët e para të një diferencimi si ky i gjejmë te hedonizmi si drejtim filozofik në kuadër të disiplinës së Etikës, sipas të cilit qëllimi dhe motivi i veprimeve morale është kënaqësia (greq. hedone – kënaqësi). Edhe në pikëndarjet mes religjionit dhe filozofisë, Murtezai (2004) thotë: “Filozofia kurrë nuk është e kënaqur me veten e vet, kurse religjioni kurrë nuk është i kënaqur me të pakënaqurit.”

Në anën tjetër Masloui në teorinë e tij, i rendit nevojat në hierarki, ku nevojën psikologjike e ekzistenciale ia atribuon mjaftueshmërisë, ndërsa nevojën e dashurisë dhe përkatësisë, respektit dhe vetaktualizimit sikur ia atribuon kënaqësisë. Teoria ekziston për faktin se njeriu nuk mund ta shpjegojë atë gjendje derisa t’i ndodhë, ndaj i duhet një teori që e sqaron këtë, ashtu që më pas ta dijë se çfarë i ka ngjarë.

Pra, mjaftueshmëria ka të bëjë me trupin, fizikun, të jashtmen, konkreten, ekzistencën, materiale, e mangët. Kënaqësia është gjendje shpirtërore, e brendshme, abstrakte, ideale, perfekte. Mjaftueshmëria, nganjëherë, shkakton kënaqësi, që është afatshkurtre, derisa kënaqësia në të shumtën e herëve i mbushë boshllëqet e pamjaftueshme, raste-raste edhe të paarrira, afatgjate. Kënaqësia me një fjalë është prehje, qetësim. Mjaftueshmëria është kërkim deri në “ngopje”.

Këtë koncept e sqaron edhe hadithi profetik: “Kush zgjohet duke qenë i sigurt në shtëpinë e tij, i shëndoshë në trupin e tij dhe duke pasur ushqim për atë ditë, është për të sikur t’i dhuroheshin të mirat e dynjasë” (Tirmidhiu). Ky hadith përkon me nocionin mjaftueshmëri. Thënia tjetër profetike, që nënvizon termin kënaqësi, është: “Jam i kënaqur që Zoti im është Allahu, feja ime është Islami dhe i Dërguari im është Muhamedi (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të)” (Muslimi, Ahmedi, Nesaiu).

Një njeri mund të jetë i mjaftueshëm, por jo i kënaqur. Mjaftueshmëria është më shumë çështje epshi. Ajo u ngjason krijesave të tjera. Kënaqësia i takon njeriut. Me fjalë të tjera, për t’u mjaftuar njeriu veç me nivelin e mjaftueshmërisë, ai u ngjason krijesave të tjera. Prandja duhet ta synojë kënaqësinë. Kënaqësia është diç fluide, që varon nga individi në individ. Ndërkaq, mjaftueshmëria është permanente, jo vetëm te njerëzit, por edhe te krijesat mbarë. Mjaftueshmëria kthehet lehtë në shprehi, gjë që nuk ndodhë me kënaqësinë.

Konkluzioni i kësaj është se këto nocione kanë një kufi ndarës kur përdoren në tekst e kontekst – demarkimi i këtij kufiri qe tejet i rrezikshëm dhe fatal për humanen. Për ta kuptuar më drejt, dikush mund të posedojë një send ose e arrin atë dhe kjo ngelet në stadin e mjaftueshmërisë nëse ai nuk kënaqet me pronën. Mjaftueshmëri: pronari e ka pronën, pushtetari e ka postin. Kënaqësia: pronari dhe pushtetari kënaqet me atë që e ka. Mungesa e mjaftueshmërisë e cenon materialen, ndërsa mosprania e kënaqësisë e rrezikon idealen. Këto dy çështje janë bërë procese e dukuri rutinë. Kuptimësia e këtyre nocioneve vërehet edhe po sa ta lexojmë fjalorin, në të cilin i hasim këto nuanca dallimi në përkufizime:

“Kënaqësi – ndjenjë gëzimi e lumturie, që e ka njeriu kur i plotësohet një dëshirë ose një kërkesë; ndjenjë gëzimi e lumturie, që i jep njeriut puna që bën, një shpërblim moral etj.; ndjenja që e përjeton njeriu kur kënaqet; të qenët i kënaqur. Kënaqësi e madhe. Kënaqësi e brendshme (shpirtërore). Ndiej (kam) kënaqësi. Shpreh kënaqësinë. Sa kënaqësi. Gjej kënaqësi. Më jep (më sjell) kënaqësi. Pres (pranoj) me kënaqësi, pres me gjithë qejf. Kam kënaqësinë t`ju njoftoj se… zyrtarisht ju njoftoj me gëzim se …

Mjaftueshmëri – që mjafton për të përmbushur nevojat ose kërkesat: që është aq sa duhet; që del, që arrin. Sasi e mjaftueshme. Ushqime të mjaftueshme. Njohuri të mjaftueshme. Ka të ardhura të mjaftueshme. Nuk është i mjaftueshëm.