` . Delikatesa e heshtjes - TV-SHENJA

Delikatesa e heshtjes

Ai që nuk di të hesht, bën të njëjtën gjë me jetën e tij si dikush që do të donte thjesht ta nxjerr ajrin dhe mos ta thithë atë. Mjafton vetëm ta imagjinojmë atë, për t’u frikësuar menjëherë. Ai që nuk hesht kurrë, njerëzishmëria e tij shpërbëhet.

Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

Njeriu modern është mbytur në zhurmë, në mori fjalësh dhe imazhesh. Ai e shurdhon thirrjen e heshtjes, tërhiqet para fjalimit të saj. Për të vetmia është sinonim i shkatërrimit, e jo një kohë kur ai mund të takohet më intensivisht veten. Vlera e heshtjes është e madhe, është e nevojshme si ajri, dielli dhe nxehtësia që na ngrohin. Në heshtjen e zemrës që lutet ose është në qetësi, njeriu këndon ose qan, ka frikë ose shpresë. Aty mund të gjejë një dritë që ndriçon, që të kuptojë më mirë shumë gjëra, njerëz e ngjarje, që mund ta takojnë me veten. Heshtja është ilaçi më i mirë për imunitetin nga imazhet e zhurmshme dhe lloj-lloj mendimesh që na bombardojnë çdo ditë. Sufinjtë e mëdhenj, si Mevlana, u bëjnë thirrje ndjekësve të tyre që “ta lajnë shpirtin e tyre në heshtje”. Zoti është një mik i heshtjes dhe kjo është arsyeja pse etja për Zotin është më e fortë në heshtje. Në heshtje zbulohet misteri, ndjehen afërsia dhe aroma e veçantë e Zotit.

Ndonjëherë vetëm një moment heshtjeje mjafton për t’i rizbuluar bukuritë e jetës. Jeta lind në heshtje, por edhe njeriu vdes në heshtje. Bukuria, po ashtu, takohet në heshtje. Pa heshtje, jeta e njeriut është e pakonceptueshme: ajo e inkurajon të menduarit, në të linden veprat më të mëdha të artit, aty zbulohen sekretet më të mëdha të natyrës.

Prandaj, është e rëndësishme të duam heshtjen. Të heshtësh në vetvete është përulësi; të heshtësh para të tjerëve është një veprim respekti; të heshtësh në momente të rëndësishme – kjo është mençuria e jetës, të heshtësh edhe kur gjithçka shkon keq – ku është durimi. Njeriu, nga njëra anë, shpëton nga heshtja dhe, nga ana tjetër, e dëshiron thellë heshtjen. Heshtja është mësuesi i jetës, shija e thellësisë, paqes, gëzimit e qetësisë. Heshtja është vendi ku përjetimi shpirtëror vjen për të na takuar dhe, ndonjëherë, mënyra e vetme që mund ta kuptojmë Zotin. Asgjë e madhe dhe vendimtare në jetë nuk ndodh në zhurmë, por në heshtje dhe qetësi. “Njohja e vërtetë vjen vetëm në heshtje”, thotë Romano Guardini. Prandaj, për të qenë në gjendje të takohemi vërtet, të jemi në gjendje të ndiejmë afërsinë e Zotit, le të gjejmë kohë të heshtim. Hapi i parë që duhet të bëjmë është ta neutralizojmë gjithë atë zhurmë të fortë që na rrethon çdo ditë. Le të mbajmë brenda vetes “manifestimin e të bukurës”, në të cilën do të jemi autentikë, të pandryshuar, të lirë, të pavarur.

Ka të drejtë Eckhart Tolle (Stellnes Speaks) kur thotë: “Ekuivalenti i zhurmës së jashtme është zhurma e brendshme e mendimit. Ekuivalenti i heshtjes së jashtme është heshtja e brendshme. Kurdoherë që ka heshtje rreth jush – dëgjojeni. Kjo do të thotë “vini re atë!” Kushtojini vëmendje asaj. Dëgjimi i heshtjes zgjon një dimension të qetësisë brenda jush, sepse vetëm përmes heshtjes mund të bëheni të vetëdijshëm për heshtjen. Kuptoni se në momentin që e vini re heshtjen përreth jush, nuk po mendoni. Ju jeni të vetëdijshëm jo ​​duke menduar. Kur bëheni të vetëdijshëm për heshtjen, menjëherë zgjohet një gjendje qetësie e brendshme. Bëhesh prezent. Me këtë ju jeni larguar nga mijëra vjet kondicionim kolektiv njerëzor. Shikoni pemën, lulen, barin. Lejoni që ata të përqafohen nga vetëdija juaj. Sa të qetë janë, sa të rrënjosur në Qenie. Lëreni natyrën t’ju mësojë qetësi. Kur shikoni një pemë dhe e vëreni qetësinë e saj, ju vetë bëheni të qetë. Ju jeni të lidhur me të në një nivel shumë të thellë. Ju ndiheni unik me gjithçka që e perceptoni në qetësi dhe me qetësi. Ndjenja e unitetit me të gjitha gjërat është dashuri e vërtetë. Heshtja e jashtme ndihmon, por nuk është e nevojshme të gjesh qetësinë e brendshme. Edhe kur atmosfera është e zhurmshme përreth jush, mund të jeni të vetëdijshëm për heshtjen që qëndron nën atë zhurmë, atë hapësirë ​​ku bëhet zhurma. Ajo është hapësirë ​​e brendshme e prezencës së pastër, e vetëdijes. Ju mund të bëheni të vetëdijshëm për praninë si bazë themelore e gjithë perceptimit tuaj shqisor dhe të gjithë mendimit tuaj. Kur të bëheni të vetëdijshëm për praninë, do të mbingarkoheni nga heshtja e brendshme. Çdo tingull irritues mund të jetë po aq i dobishëm sa heshtja. Si? Duke e lënë të kalojë gardhin tënd të brendshëm, duke e lejuar atë të bëhet ajo që është – që pranimi të shpie edhe në sferën e asaj paqeje të brendshme, që është heshtja.

Ai që nuk di të hesht, bën të njëjtën gjë me jetën e tij si dikush që do të donte thjesht ta nxjerr ajrin dhe mos ta thithë atë. Mjafton vetëm ta imagjinojmë atë, për t’u frikësuar menjëherë. Ai që nuk hesht kurrë, njerëzishmëria e tij shpërbëhet. Kur ai flet, të brendshmet e një personi dalin në dritë. Çfarë mendoj, ndjej, synoj, së pari e di. Unë thjesht e kthej në një fjalë,ajo  bëhet e qartë, qëndron në hapësirën midis meje që e thotë atë dhe atë që e dëgjon. Duke bërë kështu, unë i jap dëgjuesit një pjesë në ato që i kam brenda. Disa konflikte zgjidhen me fjalën që bëhet publike. Por, ka edhe përvoja që nuk përkasin këtu. Nëse dikush ka bërë diçka bujare ose të shkëlqyeshme, ai e di saktësisht: nëse ai e thotë atë, ndahet prej saj. Kështu që ai e fsheh në heshtje dhe atje e ka për vete. Dhe, nëse në ndonjë moment të vështirë ai duhet ta pyesë veten nëse jeta ka kuptim, atëherë heshtja shfaqet dhe e justifikon jetën e tij, thotë Romano Guardini.

Për fat të keq, ne jetojmë në një shoqëri hipnotike të spektaklit, dua të them “verbëri shpirtërore dhe morale”, kjo si pasojë e indoktrinimit global me vlera zëvendësuese në shoqërinë postmoderne. Të hipnotizuar nuk janë vetëm individë, por edhe familje të tëra, ekranet e vogla të të cilëve janë zëvendësuar nga jeta shoqërore. Në komunitete të tilla të hipnotizuara njerëzit jetojnë pranë njëri-tjetrit, por jo me njëri-tjetrin. Njerëzit e hipnotizuar janë të palëvizshëm nga shoqëria. Ata veprojnë si një “turmë e vetmuar” me strucët sociale, të cilëve u mungon guximi, vendosmëria dhe forca e shpirtit. Njerëzit sot, nën ndikimin e kulturës moderne dhe mediave, janë bërë mërgimtarë, e jo protagonistë të jetës së tyre. Ata e jetojnë jetën e tyre diku në gjysmë të rrugës midis botës reale dhe asaj virtuale, natyrore dhe digjitale, në prag të humbjes plotësisht dhe jetës së njerëzve të tjerë. Jemi të mbingarkuar me informacione, reklama dhe mashtrime nga të gjitha palët. Informacioni i tepërt çon në një kulturë të harresës dhe një kult të sipërfaqësisë.

Shoqëria e spektaklit bazohet në realitetin artificial, simulacrum. Spektakli bëhet forca kryesore shoqërore në riformatimin e vetëdijes së individit dhe shoqërisë. Media krijon hiper-realitet, duke e zëvendësuar realitetin me shenja të realitetit, siç thekson filozofi francez Jean Baudrillard. Hiper-realiteti i sjellë nga revolucioni digjital, sado tërheqës, nuk do të jetë në gjendje ta plotësojë urinë parësore të njeriut për kuptim. Gjithnjë e më shumë qytetarë, politikanë dhe kompani po i përdorin shërbimet e agjencive PR për ta hekurosur imazhin dhe për t’i paraqitur më mirë shërbimet ose produktet e tyre. Nuk është më e rëndësishme ajo që paraqitet, por si paraqitet ajo. Për ta lehtësuar stresin dhe për ta shpëtuar nga shqetësimet dhe problemet e përditshme, njerëzit janë në kërkim të argëtimit si lëndë djegëse për ta mbushur përkohësisht boshllëkun e tyre.

Sa u përket mediave, fuqia e manipulimit pasqyrohet në dikotominë midis fakteve dhe lajmeve që portretizohen. Një ngjarje mund të interpretohet në njëqind mënyra. Edhe gazetarët, sado që përpiqen, nuk mund të dinë gjithçka. Ata shpesh spekulojnë dhe nxjerrin përfundime të gabuara në kolona dhe komente. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që gazetarët të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre shoqëror. Ata nuk janë atje për të parashikuar të ardhmen tonë, por për të qenë lajmëtarë të së vërtetës dhe të informacionit në kohë. Është mirë që ata të paralajmërojnë për probleme specifike dhe ta sensibilizojnë publikun kur është e nevojshme të ndihmosh dikë ose të paralajmërosh për një problem. Për ta shëruar shoqërinë tonë, na duhet qytetari e vetëdijshme, e jo hipnotike. Ne gjithashtu kemi nevojë për gazetarë të ndërgjegjshëm dhe të paanshëm, të cilët do të dinë t’i rezistojnë presionit politik dhe manipulimit, duke përhapur një kulturë dialogu dhe pluralizmi, por edhe një kulturë të heshtjes.

Konsumatorizmi i pakontrolluar i bën njerëzit të bëhen egocentrikë, indiferentë ndaj nevojave të të tjerëve, dhe të përqendruar vetëm në mirëqenie, kënaqësi. Shoqëria e tregut, siç thotë Pascal Bruckner-i, shënohet nga monetarizimi progresiv i sjelljes njerëzore dhe logjika e lakmisë. Po zhvillohet një fe e ,tregut në të cilën qendrat tregtare janë faltore dhe blerja është një përvojë fetare – lutje. Blerja është pjesë e një rituali që kërkon ta evitojë marrëzinë. Njeriu blen edhe pse nuk ka fonde të mjaftueshme, sepse është i uritur shpirtërisht dhe i etur. Njeriu gjithnjë e më shumë u bë një konsumator dhe gjithnjë e më pak një prodhues. U bë më shumë një mall me një çmim dhe një etiketë sesa një qenie shpirtërore me qëllim të përjetësisë. Në një shëtitje virtuale një njeri humb kohë dhe vite, duke mos ditur se nuk po jeton, por po ëndërron. Është interesante që më nuk flitet për liri dhe një shoqëri pa kufij, madje si duket kurrë nuk kemi qenë më tepër nën mbikëqyrje dhe terror të sigurisë sesa tash. Çdo qytetar ka një “kredi shoqërore” që e mat sjelljen e tij në varësi të asaj se sa u përmbahet rregullave të përditshme.

Ideologjia shpenzuese e shoqërisë postmoderne ndikon fuqimisht në kulturën e të jetuarit. Ajo i formëson zakonet tona dhe ndikon në sistemin e vlerës. Është duke u bërë gjithnjë e më e rëndësishme “të kesh” dhe jo “të jesh”. Shoqëria e spektaklit prodhon një gjeneratë infantile vetëshkrepëse, që nuk di se si të përballet me sfidat gjithnjë e më të kërkuara të jetës. Një njeri i hipnotizuar është një njeri i bllokuar, i cili në mungesë të reflektimit kritik mbi realitetin, është gjithnjë e më pak i gatshëm t’u rezistojë manipulimeve kolektive dhe demagogjisë. Dhe, ata gjithnjë e më shumë po lulëzojnë dhe po e mbytin horizontin tonë të lirisë. Për konsumatorin Leviathan, që gllabëron dhe dëshiron t’i kapë të gjitha poret e subjektivitetit tonë, më të rrezikshmit janë njerëzit shpirtërorë, të heshtur, sepse janë të pakorruptueshëm dhe, për këtë arsye, të paparashikueshëm. Kur themi shpirtëri, nuk e kemi fjalën për fetarë nominalë ose anëtarë të një feje të veçantë, por mendojmë për individë që, me fuqinë e shpirtit, dinë të ngrihen mbi koruben shoqërore dhe morale. Njerëzit që ndjekin me këmbëngulje tendencat e bllokuara në matricën e konsumatorizmit janë në tension të vazhdueshëm ndërmjet asaj që ata duan ta zotërojnë dhe asaj që nuk mund të arrijnë. Pavarësisht se sa shumë përpiqen të jenë më të mirë, ata kurrë nuk do t’i arrijnë idhujt e tyre, të cilët, si rregull, janë antiheronj të rendit të ri shoqëror. Yjet dhe idhujt e gjeneratës së sotme vetëshkrepëse janë kryesisht jovertebrorë sociale dhe fryrje morale, që do t’i shesin shpirtrat e tyre te djalli për pesë minuta lavdi. Paraja është mënyra e tyre e vetme e shpëtimit, andaj për shkak të një grushti lekësh ata janë të gatshëm të shkelin kufomat.

Revolucioni digjital ka sjellë shumë përfitime, por gjithashtu na ka futur në një epokë të re teknohumaniste. Disa autorë, si Yuval N. Harari, me të drejtë pyesin nëse do të vijë një kohë kur njeriu do të shpallet një algoritëm i tepërt? Unë nuk mendoj kështu, sepse paralelisht me këto parashikime të kobshme ekziston një vetëdije në rritje e mundësive dhe ndryshimeve alternative. Nëse duam ta shpëtojmë veten dhe planetin, duhet të kthehemi në anën tjetër. Na duhet një revolucion shpirtëror. Të gjithë kemi nevojë për heshtjen, skajimin nga shpenzimi, shikimin në brendinë tonë, pra për transformim shpirtëror, si ata që besojnë, ashtu edhe ata që nuk besojnë.

Pikërisht për këtë them që heshtja është një dhuratë e Zotit, që shumica prej nesh e ka humbur. Heshtja është një kategori e shenjtë dhe thelbi i shenjtërisë së saj rrjedh nga ana tjetër. Duke folur për jetën e Pejgamberit Zekerija, Kurani e thekson heshtjen si një shenjë nga Zoti: “Zoti im, tha, më jep një shenjë! Shenja do të jetë që nuk do të flasësh me njerëz për tri net… ( Merjem, 10-11).

Mevlana Xhelaluddin Rumiu në Mesnevi na këshillon :

Zoti i pati thënë Zekerijas si shenjë arritjeje dëshire:

Nuk do të flasësh dot kurrsesi gjatë tri ditëve…

 

Lëri të mirë e të keqe gjer në tri net;

Kjo heshtje është shenjë se do të lindë Jahjai vetë…

 

Tri ditë mos hap gojën për fjalë, se kjo heshtje

Është për realizimin e dëshirës tënde, shenjë…

 

Kujdes, mos trego për këtë shenjë me fjalë;

Mbaje fshehur në zemër këtë fjalë…

 

——

 

Në këtë dehje ti je mjaft larg dehjes së plotë;

Nga kënaqësia e mangët s’e ndjen kënaqësinë e vërtetë!

 

Thashethemet e botës së dukshme janë si pluhur.

Mblidh mendtë në kokë e rri pak i heshtur…

——————

Sepse ti je vesh, ai është gjuhë, do të flasë;

Zoti u çoi veshëve urdhrin: “Heshtni!”

—————–

Kur sorrat ngrenë çadra në kopshte në janar,

Bilbilat heshtin të fshehur, të pafjalë…