` . Delegacioni i nivelit të lartë të Ministrisë së Arsimit të Turqisë viziton Fondacionin “ALSAR” - TV SHENJA

Delegacioni i nivelit të lartë të Ministrisë së Arsimit të Turqisë viziton Fondacionin “ALSAR”

Një delegacion turk i përbërë nga z. Mahmut Özer, zëvendësministër i Arsimit, znj. Burcu Eyisoy Dalkıran, drejtoreshë e përgjithshme për Bashkimin Europian dhe Marrëdhëniet me Jashtë, dhe Mehmet Ali Akdağ, shef i Departamentit të Marrëdhënieve Dypalëshe të Drejtorisë së Përgjithshme për Bashkimin Europian dhe Marrëdhëniet me Jashtë, bënë këtë të shtunë, më 27 mars, një vizitë në Fondacionin “ALSAR”. Ata shoqëroheshin në këtë vizitë nga atasheu për arsimin në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Metin Bulut.
Delegacionin e priti kryetari i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra, i cili u uroi miqve mirëseardhjen. Atmosferën e bënë festive një grup nxënësish, ndjekës të kurseve të gjuhës turke të Fondacionit “ALSAR”, pjesëmarrës dhe në një ceremoni dhënie çmimesh për pesë prej tyre, fitues të konkursit për materialet e shkruara më të arrira artistikisht.
Pas këtij aktiviteti që la mbresa te mysafirët, pasoi një bisedë e ngrohtë në zyrën e kryetarit të Fondacionit “ALSAR”. Z. Mehdi Gurra u parashtroi një sërë kërkesash pjesëtarëve të delegacionit, të gjitha kontribuese në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në thellimin akoma më tepër të tyre në sferën arsimore.
Në të parën prej tyre theksohej se veç studimeve në shkollat e larta në Turqi me bursat e YÖK-ut dhe të YTB-së, dhe në ato për imam-hatip me bursat e DİYANET-it, nxënësve nga Shqipëria u duhej mundësuar dhe studimi në shkollat e mesme të përgjithshme dhe profesionale turke.
E dyta, ashtu si në Turqi, të mundësohet në koordinim me Ministrinë e Arsimit të Turqisë organizimi i kurseve profesionale për jetimët e regjistruar në Fondacionin “ALSAR”, për t’u dhënë mundësi atyre që me njohuritë e fituara të ngrejnë një punë të tyre dhe në këtë mënyrë të përballojnë përditshmërinë.
Për kurset e gjuhës turke të hapura prej vitesh në Kukës dhe Konispol nga Fondacioni “ALSAR” të dërgohet prej Ministrisë turke të Arsimit personel mësimdhënës me qëndrim të vazhdueshëm në këto qytete. Kurse të gjuhës turke shihet e arsyeshme të hapen dhe në Borsh.
U kërkua dhe bazë materiale didaktike për shkollën e mesme të përgjithshme në Borsh, ndihmuar dhe më herët nga Fondacioni “ALSAR”, por dhe më në përgjithësi, për shkolla të tjera publike në Shqipëri që vuajnë nga mungesa e mjeteve didaktike.
Një pikë tjetër e parashtruar ishte kërkesa për t’u mundësuar ndjekësve të kurseve të gjuhës turke në Kukës dhe Konispol një vizitë turistike në Turqi, për t’u njohur me këtë vend dhe për ta ushtruar për pak kohë gjuhën e mësuar.
Z. Mehdi Gurra shtroi dhe një çështje të rëndësishme, e cila duhet parë më vëmendje nga pala turke. Ndërkohë që turqishtja e përdorur në aktivitetin shtetëror në Turqi po pasurohet me elemente të osmanishtes, tekstet e përdorura për mësimdhënien e turqishtes nuk e bartin këtë pasurim, por u mundësojnë të interesuarve vetëm mësimin e një turqishteje “të lehtë”. Pasojat e këtij hendeku janë vënë re herë-herë në paaftësinë e përkthyesve për të dhënë në shqip formulime të turqishtes me elemente të osmanishtes, të përdorura rëndom në ditët e sotme nga zyrtarët më të lartë turq.
Delegacioni u largua nga mjediset e Fondacionit “ALSAR” me përshtypjet më të mira.