` . Delaney: Rrethoja për Eriksenin ishte për ta mbrojtur familjen e tij - TV SHENJA

Delaney: Rrethoja për Eriksenin ishte për ta mbrojtur familjen e tij

Kur mesfushori i Danimarkës, Thomas Delaney, urdhëroi bashkëlojtarët që ta formojnë një “gardh” rreth Christian Eriksenit të shtrirë në fushë, ai veproi pjesërisht në bazë të instinktit dhe pjesërisht nga përvoja.

Delaney ishte lojtari që inicioi rrethojën mbrojtëse ashtu që sa më pak të shihej në publik nga ajo që po kalonte Erikseni. Ai kolapsoi gjatë ndeshjes me Finlandën dhe mbeti i shtrirë për një kohë.

Delaney dhe Yussuf Poulsen kanë folur për incidentin të mërkurën, para ndeshjes së Danimarkës me Belgjikë, që luhet të enjten.

Delaney, që luan për Borussia Dortmundin, ka thënë se ka parë një kolapsim të një lojtari kundërshtar gjatë një ndeshjeje të mëhershme dhe ka kuptuar se sa shumë vëmendje do t’i kushtohej Eriksenit derisa ai po pranonte ndihmën mjekësore.

“Për fat të keq e kam përjetuar këtë më parë. E kam parë më herët. Dhe ka shumë njerëz që janë të interesuar dhe kureshtarë”, ka thënë Delaney.

“Yussuf ishte pranë meje dhe ne vendosëm ta formojmë këtë rrethojë për ta mbrojtur atë. Ishte jo vetëm për të mbrojtur Christianin dhe stafin mjekësor, por edhe shokët e Christianit e familjen e tij. Nuk ishte situatë e këndshme për të qenë pjesë e saj, por ishte një mënyrë për ta ndihmuar Christianin.”

Eriksen kishte pësuar arrest kardiak në fund të pjesës së parë dhe u mbajt në jetë me defibrilator. Ai vazhdon të jetë në spital, por po e merr veten.

“Çdo gjë ka ndodhur shumë shpejt. Shumë lojtarë reaguan shumë shpejt”, ka theksuar Delaney.

“Ishte e qartë për ne se Christiani nuk ishte mirë kur ai bëri dy hapa dhe ra. Kështu që disa gjëra është dashur të bëhen shumë shpejt. Simon Kjaer arriti shpejt dhe ne thirrëm për ndihmë.”

Kjaer, që është shok i mirë me Eriksenin, po ashtu mori shumë lëvdata për ofrimin e ndihmës së parë ende pa arritur mjekët dhe për ngushëllimin e të dashurës së Eriksenit, pasi ajo zbriti në fushë.

“Simoni e tregoi karakterin e tij. Të gjithë lojtarët shfaqën karakter gjatë atyre minutave të gjatë. Kjaer merr shumë përgjegjësi mbi supe dhe ai e ka bërë këtë edhe në ditët e fundit. Por, ne të gjithë kemi luftuar në mënyrën tonë. E di se ishte vështirë për Simonin, ishte vështirë për shumë njerëz. Por, ai është personalitet. Ne e dimë këtë dhe besoj se shumë njerëz e panë këtë. Ai i meriton lëvdatat që po i merr”, thotë Delaney.