Dekonstruimi i gjëmës malinje ruse

Dekonstruimi i gjëmës malinje ruse

Sigurisht, në një kontekst të këtillë tashmë të komplikuar, me luftën në Ukrainë dhe tendencës ruse për të shtrirë ndikimin edhe në rajonin e Ballkanit, shqiptarët duhet të tregohen të kujdesshëm, të matur dhe rezistues ndaj atakimeve të heshtura që vijnë si filozofi e deplasuar politike nëpërmjet Serbisë, por edhe si valë propagandash mediale për të krijuar mjegull, mosbesim dhe pasiguri. Shqiptarët duhet ta afirmojnë pandërprerë synimin dhe angazhimin e tyre properëndimor, duke qenë në sinkron me BE-në dhe me SHBA-të në gjithë këtë kontekst të komplikuar dhe me tendenca për të trazuar pasiguri dhe destabilitet në vendet e rajonit.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Planimetria e Ballkanit, pozicioni gjeostrategjik, gjithnjë ka qenë në fokusin e ndikimeve të huaja, të cilat kanë ardhur valë-valë, varësisht nga kontekstet historike. Ballkani, në aspektin gjeografik, i takon Europës, por gjatë rrugës së historisë nuk kanë munguar ndikime të tjera, sidomos ato ruse, të cilat kanë bërë përpjekje që ta zhvendosin rajonin nga kjo matricë dhe ta bëjnë poligon të sferave të tyre të interesit. Pikërisht kjo prirje gjatë rrugës së historisë ka krijuar në rajon një gjendje të përhershme antagonizmash dhe kundërvëniesh, të cilat kanë shënuar edhe momente luftërash dhe përgjakjesh, sidomos në arealin historik shqiptar.

Ndikimi rus fillon të bëhet i dukshëm dhe agresiv, sidomos në periudhën e fundit të Perandorisë Osmane, atëherë kur popujt ballkanikë fillojnë të shfaqin ambiciet për krijimin e shteteve të tyre, gjegjësisht për rivendosjen dhe shtrirjen e tyre në një kontekst të madh gjeopolitik, që shënon edhe fazën e ndikimeve në rikonfigurimin e territoreve të Ballkanit. Pikërisht në këtë kontekst historik fillon edhe sakatimi i territoreve shqiptare, i tërësisë gjeografike të ruajtur në formë vilajetesh gjatë periudhës osmane.

Në këtë labirint të tmerrshëm historik, Serbia, me ndihmën e Rusisë, arrin të zhvattë territore shqiptare dhe të vendos hegjemoninë, politikat e saj agresive, të cilat do të projektohen përmes një programi atakues ndaj shqiptarëve, siç ishte “Naçetarnia”, që do të mbetet një burim zezone për gjithë rajonin e Ballkanit. Mbi këto projeksione për zgjerimin e Serbisë do të vazhdojnë më pas të gjitha atakimet serbe në rajon, sidomos ndaj shqiptarëve, ndaj qenësisë së tyre historike dhe gjeografike.

Pa dyshim, në asnjë rast nuk mund të kuptohen ndikimet aktuale ruse pa gjithë këtë sfond historik, që në esencë strukturon si filozofi pushtuese dhe kolonizese ambicien serbe ndaj territoreve shqiptare. Dhe, në gjithë këtë sfond kolonizues historik gjendet Kosova, në një vetmi persekutuese njëqindvjeçare. Binomi fatal për shqiptarët Rusi-Serbi, me projeksione shfarosëse gati përgjatë një shekulli, ka atakuar qenësinë shqiptare. Pikërisht në këtë zezonë përfshihet edhe periudha pesëdhjetëvjeçare komuniste, që ishte një dominim fatal rus dhe serb mbi qenësinë shqiptare.

Sigurisht, gjithë kjo periudhë historike njeh atakime brutale, por edhe kundërvënie të përhershme të shqiptarëve për ta ruajtur qenësinë e tyre europiane në kontekste të komplikuara gjeostrategjike. Vitet e ‘90-ta do të shënojnë fazën e ringjalljes dhe të rivendikimeve historike, gjegjësisht fazën e riafirmimit politik të aspiratës së shqiptarëve për të qenë pjesë e botës perëndimore të cilës i përkasin natyrshëm. Pikërisht, kjo aspiratë historike dhe demokratike e shqiptarëve do të shënojë një kthesë vendimtare për fatin e tyre në të gjitha hapësirat shqiptare. Secila me specifikat e veta do ta ritrazojë orientimin properëndimor dhe do të trasojë me shumë ngërçe një rrugëtim tjetër të pakthyeshëm drejt vlerave europiane.

Pavarësia e Kosovës do të jetë rrumbullakimi përfundimtar i kësaj aspirate historike, i këtij rivendikimi që po vinte i pështjelluar dhe me shumë tragjizëm në rrugët e historisë. Përfundimisht, të gjitha hapësirat shqiptare do të shkëputen nga zezona serbe prapa së cilës historikisht qëndronte Rusia me ambicien e saj të përhershme për të shtrirë ndikimin në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë përmes satelitit të saj Serbisë.

Rusia dhe Serbia gjatë tërë kohës kanë ruajtur një aleancë trazuese për rajonin. Varësisht nga kontekstet kohore kanë ndryshuar dhe strategjitë e tyre. Në rrafshin global Rusia e Putinit me kohë ka shfaqur ambicie dominuese të mbuluara me një lloj politike të heshtur të varësisë energjetike, sidomos të shteteve europiane. Por, agresioni ushtarak ndaj Ukrainës tashmë ka rrëzuar maskën e ambicies së heshtur për dominim, në kohën kur jashtë çdo rregulle ndërkombëtare Rusia e Putinit e ka përgjakur popullin e Ukrainës.

Pikërisht ky agresion tashmë e ndanë botën më dysh: në agresor dhe atakues të vlerave perëndimore dhe në mbrojtës të këtyre vlerave. Rusia tashmë shihet si një kërcënim global dhe sidomos si kërcënim për Europën, e cila deri para fillimit të kësaj lufte sikur ishte në gjumë, sikur ishte nën magjinë e varësisë energjetike të Rusisë. Por, tashmë kemi një situatë krejtësisht tjetër, një situatë që determinon pozicionime dhe hapa të tjerë për ta parandaluar agresionin rus në Ukrainë, por edhe për ta parandaluar ndikimin rus në Europë dhe, sidomos, në rajonin e brishtë të Ballkanit, ku një lojtar tradicional rus, siç është Serbia, mbetet i paparashikueshëm në ambicien për të rikthyer procese historike,

Sidomos tash me luftën në Ukrainë, shumë njohës të rrethanave gjeostrategjike tashmë kanë paralajmëruar se Rusia mund të përpiqet që të krijojë destabilitet edhe në rajonin e brishtë të Ballkanit. Bota perëndimore tashmë me kohë e ka identifikuar ndikimin malinj rus përmes formave të ndryshme, por sidomos nëpërmjet mediave. Ekziston një tendencë e vazhdueshme që Rusia të ndikojë përmes mediave, të cilat mbeten lehtësisht të identifikueshme nëpërmjet një analize diskursive. Pa diskutim, në gjithë këtë konstelacion gjeopolitik, pas agresionit në Ukrainë, Serbia në një formë tipike për të, herë duke treguar superioritet dhe herë duke luajtur rolin e viktimës, përpiqet që ta ruajë dogmën historike ndaj Kosovës dhe ta mbajë gjallë një konfliktualitet të përhershëm për ta nxjerrë Kosovën në pozicione të disfavorshme përballë faktorit ndërkombëtar.

Përkundër kësaj filozofie qëndron angazhimi ndërkombëtar për një dialog përmbajtjesor, për një proces që nënkupton njohjen reciproke, një qëndrim që afirmohet nga të gjitha subjektet politike në Kosovë, por edhe nga ndërkombëtarët, sidomos SHBA-ja. Ky dialog tashmë është në proces dhe pritet që deri në fillim të shtatorit të marr një kahje, një zgjidhje të pranueshme, që nënkupton pavarësinë e padiskutueshme të shtetit të Kosovës dhe subjektivitetin e mëvetësishëm ndërkombëtar të Kosovës.

Sigurisht në një kontekst të këtillë tashmë të komplikuar me luftën në Ukrainë dhe tendencës ruse për ta shtrirë ndikimin edhe në rajonin e Ballkanit, shqiptarët duhet të tregohen të kujdesshëm, të matur dhe rezistues ndaj atakimeve të heshtura që vijnë si filozofi e deplasuar politike nëpërmjet Serbisë, por edhe si valë propagandash mediale për të krijuar mjegull, mosbesim dhe pasiguri. Shqiptarët duhet ta afirmojnë pandërprerë synimin dhe angazhimin e tyre properëndimor, duke qenë në sinkron me BE-në dhe me SHBA-në në gjithë këtë kontekst të komplikuar dhe me tendenca për të trazuar pasiguri dhe destabilitet në vendet e rajonit. Ky orientim duhet të jetë imperativ kryesor i institucioneve dhe gjithë aktorëve të tjerë politike, shoqërorë dhe të shoqërisë civile. Të gjithë e kanë për detyrë që t’i dekonstruojnë diskurset dhe narrativën propaganduese ruse, që vjen si ndikim malinj me tendencë për ta destabilizuar rajonin.

Këto janë momente kthesash të mëdha historike dhe gjeostrategjike dhe shqiptarët, në këtë rast, duhet t’i ruajnë dhe t’i afirmojnë konstantat e orientimit properëndimor në të gjitha dimensionet e rrojtjes së tyre. Janë kohë të vështira, të paparashikeushme dhe me shumë sfida, por me mençuri politike dhe përtej zënkave të zakonshme ordinere mund të krijohet një sinergji kolektive, institucionale, për të krijuar antitrupat e nevojshëm kundër ndikimeve malinje ruse, por edhe kundër dogmës historike dhe aktuale serbe.