Dëgjohen shpërthime në veri të Mitrovicës – policia thotë se janë mjete piroteknike

Dëgjohen shpërthime në veri të Mitrovicës – policia thotë se janë mjete piroteknike

Sërish janë dëgjuar shpërthime në veri të Mitrovicë, saktësisht tek Lagjja e Boshnjakëve.

Dyshimet e para aluduan për shpërthim bombe, por këtë e ka demantuar Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti, ka njoftuar se shpërthimet në veri të Kosovës nuk vinin nga mjetet shpërthyese,por nga ato piroteknike.

“Bëhet fjalë për mjete piroteknike, nuk janë shpërthime që shkaktojnë efekte shkatërrimi, kanë efekte të zërimit, nuk ka lëndime. Kur flitet për Lagjen e Boshnjakëve, është një zonë jo një pikë e vetme”, ka deklaruar Hoti.

Njësitet e policisë së Kosovës, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po patrullojnë atë pjesë.

Deklarimi i qytetarëve

Ndërsa, sipas banorëve tek lagjja e Boshnjakëve, një veturë në lëvizje ka gjuajtur mjetin shpërthyes, që sipas policisë ka qenë mjet piroteknike.

Telegrafi ka siguruar një fotografi ku shihet vetura e dëmtuar, ndërsa ka edhe një vrimë tek dera e parë.

Po ashtu qytetarët kanë thënë për Telegrafin se ndjehen të shqetësuar, dhe duan që në atë pjesë të ketë më shumë prani të policisë./Telegrafi/