` . Dashuria e Enver Hoxhës ndaj komunistëve serbë - TV SHENJA

Dashuria e Enver Hoxhës ndaj komunistëve serbë

Gjatë muajit tetor të vitit 1942, KQ i PKJ-së e caktoi Bllazho Jovanoviqin si i deleguari special i PKJ-së pranë KQ të PKSH-së. Për rrjedhojë, gjatë muajit dhjetor të atij viti, B. Jovanoviqi, i shoqëruar nga Vojo Todoroviqi dhe Dushan Mugosha, arriti pranë udhëheqjes së përkohshme komuniste shqiptare, ku qëndroi deri në maj të vitit 1943.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Me nismën e dy përfaqësuesve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ-së), Milladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshës, më 8 nëntor 1941 në Tiranë u mbajt mbledhja e tre grupeve kryesore komuniste shqiptare (grupi i Korçës, grupi Shkodrës dhe grupi i Rinisë), me ç’rast u formua Partia Komuniste Shqiptare (PKSH). Në mbledhje u emërua Komiteti Qendror i Përkohshëm i përbërë prej 7 vetash: Enver Hoxha, Qemal Stafa, Tuk Jakova, Koçi Xoxe, Ramadan Çitaku, KristoThemelko dhe Gjin Marku. Në të njëjtën mbledhje, me direktivë të dy përfaqësuesve të PKJ-së, u soll një rezolutë ku në kreun V pika 6 të saj thuhej shprehimisht: “…Të zhvillojmë dashuri dhe bashkëpunim ushtarak me të gjithë popujt e Ballkanit, veçanërisht me popullin serb, grek, malazias dhe maqedonas, të cilët luftojnë heroikisht për çlirimin e tyre kombëtar…”. Për sa më sipër, shihet se udhëheqja e përkohshme komuniste shqiptare, luftën e ardhshme të shqiptarëve e shikonte në kuadër të “bashkëpunimit vëllazëror” me popujt jugosllavë dhe popullin grek, duke e injoruar qëndrimin e tyre ndaj tokave shqiptare jashtë Shqipërisë politike në përgjithësi, e ndaj Kosovës e Çamërisë në veçanti.

Është me rëndësi të theksohet se që në aktin themelues të saj u vërejtën pakënaqësi dhe mospajtime në mesin e anëtarëve të tre grupimeve tashmë të bashkuar. Kjo sidomos erdhi në shprehje në radhët e grupit të Rinisë, që udhëhiqej nga Anastas Luli dhe Sadik Premte, të cilët siç thuhet në dokumentin me titull “Lufta për unitetin e Partisë dhe të popullit”, të hartuar nga KQ i PKJ-së “nuk kishin aspak besim në atë se Partia mund të formohet nga njerëz të cilët deri dje kanë luftuar ndërmjet veti”, prandaj ata vazhduan t’i mbajnë lidhjet e vjetra, duke refuzuar bashkëpunimin me Komitetin Qendror të Përkohshëm. “…Mirëpo, thekson më tej dokumenti, intervenimi i shpejtë i shokëve të cilët qenë dërguar në Shqipëri nga ana e Partisë Komuniste të Jugosllavisë (Milladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha – Q. L.) dhe linja e drejtë që u përcaktua si në pikëpamjen organizative po ashtu edhe në atë politike, i detyroi ato elemente të luhatshme ose të rreshtohen fuqishëm përkrah Partisë ose të largohen. Paraqitje të hapura vinin kryesisht nga rinia dhe njerëzit e tyre nëpër rrethe. Lufta fraksionare erdhi në shprehje veçanërisht në Tiranë të organizuar nga Premka dhe Luli, e cila u zgjerua edhe në Elbasan, Vlorë dhe e përfshiu edhe organizatën e Gjirokastrës…”. Lidhur me këto përplasje, që asaj kohe ndodhën brenda PKSH-së, Dushan Mugosha, në kujtimet e tij, që ruhen në Arkivin e Jugosllavisë, fondi KQ i PKJ-së (507), vë në dukje se gjatë muajit prill të vitit 1942 udhëheqja e përkohshme e PKSH-së organizoi një mbledhje këshilluese, në të cilën është vendosur që nga radhët e PKSH-së të përjashtohen Anastas Luli, Sadik Premte, si dhe një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të saj, për shkak se – siç thekson ai – “sabotimit dhe moszbatimit të direktivave partiake…”. Ai më tej hedh dritë se pushkatimi i Lazër Fundos dhe vrasja e Anastas Lulit ka ardhur me kërkesë të udhëheqjes së PKJ-së: “Me intervenimi tonë u likuidua trockisti i mirënjohur Lazër Fundo (1944). Gjithashtu gjatë luftimeve në afërsi të Beratit është likuiduar njëri ndër udhëheqësit e grupit të rinisë, Anastas Luli, në vitin 1943…”. Në vazhdim Mugosha ndalet në aktivitetin e Vlorës për eliminimin e Sadik Premtes dhe grupit të tij, të cilin aktivitet e kishte zhvilluar personalisht ai me kërkesë të Milladin Popoviqit. Ja se si ai e përshkruan atë:

“…Pasi KQ i PKSH-së ende qëndronte në Tiranë, shoku Milladin më dërgoi mua (Dushanin) që ta pastroj çështjen në Vlorë. Pasi shkova në Vlorë, vërejta se lufta ndërmjet Sadikut dhe organizatës ishte zhvilluar aq shumë, saqë shumica e anëtarëve, në mesin e tyre edhe njerëz me autoritet, kishin kaluar në anën e Sadikut, në mesin e tyre edhe komandanti i çetës së parë partizane i njohur si ‘Vanço’. Në mesin e atyre që ishin lidhur me Premten ishte edhe Dr. Ibrahimi i, cili gëzonte autoritet të lartë në atë zonë si te masat, ashtu edhe te anëtarët e Partisë. Sadik Premte, me njerëzit që i kishte përvetësuar, ishte lidhur me Hysni Lepenicën…. Pasi e organizova një mbledhje me Komitetin dhe pasi në Komitet u pastruan çështjet, përkatësisht pasi Komiteti u bind se duhet të luftojë kundër Sadik Premtes dhe ndikimit të tij, si dhe kundër të gjithë atyre njerëzve të cilët asaj kohe qëndronin pas tij, atëherë u shkua në organizatat partiake bazë, në ushtri dhe në terren dhe te ta u vu në pah se ku të çon çështja e Sadikut, çfarë dëshiron ai. Në këtë mënyrë u bë kryesisht mobilizimi i organizatës partiake mbarë, në luftën kundër atij fraksioni që qe paraqitur. Krahas masave për demaskimin e Sadikut dhe njerëzve të tij më të afërt, u ndërmorën edhe masa që kishte të bënin rreth bindjes së personave të caktuar dhe ndarjen e tyre nga Sadiku. Një pjesë e tyre, të cilët nuk arritëm t’i bindim, u përjashtuan nga Partia, ndërsa kundër atyre të cilët ishin të gatshëm të luftonin kundër nesh u ndërmorën masa për shfarosjen e tyre, kështu që në mesin e atyre që u eliminuan qe edhe vet komandanti ‘Vanço’…”.

Në shtator të vitit 1942 udhëheqjes së përkohshme të PKSH-së i arriti një letër nga Sekretari i KQ PKJ-së, Josip Broz Tito, në të cilën ai ndalet në disa dobësi në planin politik e organizativ të partisë. Sipas tij, dobësia themelore paraqitej në lidhjen dhe punën e dobët me fshatarësinë. Pikërisht kjo dobësi, shkruante ai në letër, përbënte pengesën më të madhe për realizimin me sukses të detyrës siç ishte “çështja e luftës së armatosur me pushtuesin”. Përveç kësaj, ai komunistëve shqiptarë ua tërheq vërejtjen që në të ardhmen aradhet partizane të mos emërtoheshin si “forcë e armatosur e Partisë”, por si “forcë e armatosur e popullit shqiptar, përkatësisht Ushtria Nacionalçlirimtare”, detyra kryesore e së cilës do të ishte çlirimi i popullit shqiptar nga robëria e okupatorit. “…Përpiquni, shkruan më tej Tito, të vendosni lidhje me përfaqësues të grupeve dhe rrymave të ndryshme qytetare dhe së bashku me ta të krijoni Frontin Nacionalçlirimtar të Shqipërisë… Lidhur me zhvillimin e luftës partizane në Shqipëri, ju me siguri se do të hasni në vështirësi të mëdha sa i përket kuadrit komandues… Në rast se në Shqipëri lëvizja partizane zgjerohet dhe shtrihet në përmasa më të mëdha, ne do të bëjmë përpjekje që t’u dërgojmë disa komandantë më me përvojë, të cilët përvojën e tyre e kanë krijuar gjatë luftimeve të deritanishme…”. Letra e J. B. Titos pati jehonë të madhe te kreu i përkohshëm i KQ të PKSH-së. Milladin Popoviqi i raportonte Titos për rëndësinë e veçantë të saj, për arsye se ajo përbënte lidhjen e parë të PKSH-së me strukturat e larta partiake nga lartë. “…Ajo, shprehet Popoviqi, e ka stimuluar udhëheqjen dhe anëtarësinë që çështjen ta kuptojnë më seriozisht dhe me një sakrificë dhe dëshirë më të madhe…”.

Gjatë muajit tetor të vitit 1942, KQ i PKJ-së e caktoi Bllazho Jovanoviqin si i deleguari special i PKJ-së pranë KQ të PKSH-së. Për rrjedhojë, gjatë muajit dhjetor të atij viti, B. Jovanoviqi, i shoqëruar nga Vojo Todoroviqi dhe Dushan Mugosha, arriti pranë udhëheqjes së përkohshme komuniste shqiptare, ku qëndroi deri në maj të vitit 1943. Gjatë asaj periudhe kohore ai e përgatiti broshurën, përkatësisht “Doracakun për punëtorët partiak në ushtri”, në të cilën trajtoheshin problemet e ndryshme të luftës së armatosur. Ai, në bashkëpunim me Milladin Popoviqin, e përgatitën konferencën e PKSH-së, e cila u mbajt më 17-22 mars 1943 në Labinot. Referatin kryesor të konferencës, të përgatitur paraprakisht nga B. Jovanoviqi, e lexoi Kristo Temelko. Siç është e njohur, në atë konferencë u formua KQ i PKSH-së prej 15 anëtarëve, ndërsa me insistimin e Milladin Popoviqit, për Sekretar të partisë u emërua Enver Hoxha. Në raportin që B. Jovanoviqi më 16 maj 1943 ia dërgon KQ të PKJ-së, pasi e përshkruan gjendjen e PKSH-së, ndalet në rolin dhe punën e M. Popoviqit dhe D. Mugoshës, lidhur me formimin dhe zgjerimin e veprimtarisë politike e organizative të PKSH-së: “...Për punën e shokëve Milladin dhe Dushan mund të them se ka qenë e mirë dhe e suksesshme. Më duhet të them se është meritë e tyre që është formuar PK në Shqipëri dhe se në atë drejtim kanë treguar guxim dhe dituri të bollshme. Shoku Milladin ka pasur përvojë të shumta që t’u ndihmojë shokëve në Shqipëri që të bëhet pastrimi i partisë nga elementë antipartiakë e të huaja. Komunistët shqiptarë e vlerësojnë shumë shokun Milladin, ndërsa shokun Dushan e duan shumë. Pasi lufta në Shqipëri nga dita në ditë po bëhet gjithnjë e më e komplikuar dhe më e rëndë, jam i mendimit që shokëve në Shqipëri duhet t’u ofrohet një ndihmë edhe më e madhe, kjo për shkak se shokët Milladin dhe Dushan nuk kanë përvojë të mjaftueshme nga LNÇ-ja. Ajo ndihmë për momentin mund t’u jepet, sipas mendimit tim, në atë mënyrë që shoku Tempo herë pas here t’i ofrojë ndihmë udhëheqjes në Shqipëri, por njëkohësisht edhe përmes vendosjes së radio-lidhjes…”.

 

Shpallja e luftës kundër Ballit Kombëtar dhe Legalitetit

 

Gjatë viteve 1941-1944, krahas PKSH-së e cila siç u pa më lartë ishte nën ndikimin e plotë të PKJ-së, vepronte edhe “Balli Kombëtar”, organizatë kjo e nacionalizmit shqiptar me në krye Mid’hat Frashërin. Për dallim nga PKSH-ja, “Balli Kombëtar” qëndrimin e vet e kishte shprehur qartë qysh në dhjetor të vitit 1942, se “nuk pret asnjë të mirë ngatë huajt, kushdo që të jenë ata” sepse “Serbia don Kosovën…malazezi don Shkodrën deri në Plavë e Guci, se Bullgaria don me u shtri deri n’Elbasan…”. Kjo organizatë, nëpërmjet organit të vet informativ “Balli i Rinisë”, qysh në numrin e parë të saj apelonte: “…Të ruhemi prej idenave antishqiptare e prej idenave utopike antikombëtare…”. Lidhur me propagandën që zhvillonte PKSH-ja, gazeta shprehej: “…Mos u besoni predikuesve fantazma e satanikë të ‘parajsave toksore’! Parajsën do ta krijojmë na vetë me mundin t’onë, me djersën t’onë e me gjakun t’onë. Këtë shërbim na duhet t’ia sjellim Kombit…”. Në një shkrim tjetër të “Ballit të Rinisë”, opinionit shqiptar i ofrohej platforma politike e Ballit Kombëtar, në të cilën ndër të tjerave thuhej: “…Parimi kombëtar i joni nuk asht oligarhia as e nji klase, as e nji partie, as e nji kaste dhe as e parasë, por asht krijimi i ‘BASHKIMIT KOMBËTAR’, ringjallja e idealit kombëtar, mprojtja e interesave kolektive kombëtare, ruajtja e traditave dhe e trashigimit kombëtar…Na duhet ta hjedhim farën e këtij ‘BASHKIMI KOMBËTAR’ e do ta tregojmë të vetmen rrugë që do të na shpjerë në shpëtim. Në këtë vepër kemi një besim të vetëm: besojmë se ndërgjegjet e pastërta shqiptare kanë për të na kuptue dhe kanë për të na ndjekë. Ky besim na frymëzon fuqin e pathyeshme për veprim…”.

Në krye të Ballit Kombëtar, krahas Mid’hat Frashërit, qëndronin edhe një numër i madh i personaliteteve tjera intelektuale e nacionaliste shqiptare, si: Abaz Ermenji, Hasan Dosti, Skënder Muço, Safet Butka, Faik Quku, Hysni Lepenica, Vasil Andoni etj. Dalja në skenë e dy opcioneve politike, atij të nacionalizmës shqiptare me në krye Ballin Kombëtar dhe të FNÇSH-ës që i printe PKSH-ja, e shtroi nevojën e domosdoshme për një bashkëpunim në fushën politike dhe ushtarake. Ky bashkëpunim u finalizua më 1 gusht të vitit 1943 kur në Mukje u mbajt mbledhja e delegacioneve të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe e Ballit Kombëtar. Delegacionin e KPNÇ-së e përbënin: Abaz Kupi, Jahja Çaçi, Myslim Peza, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Sulo Bogdo, Omer Nishani, Stefan Plumbi, Shefqet Beja, Medar Shtylla, Haki Stërmilli dhe Gogo Nushi. Delegacioni i Ballit Kombëtar përbëhej nga: Hasan Dosti, Mid’hat Frashëri, Thoma Orollogai, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Jusuf Luzaj, Kadri Cakrani, Rauf Fratari, Nexhat Pëshkëpia, Halil Mëniku, Ismail Petrela dhe Vasil Andoni. Pas një debati të gjerë, dy palët arritën marrëveshje për krijimin e “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë”, i cili komitet mori për detyrë organizimin e “Luftës imediate kundër armikut okupator dhe kundër çdo armiku okupator tjetër eventual”. Pikërisht kjo pikë e marrëveshjes alarmoi dy përfaqësuesit e KQ PKJ-së pranë KQ të PKSH-së, Milladin Popoviqin dhe Dushan Mugoshën, sepse ata e kishin më se të qartë se pjesa e fundit e asaj pike i përkiste luftës kundër “pushtuesit eventual jugosllavë” në rast se repartet ushtarake komuniste jugosllave do të tentonin ta pushtonin Kosovën, si dhe tokat tjera shqiptare, që asaj kohe ishin bashkuar me Shtetin shqiptar. Sipas Dushan Mugoshës, Marrëveshja e Mukjes, përbënte një tradhti të Ymer Dishnicës dhe të delegatëve tjerë të Këshillit Nacionalçlirimtar, për shkak se ata ishin dakorduar të formohej “Komiteti për Shpëtimin Kombëtar”, me çka ata e vetvetiu e kanë “mohuar Këshillin Nacionalçlirimtar dhe rolin e PKSH-së në luftën Nacionalçlirimtare”. Ja se si ai e përshkruan këtë ngjarje me peshë historike për popullin shqiptar:

TRADHTIA NË KONFERENCËN E MUKJES

Mendoj se pas formimit të Këshillit Nacionalçlirimtar për shkak zgjerimit të vet këshillit dhe luftës kundër pushtuesit, Këshilli me nismën e PKSH-së thirri mbledhje të zgjeruar në të cilën përveç delegatëve të PKSH-së dhe Abaz Kupit kanë qenë edhe disa përfaqësues të Ballit Kombëtar. Në vend që aty të zgjerohej fronti, delegati i Komitetit Qendror të PKSH-së, Ymer Dishnica, ra në pozitën e tradhtisë, duke u dakorduar që të formohet njëfarë Komiteti Kombëtar, me çka vetvetiu mohohej Këshilli Nacionalçlirimtar i Shqipërisë dhe roli i PKSH-së në luftën Nacionalçlirimtare. Përveç kësaj, në atë Konferencë të Mukjes u soll Proklamata e përbashkët në të cilën flitej se është arritur pajtimi me përfaqësuesit e ndryshëm të Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe organizatave tjera, si dhe me bajraktarë dhe personalitete më të ndryshëm dhe se duhet luftuar nën komandën e atij Komiteti Kombëtar. Kjo shkaktoi huti të madhe në organizatë, sepse ajo proklamatë u shpërnda shumë shpejt në mbarë vendin, veçanërisht në viset ku lufta nacionalçlirimtare që përhapur në përmasa të mëdha, përkatësisht në Shqipërinë Jugore… Gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri, shoku Tempo (Svetozar Vukmanoviq – Q.L.) pas Konferencës së Mukjes, duke e kuptuar për tradhtinë që e bëri Ymer Dishnica, dhe pasi e kuptoi se edhe brenda KQ-së ende nuk pati një vendosmëri dhe qëndrim të qartë rreth Ballit Kombëtar, përkatësisht se ende nuk pati një qasje e as luftë kundër Ballit Kombëtar, Komitetit Qendror të PKSH-së i dha udhëzim se çfarë qëndrimi të marrë dhe me cilën formë të luftës ta fillojë.

Menjëherë pas kësaj Komiteti Qendror mori masa duke i njoftuar urgjentisht organizatat partiake për rastin e Mukjes dhe se edhe më tej lidhjet duhet t’i mbanin me KQ të PKSH-së, me Shtabin Kryesor, me Këshillin Nacionalçlirimtar, e assesi me njëfarë Komiteti Kombëtar siç qe formuar. Njëkohësisht u intervenua që të fillohet menjëherë me demaskimin dhe luftën e hapur kundër Ballit Kombëtar kudo që ai do ta pengonte zhvillimin e luftës dhe zhvillimin e aksioneve, për çka gjithsesi se do të duhej të udhëhiqej me diferencimin e të burgosurve dhe me masat e nënshtruara.

Ndihma e madhe e shokut Tempo, që e ofroi në lidhje me Ballin Kombëtar, menjëherë reflektoi në përmasa edhe më të mëdha në përforcimin e ushtrisë nacionalçlirimtare dhe në zgjerimin e saj, në thyerjen e organizatës së Ballit Kombëtar, në ndarjen e masës nga udhëheqësit reaksionarë dhe, në vende të caktuara, me kalimin masiv nga ndikimi i Ballit Kombëtar te Lëvizja Nacionalçlirimtare.

Lufta kundër Ballit Kombëtar së pari filloi në territorin e Vlorës edhe atë përmes pritave dhe gjuajtjeve ndaj individëve, duke ia përshkruar grupit luftarak të SadikPremtit.

Në atë periudhë Komiteti i Qarkut të Vlorës, me sugjerimin e shokut Dushan (Mugosha), lëshoi një thirrje duke e ftuar masën në luftë kundër Ballit Kombëtar si një organizatë tradhtare, organizatë e cila i shërben pushtuesit. Më vonë ajo luftë shpërtheu edhe në territorin e Skraparit dhe Elbasanit. Lufta e parë më serioze kundër Ballit Kombëtar qe zhvilluar në Lushnje, nga ana e njësive të Brigadës I Shqiptare, ku qenë likuiduar rreth 200 ballistë. Me një akt të tillë udhëheqjes së Ballit Kombëtar iu shkaktua një dridhje e madhe, ndërsa masës së mashtruar iu bë me dije se duhet të largohen nga një udhëheqje e tillë reaksionare.

Në fakt, shoku Tempo e mundësoi zhvillimin e mëtutjeshëm të luftës duke e përcaktuar një qëndrim të qartë në lidhje me Ballin Kombëtar dhe të gjithë tradhtarëve të kombit”.

Si rrjedhojë e presionit të Tempos, Popoviqit dhe Mugoshës në shtator të atij viti në Labinot u mbajt Konferenca II e Frontit Nacionalçlirimtar, e cila miratoi Rezolutën, me të cilën u hodh poshtë Marrëveshja e Mukjes. Kjo përfshihet në pikën VI të saj ku thuhet shprehimisht:

“VI. Konferenca e dytë Nacionalçlirimtare e mbështet vendimin e Këshillit të përgjithshëm për gjykimin e marrëveshjes së delegacionit të Këshillit me përfaqësuesit e ‘Ballit Kombëtar’. Kjo marrëveshje bie ndesh me parimet e Konferencës së Pezës, futet në kundërthënie me interesat në luftën për bashkimin e popullit shqiptar. Marrëveshje të ngjashme është e mundur vetëm mbi bazën e sjelljes së drejtë ndaj ‘Ballit Kombëtar’, siç u vu në pah në pikën katër të kësaj rezolute”.

Natyrisht, për ta arsyetuar një vendim të tillë antikombëtar dhe me pasoja vëllavrasëse, hartuesit e asaj rezolute ishin kujdesur që përmes shpifjeve, gënjeshtrave apo gjysmë të vërteta ta njollosin Ballin Kombëtar, si një organizatë “demagogjike”, “fashiste”, “shoviniste”, “antikombëtare” etj. Kjo pjesë përfshihej në pikën IV, përmbajtja e së cilës ishte si më poshtë:

“IV. Balli Kombëtar lindi si reaksion i Lëvizjes sonë nacionalçlirimtare dhe me pozitën e veprimtarinë e vetë u futë në arbitrin e këtij manovrimi demagogjik, që në atë kohë e pranoi armiku, kur u dëshmua se ishin të kota të gjitha përpjekjet për ta lidhë haptazi popullin shqiptar kah imperializmi italian, nën flamurin e fashizmit dhe Perandorisë së Musolinit. Nuk duhet harruar se shumica e udhëheqjes së ‘Ballit Kombëtar’, si Ali Këlcyra, Niazim Koculi, Sejfi Vllamasi, Rexhep Mitrovica etj., nën udhëheqjen e Mustafa Krujës, u futën në pakt me Italinë fashiste dhe e përshëndetën pushtimin e Shqipërisë nga armata italiane dhe robërimin e shtetit tonë nga fashizmi italian. Nuk duhet harruar se ata bashkëpunuan, përkundër ekzistimit të disa dallimeve të vogla, me Mustafa Krujën, që fati i Shqipërisë të lidhet me fatin e pushtuesit të saj – fashizmit italian dhe Boshtit në përgjithësi. Më 17 prill ata ishin në anën tjetër të barrikadave, me Italinë fashiste, e kundër popullit shqiptar.

 Nën perden e dashurisë ndaj Atdheut, në luftën e pushtuesve, për bashkimin kombëtar, ‘Balli Kombëtar’ kryente terror dhe e sabotonte luftën e patriotëve shqiptarë kundër pushtuesve fashistë, e përçante popullin shqiptar. Në kundërthëniet e hapura të programit të vet për bashkimin kombëtar, ‘Balli Kombëtar’ udhëhiqte politikë defetiste, e cila vetëm e çonte ujin në mullirin e pushtuesit. Veprimtaria e saj, propaganda e saj, parullat e saj janë shumë të ngjashme me parullat dhe politikën e Mustafa Krujës dhe të fashizmit italian e gjerman. Propaganda antikomuniste; shpifje se gjoja Lëvizja Nacionalçlirimtare në Shqipëri është lëvizje komuniste; propagandë shoviniste për rrezikun nga serbët e grekët për shtetin; propagandë e cila spekulon me dallimet religjioze dhe me tendenca separatiste vendore; pakt me armikun (protokoll me gjeneral Dalmacio nënshkruar nga Ali Këlcyra, me pëlqimin nga qendra e ‘Ballit Kombëtar’); metoda fashiste e gangsterë në raport me popullin (grumbullimi i detyrueshëm i të dhjetave, grumbullimin me forcë të njerëzve, përdorimi i metodave më të ndryshme të frikësimit për grumbullim të mjeteve etj.); pranimi masiv nga radhët e banditëve profesional si Isa Manastiri, KajoTresova, Hamit Matjani etj.; spiunët dhe agjentët e ‘SIM’it, si Irfan Ohri; provokim lidhur me lëvizjen tonë; pranimi në radhët e tyre të spekulantëve të mëdhenj, të lidhur me grupet e spekulantëve italian; marrëdhënie të dyshimta me pushtuesit gjerman; akuza shpifëse në adresë të anëtarëve të lëvizjes nacionalçlirimtare, veçmas sa i përket moralit – ja cilat vepra janë të ‘Ballit Kombëtar’…”.

Për sa u tha më sipër, shihet qartë se në hartimin e kësaj Rezolute pati gisht të fuqishëm udhëheqja e PKJ-së, përkatësisht misionarët e saj: Svetozar Vukmanoviq-Tempo, Milladin Popoviq e Dushan Mugosha. Këtë e kishte paralajmëruar vetë Tempo, në raportin e 8 gushtit 1943, dërguar KQ të LKJ-së, ku ndër të tjerave shkruan: “…Unë u fola se duhet filluar luftën politike kundër Ballit Kombëtar…”. Distancimi i kreut të PKSH-së nga vendimet e Mukjes, si dhe shpallja e luftës së hapur kundër Ballit Kombëtar, nënkuptonte se Enver Hoxha dhe klika e tij komuniste, ishin futur thellë nën shërbim të planeve dhe projekteve antishqiptare të klikës komuniste jugosllave, në krye me JosipBroz –Titon, të cilat fare nuk dallonin nga ato të mëparshmet, përkatësisht të ish Qeverisë së Mbretërisë Jugosllave.

 

Letrat e Enver Hoxhës, Mehmet dhe Fiqret Shehut dërguar J.B. Titos dheDushan Mugoshës pasi ky i fundit u kthye në Jugosllavi

Me vendim tëKQ të LKJ-ës, fillimisht Dushan Mugosha(maj 1944) e më pas edhe Milladin Popoviqi (shtator 1944) u kthyen në Jugosllavi. Menjëherë pas kësaj pasuan letrat falënderuese të Enver Hoxhës, Nexhmie Hoxhës, Mehmet Shehut, Fiqret Shehut, Tuk Jakovës, Koçi Xoxes, Hysni Kapos, Bedri Spahiut etj., të cilat ruhen në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd. Për shkak të hapësirës së kufizuar, në këtë punim e pamë të arsyeshme ta botojmë letrën e Enver Hoxhës dërguar J. B. Titos, me rastin e largimit të Milladin Popoviqit, si dhe letrat e Mehmet e Fiqret Shehut dërguar Dushan Mugoshës:

 

“Mareshalit të Jugosllavisë Tito,

Komandantit Suprem të LNÇ të Jugosllavisë

I dashur shok,

Shfrytëzoj rastin e kthimit të shokut Milladin për t’ju shprehur falënderimin tim të thellë, Juve dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste heroike të Jugosllavisë.

Interesimin e madh që në vazhdimësi e keni treguar ndaj Partisë sonë të re, këshillat e çmueshme Tuaja, ndihmën e pandërprerë që na e keni ofruar, kanë qenë një ndër faktorët kryesor të formimit, ngritjes dhe përforcimit të Partisë sonë, e cila në momentet më të vështira të historisë sonë kombëtare u dëshmua me të drejtë se është udhëheqja e denjë e popullit tonë në luftën çlirimtare kundër okupatorëve fashistë dhe tradhtarëve, mercenarëve të paguar.

Letrat Tuaja, këshillat Tuaja të shumta dashamirëse, të cilave, për fatin tonë të keq, për shkak vështirësive të luftës nuk kemi mundur t’u përgjigjemi menjëherë, na mundësuan neve perspektiva të gjëra të punës dhe pikëpamjeve tona të reja, mbi të cilat e kemi ushtruar forcën tonë.

Linja e drejtë dhe e qartë e Partisë Komuniste heroike të Jugosllavisë për ne nuk ka qenë vetëm pishtare e antifashizmit, e cila e ndriçon rrugën tonë të rëndë e të mundimshëm, por njëkohësisht mbështetja e fuqishme në punën tonë të sapo filluar.

Në këtë luftë të përbashkët kundër armikut të përbashkët, dy Partitë tona motra kanë vendosur themelin e vëllazërimit të dy popujve tanë. Partia e re e jona, e cila po zhvillon luftë çlirimtare të popullit tonë, ndihet e fuqishme, sepse pas saj qëndron e madhja Parti Komuniste e Jugosllavisë dhe udhëheqësi i saj i mençur, Mareshali Tito, i cili nuk do ta heqë dorë për të na ndihmuar, sikur na ka ndihmuar në momentet e rënda të luftës sonë, kështu që të ecim dorë për dore deri te fitorja përfundimtare, për një shoqëri të re.

Tërë fuqinë tonë do ta japim vetëm që Partia jonë të jetë gjithmonë avangardë dhe ta udhëheq popullin tonë deri te fitorja përfundimtare, ashtu siç na ka mësuar shoku ynë i dashur dhe i madhi Stalin.

Do të tregoheshim shumë mosmirënjohës nëse do ta lëshonim që nga ky vend ta përmendim falënderimin e madh që gjithashtu Partia jonë e ndjenë ndaj dy shokëve jugosllavë, Milladinit dhe Dushanit, të cilët që nga hapat e parë të Partisë sonë e deri më sot, e kanë dhënë tërë fuqinë dhe përvojën e tyre vetëm e vetëm që të përforcohet Partia e jonë dhe lufta jonë të jetë më efikase.

23 shtator 1944 Përshëndetje shoqërore

Për Komitetin Qendror të PKSH-së

  1. Hoxha”

 

 

“Shokut Sali Murati (emri ilegal i Dushan Mugoshës)

I dashur shok,

Letrën t’ënde të 22 Marsit e kënduam. Nga përmbajtja e saj u prekëm, u entusiazmuam, u inkurajuam, u udhëzuam.

Në fillim, kur u largove ngarrethi i kësaj familjës s’onë të madhe që quhet Brigada e I-rë, na dukesh vehtja sikur na mungonte diçka kryesore, na dukesh vehtja si jetimë të pa nënë. Por dal nga dal, u mësuam të ecim mbi këmbët t’ona, ashtu siç na kishe mësuar t’i dhe Partija, dyke na hequr prej dore, në fillim, si mëma e mirë që heq prej dore foshnjën e mbarë që premton shumë. Malli i math na ka marë për ty, por e dimë që puna e tepërt s’të lejon të vish tek ne e të çmallosemi.

Shoku Salë! Prej 15 Gushtit e deri më sot kemi bërë shumë përpjekje, kemi qenë në luftime të vashdueshme me okupatorin dhe armiqtë e popullit. Mijra armiq janë zhdukur nga faqe e dheut prej nesh. Dhe gjaku i gjashtë dhjetë dëshmorvet t’onë që kanë rënë në fushën e nderit, ka shkruar mbi flamurin t’onë: “HAKMARJE PROLETARE”. Asnjë herë s’kemi patur disfata: kurdoherë kemi korrur suksese. Kurrë nuk jemi çpartallosur: vashdimisht familja e jonë shtohet, forcohet, shkon përpara. Jemi të ndërgjegjshëm se këtë zhvillim, këtë forcë, këtë disiplinë e vet-mohim, këtë shpirt sulmonjësi e guxim partizani, këtë frymë e vendoshmëni proletari e kemi fituar në sajë të ndihmës që na ka dhënë Shtabi i ynë i Përgjithshëm përgjithësisht dhe Partija e jonë Komuniste veçanësisht.

Lidhja e ngushtë që kemi në Shtabin e Përgjithshëm na e forcon besimin në ‘të dhe na bën të jemi gati të sulmojmë çdo armik, ndnë çdo rrethana, kurdoherë dhe kudo që t’a shohë të arësyeshme dhe të nevojëshme Shtabi i ynë. Kemi besimin më të plotë në Partinë t’onë Komuniste e cila ka qenë dhe është e vetmja Parti që na organizon, na ndihmon, na mëson, na drejton.

Pengesat të mbëdha kemi kaluar; luftime të ashpra kemi zhvilluar;por e dimë fare mirë se përpara nesh shtrihet një botë e tërë me pengesa më të mbëdha akoma dhe që na fton në përpjekje akoma më të ashpra. Puna që kemi bërë deri tash nuk është e gjithë puna që duhet të bëjmë; mund të bënim edhe më shumë; do mundohemi të bëjmë më shumë në të ardhëshmen. Sa do që detyrat t’ona janë të rënda dhe rruga që kemi përpara është plotë vështirësira të mbëdha, ne jemi të sigurtë NË FITOREN T’ONË TË FUNDIT sepse kemi besim në PARTINË T’ONË që na drejton me mjeshtëri.

Kujdesi i veçantë që ka treguar epo tregon Partija e jonë për ne, udhëheqja e drejtë dhe drejtimi i i shquhet i saj na kaformuar ndërgjegje se VETËM TË LIDHUR PAS PARTISË KOMUNISTE, TË UDHËHEQUR PREJ SAJ, ME BESIMIN MË TË PLOTË NË ’TË, ME BINDJE, RESPEKT, VET-MOHIM E DASHURI PËR ’TË, DO TË MUNDEMI TË ECIM ME TRIUMF, PËRPARA, DREJT OBJEKTIVËVET T’ONA TË FUNDIT, DREJT ÇLIRIMIT TË POPULLIT T’ONË NGA ZGJEDHA E HUAJ DHE ÇLIRIMIT SHOQËROR TË VËRTETË E TË KURDOHERSHËM.

Të fala shoqërore,

N’emër të të gjithë partizanëve dhe përgjegjësvet të Brigadës I-rëSulmonjëse,

KOMANDANTI

 (Mehmet Shehu)

12/IV/44”

 

“I dashur shok Dushan,

Muarëm vesh nga shoku Taras (Enver Hoxha – Q.L.) se së shpejti do të na largohesh për në terrene të largëta, prej nga do të jetë i pa-mundur takimi. Ky lajm qe Befasi e hidhët për ne, siç mund të jetë për gjithë shokët që të njohin së afërti. Me një herë kur muarëm lajmin, na doli përpara syve Sala (Dushani – Q. L.): mësuesi i ynë. Ndëjtëm disa minuta, duke kujtuar përpjekjet e sakrificat e tua për Partin t’onë (atë që dijmë ne). Sigurisht që është nevojë e Partisë s’onë Internacionaliste që të detyron të largohesh nga ne, në këtë fazë madhështore të lëvizjes s’onë e të mos mundësh të shohish së afërmi, me syt e tu, frutet e punës s’ate në një volum më të gjërë se deri tash.

Kemi kaluar bashkë kaq kohë; kemi qarë hallet t’ona Komuniste; kemi punuar bashkë; na ke udhëzuar; na ke koregjuar; na ke mësuar. Pengesa të mëdha kemi kaluar në momente kritike; kemi luftuar armikun bashkë kaq kohë; jashtë Brigadës dhe brënda në Brigadë.

Ditë kritike kanë qenë ato që kemi kaluar bashkë (Mehmeti) në Vlorë e Mallakastër, ditë kur fraksioni tradhëtar i Xhepit na e pat minuar organizatën dhe na e pat katandisur për ditë të hallit; e nuk mund të harrohen kurrë.Jeta e jonë në Brigadë, e cila me ndihmën t’ënde serioze dhe me drejtimin e Partisë s’onë e me sakrificat e partizanëvet, është bërë tmerr i reaksionit, nuk mundtë harrohet.

Por më tepër puna konkrete që ti ke bërë për Partinë t’onë në përgjithësi, është e pa-harrueshme për ne, si për gjithë Komunistat Shqiptarë. S’harohen kurrë sakrificat personale që ti ke bërë për Partinë t’onë, duke mos lënë mal, fushë e lum pa kapërcyer, duke vënë jetën t’ënde kaq herë në rrezik. Nuk kishim Parti, por kishim e ishim “komunista bashibuzukë”, ishim një “turli me zarzavate të hidhura” e me udhëzimet e Miladinit dhe t’uat, me ndihmat t’uaja mundëm të seleksionohemi, të formojmë Partinë t’onë Komuniste, t’a forcojmë. Na dhatë dorën, na mësuat, na ngritët si mëma foshnjën e na bëtë të jemi në gjëndje të ecim me këmbët t’ona, me një Komitet Qëndrort’onin, me një Organizatë t’onën, me një Vijë t’onën, të njohur e t’aprovuar nga Internacionalja Komuniste. Dhe kemi besimin më të plotë, si neve Komunistët ashtu edhe populli mbarë, se Partija e jonë Komuniste është në gjëndje që t’adrejtojë popullin mbarë, se Partija e jonë Komuniste është në gjëndje që t’a drejtojë popullin drejt Objektivit Final. Është jo vetëm dëshira e jonë, që e dijmë largimin t’ënd, porse edhe e gjithë Brigadës, që s’di gjë, që të ndodhesh në mest’onë për festën e 1 Majit. Por në qoftë se nuk vjen dot, kërkojmë dhe insistojmë në kërkesën t’onë që, të paktën para se të ikësh, me qe do të kalosh nga kjo anë, të rrijmë ndonjë ditë së bashku, prandaj na lajmëro se ku duhet të dalim për t’u takuar?Na vjen KEQ edhe neve që po largohesh para se të mbarohet tabela që është porositur me mbi-shkrimin BRIGADA e I-rë PROLETARE!

O Salë! Po, për interesat e larta të Brigadëst’ënde, kë do lësh pranë Sht. Përgj.? Kujt do t’i a besosh këtë misjon special, or të shtoftë soji e t’u bëftë na-a-a-a-a-a?!!!!

Të fala shoqërore:

e të puth

Fiqret

Mehmet”.

Fund