` . Çmimi Nobel për mohuesin e gjenocidit rikujtoi laureatët kontroversë - TV SHENJA

Çmimi Nobel për mohuesin e gjenocidit rikujtoi laureatët kontroversë

Ndarja e Çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin austriak Peter Handke, i cili ka mohuar Gjenocidin e Srebrenicës dhe ka mbështetur ish-udhëheqësin serb Sllobodan Millosheviç gjatë luftës në Kosovë, rikujtoi laureatët kontroversë në të kaluarën, shkruan AA.

Ndarja e Çmimit Nobel për Handken nga ana e Komitetit Nobel të Akademisë Mbretërore Suedeze shkaktoi reagime dhe debate të mëdha në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Të afërmit shqiptarë dhe boshnjakë të viktimave organizuan protesta në Kosovë dhe Bosnjë Hercegovinë, duke kërkuar që të hiqet dorë nga gabimi në fjalë dhe çmimi të mos i jepet Handkes.

Handke, i cili ishte një admirues i madh i Millosheviçit, në një shkrim të publikuar gjatë luftës në Kosovë, kishte shkruar: “Nëse mbështetni serbët, çohuni në këmbë”. Ai tërhoqi reagime jo vetëm nga shqiptarët dhe boshnjakët, por edhe nga opinioni ndërkombëtar.

Para ceremonisë që do të organizohet në Stockholm me pjesëmarrjen e shumë gazetarëve, aktivistëve dhe akademikëve, pritet edhe një protestë.

Ndarja e këtij çmimi shkrimtarit austriak gjithashtu rikujtoi edhe vendimet e diskutueshme të Komitetit, i cili vitin e kaluar ishte temë diskutimi me skandale të ngacmimit.

Anëtarja e Komitetit të Nobelit, Gun-Britt Sundström, menjëherë pas ndarjes së çmimit në letërsi për Handke, dha dorëheqje nga detyra e saj nga Komiteti për arsye se nuk janë bërë ndryshimet e duhura në komitet pas skandalit të ngacmimit seksual të vitit të kaluar dhe ndarjes së çmimit për shkrimtarin austriak.

Debat edhe mbi çmimet e ndara për BE-në dhe Obamën

Në retrospektivë, Handke nuk është i pari ndaj të cilit reagohet për ndarjen e Çmimit Nobel. Ndër vendimet e diskutueshme që zënë vend në kujtimet e njerëzve është dhënia e Çmimit Nobel për Paqe Bashkimit Evropian (BE) në vitin 2012. Ndarja e çmimit për BE-në me arsyetimin se për 60 vjet në Evropë, BE ka luftuar me vendosmëri për të drejtat e njeriut, demokracinë, paqen dhe pajtimin, hasi në reagime të tilla si pohimet se blloku evropian është vërshuar nga problemet ekonomike dhe ka shitur armë.

Po ashtu, ndarja e Çmimit Nobel për Paqe ish-presidentit amerikan Barack Obama në vitin 2009, ngjalli reagime të mëdha në opinionin publik botëror. Fakti që ai u vlerësua i denjë për një çmim kaq të rëndësishëm në muajin e nëntë pas emërimit të tij e befasoi vetë Obamën. Deklarata e tij se nuk kishte pritur “një vendim të tilla nga Akademia”, kishin ngelur temë diskutimi për një kohë të gjatë. Edhe pse Komiteti argumentoi se Obama e meritonte këtë çmim për atë që kishte bërë, ai ishte përballur me reagime për politikat e tij, veçanërisht në Irak dhe Afganistan.

Në listë edhe Maathai dhe Kissinger

Megjithëse aktivistja afrikane ambientaliste Wangari Maathai, e cila u shpërblye me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2004, hyri në histori si afrikanja e parë që mori këtë çmim, disa qarqe theksuan se ajo nuk e meritoi çmimin, për të cilin u vlerësua si e denjë për shkak të luftës në Kenia kundër shkatërrimit të pyjeve dhe korrupsionit. Më vonë, pas një deklarate në të cilën Maathai kishte theksuar se virusi AIDS ishte përgatitur nga perëndimorët për të shkatërruar njerëzit me ngjyrë, kishte kërkesa që asaj t’i merrej çmimi.

Një nga figurat më të diskutueshme në mesin e fituesve të Çmimit Nobel për Paqe është ish-politikani amerikan Henry Kissinger. Kissinger, i cili fitoi çmimin në vitin 1973, kur ishte këshilltar i ish-presidenti amerikan Richard Nixon, mori këtë çmim për kontributin e tij për t’i dhënë fund Luftës së Vietnamit. Megjithatë, Kissinger u përball me reagime pasi lufta vazhdoi dhe paqja nuk u arrit, ndërkohë që bashkëfituesi i çmimit, politikani i Vietnamit të Veriut Le Duc Tho, e refuzoi çmimin.

Liderja e Mianmarit, në shënjestër të reagimeve

Liderja e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, e cila pranoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1991, ka qenë në shënjestër të reagimeve, veçanërisht pas heshtjes së saj për persekutimin e muslimanëve të Arakanit. Heshtja Suu Kyi, e cila nuk ndërmori asgjë gjatë dëbimit të dhjetëra mijëra njerëzve dhe vrasjes së mijëra të tjerëve përkundër thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për të ndaluar përndjekjen e muslimanëve në Arakan, është komentuar se është në kundërshtim me çmimin e paqes.

Teksa lideres së Mianmarit Suu Kyi iu morën shumë çmime për shkak të qëndrimit të saj ndaj vrasjes së muslimanëve të Arakanit, Komiteti i Nobelit ka njoftuar se asaj nuk do t’i merret Çmimi Nobel.